e premte 3 dhjetor 2021
e premte 3 dhjetor 2021

 

 

Intervistë me Adrian Gurma, Kryetar i Bashkisë së Sarandës

 

Në Sarandë, këtë vit, mbizotëroi tregu shqipfolës në sezonin turistik veror, por kjo nuk i përjashton edhe tregjet e tjera si polakët, ukrainasit që ishin të pranishëm gjithashtu.

Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma, në një intervistë për “Monitor”, shprehet se tregu polak është mjaft i rëndësishëm për qytetin, pasi tashmë ka një tendencë edhe drejt sipërmarrjes nga kjo kategori. Shumë prej restoranteve apo hoteleve janë marrë nën menaxhim pikërisht nga ky treg. Gurma shprehet se janë bërë një sërë investimesh të rëndësishme në qytet, në funksion të profilit turistik të tij.

 

Saranda, në perceptimin e përgjithshëm, kishte këtë vit një nga vitet më të mira të turizmit, pavarësisht pandemisë. Ju, si institucioni kryesor vendor, që shihni zhvillimet reale, si e vlerësoni këtë sezon?

Nuk ka dyshim se 2021 shënoi për Sarandën vitin më të mirë të prurjes turistike. Ndoshta do të rezultojë edhe më i mirë se viti 2019, përpara fillimit të pandemisë. Ne kemi arsye t’i gëzohemi kësaj, si një arritje, që ndoshta tejkalon edhe pritshmëritë tona dhe të biznesit vendas. Këtë e gjen si një perceptim të përgjithshëm, i cili konfirmohet nga biznesi lokal dhe nga të gjitha shërbimet në funksion të turizmit.

Më duhet të them se ky perceptim merr edhe më shumë vlerë, i vënë përballë me faktin se, për shkak të niveleve të prekjes nga pandemia në disa nga vendet që janë treg i turizmit për ne, sivjet nuk funksionoi turizmi i kroçerave. Edhe tregu i turizmit skandinav krijoi një boshllëk jo të pakët, me ndaljen e guidave drejt nesh, për të njëjtën arsye.

Përveç anës numerike të flukseve turistike, që presim të rezultojë në kuota të larta, për t’u veçuar është edhe standardi i shërbimeve që u ofrua këtë verë, duke ecur sipas logjikës dhe praktikës së një spirali në rritje.

Biznesi ynë i turizmit, çdo vit e më bindshëm, po tregon se ka zgjedhur të bëhet konkurrues në treg me cilësinë dhe standardin e shërbimit. Ajo po ndahet përfundimisht nga dukuria e spekulimit me çmimet dhe duke vënë si synim që shërbimi dhe çmimi i tij, të ecin paralelisht.

Një tjetër profil i sezonit tonë 2021, është edhe zgjatja e tij në kohë, duke dalë nga kufijtë tradicionalë e klasikë të turizmit të verës. Saranda dhe Ksamili vazhdojnë të jenë të frekuentuar nga pushues dhe vizitorë jo të paktë edhe në shtator e shpresojmë, edhe në tetor. Nga kapacitetet tona akomoduese, vetëm 10 për qind e tyre rezultuan të paprenotuara për shtatorin. Ky është një tregues që flet bindshëm për “zgjatimin” e verës edhe në muajt e vjeshtës sonë.

Klima e butë dhe moti i ngrohtë që vazhdon të mbajë, na favorizon për konkretizimin e strategjisë sonë si qeverisje vendore, që të largohemi nga sezonaliteti e të mos pretendojmë më për sezon turistik, por për vit turistik. Për t’ia arritur kësaj, kemi programuar vijimësinë e eventeve kulturore.

Nëse në gusht ishin programuar dhe u realizuan çdo dy ditë evente kulturore dhe artistike të përmasave të mëdha, në shtator patëm ngjarje të tilla me përmasa ndërkombëtare, si: Simpoziumin e Parë Ndërkombëtar të Pikturës, sfilatën e 40 bukurosheve nga “Miss Summer World”, apo në fillim të tetorit, Manifestimin Poetik, me poetë nga rajoni dhe bota.

Për të mbërritur nga sezoni tek viti turistik, ne kemi programuar hedhje të hapave konkretë edhe në turizmin alternativ: si ai kulturor, arkeologjik, historik e mjedisor, duke promovuar Sarandën si vend të mbajtjes së konferencave të përmasave kombëtare e rajonale, sidomos këtë vit, që shënon 100-vjetorin e Bashkisë sonë dhe hyrjen në një shekull të ri të jetës së këtij institucioni.

 

Cilat kanë qenë grupet kryesore që e kanë vizituar Sarandën në këtë sezon, flasim për turistë?

Edhe në këtë vit të parë post-pandemi, turizmi ynë u dominua nga turizmi i brendshëm, nga qytetet e mëdha e të vogla brenda vendit, por edhe nga hapësira shqipfolëse. Shqiptarët e Kosovës, përfshi edhe diasporën e Kosovës, në Gjermani, Zvicër, Belgjikë etj., zgjodhën të pushojnë në brigjet tona me ture të plota, ndërkohë që një prirje tjetër ka qenë turizmi i fundjavave. Po kështu, edhe turistët nga Maqedonia e Veriut,

Megjithatë nuk munguan të huajt. Të pranishëm në destinacionet tona kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë turistë ukrainas dhe bjellorusë. Turistët polakë kanë qenë disi më të pakët në numër. Por vlerësojmë trendin që ata u shfaqën jo vetëm si turistë. Mjaft prej tyre janë sipërmarrës të shërbimeve të ndryshme turistike, si në hoteleri, restorante etj. Turistët serbë kanë qenë të shtuar në numër, si dhe në sipërmarrjet e tyre turistike në Sarandë e Ksamil.

Turistët rusë kanë qenë një grup tjetër, dukshëm edhe më të pranishëm se çdo vit. Në shumicë, ata kanë preferuar të udhëtojnë me charter drejt Tiranës, për të realizuar zgjedhjen e Sarandës dhe Ksamilit, si destinacione të preferuara për pushimet e tyre të kësaj vere.

Nuk mungojnë turistët e jahteve dhe velierave tek ne, ku u regjistruan rreth 600 të tillë, që përfaqësojnë turizmin elitar. Gjithashtu, ishte i pranishëm turizmi familjar i rulotëve dhe turizmi i udhëtimeve me motoçikleta. Pamë se të gjithë mbetën të kënaqur nga oferta jonë, dukshëm e përmirësuar.

 

Sa struktura akomoduese ka Saranda dhe Ksamili aktualisht, sipas të dhënave që keni?

Kapacitetet akomoduese turistike vijnë dukshëm në rritje. Duke qenë se çdo verë na gjen me numër të shtuar hotelesh, si në Sarandë edhe në Ksamil, mundësia për akomodim, vjen në rritje. Numërojmë 836 struktura akomoduese të regjistruara ne Sarandë e Ksamil. Si Bashki kemi në total 3200 biznese, nga të cilat 836 janë njësi akomoduese, hotele e hostele dhe shtëpi të dyta.

 

A ka kërkesa për investime të reja në struktura nga bizneset? Po nga investitorë brand name (marka)?

Kërkesat për investime të reja në turizëm, kryesisht struktura akomoduese, vijnë në rritje. Aplikimi për leje ndërtimi bëhet online. Roli i Bashkisë është në pajisjen e tyre me dokumentacionin përkatës, në pajtim me kriteret e përcaktuara për numrin e kateve dhe sipërfaqen ndërtuese, sipas zonës ku do të investohet.

Edhe marketim-brandimi dhe promovimi i destinacionit, falë investimit të Bankës Botërore, ka hyrë në një fazë të re, më cilësore. Ne jemi duke krijuar markën turistike për territorin Bashkia e Sarandës. Ndërkohë, me mjaft interes është pritur krijimi i website të ri turistik dhe gjetja e mënyrave për nxitjen e publikimit të fotove dhe videoklipeve sa më profesionale, përmes konkurseve të shpallura nga ana jonë.

 

Cilat janë disa nga investimet kryesore të Bashkisë, që i shërbejnë edhe turizmit?

Përveç mikpritjes, menaxhimit më të mirë të shërbimeve, si: pastrimi, lëvizshmëria etj., me ndikim të jashtëzakonshëm ishte investimi për rivlerësimin që iu bë shëtitores “Naim Frashëri”. E performuar në mënyrë moderne, ajo u bë aset i rëndësishëm dhe arsye më vete për të ardhur në Sarandë. Është investimi dhe aseti më i madh që iu shtua Sarandës.

Është ndjekur në mënyrë të vazhdueshme gjendja e infrastrukturës në të gjithë territorin e Bashkisë. Ka nisur investimi për rrugën e re poshtë Lëkurësit, si një alternativë e re, për të lehtësuar trafikun në kohën e pikut të sezonit. Ky investim është vlerë e rritur për pronën dhe asetet e komunitetit në atë zonë. Rrjeti i brendshëm i ujësjellësit në dy lagje periferike të Ksamilit pothuaj është në përfundim, ndërkohë që pritet të nisë së shpejti përmirësimi i rrjetit të brendshëm të ujësjellësit në lagjen 3 të Sarandës,

Ka nisur investimi privat për Portin e jahteve në Kodrën e Limjonit.

Me ndikim jo të vogël kanë qenë edhe investimet tona, në dukje të vogla, por që preken nga banorët dhe pushuesit, siç janë: gjelbërimi, ndriçimi publik, trotuaret dhe administrimi i plazheve, që për herë të parë këtë verë, u ofruan falas, pa asnjë pagesë për qytetarët.

Sinjalistika vertikale dhe horizontale në rrugët brenda qytetit, iu përgjigj kërkesave për një qarkullim normal dhe shumë më tepër lehtësues për trafikun me ngarkesë të pesëfishuar.

Do ta quaja investim edhe atë që bëmë, duke u treguar të prerë me disiplinimin e orareve të punës së mjeteve të rënda, si: çekiçë e matrapikë në pikun e sezonit turistik. Ia dolëm të vëmë në kontroll edhe mënyrën e funksionimit të shërbimit, tregtisë dhe veprimtarive të tjera në mjediset publike e private, nga korriku në fundin e shtatorit, në funksion të turizmit.

 

Cilat janë planet në zhvillim për këto investime? Ku do të fokusohen? 

Investimet në infrastrukturë, në kuptimin më të gjerë të fjalës, do të vazhdojnë, pasi atje ne shohim mundësi të tjera për rritje të performancës dhe për përgatitje sa më cilësore të destinacionit turistik. Në fokusin tonë është përfundimi plotësisht i investimit për rrugën e Lëkurësit dhe aksesimi i plotë i këtij aksi alternativ.

Po kështu, janë në fokus përmirësimet e mundshme në senset e lëvizjes në rrugët e brendshme, lehtësimi i mëtejshëm i lëvizjes së automjeteve në rrugën mbi portin turistik, përmirësimi i shërbimit të furnizimit me ujë të pijshëm etj.

 

Cilat janë disa nga pikat më atraktive të Sarandës dhe Ksamilit, që tërheqin turistet t’i vizitojnë?

Jemi të privilegjuar jo vetëm nga natyra, që na ka dhënë detin dhe rërën e relievin e bukur. Sarandën dhe gjithë rajonin e bën po kaq tërheqëse dhe interesante edhe pasuria dhe denduria e pakrahasueshme në monumente kulture. Ky rajon numëron 120 monumente të kategorisë së parë, për të cilat ne synnojmë që t’i bëjmë të gjitha të vizitueshme dhe të aksesusehme me rrugë dhe sinjalistikën përkatëse, por edhe për të bërë pjesë të gudiave turistike ato që janë më pak të njohura, por njëlloj interesante.

Përveç qytetit antik dhe Parkut Arkeologjik të Butrintit, që është “bizhuja” jonë, po kaq atraktive dhe shumë të arritshme, ndoshta edhe pa qenë nevoja për të përdorur automjet, janë: sinagoga hebraike dhe bazilika, në qendër të Sarandës, Galeria “Art-Saranda”, me aktivitet cilësor gjithëvjetor, rrjeti i muzeve vendore (Muzeu arkeologjik, Muzeu i Traditës, Muzeu Etnografik), si dhe Porta hyrëse e qytetit të lashtë Onhezmi, Cisternat antike, Spiranca antike 200-vjeçare, e gjetur në Gjirin e Sarandës, Bunkeri “Memorje ‘78”. Të gjitha këto, në një rreze të afërt, të arritshme duke ecur më këmbë nëpër Sarandë.

Pikave tradicionale të atraksionit turistik, u shtuam edhe të reja këtë verë. Përveç Manastirit të 40 Shenjtorëve, që i ka dhënë emrin qytetit dhe Kalasë së Lëkurësit, pjesë e guidave janë tashmë edhe Manastiri i Shëngjergjit dhe Muri i Demës, rrugës duke shkuar për në Ksamil, poligoni nënujor i katerave (anije të vogla) silurues, të zhytura në një sektor të hapësirës ujore të Ksamilit etj.

 

Po sa u takon plazheve, a pati problematika ndarja dhe menaxhimi fillestar? Po mbyllja e kontratave me bizneset kur u bë?

Kur flasim për plazhet, së pari do të doja të thosha se risi e kësaj vere ishte oferta e Bashkisë për plazhet publike. Ato që shtrihen përgjatë vijës bregdetare, nga porti turistik deri në afërsi të hotel “Butrinti”, ishin dhe janë free (falas) për qytetarët dhe pushuesit, pa asnjë pagesë.

Bashkia u kujdes që ato të pasuroheshin me rërë të re, pas investimit për shëtitoren e re, si dhe për sigurimin e blloqeve të betonit për vendosjen e çadrave personale të frekuentuesve të plazheve. Kujdes i posaçëm u bë për funksionimin e shërbimit të rojeve bregdetare në të gjithë këtë hapësirë, ku nuk pati asnjë episod problematik, por vetëm raste shpëtimi të jetës së pushuesve.

Edhe në drejtim të menaxhimit të plazheve në përdorim nga subjektet private, u shënua progres. Për përdorimin e plazheve nga subjektet private, u vlerësua në kohë lidhja e kontratave me ta, duke kërkuar vendosjen dhe zbatimin e kushteve të kërkuara nga ligji përkatës. Kjo bëri që të shtohen zonat me plazhe të mirëmenaxhuar, në 140 stacione, shoqëruar edhe me elemente të sigurisë së jetës në det, përmes kufizimit të zonave të notimit, kullave të vrojtimit dhe mirëfunksionimit të rojeve bregdetare.

 

Saranda pati si risi paketat detare, ku është investuar në mjete si anije. Ju si e shihni këtë sektor? Çfarë mbështetjeje i është dhënë këtij sektori, që pritet të shohë zgjerim?

Ky vit ka sjellë shtim të dukshëm të atyre që operojnë dhe ofrojnë turizëm në det, me anijet e guidave dhe shëtitjeve turistike. Kjo bëri të nevojshëm edhe komunikimin me ta, si grup interesi, për të unifikuar qasjen ndaj ligjit dhe rregullit dhe për të dhënë maksimum sigurie në shërbimet që ofrojnë. Prej tyre është kërkuar angazhim i plotë, për të bërë më të mirën në sezon dhe sidomos zbatimin e një grupi rregullash nga ana e tyre, në kushtet kur mjaft nga procedurat për lundrim janë thjeshtuar.

Parësore ishte dhe mbetet dhënia e sigurisë së plotë për çdo turist që i frekuenton anijet turistike dhe kërkesa për ndikim pozitiv në mjedis, duke nisur nga mirëadministrimi i vajrave dhe i mbetjeve, që nuk duhet të përfundojnë̈ në det e deri te kujdesi për pastërtinë̈ në vendqëndrimet e tyre. Subjektet që i kanë anijet turistike, të shtuara dukshëm në numër këtë verë, u ndërgjegjësuan për avantazhin e madh që u siguron vendqëndrimi i tyre te ballina e shëtitores së Sarandës, që do të thotë se janë te “magazina” e turistëve, vendas dhe të huaj.

Kjo u kthye në pretendim për cilësi e siguri shërbimi, ndërkohë që task forcës iu desh të ndërhyjë disa herë, deri me vendosje sanksionesh, për çdo rast të ndotjes akustike të shkaktuar nga këto anije. Përmirësimi i qasjes së administrimit karshi këtyre subjekteve për sezonin e ardhshëm, pasi ne mësojmë nga mangësitë dhe të metat që u vërejtën këtë vit.

Këtë biznes ne e shohim si aktivitet që do të vijë duke u fuqizuar, edhe për shkak të një vargu lehtësish të ofruara nga legjislacioni i përmirësuar në favor të aktivitetit të anijeve turistike, siç janë futja e shërbimeve dhe lejeve në sistemin online si për regjistrin detar, heqjen e detyrimit për leje daljeje në det etj.

 

Qeveria ka hapur një garë për Aeroportin e Sarandës. Si e shihni një investim në Bashkinë tuaj?

Investimi për aeroportin është i shumëpritur dhe shpresëdhënës për të ardhmen e turizmit të Sarandës. Me ngritjen dhe funksionimin e tij, qoftë edhe në mënyrë sezonale, ashtu si dhe me përfundimin sezonin e ardhshëm të aksit të ri Kardhiq-Delvinë, Saranda bëhet lehtësisht dhe tërësisht e arritshme nga deti, nga toka dhe nga ajri.

Mungesën dhe nevojën e një aeroporti e ndiejmë prej disa vitesh. Turistët skandinavë, që në 10 vitet e fundit, kanë qenë parablerës të një rrjeti të hotelerisë sonë, me kohështrirje nga maji në tetor, kanë qenë të detyruar të vijnë me charter deri në Korfuz dhe atje të kenë qenë të shtrënguar të shpenzojnë një natë, edhe pse destinacion i pushimeve të tyre, ka qenë dhe do të mbetet Saranda, me pritje dhe shanse më të mëdha për perspektivë më të mirë.

Nuk ka dyshim se një aeroport turistik, është një portë e madhe për të hyrë më shumë e më shpejt turistë më cilësorë. Investimin për aeroportin, ne e quajmë investim për një të nesërme të zhvillimeve të vrullshme turistike, që e presin Sarandën. Monitor

 

Më shumë

Konfirmohet “Kala Festival” Shtator 2020 në një nga vendet më mahnitëse të Rivierës Shqiptare

“Kala Festival” një mundësi e shkëlqyer për të rinjtë që të shijojnë muzikën e Dj-ve më të mirë, duke eksploruar Rivierën Shqiptare, me shpellat, kështjellat, kanionet dhe panoramën bukur të plazheve të cilësuar si ndër më të mirët në Mesdhe.   Me këtë vlerësim dëshmohet edhe njëherë misioni i Kala Festival në promovimin e turizmit. […]

Ministri i turizmit: Për vitin 2020, shpresoj që t’i kalojmë 7 milionë turistë të huaj 

Ndonëse tërmeti i 26 nëntorit i ka dhënë një goditje të fortë turizmit, ministri i Turizmit pret që gjatë vitit 2020, Shqipërinë ta vizitojnë rreth 7 milionë turistë. Ministri, Blendi Klosi duke folur në studion e Euronews Albania, tha se këtë vit pritet që të ketë sërish rritje pasi këtë e tregojnë dhe të dhënat për […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara