e hënë 26 korrik 2021
e hënë 26 korrik 2021

 

 

Fuqitë perëndimore premtuan se sukseset e fundit nga Shteti Islamik në mbarë Afrikën nuk do të marrin përgjigje, duke mbështetur planet për një grup pune që do të fokusohet tek përhapja e grupit terrorist nga Iraku dhe Siria në kontinentin afrikan.

 

Njoftimi të hënën pas një takimi në Romë nga Koalicioni Global për Mposhtjen e ISIS-it vjen një ditë para përvjetorit të shtatë të vetëshpalljes nga grupi terrorist të kalifatit në Irak dhe Siri, si dhe dy vjet nga humbja territoriale e kalifatit në Siri.

 

Por pavarësisht presionit të vazhdueshëm nga ushtria amerikane dhe anëtarët e tjerë të koalicionit, zyrtarët perëndimorë të antiterrorizmit paralajmërojnë se ISIS-i, ose Daesh siç njihet gjithashtu grupi, ka gjetur mënyra jo vetëm për të mbijetuar, por edhe për t’u përhapur, duke e përqëndruar gjithnjë e më shumë propagandën e grupit në territoret e e degëve afrikane.

 

“Druhemi se Daesh-i do të zgjerohet dhe përhapet në Afrikë”, u tha gazetarëve Ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio të hënën, duke cituar atë që ai e përshkroi si një “thirrje ndihme” nga komunitetet në vende të tilla si Niger dhe Mali.

 

“Ne e dimë se shumë fshatra kanë rënë në duart e terroristëve”, tha Di Maio përmes një përkthyesi, duke shtuar se kërcënimi po rritet gjithnjë e më shumë.

 

“Tani po shohim se një numër celulash terroriste po përhapen në rajone të tilla si Saheli, ku padyshim që janë të pranishme rrugët kryesore të emigrimit, rrugët e atyre që vijnë në Evropë”, tha ai.

 

Zoti Di Maio nuk dha detaje se si do të funksionojë grupi i ri i punës për të luftuar ISIS-n, megjithëse vuri në dukje nevojën për një “qasje të plotë”, e cila do të merrte në konsideratë faktorë të tillë si ndryshimi i klimës dhe varfëria që mund t’i shtyjnë disa njerëz drejt ekstremizmit.

 

“Duhet të rrisim veprimet e ndërmarra nga koalicioni, jo duke zhvendosur fokusin tonë, por duke zgjeruar zonat në të cilat mund të veprojmë… [në] Sahel, Mozambik dhe Bririn e Afrikës”, tha ai.

 

Duke folur së bashku me zotin Di Maio të hënën, Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Antony Blinken mbështeti thirrjen për grupin e punës që do t’i kundërvihet arritjeve të ISIS-it në Afrikë.

 

“Ne mbështesim me forcë iniciativën e Italisë për t’u siguruar që koalicioni kundër Daeshit përqendron ekspertizën e tij tek Afrika, duke i mbajtur sytë tanë nga Siria dhe Iraku”, tha Sekretari Blinken. “Kemi dëgjuar një konsensus të fortë”.

 

Në një deklaratë të lëshuar pas takimit, ministrat nga vendet e koalicionit me 83 vende vërehet se tre nga anëtarët më të rinj të koalicionit – Republika e Afrikës Qendrore, Republika Demokratike e Kongos dhe Mauritania – janë nga Afrika.

 

Tre vende të tjera afrikane – Burkina Faso, Mozambiku dhe Gana – morën pjesë si vëzhgues, thanë zyrtarët.

 

Si për të nënvizuar kërcënimin në rritje nga bashkëpunëtorët e ISIS-it në Afrikë, dega e Afrikës Perëndimore e ISIS-it qarkulloi një video të premten e kaluar që pretendohet se tregon luftëtarët nga grupi terrorist Boko Haram duke ndërruar anë, për t’u bashkuar me ish-rivalët e tyre.

 

“Tani jemi bashkuar me vëllezërit tanë”, tha një ish-luftëtar i Boko Haramit në videon e marrë nga SITE Intelligence Group.

 

“Ne nuk duhet të heqim dorë nga përpjekja jonë për të luftuar të pabesët”, shtoi folësi, sipas një kopjeje të marrë nga agjensia e lajmeve Reuters.

 

Videoja vjen më pak se një muaj pasi ISIS-i i Afrikës Perëndimore lëshoi për herë të parë pretendimet se udhëheqësi shumëvjeçar i Boko Haramit, Abubakar Shekau vdiq pasi u kap nga luftëtarët e tij.

 

Zyrtarët amerikanë ende nuk e kanë konfirmuar vdekjen e Shekaut, megjithëse ata i thanë Zërit të Amerikës se burimi i raporteve të tilla duket të jetë më i besueshëm se pretendimet e mëparshme për eliminimin e tij.

 

Megjithatë, ndërsa zyrtarët dhe ekspertët amerikanë thonë se vdekja e Shekaut do të ishte një zhvillim pozitiv, ata paralajmërojnë se rreziku nga grupet terroriste si ISIS-i i Afrikës Perëndimore nuk është zhdukur.

 

“Prania e Shtetit Islamik në Afrikë ka qenë e qartë dhe në rritje të vazhdueshme, edhe pse fuqia e ISIS-it Qendror është zbehur”, tha Jason Warner, drejtues i studimeve për Afrikën në Qendrën e Luftës ndaj Terrorizmit në akademinë ushtarake West Point.

 

“Numri i madh i degëve afrikane të ISIS-it dhe nëndegëzimeve me fuqi të qartë qëndrimi ka krijuar pa dyshim një kërcënim edhe më të vështirë nga ISIS-i nga ç’kemi parë në të kaluarën”, shtoi ai, duke theksuar se kërcënimi në Afrikë “është padyshim në kulmin e tij”.

 

Megjithatë, ekspertë të tjerë shqetësohen se fokusi i Koalicionit për Mposhtjen e ISIS-it në Afrikë, i sugjeruar së pari nga zyrtarët amerikanë në fund të vitit 2019, mund të jetë shumë pak dhe shumë i vonuar.

 

“Ndërsa është mirë që koalicioni po flet për Afrikën dhe po përfshin vendet përkatëse në diskutim, çdo koordinim duket se është ende në fazat e hershme, ndërsa kushtet në terren po përkeqësohen shumë shpejt”, i tha Zërit të Amerikës Emily Estelle, studiuese në Institutin Amerikan të Sipërmarrjes.

 

“Grupi i punës i propozuar duhet të përqendrojë energjinë e tij në mbështetjen e suksesit ushtarak me suksesin e qeverisjes”, shtoi ajo. “Ky është hendeku që lejon ISIS-in dhe grupet e tjera të vazhdojnë edhe pas humbjeve ushtarake”.

 

Por ka pikëpyetje se sa forca ushtarake mund të jetë në gjendje të mbledhë koalicioni në të gjithë Afrikën.

 

Franca këtë muaj njoftoi se do të përfundonte operacionin e saj kundër terrorizmit në Sahel dhe ushtria amerikane është ende në proces të një rishikimi të pranisë që mund të rezultojë me më shumë forca të saj që largohen nga Afrika.

 

Zyrtarët ushtarakë amerikanë më parë kanë vërejtur se largimi i forcave amerikane nga Somalia, i urdhëruar nga ish-Presidenti Donald Trump, “ka sjellë elemente të reja kompleksiteti dhe rreziku”.

 

Dhe një raport nga inspektori i përgjithshëm i Pentagonit në fund të vitit të kaluar paralajmëroi se kërcënimi terrorist në të gjithë Afrikën po zgjerohej, pavarësisht përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për ta kontrolluar atë.

 

Në një lëvizje të veçantë, por të ndërlidhur, të hënën Shtetet e Bashkuara shpallën publikisht Ousmane Illiassou Djibon, një drejtues i ISIS-it në Saharanë e Madhe, si një terrorist global, duke e përshkruar atë si arkitektin e një rrjeti për të rrëmbyer ose vrarë perëndimorët në Niger dhe zonat përreth.

 

ISIS-i në Siri

 

Pavarësisht përqendrimit të ISIS-it në Afrikë, zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar kërcënimin e vazhdueshëm nga drejtuesit qendrorë të grupit terrorist në Irak dhe veçanërisht në Siri, ku ISIS-i ka qenë në gjendje të ringjallë shanset e tij në zonat e kontrolluara formalisht nga qeveria siriane dhe Rusia aleate.

 

Ka pasur gjithashtu shqetësime të vazhdueshme në lidhje me 10’000 luftëtarët e ISIS-it, përfshirë 2’000 luftëtarë të huaj, që mbahen nga Forcat Demokratike Siriane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, një situatë që Sekretari Blinken e përshkroi si të paqëndrueshme.

 

“Ekziston një lloj urgjence”, u tha ai gazetarëve. “Ekziston një nevojë që vendet të ndërmarrin veprime për të riatdhesuar luftëtarët e huaj që vijnë nga ato vende, për t’i ndjekur penalisht kur është e përshtatshme, për t’i rehabilituar dhe ri-integruar kur është e përshtatshme”.

 

Afganistani

 

Koalicioni Global për Mposhtjen e ISIS-it gjithashtu shprehu shqetësime në lidhje me fatin e grupit terrorist në Afganistan, duke vlerësuar përpjekjet e Kabulit për të kundërshtuar të ashtuquajturën provincë Khorasan.

 

Në fillim të këtij muaji, Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin u tha ligjvënësve se ekzistonte një rrezik “mesatar” që grupet si ISIS-Khorasan të rigjenerojnë aftësinë për të kërcënuar Perëndimin.

 

Vlerësimet e zbulimit amerikan dhe të vendeve anëtare të OKB-së kanë paralajmëruar gjithashtu aftësinë e këtij filiali për të kërcënuar si Afganistanin, ashtu edhe rajonin më gjerë. VOA

 

Më shumë

Bush: Tërheqja e trupave nga Afganistani, e gabuar

Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, George W. Bush, i cili mori vendimin për të dërguar trupat amerikane në Afganistan në vitin 2001 për të luftuar al-Kaidën pas sulmeve të 11 shtatorit, thotë se mendon se është e gabuar që trupat amerikane të tërhiqen tani ndërsa kryengritësit talebanë marrin kontrollin e një pjese gjithnjë […]

Tërheqja amerikane nga Afganistani, vendet e rajonit rrisin angazhimin diplomatik

Ndërsa tërheqja ushtarake Amerikane nga Afganistani është afër përfundimit, vendet e rajonit po shtojnë përpjekjet diplomatike që synojnë të ushtrojnë trysni mbi fraksionet afgane për të rifilluar bisedimet e bllokuara të paqes, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, dhe për të parandaluar rrëshqitjen e vendin në një luftë të plotë civile.   Frika […]

Monstra e Kaspikut – Avioni sovjetik që duhej të kërcënonte perëndimin

Ekranoplani ka qenë gjatë Luftës së Ftohtë kërcënimi luftarak më serioz i sovjetikëve. Sot atraksion turistik.      

Talibanët marrin nën kontroll vendkalimin kryesor kufitar me Iranin

Zyrtarët afganë kanë njoftuar se talibanët kanë marrë nën kontroll një vendkalim të madh kufitar midis Afganistanit dhe Iranit.   Disa pamje të publikuara kanë treguar sesi forcat e talibanëve e heqin flamurin afgan nga çatia e zyrës doganore kufitare.   Vendkalimi kufitar – Islam Qala – është një nga pikat doganore më […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara