Saturday 30 September 2023
Saturday 30 September 2023

 

Disa u thonë japrak, disa të tjerë dollma, por ka edhe akoma të tjerë që u thonë sarma me lakër të bardhë.

 

Të shijshme sa s’ka më, lakrat turshi të mbushura janë padyshim një ndër gatimet më fantastike shqiptare.

 

Të lehta e të plota në shije ashtu si edhe në përgatitje, ky është një ndër gatimet që nëse i ke përpara në tryezë vështirë se mund t’i rezistosh.

 

Është ndër recetat që ka fituar zemrën dhe oreksin e shqiptarëve prej shekujsh e shekujsh me radhë, trashëguar brez pas brezi duke vijuar edhe sot të ketë po të njëjtën shije e tërheqje ashtu si dikur.

 

Më poshtë sjellim recetën tipike me japrakë me lakër të bardhë, e thjeshtë për t’u përgatitur e për të kënaqur gjithë familjen me një vakt krejt të shijshëm.

 

Përgatitja Krejt Lehtë në Shtëpi

Përbërësit

1 lakër e plotë e bardhë

 

Gjysmë kg mish i grirë

 

Vaj ulliri

 

2 kokrra qepe

 

4 thelpinj hudhre

 

Dy filxhanë të vegjël me oriz

 

Piper i kuq

 

Piper i zi

 

Përgatitja

Ndajmë të gjitha gjethet e lakrës së bardhë nga kërcelli.

 

I pastrojmë me ujë të bollshëm dhe i vendosim në një tas.

 

Qepën dhe hudhrat i grijmë hollë përmes një thike të mprehtë.

 

Në një tigan hedhim vajin e ullirit dhe e vendosim në zjarr.

 

Hedhim qepët dhe hudhrat dhe i kavërdisim për pak minuta derisa volumi i tyre të bjerë. Në këtë moment i heqim nga zjarri.

 

Hedhim mishin e grirë në një tas, hedhim gjithashtu qepët dhe hudhrat e kavërdisura, hedhim orizin, piperin e kuq dhe pierin e zi bashkë me kripën.

 

I përzjejmë derisa të sigurohemi që masa është e njëtrajtshme.

 

Mbushja e Gjetheve të Lakrës së Bardhë

Pasi kemi gati mbushjen, nisim përgatitjen e dollmave.

 

Hapim një gjethe lakër, në qendër të saj vendosim një lugë me mbushjen e përgatitur.

 

Kthejmë anët e lakrës duke mbështjellë mbushjen e më pas e paketojmë në formën e rolesë.

 

Vijojmë kështu edhe me gjethet e tjera duke ruajtur tre të tillë për më vonë.

 

Pasi kemi përgatitur të gjitha roletë e japrakëve të mbushur, tre nga gjethet e lakrës turshi të lënë mënjanë, i grijmë hollë dhe i vendosim në tenxhere.

 

Mbi to nisim të vendosim me rradhë roletë e dollmave.

 

Pasi i kemi vendosur të gjitha, i spërkasim me tre lugë vaj ulliri dhe pas u hedhim ujë të nxhetë derisa të mbulohen.

 

Më pas, tenxheren e mbulojmë dhe dollmat i lëmë të zjejnë për rreth 45-50 minuta.

 

Në fund nëse preferoni mund t’i servirni me disa feta limoni të prera hollë sipër.

 

Japrakët me lakër të bardhë mund të shoqërohen me supa të lehta dhe sallata të stinës.

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara