e mërkurë 8 dhjetor 2021
e mërkurë 8 dhjetor 2021

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u takuan për herë të parë në Bruksel në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyjave vendeve dhe u pajtuan vetëm për një pikë: vazhdimin e bisedimeve nga fundi i muajit të ardhshëm.

 

Kryeministri Kurti tha se hodhi në tryezën e bisedimeve katër propozime, përfshirë atë që, “Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty”.

 

Më tej ai tha që pas njohjes së ndërsjellë, të dyja vendet të zbatojnë reciprocitet dypalësh, duke krijuar për serbët në Kosovë këshillin e tyre kombëtar siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.

 

Pala serbe nuk i ka pranuar propozimet e kryeministrit Kurti dhe presidenti serb Vuçiç tha se zoti Kurti “erdhi duke mos u pajtuar për asgjë”.

 

“Delegacioni shqiptar nuk dëshiron të përmbushë marrëveshjet që i kanë nënshkruar shqiptarët, pra nuk duan fare të bisedojnë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.

 

“Asociacioni nuk është për serbët por kundër Kosovës ashtu siç është dizajnuar, pra ne dëshirojmë që qytetarët e Republikës së Kosovës që janë të përkatësisë kombëtare serbe t’i kenë të gjitha të drejtat sikur të gjithë të tjerët, pra ne nuk duam që shumica të jetë e privilegjuar karshi pakicës, por në të njëjtën kohë nuk mund të lejojmë përsëritjen e skenarit të Bosnje dhe Hercegovinës”, tha ndërkaq kryeministri Kurti.

 

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian dhe është zotuar se nuk do ta njohë atë, duke kërkuar siç thuhet, një zgjidhje kompromisi, ndërsa Kosova e cilëson të panegociueshme pavarësinë e saj.

 

Kryeministri Kurti tha se shpreson që diskutimi i hapur i çështjeve kryesore në fillim do të krijonte mundësi për një marrëveshje.

 

“A do të jetë vështirë? Vështirë do të jetë. Mirëpo, unë nuk do të thosha se jam pesimist, meqenëse tash po i trajtojmë gjërat në thelbin e tyre, e nuk po përpiqemi ta evitojmë elefantin në dhomë, e kjo është se Presidenti Joe Biden ka kërkuar njohje të ndërsjellë, meqë aktualisht kemi mosnjohje të ndërsjellë. Serbia nuk e pranon Republikën e Kosovës, Kosova nuk e pranon Republikën e Serbisë dhe kjo duhet të ndryshojë”, tha ai.

 

“Nëse vini dhe thoni se kur do të njihni Kosovën e pavarur dhe asgjë tjetër nuk më intereson atëherë është e qartë që nuk keni ardhur në dialog”, tha presidenti serb duke përsëritur qëndrimin se kjo nuk do të ndodhë.

 

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se “këto bisedime nuk do të jenë të lehta, por ky proces dhe angazhimi i sinqertë i të dyja palëve është i domosdoshëm për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë”.

 

Para fillimit të bisedimeve ai tha se ky proces dhe rezultati i tij janë rruga drejt së ardhmes evropiane të të dyja palëve dhe se BE-ja është e angazhuar që të ketë një përparim të shpejtë në mënyrë që “të lëmë të kaluarën prapa dhe për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për ta bërë ardhmërinë evropiane realitet”.

 

Zoti Borrell tha se mirëpret faktin se takimi po zhvillohet në të njëjtën kohë kur Bashkimi Evropian takohet me presidentin amerikan, Joe Biden, i cili ndodhet në Bruksel.

 

Ai theksoi se ka një mundësi të re në Evropë për Ballkanin Perëndimor dhe duhet shfrytëzuar atë, ndërsa nënvizoi se “qëndrueshmëria afatgjatë dhe përparimi ekonomik do të rrezikoheshin pa marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë”.

 

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian dhe është zotuar se nuk do ta njohë atë, duke kërkuar siç thuhet, një zgjidhje kompromisi, ndërsa Kosova e cilëson të panegociueshme pavarësinë e saj.

 

Diplomatët perëndimor janë vënë në përpjekje për të përshpejtuar procesin e bisedimeve me shpresë për një marrëveshje para vitit të ardhshëm kur Serbia mban zgjedhjet parlamentare e presidenciale, gjë që do të çonte në një pezullim të ri të procesit të filluar dhjetë vjet më parë nga të dyja vendet, që aspirojnë integrimet evropiane. Por, pak vëzhgues besojnë në një mundësi të tillë.

 

Më shumë

Escobar: “Ballkani i Hapur” nuk mund të ketë sukses pa të gjitha vendet e rajonit

Zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, tha të mërkurën se nisma “Ballkani i Hapur”, nuk mund të ketë sukses, nëse pjesë e saj nuk janë të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.   Ai i bëri këto komente gjatë një debati në parlamentin serb me temën “Ballkani i Hapur – Rruga drejt qëndrueshmërisë, […]

OKB: Mohimi i gjenocidit parandalon përparimin e shoqërisë

Serbia dhe shtetet e tjera të ish-Jugosllavisë duhet të bëjnë më shumë për të luftuar mohimin e gjenocidit dhe gjuhën e urrejtjes, nëse duan që shoqëritë e tyre të lëvizin përpara, tha për Radion Evropa e Lirë, Alice Wairimu Nderitu, këshilltare speciale e Kombeve të Bashkuara për parandalimin e gjenocidit.   Gjatë vizitës në […]

Rritet shqetësimi për zhvillimet në Ballkan, Perëndimi shqyrton mundësinë e sanksioneve

Kërcënimet e për shkëputje të Republikës Serbe nga Bosnja dhe riarmatosja e Serbisë kanë rritur shqetësimet se Ballkani mund të shkojë drejt konfliktit.   Kërcënimet nga udhëheqësi i Republikës Serbe, Milorad Dodik, për shkëputje nga Bosnja dhe Hercegovina, po shtojnë shqetësimin në rritje rajonal dhe ndërkombëtar për zhvillimet në Ballkan.   Kërcënimet e […]

Kur mund të arrihet një marrëveshje Kosovë – Serbi?

I ngarkuari me punë në ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas Giacobbe, tha të enjten se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, diskutoi për mundësinë e një marrëveshjeje me Serbinë, përgjatë mandatit të qeverisë aktuale.   “Kisha kënaqësinë të takohesha me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi për të diskutuar një […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara