e shtunë 18 shtator 2021
e shtunë 18 shtator 2021

 

 

Në një ceremoni të posaçme në Prishtinë, Kosova nderoi me Medaljen Presidenciale për Sundim të Ligjit, Beau Biden, të birin e Presidentit amerikan, Joe Biden.

 

Ish prokuror i përgjithshëm në Delaware, 20 vjet më parë Beau punoi në Kosovë si këshilltar ligjor në kuadër të misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, për ngritjen e sistemit të drejtësisë në vendin e rrënuar nga lufta.

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Medalja Presidenciale për Sundimin e ligjit i jepet pas vdekjes, “për kontributin e tij në këtë fushë gjatë shërbimit të tij në Kosovë”. Zoti Beau Biden u ndaj nga jeta në vitin 2015 në moshën 46 vjeçare.

 

“Sa i takon Beau, mund ta themi me përulje se trashëgimia e tij vazhdon të jetojë – veprimet e tij vazhdojnë të na frymëzojnë ne në Kosovë, sikur i frymëzojnë edhe qytetarët e Shtetet e Bashkuara, të cilëve mundi t’ua ndryshonte jetën”, tha presidentja e Kosovës.

 

Presidenti amerikan Joe Biden, në një video mesazh u shpreh mirënjohës për njohjen e trashëgimisë së të birit i cili, tha ai, punoi në Kosovë me zemër dhe ra në dashuri me atë vend.

 

“Në atë kohë Kosova kishte ende plagë të luftës dhe drejtësi të mbytur për shkak të sundimit totalitar. Mirëpo, Beau e ka parë se çfarë mund të bëni ju. Beau e ka parë edhe atëherë të ardhmen që ka qenë e mundur për shtetin tuaj krenar, të ardhmen e mohuar për një kohë të gjatë për Kosovën. Kjo është arsyeja pse ai ishte aq i përkushtuar për të punuar me popullin e Kosovës për t’u siguruar që krimet e luftës të hetohen dhe ndiqen në mënyrë profesionale, për të ndihmuar Kosovën në ndërtimin e një sistemi të drejtë gjyqësor, të zotin për të vendosur drejtësi dhe pajtim në vend”, tha Presidenti Biden.

 

Ai nënvizoi se duke e pranuar medaljen, njeh edhe përparimin e arritur në 20 vitet e fundit në Kosovë, por, tha ai, ende ka punë për të bërë për të luftuar korrupsionin, për të mbrojtur të drejtat e pakicave etnike dhe fetare, për të ndërtuar marrëdhënie pozitive me vendet fqinje dhe për zhvillimin ekonomik.

 

“Shtetet e Bashkuara do të mbeten partner i palëkundur i Kosovës në këtë punë në mënyrë që të dëshmojmë së bashku se demokracitë mund t’u përgjigjen nevojave të qytetarëve”, tha në video-mesazh Presidenti Biden.

 

“Kontributi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i popullit amerikan për vendin tonë, për lirinë tonë, për të drejtën tonë për të ekzistuar, e tejkalon raportin e partneriteteve, të tilla çfarë i njeh sot bota. Në ditët e mira, në të këqijat, në dritë dhe në errësirë, ne e ndiejmë dorën tuaj mbi supet tona. Zoti President, më lejoni t’jua them juve dhe gjithë qytetarëve të Shteteve të Bashkuara: Kosova është edhe shtëpia juaj. Burrave e grave të vendit tuaj, anëtarëve të stafit tuaj, stafit diplomatik dhe gjithë njerëzve të Amerikës, të cilët dëshirojnë ta vizitojnë këtë vend, u themi se do t’i shohim gjithmonë sikur të ishin njëri prej nesh. Institucionet tona dhe, më e rëndësishmja, secili qytetar yni, do t’i mirëpresë ata përherë krahëhapur”, tha në fjalimin e saj Presidentja Osmani e cila i dorëzoi medaljen ambasadorit amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.

 

Ambasadori amerikan tha se “Beau Biden paraqiste më të mirën që Amerika mund të ofrojë. Ai e dinte se që të përparojë Amerika, amerikanët duhet të angazhohen në botë. Për këtë arsye shumë amerikanë si Beau, disa në uniforma dhe disa në kostume civile, shërbyen në Kosovë në dy dekadat e shkuara. Ata punuan përkrah miqve në Kosovë për të ndihmuar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës…”.

 

Ai tha se “rruga më e mirë për të nderuar trashëgiminë e Beau Bidenit, është që të gjithë qytetarët e Kosovës nga të gjitha komunitetet, nga gjitha partitë politike, të vazhdojnë përpjekjet për të ndërtuar atë që themeluesit e Amerikës e quanin një “union të përsosur” dhe Amerikan do të jetë përkrah jush në çdo hap”.

 

Presidenti Biden me familjen e tij mori pjesë në vitin 2016 në ceremoninë e emërimit të një rruge me emrin e të birit Joseph “Beau” Biden. Rruga çon në Bondsteel, në kampin e disa qindra trupave amerikane që vazhdojnë të shërbejnë në kuadër të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë.

 

Kjo është një nga rrugët që mbajnë emrat e personaliteteve amerikane, për disa prej të cilëve janë ngritur buste e shtatore. Në Prishtinë bulevardi me i madh mban emrin e ish presidentit Bill Clinton, i çmuar për rolin e tij në fushatën e NATO-s për t’i dhënë fund luftës dhe mizorive të forcave serbe në Kosovë. Bulevardi ku është vendosur edhe shtatorja e tij, kryqëzohet me rrugën që mban emrin e ish presidentit George Bush, i cili njohu pavarësinë e Kosovës menjëherë pas shpalljes së saj në shkurt të vitit 2008.

 

Busti i ish sekretares së Shtetit Madeleine Albright, ai i senatorit Bob Dole, rruga me emrin e gjeneralit Wesley Clark, janë disa nga shenjat me të cilat shprehet mirënjohja për rolin e pazëvendësueshëm amerikan në të gjitha proceset politike në Kosovë.

 

Ramush Haradinaj:

Jemi të nderuar që një patriot i vërtetë amerikan, Beau Biden, ka shërbyer në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë, vlera që Shtetet e Bashkuara dhe Republika e Kosovës i kanë të përbashkëta.

Vendi ynë është përgjithmonë mirënjohës ndaj SHBA-ve dhe lidershipit të Presidentit Biden në favor të prosperitetit dhe paqes në Ballkan.

Pusho në paqe Beau, shërbimi yt në ofrimin e paqes dhe lirisë do të mbetet pishtar ndriçues për Kosovën. Kjo nuk është vetëm një medalje, por mirënjohje e një kombi të tërë.

 

 

 

Më shumë

Serbia ndërton objektin e “Universitetit të Prishtinës në Mitrovicë”

Serbia ka filluar ndërtimin e objektit të përhershëm të të ashtuquajturit “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”.   Investimi në mbi 6 milionë euro do të bëhet nga Qeveria e Serbisë përmes Zyrës për Kosovën, që funksionon në kuadër të saj.   Drejtori i kësaj zyreje Petar Petkoviq, hodhi gurthemelin për […]

​Gjashtë vjet nga miratimi i Gjykatës Speciale, aktakuzat e para ndaj ish-krerëve të UÇK

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, gjashtë vjet më parë, më 3 gusht 2015 votuan pro ndryshimit të amendamentit kushtetues që i hapi rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.   Ishin 82 vota pro, 5 kundër dhe një abstenim, që lejuan qeverisë të dërgojë edhe dy projektligje të tjera sa i përket Speciales, shkruan KosovaPress.   […]

Kurti: “Ballkani i Hapur” ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga lindja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të dielën se nisma “Ballkani i Hapur” ngjan më shumë në një Ballkan të hapur për ndikimet nga Lindja.   Të dielën në Prishtinë gjatë një veprimtarie kulturore, Kryeministri Kurti komentoi takimin e së enjtes të Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut për nismën e mini-shengenit që […]

Kosova nderon me Medalje Presidenciale djalin e ndjerë të Presidentit Joe Biden

Në një ceremoni të posaçme në Prishtinë, Kosova nderoi me Medaljen Presidenciale për Sundim të Ligjit, Beau Biden, të birin e Presidentit amerikan, Joe Biden.   Ish prokuror i përgjithshëm në Delaware, 20 vjet më parë Beau punoi në Kosovë si këshilltar ligjor në kuadër të misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara