Më 13 mars u konfirmuan rastet e para të të prekurve dhe ky ishte fillimi i një viti të gjatë, kryefjala e të cilit ishte COVID-19.
Më 15 mars qeveria shpalli gjendjen e emergjencës së shëndetit publik, ndërsa më 23 mars mbylljen e plotë të vendit, në një vendim që nxiti përplasje brenda vet koalicionit të lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike si dhe kryeministrit Albin Kurti e presidentit Hashim Thaçi.
Masat për parandalimin e infektimeve u pasqyruan në gjendjen edhe ashtu të rëndë ekonomike në Kosovë dhe sektorët e goditur jo rrallë u hodhën në protesta duke kërkuar zbutje masash e rrugë të tjera për të tejkaluar situatën.
Banka Qendrore si dhe institucionet financiare ndërkombëtare parashikuan rënie të ekonomisë së Kosovës 7.2 për qind për shkak të situatës së krijuar me kufizimet për pengimin e përhapjes së infektimeve.
U deshën muaj të tërë që forcat politike në vend të merren vesh për një pako rimëkëmbjeje ekonomike e cila u miratua në fillim të dhjetorit.
Stina e verës shënoi një rënie të numrit të të prekurve, ndërsa vjeshta u përshkua me një valë të re infektimesh.
Kosova pret që të marrë vaksina për 20 për qind të popullatës nga programi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, ndërkaq pjesën tjetër do ta blejë vetë.
Zyrtarja për emergjenca në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Isme Humolli,thotë se procesi i vaksinimit nuk mund të filloj para stinës së pranverës.
“Ne po shpresojmë si OBSH që të jetë gjysma e marsit, eventualisht fillimi i prillit. Gjasat për me fillu më herët nuk ka duke pasur parasysh sasia e vogël e vaksinave që janë në prodhim dhe kërkesave shumë të mëdha që janë në mbarë botën”, tha zonja Humolli.
Pandemia la pas vetes shumë pasoja ndërsa nuk e shmangu dot vorbullën e krizave politike në Kosovë.
KRIZË POLITIKE NË KOHË PANDEMIE
Me 3 shkurt me 66 vota parlamenti i Kosovës miratoi qeverinë e koalicionit ndërmjet lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës me kryeministër Albin Kurtin, kryetar i lëvizjes Vetëvendosje, e cila doli e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit të vitit 2019.
Ai tha atëbotë se siguria e jashtme do të jetë përparësi e qeverisë bashkë më përgatitjet për anëtarësim në NATO si dhe lufta kundër korrupsionit dhe reformimi i sistemit drejtësisë. Ai tha se qeveria e tij do të miratojë ligjin për krimet e luftës dhe gjenocidin dhe do të përgatisë padi kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet e luftës, ndërsa në bisedimet me Serbinë do të përfshijë çështjen e personave të zhdukur, dëmet e luftës, trashëgiminë e ish Jugosllavisë dhe njohjen e ndërsjellë.
“Me Serbinë do ta kthejmë reciprocitetin e plotë tregtarë, politik dhe ekonomik. Jam i gatshëm që të udhëheq bisedimet e ardhshme me Serbinë, do të kem ekip gjithëpërfshirës për bisedime në kuptimin politik, etnik, shoqëror dhe profesional”, tha kryeministri Kurti.
Opozita e atëhershme kritikoi programin dhe përbërjen e kabinetit qeveritar të zotit Kurti, duke vënë theksin tek qëndrimet politike të së kaluarës.
“Por, nga sot, Albin dhe të gjithë ju, ne nuk do të heshtim. Jo vetëm që do të mbani përgjegjësi ti por edhe kasta jote partiake dhe qeveritare, prej sot e tutje si do të silleni, por edhe për akuzat e tuaja të deritashme nuk do të heshtet më. Dhe pikërisht sot të kërkoj që t’u tregosh qytetarëve të Kosovës për çfarë e ke këtë qeveri? Me këtë përbërje? A don me luftu Serbinë me këtë qeveri apo neve përmes Gjykatës Speciale, sepse ti dhe gjysma e kabinetit tënd të ministrave që i propozove kanë kërkuar burg për çlirimtarët e Kosovës”, tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
“Mandatari në mënyrë të veçantë ka shumë punë, për dallim nga mandatarët e kaluar për faktin se mandatari aktual nuk ka qenë thjesht një opozitar, ka qenë më tepër se opozitar. Mandatari ynë në të kaluarën nuk e ka kursyer veprimin dhe gjuhën e opozitarizmit, ka shkuar deri në ndarje, përçarje dhe urrejtje. Është normal me qenë opozitar por duhet me ruajt minimumin e komunikimit”, tha kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Qeveria e zotit Kurti shpejt do të bëhej qeveria më jetëshkurtër në Kosovën e pasluftës. Përballja me pandeminë e COVID-19 dhe dallimet rreth qasjes së institucioneve ndaj saj u shndërruan në shkas lufte politike.
Më 18 mars kryeministri Kurti, shkarkoi ministrin e Brendshëm, Agim Veliu, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për shkak të mospajtimeve rreth shpalljes apo jo të gjendjes së jashtëzakonshme, të cilën po e kërkonte presidenti Hashim Thaçi, por pa pajtimin e kryeministrit. Deri atë ditë Kosova kishte konfirmuar 19 raste të të prekurve me koronavirus.
Shkarkimi i tij u bë shkas që Lidhja Demokratike e Kosovës të nisë një mocion mosbesimi i cili u miratua më 25 mars.
“Qeveria e Kosovës erdhi në pushtet me besimin për ndryshim, për një momentum të ri në aspekte të zhvillimit ekonomik të vendit, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe konsolidim të subjektivit ndërkombëtar të Kosovës ndërsa kryeministri Kurti për më pak se 50 ditë pune, përmes mosveprimit dhe pozicionimit jokonstruktiv në raport me partnerët në përgjithësi dhe ne veçanti më Shtetet Bashkuara, ka pamundësuar funksionimin e qeverisë”, tha kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike.
Kryeministri Kurti, tha se rrëzimi i qeverisë ka të bëj me pazaret ndërmjet presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë.
“Ky pazar presidencial e kërkon rrëzimin e qeverisë. Pazari presidencial me këtë qeveri të udhëhequr nga unë nuk bëhet, ka marr fund kjo punë. Provoi ai ta shpall gjendjen e jashtëzakonshme, pse nuk e shpalli? Shkoi në Shtëpi të Bardhë të bëj marrëveshje, pse nuk e bëri? Me mua kryeministër në këtë qeveri nuk shpallet gjendja e jashtëzakonshme pa u kriju gjendja e jashtëzakonshme dhe nuk ka marrëveshje as në Shtëpinë e Bardhë, as të gjelbër, as të kuqe për shkëmbim territorial midis Kosovës e Serbisë. Prandaj motori në prapavijë të kësaj pune është si të largohet kjo qeveri, si të spostohem unë në mënyrë që t’i hapet rruga edhe shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme por njëkohësisht edhe atij pazari të gatshëm për shkëmbim territorial”, tha zoti Kurti.