Saturday 9 December 2023
Saturday 9 December 2023

 

Ditët e fundit, redaksia ka marrë një email nga një person i huaj, prej disa vjetësh me qëndrim në Shqipëri, në të cilin ai kërkon opinionin tonë mbi legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës, karakterin “sui generis” të këtij rasti në planin e së drejtës ndërkombëtare dhe perspektivën e marrëdhënieve serbo-kosovare e serbo-shqiptare në përgjithësi.

 

Përgjigjia jonë është si më poshtë:

Pavarësisht faktit që Kosovën e njohën menjëherë si shtet të pavarur e sovran një sërë shtetesh të rëndësishëm të botës dhe faktit që dalngadalë numri i shteteve që e kanë njohur ka arritur në 108 (më shumë se gjysma e vendeve anëtare të OKB-së), nga pikpamja e së drejtës ndërkombëtare në fuqi, në planin e pastër juridik, Kosova nuk mund ta shpallte, pa shkaqe madhorë, pavarësinë nga Serbia dhe shtetësinë e saj. Në fakt, edhe Gjykata e Lartë Ndërkombëtare e Hagës, pas një kohe relativisht të gjatë të studimit të dosjes, nuk gjeti një mënyrë tjetër për ta përcaktuar pavarësinë e Kosovës përveç asaj që nuk e vë në kundërshti me të drejtën ndërkombëtare (Përcaktimi i saktë është: “E drejta ndërkombëtare e përgjithshme nuk përmban ndalesa për pavarësinë. Si rrjedhojë, deklarata e Pavarësisë nuk ka dhunuar ligjin” dhe se kjo e fundit (Pavarësia) “duhet të konsiderohet nën dritën e situatës faktike”. Në këtë mënyrë, kjo Gjykatë, edhe pse nuk lëshoi për këtë rast asnjë sentencë dhe, nga ana tjetër, as Kosova nuk do ta lexonte opinionin e saj si një sentencë,  gjithsesi mori përsipër dy përgjegjësi historike:

 

  1. juridike, pasi në njëfarë mënyre legjitimoi shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës  dhe kjo përbën një precedent që mund të krijojë probleme seriozë në të ardhmen.
  2. politike, ngaqë raste të tjerë, me një kompleksitet madhor në krahësim me atë të Kosovës, do të duheshin të vlerësoheshin të paktën në të njejtën mënyrë dhe me të njejtën menjëhershmëri nga organizmat ndërkombëtarë.

 

Gjithsesi, opinioni pozitiv i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, edhe pse ka një karakter kryesisht konsultues, pati një impakt politik të rëndësishëm, i cili ndikoi në të gjitha arsyetimet juridike që shtuan paskëtaj rrethin e shteteve që njohën Kosovën si shtet të pavarur, proçes që është në zgjerim e sipër.

 

Thënë kjo, duhet të kalojmë në kontekstualizimin e së drejtës ndërkombëtare, në të dy planet e mësipërm, juridik e politik, por edhe në plane të tjerë të karakterit humanitar, atij të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës së vetvendosjes e në këtë rrafsh analize rasti i Kosovës sjell në tavolinë karakteristika krejt të veçanta që po i rendisim më poshtë:

 

  1. Pa hyrë thellë në historinë komplekse dhe më së shumti të hidhur të marrëdhënieve serboshqiptare në Ballkan, duhet thënë se Kushtetuta e ish Republikës Federale të Jugosllavisë e vitit 1974 i kishte  përcaktuar si Kosovës, ashtu dhe Vojvodinës, një status të dyfishtë konstitutiv: si territore e popullsi autonome në kuadrin e  Republikës së Serbisë dhe njëkohësisht elementë konstitutivë të Federatës me prerogativa të njëjta me ato të të gjitha republikave të tjera që e përbënin atë.  Duke qënë të tillë, elementë konstitutivë të Federatës, me rënien e kësaj të fundit, Kosova dhe Vojvodina mund fare mirë të kërkonin të mëvetësoheshin nga Serbia, nëse arësyet e bashkëjetesës dhe kushtet historike nuk i përgjigjeshin më prezuposteve fillestarë që çuan në përfshirjen e padrejtë të këtyre dy territoreve, nga ana e Fuqive të Mëdha, në juridiksionin e Serbisë dhe të Jugosllavisë, si asaj të parë, të Mbretit Aleksander, ashtu edhe asaj të dytë, të Josip Boz Titos. Ashtu siç bënë edhe elementët e tjerë konstitutivë të kësaj federate, si Kroacia, Sllovenia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia dhe vetë Serbia. Në ndryshim me Vojvodinën, Kosova, e përbërë nga një popullsi me shumicë absolute etnikisht shqiptare (90% e popullsisë së përgjithshme), humbi që disa vite para se të shpërbëhej Jugosllavia, të gjitha të drejtat themelore që i garantonin asaj statusin autonom brenda Serbisë e madje kjo e fundit vendosi një regjim policor në Kosovë. Është ky konteksti në të cilin u maturua presioni i popullsisë shqiptare të Kosovës për të kërkuar mëvetësi nga Serbia.
  2. Kosova zhvilloi për një dekadë të tërë një rezistencë paqësore ndaj dhunës  dhe privimeve të ushtruara nga Serbia, krijoi de facto një shtet paralel dhe, në momentin kur Serbia nxiti luftën e armatosur në Bosnjë-Hercegovinë, në Kroaci e më pas në Kosovë, kjo e fundit iu përgjigj me të njejtat mjete, me luftë. Paskëtaj nuk mund të qëndronte më në këmbë asnjë arësye që t’a sillte popullsinë dhe territorin e Kosovës në statusin e mëparshëm.
  3.  Serbia e çoi vetë gjendjen në një pikë pa kthim dhe, në njëfarë mënyre, në tentativën për ta mbajtur me dhunë Kosovën brenda territorit të saj, e “ndihmoi” këtë të fundit për t’u mëvetësuar. Serbia u bë shkaktare e një lufte makabre, asaj që shoqëroi proçesin e shpërbërjes së plotë  të Jugosllavisë dhe fakti që forcat paraushtarake të saj kryen krime dhe ushtruan fushata dhe akte që meritojnë përcaktimin si “genocid dhe pastrim etnik të planifikuar”, si në Bosnjë-Hercegovinë, në Kroaci, ashtu edhe në Kosovë, përbënin dhunimin e armatosur më të madh të së drejtës ndërkombëtare në Europë pas Luftës së Dytë Botërore. Serbia e Millosheviçit doli me forcën dhe vullnetin e vet si kundër rendit westfalian, ashtu edhe kundër rendit të Kartës së Kombeve të Bashkuar në Europë. Lideri i saj, Millosheviçi, i cili konsiderohet sot e kësaj dite “hero i popullit serb” nga një pjesë konsistente e establishmentit në Beograd, i solli padyshim dëmet më të mëdha “popullit serb” në historinë e shtetit të tij, Serbisë.
  4. Këtë forcë centrifugale e ndihmuan rrethanat e asaj periudhe historike, fakti që SHBA, pjesa më e madhe e vendeve të BE-së dhe NATO, në tentativën për t’i dhënë fund konfliktit në ish-Jugosllavi, ndërhynë ushtarakisht për zhbërjen e regjimit të Millosheviçit dhe rivendosjen e rendit ndërkombëtar në këtë pjesë të Ballkanit. Ky kontekst, favorizoi Kosovën në shpalljen e pavarësisë se saj nga Serbia.

Po të arsyetojmë në planin e zhvillimeve historike, një pjesë e madhe shtetesh që sot janë anëtare të Kombeve të Bashkuar janë formuar nga proçese jo tërësisht legalë në raport me të drejtën ekzituese. Kosova nuk bën përjashtim nga kjo eksperiencë historike, por edhe shtete të tjerë që tentojnë aktualisht të formohen apo që mund të formohen në të ardhmen, kanë dhe do të kenë perkurse të ngjashëm nëse nuk do të jenë frut i akordeve solidë midis palëve të interesuara. Kjo do të thotë se pavarësia e Kosovës është një fakt i pakthyeshëm dhe është pozitiv zhvillimi që po çon edhe Serbinë në marrjen e plotë të  koshiencës mbi këtë fakt. Mospranimi i mëvetësisë së Kosovës po kthehet në një boomerang politik, por edhe ekonomik edhe për vetë Serbinë. Kush prej establishmentit të saj mendon dhe vepron ndryshe, sigurisht, nuk po i shërben interesave afatmesëm dhe afatfgjatë të Serbisë, por interesave të vogla të pushtetit të vet të sotwm.

Njohja eventuale e pavarësisë së Kosovës nga Serbia afron këtë të fundit me BE-në, pasi është ndoshta e vetmja pengesë që po e vonon pranimin e këtij vendi në Union. Kjo do të thotë se jo vetëm në planin politik, por edhe në planin e investimeve, Serbia do të kishte benefite të rëndësishëm për të tashmen dhe të ardhmen e popullit të saj. Politika e kapitalizimit maksimal të akordësisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës është politikë kryesisht dritëshkurtër, që derivon nga mentaliteti tipik otomano-ballkanik i pazareve. Serbia në Europë është nën vëmendjen e të gjithëve në këtë komunitet shtetesh, ndërsa Serbia jashtë BE-së  është një njollë e zezë në hartën e Europës së Bashkuar,  një vend i pashpresë,  skllav i historisë së vet.  Nuk ka alternativë tjetër veç BE-së, për Serbinë dhe vendet e tjerë të Ballkanit Perëndimor.

 

Pranimi eventual, brenda një kohe arsyetushmërisht të shkurtër, i pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, sjell automatikisht rënien e regjimit të vetos nga ana e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Kjo për shkak se Rusia e Putinit është deklaruar se në çështjen e Kosovës do të ndjekë e do të respektojë zgjedhjen që do të bëjë Serbia. Natyrisht, Rusia, përveç respektimit të zgjedhjes e të zgjidhjes që do t’i japë Serbia kësaj çështjeje, respekton seriozisht e së pari interesat e veta dhe do të vlerësojë padyshim avantazhet që mund të nxjerrë nga ky diskutim.  Vetëm një proçes i tillë do të mund të çonte në pranimin e Kosovës në OKB. Mund të thuhet se, falë  ndërmjetësimit të faktorëve rilevantë, midis të cilëve SHBA ka rolin determinant, është shumë më afër se edhe një vit më parë ndaj këtij objektivi. Një sërë pjesmarrjesh me të drejta të plota në organizma dhe ente ndërkombëtarë si FMI, Banka Botërore, etj., janë një lehtësi jo e vogël për të ecur më shpejt drejt këtij objektivi. Tashmë jo vetëm konkretisht, por edhe metaforikisht, Kosova ka prefiksin e vet në shumë plane e marrëdhënie ndërkombëtare.

 

Rrugën e Kosovës për t’u pranuar në OKB, mund t’a pengojë gjithashtu Republika Popullore e Kinës, anëtare me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit në OKB. Vetë R.P. e Kinës, si shtet dhe si fuqi, nuk derivon nga rendi westfalian i marrëdhënieve ndërkombëtare, përkundrazi, në këtë rend bënte pjesë ndër vendet e kolonizueshëm; nuk derivon as nga rendi i Kartës së Kombeve të Bashkuar, i ideuar nga SHBA pas Luftës së Parë Botërore dhe as nga modeli i marrëdhënieve ndërkombëtare të pas Luftës së Dytë Botërore. Këto prerogativa, deri në fund të vitit 1971 i kishte vetëm Republika e Kinës, me qendër në Taipei (Taiwan).  Të mos harrojmë se Pekini u pranua në vend të Taipeit si përfaqësues i vetëm i Kinës në marrëdhëniet ndërkombëtare për shkak të rrethanave favorizuese që u krijuan pas vizitës së Presidentit Nikson në Pekin dhe, në planin e OKB-së, me iniciativën këmbëngulëse të ish R.P.S të Shqipërisë dhe ky është një fakt i njohur ndërkombëtarisht. Nuk është në interesin e Kinës të pengojë Kosovën në rrugën e saj drejt OKB-së, por nëse kjo do të ndodhte, për shkaqe të brendshëm të Kinës apo për shkak se do ta gjente si rast të mirë për të imponuar rregullat e veta të lojës në OKB dhe në Këshillin e Sigurimit, Kina do të humbte një nga shanset më të mirë të aksesit nga deti në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet Shqipërisë. Me sa duket, Pekini e ka kalkuluar një lëvizje të tillë, ndaj edhe po konsolidon pozitat e tij në Malin e Zi.  Ky vend, më i vogli i Ballkanit, ka një prani të fortë shqiptare në territorin dhe popullsinë e tij dhe është gjithsesi mjaft i ndikuar edhe nga bota shqiptare me të cilën kufizohet. Po ashtu është tashmë, si Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s, ndërkohë që Kosova, edhe pse jo anëtare, është në një raport të privilegjuar  me SHBA dhe NATO-n.

 

Kanë ndryshuar ritmet dhe metodologjia, por Kosova po ecën drejt njohjes së plotë ndërkombëtare si shtet i pavarur dhe sovran.  Është domosdoshmërisht e rëndësishme rritja e numrit të njohjeve nga shtete të tjerë anëtarë të OKB-së; do të dëshmonte pozitivisht për strukturën e BE-së njohja nga ana e pesë prej vendeve anëtare të saj që, më së shumti për arësye të brendshme, kanë refuzuar deri më tani ta bëjnë këtë, por gjithsesi në këtë fazë Kosovës i duhet të fokusohet mbi temën e ndërtimit të marrëdhënieve ndërshtetërore e të atyre midis popujve me Serbinë. Bisedimet me ndërmjetësine e BE-së kanë dhënë jo pak fryte deri më tani; kanë ndryshuar këndvështrimet dhe sidomos interlokutorët dhe figurat që e udhëheqin dialogun në planin europian, por me sa duket, vetëm një akord i mirë midis SHBA dhe Rusisë do të mund t’i japë energjinë e nevojshme proçesit. Kjo do të sillte domosdoshmërisht dhe pashmangësisht jo vetëm në njohjen e Kosovës nga Serbia, por edhe në një revizionim kompleksiv të marrëdhënieve shqiptaro-serbe në planin ballkanik, si frut i emancipimit të të dy popujve e kulturave. Është në interesin e tyre të bashkëpunojnë në këtë hapësirë të ngushtë, pavarësisht trajektoreve që do të shënojnë zhvillimet e ardhshme europiane. Nëse kjo nuk do të ndodhë, do të thotë se nuk është nxjerrë asnjë mësim i vlefshëm nga historia dhe të mos harrojmë se në Ballkan janë gjithnjë të pranishëm ingredientët e duhur për të bërë pastiçe.

 

M.S

Më shumë

Raporti i KE: Ku ka bërë progres dhe ku ngec ende Shqipëria?

Komisioni Europian (KE) miratoi të martën, (19.10) Paketën e Zgjerimit 2021 dhe vlerësoi situatën dhe progresin e arritur në vendet e Ballkanit Perëndimor (BP) dhe Turqi në proceset e tyre respektive drejt hyrjes në Bashkimin Europian. Vëmendje e veçantë i është kushtuar reformave themelore dhe udhëzimeve të qarta për reformat prioritare në vijim, […]

Shqipëria ngjitet në çatinë e botës po me cilat prioritete?

Shqipëria bëhet anëtare e Këshillit të Sigurimit: për dy vjet Vend i vogël me politikë të jashtme konstruktive.   Shqipëria u zgjodh dje anëtare e përkohshme në Këshillin e Sigurimit. Duke filluar nga 1 janari i vitit 2022, Shqipëria do të ulet për dy vjet rresht në një nga pesëmbëdhjetë ulëset e organit të […]

Shqipëria mbetet peng i të kaluarës së saj komuniste

Dështimi i Shqipërisë për t’u shkëputur rrënjësisht nga diktatura e saj brutale komuniste ka shtrembëruar kujtesën e saj për të kaluarën dhe ka dëmtuar tranzicionin e saj nga shoqëria post-totalitare në një demokraci funksionale.   Ky mars shënoi 30-vjetorin e fillimit të Lëvizjes Studentore që i hapi rrugë rënies së regjimit komunist hoxhist, […]

Melodia e vjetër e BE-së për Ballkanin

Të dëgjosh Bashkimin Evropian duke u prononcuar për Ballkanin Perëndimor është pak a shumë njësoj sikur të mbyllesh në një dhomë dhe të dëgjosh të njëjtën melodi.   Është i njëjti refren i ëmbël që premton një të ardhme të mrekullueshme së bashku, por pa përcaktuar ku dhe kur.   Ka qenë viti […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara