e enjte 9 dhjetor 2021
e enjte 9 dhjetor 2021

Kosova po shënon një tjetër përvjetor të pavarësisë së saj, pa e përmbyllur ende dialogun me Serbinë dhe arritjen e marrëveshjes për normalizimin e raporteve si dy shtete sovrane.

Edhe pas 12 vjetëve të shpalljes së pavarësisë, arritja e kësaj marrëveshjeje, po shihet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, si thelbësore drejt tejkalimit të barrierave që ka Kosova për rrumbullakimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar, me anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe ecur tutje drejt anëtarësimit një ditë edhe në Bashkimin Evropian (BE) dhe në NATO.

Shënimi i 12-vjetorit të pavarësisë, nga aspekti i brendshëm politik, Kosovën e gjen me një rotacion qeverisës si rezultat i zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, 2019, kur edhe ndodhi ndryshimi politik i forcave që dikur ishin në opozitë dhe tani janë në pushtet.

Me Albin Kurtin në krye të qeverisë së koalicionit që u arrit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, votuesit që ia besuan atij (Kurtit) votën presin ndryshimin, sikurse edhe komuniteti ndërkombëtar që mbetet kurreshtar nëse në Kosovë ka tani një lider që do t’i çojë proceset përpara.

Përderisa qeveria e re e Kurtit nuk e ka mbushur as një muaj të punës, gjithçka mbetet në suaza të pritjeve, analizave e supozimeve.

 

Numri “X” i njohjeve

Ngjashëm me përvjetorët e kaluar, edhe sivjet Kosova feston si vendi më i izoluar i në kontinentin e vjetër, pa pasur një qartësi rreth liberalizimit të vizave, një proces që lidershipi dhe qytetarët e Kosovës po e presin të ndodhë që nga viti 2010.

Njëherësh, edhe procesi integrues i Kosovës në BE mbetet i sfiduar seriozisht nga fakti se ende janë pesë shtete anëtare të këtij unioni që nuk e njohin atë si shtet.

Paradoksi që e ndjek shtetin e Kosovës është edhe numri “X,” i panjohur, i vendeve që e njohin atë si shtet.

Që nga shënimi i jubileut të parë të pavarësisë, dy vjet më parë, Kosova numëronte 116 njohje, kurse në 11-vjetorin e saj e aq më pak në 12-vjetorin e sivjetmë të pavarësisë, askush nga institucionet nuk mund ta konfirmojë më saktë.

 

Detyrat e shtëpisë para dialogut

Politika që synon zvogëlimin e numrit të njohjeve të Kosovës, është kundërshtuar hapur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes të dërguarit të presidentit Donald Trump, për dialogun Prishtinë – Beograd, ambasadorit Richard Grenell.

Ai tashmë u ka transmetuar mesazhe të qarta si Prishtinës për heqjen e taksës doganore ndaj importeve nga Serbia, ashtu edhe Beogradit për të ndalë fushatën kundër njohjeve të shtetit të Kosovës.

Që këto paqartësi dhe këto konfrontime në raportet Kosovë – Serbi të ndalen, SHBA-ja dhe BE-ja synojnë që palët t’i ulin në tavolinën e bisedimeve për të përmbyllur dialogun kaherë të filluar me një marrëveshje të paqes e cila do të ishte e obligueshme për të dy shtetet.

Procesi i negociatave, edhe pse në një formë tjetër me atë që ka zhvilluar Bashkimi Evropian ndër vite, tani ka fituar në dinamikë me interesimin në rritje të SHBA-së për ta kurorëzuar dialogun më marrëveshje. Megjithatë, edhe këto përpjekje mund të ngadalësohen së shpejti, ngase pas procesit të gjatë zgjedhor në Kosovë, tani pritet që edhe Serbia të hyjë në zgjedhje të reja.

 

Përtej barrierave

Me gjithë barrierat, për këto 12-vjet shtet, Kosova është bërë anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare, përfshirë edhe organizatat më të rëndësishme financiare si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim si dhe atyre sportive, duke veçuar anëtarësimet në FIFA, UEFA dhe Komitetin Olimpik.

Pas sukseseve të mëdha në sportin e xhudos me kampionen botërore e olimpike, Majlinda Kelmendi dhe yjet e pop muzikës botërore që Kosova i prezanton si ambasadore të saj, si Rita Ora e Dua Lipa, vitin e fundit edhe ekipi i kombëtares në futboll fascinoi shumë adhurues të këtij sporti anë e kënd botës.

Gjatë periudhës mes 11 dhe 12-vjetorit, jo rrallë sukseset e kombëtares së Kosovës në futboll, të paktën për pak kohë, mblodhën me mijëra veta në stadiume, rrugë e sheshe duke kthyer shpresën që ishte zbehur nga izolimi, varfëria, ikja e qytetarëve për në vendet tjera dhe problemet e vazhdueshme me sundimin e ligjit dhe shkallën e lartë të korrupsionit.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, duke i dhënë fund një kapitulli të gjatë të shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë.

Deklarata e pavarësisë, u bazua në Planin Gjithëpërfshirës të presidentit Marti Ahtisaari, si dokument i koordinuar mes autoriteteve të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian, që e njohën shtetin e Kosovës.

Shpalljes së pavarësisë, i kishte paraprirë faza e vendosjes së Kosovës nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, në qershor të vitit 1999, mbi bazën e rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit, e arritur si kompromis ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe perëndimit në njërën anë dhe Rusisë në anën tjetër.

Vendosja e Kosovës nën administrimin e OKB-së (misionit të UNMIK-ut), kishte pasuar konfliktin e armatosur dhe fushatën e regjimit serb të Sllobodan Millosheviqit për spastrimin etnik të Kosovës, nga shqiptarët, çka kishte nxitur fushatën ajrore të NATO-s, mbi caqet serbe.

Kështu që krahas misionit administrues të OKB-së, në Kosovë ishte vendosur edhe forca paqeruajtëse e KFOR-it, e cila pavarësisht faktit se Kosova ka hyrë në proces të formimit të ushtrisë, vazhdon të mbetet forcë mbrojtëse, ndonëse aktualisht me një numër shumë më të vogël ushtarësh. REL

 

 

 

Fakte mbi 17 shkurtin:

 

 

-Pavarësia e Kosovës është shpallur më 17 shkurt 2008, në orën 15:39 minuta.

-Dizajnues i flamurit dhe i stemës së Kosovës është Muhamer Ibrahimi.

-Të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës ishin: presidenti i asaj kohe Fatmir Sejdiu, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.

-Shtetet e para që njohën Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë ishin: Kosta Rika, SHBA, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe etj.

-Pergamena e vjetër 200-vjeçare, në të cilën është nënshkruar Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, gjendet në zyrën e kryetarit të Kuvendit.

-Përveç pergamenës, aty gjenden edhe lapsi me të cilin u vunë nënshkrimet, listat e nënshkrimeve të deputetëve pjesëmarrës në seancë, si dhe flamuri i vendosur në Seancën e Shpalljes së Pavarësisë.

-Muzeu i Londrës ishte ai që ia fali Kosovës pergamenën për shpalljen e pavarësisë.

-Flamujt e parë të Republikës së Kosovës ishin shtypur në Turqi

-Himni i Kosovës, i kompozuar nga kompozitori Mendi Mengjiçi, për herë të parë ishte intonuar në seancën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

-Yjet e bardhë në flamurin e Kosovës simbolizojnë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, harta e verdhë simbolizon pasurinë e Kosovës, ndërsa ngjyra e kaltër simbolizon Evropën.

-Prezente gjatë seancës së shpalljes së pavarësisë të Kosovës, me transmetime direkte edhe mediat më të njohura botërore si: CNN, BBC etj.

Më shumë

Takimi BE-Ballkan, angazhim për zgjerim por pa afate

Drejtuesit e lartë të Bashkimit europian ripohuan sot në përfundim të takimit të nivelit të lartë mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit perëndimor angazhimin në mbështetje të procesit të zgjerimit. Një angazhim që theksohet dhe në deklaratën e miratuar gjatë këtij takimi, por pa përckatuar afate kohore e ku ndërkohë nënvizohej se vetë Bashkimi […]

Shqipëria mbetet peng i të kaluarës së saj komuniste

Dështimi i Shqipërisë për t’u shkëputur rrënjësisht nga diktatura e saj brutale komuniste ka shtrembëruar kujtesën e saj për të kaluarën dhe ka dëmtuar tranzicionin e saj nga shoqëria post-totalitare në një demokraci funksionale.   Ky mars shënoi 30-vjetorin e fillimit të Lëvizjes Studentore që i hapi rrugë rënies së regjimit komunist hoxhist, […]

Melodia e vjetër e BE-së për Ballkanin

Të dëgjosh Bashkimin Evropian duke u prononcuar për Ballkanin Perëndimor është pak a shumë njësoj sikur të mbyllesh në një dhomë dhe të dëgjosh të njëjtën melodi.   Është i njëjti refren i ëmbël që premton një të ardhme të mrekullueshme së bashku, por pa përcaktuar ku dhe kur.   Ka qenë viti […]

Ballkani Perëndimor: Loja e keqe e vjetër me hartat

Ku gjenden saktësisht kufijtë kombëtarë në Evropën Juglindore? Kësaj pyetjeje nuk ka mundur t’i përgjigjet ende asnjë nga projektet e shumtë për rindarjen e rajonit.   Një plan i parë i përgatitur me ngut për ndarje të Jugosllavisë u zbatua me shpejtësi në vitin 1941: Kur Wehrmacht-i gjerman sulmoi dhe mundi shtetin shumëetnik të […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara