e martë 17 maj 2022
e martë 17 maj 2022

 

Të enjten ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, tha se qeveria nuk do të çojë përpara projektin për lidhjen me një gazsjellës ekzistues me Maqedoninë e Veriut, një projekt i propozuar nga Korporata amerikane, Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC).

Në një konferencë të shkurtër me gazetarë, ajo tha se Kosova ka nevojë për më shumë informata për të qenë më e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin energjetik, ndërsa MCC-ja ka afate të përcaktuara kohore për zhvillim dhe nënshkrim të programit të saj.

“Në këtë situatë, përballë afateve kohore që ka MCC-ja, ne kemi vendosur të ecim tutje dhe ta shfrytëzojmë investimin e alokuar për programin e Kompaktit për investime me risk më të ulët, por që gjithashtu ndihmojnë Kosovën në cakun drejt dekaorbonizimit të sektorit të energjisë dhe krijojnë kushte për zhvillim ekonomik dhe zhvillim të sektorit privat”, tha ministrja Rizvanolli.

Qeveria ka diskutuar për disa muaj me radhë me përfaqësuesit e MCC-së për këtë çështje.

Zëdhënësi i kësaj korporate, Marc Rockwell-Pate, tha në një komunikim me Zërin e Amerikës se “gur themeli i modelit të punës së MCC-së, është që vendet partnere udhëheqin me përzgjedhjen, zhvillimin dhe zbatimin e projekteve” të mbështetura nga korporata.

Pa e përmendur projektin për gazsjellësin, ai tha se “MCC-ja mezi pret të vazhdojë partneritetin me qeverinë e Kosovës, ndërsa punojmë për të ulur varfërinë dhe nxitur rritjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike”.

Ditë më parë, një zëdhënës i ambasadës amerikane i tha Zërit të Amerikës, “se një faktor thelbësor që pengon rritjen e fuqishme ekonomike të Kosovës është infrastruktura e papërshtatshme, veçanërisht infrastruktura energjetike” dhe se “qeveria amerikane po punon me qeverinë e Kosovës për zhvillimin e projekteve të propozuara, që Bordi i Drejtorëve të Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit do të merrte parasysh një program të mundshëm në vitin 2022”.

Sipas zëdhënësit, projektet e tilla të mundshme do të përqendroheshin në disa koncepte që janë në dobi të Kosovës.

“Ky projekt nuk lidhet me gazin natyror të lëngshëm apo ndonjë burim tjetër gazi amerikan. Kjo do t’i jepte Kosovës mundësinë për të përdorur gazin si lëndë djegëse kalimtare derisa të ketë qasje në hidrogjen”, thuhej në përgjigjen e zëdhënësit të ambasadës amerikane në Prishtinë.

MCC-ja kishte përcaktuar një shumë prej afro 200 milionë dollarësh për të ndihmuar ndërtimin e infrastrukturës, ndërsa, pjesa më e madhe e inancimit, tha zëdhënësi “do të bëhej nga fondet e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF)”.

Opozita në Kosovë i bëri thirrje qeverisë në disa raste që të shfrytëzojë projektin amerikan.

Lidhja Demokratike e Kosovës e cilësoi vendimin e qeverisë “një hap të gabuar strategjik. Një veprim i pakuptueshëm për interesat shqiptare në rajon. Një humbje financiare dyqind milionëshe në një vend pa zhvillim. E pakuptimtë, e dëmshme, e papranueshme. Përkushtimi i Kosovës në projekte strategjike amerikane nuk duhet të ketë hezitim. Ecja jonë strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë e përbashkët në politikë, ekonomi, siguri e energjetikë”.

Të enjten, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili i kishte bërë thirrje kryeministrit Kurti të mbështesë projektin për lidhjen me gazsjellësin, e kritikoi rreptë atë për qëndrimin ndaj projektit.

Refuzimi i projektit të gazsjellësit amerikan është një veprim i rrezikshëm kundër interesave të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shkroi ai në llogarinë e tij në Facebook.

Më shumë

Kosova ftohet në takimin e lartë për demokraci

Kosova pritet të marr pjesë në takimin e lartë për demokraci që do të organizohet nga presidenti amerikan, Joe Biden më 9 dhe 10 dhjetor. Burime të Zërit të Amerikës konfirmuan pjesëmarrjen e Kosovës në këtë takim dhe sipas tyre, kjo u bë e ditur pas takimeve që presidentja Vjosa Osmani zhvilloi me […]

Mosnjohja e plotë e Kosovës, pengesë drejt NATO-s

Mosnjohja e Kosovës nga katër shtete evropiane që janë edhe pjesë NATO-s, është pengesa kryesore për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, u tha në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës.   Lidhur me anëtarësimin e Kosovës në NATO, para anëtarëve të këtij komisioni raportoi të martën […]

Kosova vendos sanksione për shtatë individë dhe një kompani për lidhje me Hezbollahun

Qeveria e Kosovës u vendosi sanksione shtatë afaristëve dhe një kompanie për lidhje me grupin ushtarak të Libanit, Hezbollah.   Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, tha se sanksionet vendosen në pajtim me Rezolutën 1373 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ndaj shtatë individëve dhe një kompanie “për lidhjet e […]

Kërcënohet kryeministri i Kosovës Albin Kurti

Masa të shtuara të sigurisë janë parë të mërkurën mbrëma përreth shtëpisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.   Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se kryeministri Kurti është kërcënuar dhe për këtë arsye, “si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë. Institucionet e hetuesisë dhe sigurisë […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara