e martë 17 maj 2022
e martë 17 maj 2022

 

 

Zyrtarët e OKB-së dhe të tjerët paralajmërojnë se kriza e migantëve haitianë mund të jetë shumë larg përfundimit, pasi dhjetëra mijëra vetë mbeten të bllokuar përgjatë rrugëtimit të tyre nga Amerika e Jugut, përmes Panamasë dhe në veri përmes Meksikës. Skenat dramatike pranë kufirit SHBA-Meksikë tregojnë rojet amerikane që ndalojnë dhe dëbojnë mijëra haitianë që po përpiqeshin të kalonin në Shtetet e Bashkuara. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Stephania Corpi raporton nga Ciudad Acuña në kufirin e Meksikës me Shtetet e Bashkuara.

 

Pas shumë ditë shqyrtimesh, nëse mund të kalonin kufirin në Rio Bravo – ose Rio Grande – natën e 23 shtatorit, një numër familjesh haitiane vendosën të provojnë shanset e tyre drejt Shteteve të Bashkuara.

 

Errësira dhe uji i ftohtë i stresuan prindërit dhe fëmijët. Por jo të gjithë donin të largoheshin nga kampi në anën meksikane. Viki, një nga migrantët haitianë, i tha Zërit të Amerikës se njerëzit janë në kushte shumë të rënda.

 

“Është ferr. Nënat nuk kanë më qumësht për t’i ushqyer foshnjat. Ato nuk kanë me çfarë të ushqehen. Nuk kemi asgjë. Nuk kemi ku të flemë, dhe dielli gjatë ditës të përcëllon.”

 

Atë mëngjes, rojet e kufirit i ndoqën migrantët nga ajri, toka dhe të dy anët e lumit – duke u përpjekur t’i pengonin ata.

 

Migrantët, kryesisht haitianë, debatuan nëse do të qëndronin në Ciudad Acuña, një qytet i vogël verior në Meksikë, apo do të kalonin lumin për në Del Rio, Teksas, ku mund të përballeshin përsëri me dëbim drejt Haitit.

 

Trajtimi i ashpër në të dy anët e kufirit jep sinjale të qarta se asnjë vend nuk i dëshiron migrantët.

 

Meksika ka ndërtuar kampe përgjatë kufirit në Matamoros, Reynosa dhe Tijuana – dhe nuk dëshiron më shumë njerëz. Presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador, nuk i ka fshehur synimet e qeverisë së tij.

 

“Nuk duam që Meksika të bëhet kamp migrantësh”.

 

Pas Indisë, Meksika është vendi i dytë më i madh në botë i njerëzve që migrojnë, me afërsisht 11.7 milionë meksikanë që jetojnë jashtë vendit të tyre.

 

Qeveria dëshiron ta portretizojë Meksikën në media si vend mikëpritës për azilkërkuesit. Kohët e fundit, Meksika pranoi një numër të vogël refugjatësh afganë, duke shkaktuar shumë publicitet.

 

Por statistikat tregojnë diçka tjetër. Kritikët thonë se numri i refugjatëve që pranon është i ulët – duke patur parasysh territorin e atij shteti.

 

Elba Coria, ish-drejtoreshë e një njësie kërkimore për emigrantët në Universitetin Ibero-Amerikan të qytetit të Meksikës, foli me Zërin e Amerikës përmes rrjetit Skype.

 

“Problemi që po shohim, për shembull, në aspektin e qasjes në territorin meksikan, është pikërisht se njerëzve nuk u lejohet ky akses për të kërkuar statusin e refugjatit. Kjo po ndodh në aeroporte dhe kufirin tokësor.”

 

Kreu i Komisionit për Refugjatët i qeverisë meksikane (COMAR) vlerëson se këtë vit numri i kërkesave për azil do të arrijë shifrën 120 mijë, nga afro 70 mijë një vit më parë.

 

Komisioni po krijon zyra në qytete të tjera, përfshirë në Veracruz dhe Gjirin e Meksikës, ku janë përqendruar shumë migrantë haitianë.

 

“Ka shumë në Tapachula (thellë në jug të Meksikës), kështu që sistemi i imigracionit është i vështirë. Ata nuk pajisen në kohë me dokumente, duke patur parasyshë se nuk mund të punojnë. Duhet të paguash për strehimin dhe ushqimin. Ndaj nëse nuk punon gjërat do të jenë të vështira”.

 

Amerika Latine është përballur me një fluks të paparë migrantësh haitianë të nxitur nga pandemia, vështirësitë ekonomike, dhuna dhe fatkeqësitë natyrore. Kampet në Ciudad Acuña dhe Del Rio janë çmontuar, por duket se kriza e migrantëve është shumë larg përfundimit.

 

Më shumë

Duke shpresuar se Omicron nuk do të shkatërrojë Krishtlindjet, Betlehemi ndez dritat e pemës

BETHLEHEM, Bregu Perëndimor, 4 dhjetor (Reuters) – Banorët ndezën një pemë gjigante të Krishtlindjeve jashtë Kishës së Lindjes së Betlehemit të shtunën, duke shpresuar që një variant i ri i koronavirusit të mos prishë një sezon tjetër pushimi në vendlindjen tradicionale të Jezusit. Betlehemi u mbyll vetëm Krishtlindjet e kaluara, duke humbur sezonin […]

Zgjerimi i ndikimit turk rrit tensionet me Iranin

Arrestimi i agjentëve iranianë në Turqi muajin e kaluar, thonë analistët, është shenja më e fundit e rritjes së tensioneve midis dy fqinjëve. Kjo po ndodh ndërsa Turqia po zgjeron ndikimin e saj në rajonin e Kaukazit në dëm të Iranit.   Forcat turke të sigurisë arrestuan agjentët iranianë për të cilët Turqia […]

Energjia atomike energji e gjelbër?

Gjermania dhe disa shtete të BE kundërshtojnë kategorizimin e energjisë atomike si energji të gjelbër. Por shumica e vendeve të BE e mbështet këtë, mes tyre edhe Franca.     Gjermania dhe katër shtete të tjera e kundërshtuan hapur në Glasgou, ku përfundoi Konferenca Botërore për Klimën, kategorizimin e energjisë atomike si energji të […]

Izraeli mohon akuzat për spiunazh në Turqi

Izraeli është angazhuar për lirimin e një çifti izraelit të cilët janë dërguar në mbajtje nga ana e autoriteteve turke, tha kryeministri izraelit, Naftali Bennett.   Media shtetërore turke ka thënë se izraelitët e ndaluar ishin spiunë.   Kryeministri Bennett tha përmes një deklarate se ai ka biseduar me familjen e dy izraelitëve, […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara