e martë 22 qershor 2021
e martë 22 qershor 2021

 

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të premten se qeveria e tij ka filluar punën për përgatitjen e padisë kundër Serbisë për gjenocid në Kosovë gjatë periudhës së luftës së fundit.

 

Ai i bëri këto komente në një konferencë me gazetarë pas miratimit të programit të punës së qeverisë së tij për katër vitet e ardhshme, duke theksuar se çështja e padisë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të jetë edhe një nga përparësitë punës.

 

“Ne jemi të bindur që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë në luftën e fundit tek ne dhe kjo e meriton një padi dhe qeveria e Republikës së Kosovës e ka përgatitjen e saj obligim ndaj historisë tonë, ndaj qytetarëve që kanë plagët e hapura dhe qe besa edhe ndaj ardhmërisë tonë ,që kërkon një shtet demokratik, një shtet të drejtë në të cilën dihet qartë se kush është agresori e kush është viktima”, tha ai.

 

Zoti Kurti e kishte paralajmëruar një mundësi të tillë edhe më parë, duke nxitur reagimin e Serbisë, presidenti i së cilës, Aleksandër Vuçiç, tha se Kosova nuk mund ta bëj një gjë të tillë, meqë nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara.

 

“Po kërcënoni Serbinë me gjyq për gjenocid? Mund ta realizoni këtë vetëm përmes një shteti tjetër, që është Shqipëria, e kjo do të thotë bashkim me Shqipërinë. U kërkoj shqiptarëve të Kosovës që të mos e bëjnë këtë”, i tha ai një televizioni serb dy ditë më parë.

 

Kryeministri Kurti tha se “përgatitjet janë gjigante sepse një rast i tillë as nuk guxon, as nuk duhet e as nuk mund të humbet”.

 

Shqiptarët e Kosovës e cilësojnë gjenocid fushatën e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999, gjatë së cilës u vranë mbi 10 mijë veta, mijëra llogariteshin të zhdukur, ndërsa mbi 800 mijë shqiptarë u dëbuan.

 

Lufta mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

 

Kurti: Kosova nuk mund të ofrojë garanci për ish drejtuesit e UÇK-së

 

Kryeministri Albin Kurti tha sot se Kosova nuk llogaritet si vend i tretë nga Gjykata e Posaçme për krime lufte në Hagë dhe si e tillë nuk mund të ofrojë garanci për mbrojtje në liri për ish drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare, që ndodhen në paraburgim.

 

“Problemi me çështjen e garancisë është se Kosova nuk është shtet i tretë. Në gushtin e vitit 2015, atëherë kur u zhvillua diskutimi në Kuvendin e Kosovës, argumenti kryesor se pse duhet aprovohet amandamenti24 që e votuan deputetët atëbotë e që ne e kundërshtuam, ka qenë se nëse nuk e bëjmë ne do të jetë gjykatë ndërkombëtare e OKB-së. Ne e kemi ditur që nuk është ashtu, pra ajo ka qenë më shumë një lloj frikësimi i atyre që ishin sponsor, qeveria e atëhershme ishte sponsor dhe ne bëmë kritikën tone”, tha ai duke nënvizuar se ishte e qartë që kjo gjykatë nuk do të ishte krejtësisht jashtë Kosovës.

 

“Por siç e kam thënë shpeshherë një këmbë e ka jashtë dhe një brenda pra brenda ngrehinës tënde juridike kushtetuese ti ke futur Gjykatën Speciale, prandaj nuk je më vend i tretë edhe unë besoj që i gjithë keqkuptimi ka të bëjë me këtë dhe tani jemi në një situatë kaq të pafavorshme ku Kosovës me vet vendimin e datës 3 gusht 2015 i pamundësohet që të konsiderohet si shtet i tretë. i cili do të mund të jepte garanci”, tha kryeministri Kurti.

 

Vendimi i javës së kaluar i Gjykatës së Posaçme të Kosovës me seli në Hagë, për të refuzuar kërkesat e katër të akuzuarve: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, për t’u mbrojtur në gjendje të lirë, nxiti debate në Kosovë por edhe ide të ndryshme për shtete që do të mund të ofronin garanci.

 

Ligji për themelimin e Gjykatës mundëson që një shteti të tretë, mund të ofrojë garanci për “të marrë dhe nëse është e nevojshme, të monitorojë një të dyshuar”.

 

Përgjatë debateve u tha se disa vende përfshirë Kroacinë kanë shprehur gatishmëri për të ofruar garanci të tilla. Por zyrtarët e këtij vendi hodhën poshtë deklarata të tilla.

 

Kryeministri Albin Kurti tha se nuk mund të kërkojë nga Kroacia garanci dhe se në këtë proces nuk është i përfshirë shteti i Kosovës.

 

“Tash aty ka një proces juridik në të cilën ata që janë në burg i kanë mbrojtësit e tyre ligjor të cilët e udhëheqin mbrojtjen pra nuk është shteti në gjyq andaj nuk më takon mua që të marr kësi hapash, do të ishte gabim edhe për shtetin e Kosovës edhe për vet luftëtarët e UÇK-së që i kemi në burg”, tha ai.

Zoti Kurti që bëri paraqitjen e parë të tij në një konferencë të gjatë që nga marrja e mandatit rreth 45 ditë më parë tha se qeveria e Kosovës do të bëj përgatitjet e duhura për bisedimet e ardhshme me Serbinë, që pritet të rifillojnë gjatë muajit qershor.

 

“Nuk e nënçmojmë dialogun por nuk lejojmë të na e rrëmbej agjendën shtetërore”, tha kryeministri Kurti.

 

Më shumë

Udhëheqësit e Manastirit të Deçanit nuk pranojnë dialog me kryeministrin Kurti

Udhëheqësit e Manastirit të Deçanit refuzojnë ta takojnë kryeministrin e Kosovës. Ata kërkojnë që më parë Kurti të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që pronat përreth Manastirit të regjistrohen si prona të Kishës.   Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ditë më parë i dërgoi një letër kryemurgut të Manastirit të Deçanit Sava Janjiç, ku […]

Qeveria Kurti hesht lidhur me Manastirin e Deçanit

Qeveria e Kosovës qëndron e heshtur lidhur me kërkesën e shteteve të QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia e Britania e Madhe) për respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me tokën e Manastirit të Deçanit.   Shefat e misioneve e këtyre shteteve të mërkurën (19 maj) përmes një komunikate të përbashkët […]

Kurti: Bisedimet me Serbinë nuk mund të vazhdojnë njësoj si në të kaluarën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën mbrëma në Bruksel se bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nuk do të jenë njësoj si në të kaluarën dhe se në thelbin e tyre duhet të jetë njohja e ndërsjellë.   Ai i bëri këto komente pas një darke punë të organizuar nga shefi […]

40 – vjetori i Demonstratave të Prishtinës, ekspozita “Vullkani i Kosovës” në Pazarin e Ri në Tiranë

Demonstratat e pranverës së vitit 1981 në Prishtinë janë një moment kyç në historinë e Kosovës dhe në këtë 40 – vjetor, Angjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës ka realizuar këtë ekspozitë. Pas Prishtinës, saktësisht aty ku nisën demonstratat dhe çeljes së saj në disa qytete të Kosovës, 4 dekada kthese në historinë e […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara