e hënë 1 mars 2021
e hënë 1 mars 2021

 

Shumica socialiste në parlament, e mbështetur me vota pro edhe nga 23 deputetë të opozitës brenda parlament, miratoi sot ndryshimet e Kodit Zgjedhor.

 

Sipas variant socialist, i kthyer tashmë në ligj, koalicionet zgjedhore duhen regjistruar në garë me lista të përbashkëta dhe pjesërisht të hapura. Kjo formulë e ul ndjeshëm mundësinë që qytetarët të zgjedhin kandidatët më të mirë nga listat e partive, ndërsa opozita kërkoi listta plotësisht të hapura, që të fuqizohej elementi maxhoritar.

 

Ndër të paktat ndryshime me rëndësi, pas kësaj, ishin ulja e pragut nga 3 në 1 për qind dhe kandidimi i kryetarëve në 4 zona.

 

Ndryshimet, sipas diskutimit të kryetarit të grupit parlamentar socialist Taulant Balla, sollën shembullin kroat të zgjedhjeve, por duke ndërhyrë për hir të konsensusit mes palëve për ulje të pragut zgjedhor nga 5% në 3%, e më pas në 1%. Balla e konsideroi si krejt të mundur, pavarësisht vonesave, që emigrantët të bëhen pjesë e këtij procesi zgjedhor dhe bëri thirrje për organet e reja të KQZ-së që të fillojnë të punojnë edhe në këtë drejtim. Ai gjithashtu shprehu keqardhjen për pamundësinë që në zgjedhjet e vitit 2021 të shkohej drejt zgjedhjeve me komisionerë jopartiakë. Në tërësi ai e konsideroi historike përmbylljen e reformës zgjedhore

 

Në përfundim të diskutimeve, ndryshimet në Kodin Zgjedhor u votuan me 97 vota pro, 15 kundër dhe 5 abstenim.

 

Lidhur me katër projektvendimet për organet e reja të KQZ-së, Ilirjan Celibashi u zgjodh Komisioner shtetëror për zgjedhjet me 106 vota pro, Lealba Pelinku u zgjodh Nënkomisionere shtetërore për zgjedhjet me 105 vota pro, me listë të përbashkët të votuar me 107 vota pro anëtarë të Komisionit Rregullator u zgjodhën Ilirjana Nano, Dritan Çaka, Arenc Çela, Muharrem Cakaj, Helga Vukaj; me 105 vota pro u votua edhe lista e përbashkët për komisionerë të KAS-it, Ilirjan Rusmajli, Elvin Lako, Koli Bele, Elvis Çefa dhe Ledjo Braho.

 

Me votimin e sotëm në parlament, duket se doli jashtë funksionit edhe Këshilli Politik, ku nuk ka mbetur më për të folur pothuajse asgjë.

 

Këshilli Politik u ngrit si një forum mes pozitës dhe opozitës në janar me synimin për ta kryer reformën zgjedhore deri në mars, afat që u shty deri në maj dhe me shtytjen e diplomatëve amerikanë dhe europianë mes palëve u arrit një marrëveshje më 5 qershor. Opozita thotë se edhe kjo u shkatërrua me votimin e sotëm në parlament, i cili megjithatë vazhdoi procedurat për zgjedhjen e KQZ-së së re dhe administratës që pritet të menaxhojë zgjedhjet e 25 prillit, kur partitë e mëdha, kanë nisur fushatën zgjedhore, 9 muaj para zgjedhjeve, sapo presidenti dekretoi datën e mbajtjes së tyre.

 

Pas votimit sot në parlament të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, reagoi ambasada e SHBA-ve në Shqipëri. “Sot, partia qeverisëse ndaloi diskutimet në Këshillin Politik dhe votoi për të miratuar ndryshime domethënëse të rregullave, që do të qeverisin zgjedhjet e 25 prillit. Ishte brenda kompetencave të parlamentit për t’i miratuar këto ndryshime, të cilat janë shtesë, dhe jo shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit, por është për të ardhur keq që shumica dështoi të respektonte përkushtimin e deklaruar prej vetë asaj për të kërkuar emërues të përbashkët në Këshillin Politik” – thuhet në deklaratën e SHBA-ve në Tiranë.

 

Në reagimin e ambasadës theksohet se “Shtetet e Bashkuara i kanë shtyrë udhëheqësit e Shqipërisë – brenda dhe jashtë parlamentit – për t’u angazhuar me njëri tjetrin në mënyrë transparente dhe përfshirëse për çështje me rëndësi kombëtare”.

 

Në të veçohet se ishte angazhimi pozitiv që prodhoi marrëveshjen e 5 qershorit për reformën zgjedhore.

 

“SHBA bëri të qartë që ajo marrëveshj duhet të respektohet dhe se çfarëdo masash shtesë duhen shqyrtuar dhe miratuar në mënyrë të ngjashme transparente dhe përfshirëse në Këshillin Politik” – deklaroi ambasada e SHBA-ve në Tiranë.

 

Selia diplomatike amerikane kujtoi se Shqipëria është anëtare e NATO-s, aspiruese për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe Kryesuese e radhës e OSBE-së, ndaj është detyrë e udhëheqësve të Shqipërisë, duke filluar, por jo vetëm, nga ata në pushtet, për të kërkuar nga vetja një standard më të lartë dhe për të siguruar lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve të ardhshme.

 

 

Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro dhe kundër për miratimin e Kodi të Ri.

 

Teksa nga maxhoranca ishin 74 vota pro, nga opozita ishin 23 vota.

 

Mësohet se deputetët opozitare që kanë votuar pro ndryshimeve janë; Grupi parlamentar “Demokraci dhe drejtësi”, i cili ka në përbërje të tij 11 deputetë, mes tyre Edmond Stojku. Bëhet fjalë për Eugen Bojaxhiun, Selami Jenishehrin, Krenar Rryçin, Koçi Tahirin, Klajdi Qamën, Majlinda Halilajn, Ervis Meçon si dhe Ramazan Gjuzin.

 

Mes atyre që u pozicionuan pro këtyre ndryshimeve janë dhe grupi parlamentar “I pavarur”, i përbërë nga 9 deputetë. Bëhet fjalë konkretisht për Nimet Musajin, Ylli Shehun, Aurora Mara, Enver Roshi, Ediola Braha, Edlirta Hyseni si dhe Enada Kapllani.

 

Kundër këtij kodi votuan; Ralf Gjoni, Adriatik Alimadhi, Myslim Murrizi, Artur Roshi, Zef Shtjefni, Ambra Borova, Gjetan Gjetani, Fatjona Dhimitri, Halit Valteri, Erion Piciri dhe Elda Hoti.

Më shumë

Basha reagon pas takimit me ambasadoren Yuri Kim: Të forcohet aleanca Shqipëri-SHBA

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas takimit që ka patur me ambasadoren e SHBA në Tiranë, Yuri Kim. Basha në një postim në mediat sociale, shkruan se  aleanca mes Shqipërisë dhe SHBA duhet forcuar dhe të jetë në një lartësi tjetër.   “Takim i shkëlqyeshëm sot me ambasadoren Yuri Kim gjatë […]

Zgjedhjet e 25 prillit – delegacioni i ODIHR vizitë pesëditore në Shqipëri

Kur kanë mbetur afërisht tre muaj nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, një delegacioni i OSBE-ODHIR pritet të vizitojë Shqipërinë nga data 24 deri në 29 janar.   Delegacioni i OSBE-ODIHR do të takohet me zyrtarë të lartë të shtetit duke nisur nga ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, ministrin e Brendshëm dhe […]

Identifikimi biometrik, KQZ kualifikon kompaninë amerikane

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi sot se ka pranuar ofertën e kompanisë amerikane “Smartmatic International Holding B.V”, për procesin e identifikimit biometik të votuesve në zgjedhjet e 25 Prillit. Kompania amerikane ishte e vetmja që u paraqit në garën e hapur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe është ofruar ta relizojë projektin për […]

Ikjet nga LSI – Zv.kryetari Luan Rama: Nuk jemi të shqetësuar, duhet të dalim të vetëm në zgjedhje

Vendimi për t’ju bashkuar Partisë Socialiste i ish-ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, figura qendrore e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Berat, nuk është goditja e parë që merr partia me karakter familjar e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhi.   Në nëntor të vitit 2019, deputeti i LSI-së, Lefter Koka, një person me peshë të […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara