e premte 30 korrik 2021
e premte 30 korrik 2021

 

 

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha të martën se pret që marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, të arrihet brenda mandatit qeverisës të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.

 

Ai i bëri këto komente pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër vizitës treditëshe në Prishtinë, në përpjekje për të sigurur rifillimin e bisedimeve menjëherë pas themelimit të institucioneve të reja të Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, në të cilat doli fituese lëvizja Vetëvendosje.

 

“Po unë mendoj se ne mund ta përfundojmë këtë proces me një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve gjatë mandatit të zotit Kurti dhe zonjës Osmani dhe nuk shoh ndonjë pengesë pse të mos e arrijmë”, tha zoti Lajçak duke nënvizuar se autoritetet në Kosovë kanë mirëkuptim për rolin e rëndësishëm të bisedimeve që sipas tij mund të përmbyllen për disa muaj.

 

“Nuk kërkon vite, por nuk është në të drejtën e Bashkimit Evropian të vendos. Ne nuk po i nxitojmë palët. Ne nuk jemi duke ngadalësuar procesin. Ne jemi këtu dhe është në dorën e Kosovës dhe Serbisë se sa shpejt dëshirojnë të ecin. Nëse dëshirojnë të takohen në baza mujore ne jemi aty, nëse duan të takohen në baza javore ne jemi aty, pra ne jemi këtu për të lehtësuar dhe siç e thashë, pëfundimisht nuk na duhen edhe dhjetë vjet të tjera, as pesë dhe tre vjet, nëse ka përkushtim dhe gatishmëri nga palët”, tha zoti Lajçak.

 

Ai tha se me administratën e re amerikane të presidentit Joe Biden, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po punojnë në baza ditore për të njëjtin qëllim; për të çuar përpara Kosovën dhe rajonin drejt së ardhmes evropiane.

 

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani tha se procesi i bisedimeve duhet të rishikohet.

 

“E bëra të qartë në emër të institucioneve të Kosovës dhe në veçanti në emër të institucionit që drejtoj, që po ashtu udhëheq me politikën e jashtme, që për ne procesi i dialogut duhet ta ketë një “reset”, pra një rishikim i cili ndër të tjera ndihmon që Republika e Kosovës të jetë e përgatitur dhe mbi të gjitha të respektojë interesat e veta, interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës në një proces i cili patjetër duhet të rezultojë me njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë në kufijtë aktual të Kosovës dhe me Kushtetutën aktuale të Kosovës”, tha ajo.

 

Zonja Osmani tha se institucionet e reja të Kosovës do të angazhohen në bisedime por, me një qasje të re.

 

“Nuk do të lejojmë që integriteti territorial të bëhet pjesë e dialogut apo që rregullimi ynë kushtetues dhe sovraniteti i vendit të bëhet pjesë e këtij procesi sepse Kosova e ka përmbyllur statusin e saj me 17 shkurt 2008 njëherë e përgjithmonë, prandaj edhe nuk ka çka të negociohet për statusin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, por natyrisht presim që ky proces të përfundojë me njohjen nga ana e Serbisë të Kosovës si shtet dhe të kufijve tanë aktual”, tha ajo, duke nënvizuar se pret një bashkërendim më të madh ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

 

“Kosova ka bërë aq shumë koncesione sa që e kanë pru në buzë të jofunksionalitetit. Pr,a tani nuk është koha të pyetet se se çfarë do të jap Kosova akoma. Por çka pritet prej këtij procesi është që edhe Kosova edhe Serbia ta marrin nga Bashkimi Evropian përfitimin final, që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian pra jo që Kosova të jap diçka shtesë, qoftë copëza të funksionalitet të saj të brendshëm, qoftë ide të cilat janë jashtëzakonisht të rrezikshme siç është ndryshimi i kufijve, por Kosova dhe Serbia duke rezultuar me njohje reciproke në të njëjtën kohë ecin drejt BE-së. Pra përfitimi final është anëtarësimi në Bashkimin Evropian e jo të konsiderohet Kosova si një shportë me pemë e perime ku çdo kush merr diçka prej saj duke e shndërruar në një shtet jofunksional, i cili nuk i duhet as qytetarëve të saj, nuk i duhet as rajonit e nuk u duhet as partnerëve tanë ndërkombëtar”, tha zonja Osmani, raporton VOA.

 

Të hënën, kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha pas takimit me zotin Lajçak se nuk është kundër bisedimeve me Serbinë, por kërkon që ato të jenë parimore dhe të përgatitura mirë.

 

Zoti Lajçak, pas Kosovës do të shkojë në Beograd, është vënë në përpjekje për të siguruar vazhdimin e bisedimeve gjatë këtij viti, meqë vitin e ardhshëm është Serbia që do të mbajë zgjedhjet e reja presidenciale e parlamentare, gjë që do të çonte në një periudhë tjetër të pezullimit të bisedimeve që filluan dhjetë vjet më parë.

 

Serbia kundërshton pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008 por është përfshirë në bisedime për normalizim marrëdhëniesh që është kusht për integrimet evropiane.

 

Më shumë

Stoltenberg: FSK-së i duhet leje nga NATO-ja që të shkojë në veriun e Kosovës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të enjtën se forcat paqeruajtëse të KFOR-it do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë për të siguruar paqen ndërsa bëri thirrje për një zgjidhje politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.   Ai i bëri këto komente në një konferencë për gazetarë pas qëndrimit të tij në […]

Mbajtja e liturgjisë tek kisha serbe në oborrin e Universitetit të Prishtinës, Çeku: “Presion” mbi gjykatën

​​​​​​​Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka folur për mbajtjen e liturgjisë nga kisha ortodokse serbe në kishën e ndërtuar në oborrin e Universitetit të Prishtinës.   Çeku ka thënë se Policia e Kosovës nuk ka qenë e lajmëruar për këtë aktivitet dhe ka thënë se Qeveria nuk do të lejojë […]

Qeveria e Kosovës miraton heqjen e leje qëndrimit të përkohshëm me Shqipërinë

Qeveria e Kosovës ka miratuar në parim Marrëveshjen Ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës të Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për heqjen e leje qëndrimit të përkohshëm.   Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, tha se kjo projektmarrëveshje është në frymën e interesave të përbashkëta në kuadër të bashkëpunimit bilateral […]

Themelimi i institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën në Prishtinë se është koha e fundit që të dokumentohen e njihen të gjitha krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë si dhe dëmet që i janë shkaktuar vendit gjatë asaj periudhe.   Këto komente kryeministri Kurti i bëri gjatë takimit të parë të grupit të […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara