e shtunë 4 dhjetor 2021
e shtunë 4 dhjetor 2021

 

Kapitali grek pati një rol të rëndësishëm në procesin e ngritjes së sektorit bankar privat në Shqipëri. Banka e parë me kapital grek që hyri në tregun shqiptar ishte Grupi Bankar i Pireut, që në shtator 1996 licencoi filialin e saj shqiptar, Tirana Bank. Vetëm dy muaj më pas, në nëntor 1996, u licencua edhe banka e dytë greke, dega e Bankës Kombëtare të Greqisë në Shqipëri (NBG Bank Albania).

Kriza e rëndë e vitit 1997 nuk i frenoi planet e zgjerimit të bankave greke në Shqipëri. Grupi i tretë grek, Alpha Bank hyri zyrtarisht në Shqipëri në janar 1998, me licencimin e degës së saj. Një vit më vonë ishte radha e Bankës Emporiki, që në tetor 1999 u licencua nga Banka e Shqipërisë si banka e katërt greke në vendin tonë.

Gradualisht, ato zgjeruan praninë e tyre në treg dhe arritën pikën më të lartë në vitin 2008, kur zotëronin afërsisht 28% të aktiveve të tregut bankar shqiptar. Pas këtij viti, pjesa e tregut të bankave greke filloi të bjerë gradualisht, me intensifikimin e efekteve të krizës financiare edhe në aktivitetin e sektorit bankar në Shqipëri.

Markat greke në tregun bankar filluan të pakësoheshin në vitin 2012. Grupi francez Credit Agricole vendosi të shesë me çmim simbolik grupin bankar grek Emporiki, që e kishte blerën që në vitin 2006. Megjithatë, grupi francez vendosi të mbajë përkohësisht filialet ndërkombëtare të bankës, përfshi atë në Shqipëri, që në atë vit mori emrin Credit Agricole Albania.

Megjithatë, epoka franceze për ish-Emporiki Albania zgjati më pak se tre vjet: për shkak të humbjeve të mëdha dhe nivelit të lartë të kredive të këqija, në vitin 2015 banka u nxor në shitje dhe u ble nga NCH Capital, nëpërmjet institucionit financiar Tranzit, për të marrë emrin e ri Banka Amerikane e Investimeve.

Të njëjtën rrugë ndoqën edhe Grupi Bankar i Pireut dhe NBG Bank. Pasi pësuan një goditje të rëndë nga efektet që shkaktoi kriza e borxhit Sovran grek, në Planet e tyre të Rimëkëmbjes të rëna dakord me kreditorët europianë, këto dy banka përfshinë edhe shitjen e shumicës së filialeve ndërkombëtare, përfshi ato në Shqipëri. Shitja e NBG Bank u finalizua në vitin 2018 dhe fitues i procesit rezultoi edhe një herë ABI Bank.

Një vit më vonë, u miratua zyrtarisht edhe shitja e Tirana Bank te konsorciumi i formuar nga grupi Balfin dhe banka maqedonase Komercijalna Banka. Alpha Bank dukej se ishte e destinuar të qëndronte në Shqipëri, deri në maj të këtij viti, kur aksionerët morën vendimin e papritur për ta shitur bankën shqiptare, për shkak të performancës së pakënaqshme.

 

6 vite shitblerje, si u konsolidua sektori bankar

Kriza financiare që e pati origjinën në vitin 2008 solli efekte të ndjeshme në shumicën e tregjeve europiane. Një proces i zakonshëm për të shëndoshur sektorin financiar në periudhë krizash është konsolidimi dhe krijimi i bankave më të mëdha. Ky proces ishte i pashmangshëm edhe për Shqipërinë. Ai nisi në vitin 2015, me nxjerrjen në shitje të bankës Credite Agricole Albania, një nga bankat më të goditura nga kriza.

Në momentin e shitjes, banka kishte një raport të kredive me probleme afërsisht 50% dhe kishte akumuluar dhjetëra milionë euro humbje në bilanc. Për këtë arsye, shitja e Credit Agricole Albania nuk ishte një garë se cili ofronte më shumë, por se cili kërkonte më pak para’ për ta marrë bankën. Përfundimisht, fitues rezultoi fondi NCH Capital, me një çmim real prej -10 milionë eurosh, që konsistoi në përfitimin e blerësit të të drejtave mbi borxhin e varur që banka shqiptare kishte kundrejt grupit francez.

Pavarësisht se Credit Agricole Albania u shit si një bankë praktikisht e falimentuar, menjëherë pas kalimit të pronësisë tek aksionerët e rinj dhe ndryshimit të emrit në ABI Bank, gjendja financiare e bankës ndryshoi plotësisht. Për dy vitet në vazhdim, 2016 dhe 2017, Banka Amerikane e Investimeve raportoi fitime neto gjithëpërfshirëse për rreth 1 miliard lekë. Për një bankë që u mor pa paguar asgjë, ky ka rezultuar një investim shumë i mirë.

Procesi i shitblerjeve mori një përshpejtim në vitin 2018, kur nisi edhe konsolidimi i sektorit nëpërmjet bashkimit mes bankave. Bashkimi i parë ishte ai midis bankës Intesa Sanpaolo Albania dhe Veneto Banka. Ky ishte një transaksion i realizuar në tregun italian, me qëllim shpëtimin e bankës mëmë, Veneto Banca, që ishte në krizë të thellë. Kundrejt një çmimi simbolik 1 euro, grupi Intesa Sanpaolo pranoi të merrte pronësinë e disa aseteve të zgjedhura të Veneto Banca, mes të cilave edhe filialin shqiptar.

Po në vitin 2018, u finalizua edhe bashkimi i dytë me përthithje në tregun shqiptar. ABI Bank fitoi garën për blerjen e NBG Bank Albania. Çmimi i shitjes nuk u bë publik, por sipas burimeve nga tregu vlerësohet se ishte rreth 25 milionë euro. NBG ishte shitja e parë, e mirëfilltë, në sektorin bankar shqiptar, në kuptimin që ishte e para bankë për të cilën u paguan para për ta blerë.

Në vitin 2018 u mbyll edhe procesi i shitjes së Tirana Bank. Grupi Bankar i Pireut arriti marrëveshje për shitjen e filialit shqiptar te konsorciumi i përbërë nga grupi Balfin dhe banka maqedonase Komercijalna Banka, për 57.3 milionë euro. Operacioni u mbyll zyrtarisht vetëm në vitin 2019, me marrjen e miratimeve të nevojshme rregullatore nga Banka e Shqipërisë dhe nga Autoriteti i Konkurrencës.

Viti 2019 solli dy shitje të tjera të bankave. Grupi hungarez OTP hyri në tregun shqiptar, duke blerë filialin e grupit francez Societe Generale. Operacioni besohet se kishte vlerën e rreth 32.5 milionë eurove dhe ishte pjesë e marrëveshjes së OTP me Societe Generale për blerjen e gjithë filialeve rajonale të grupit francez. Për këtë arsye, shitja e Societe Generale nuk u bë me një proces konkurrues, por me negociata private mes palëve. Po në vitin 2019, u finalizua edhe një transaksion që solli përqendrim të mëtejshëm të sektorit bankar shqiptar. Union Bank bleu Bankën Ndërkombëtare Tregtare për 9.55 milionë dollarë amerikanë.

Po gjatë vitit 2019, banka më e vogël në treg, Banka e Kreditit të Shqipërisë, finalizoi daljen nga tregu. Për shkak të përmasave të papërfillshme, kjo bankë nuk paraqiste interes për blerës potencialë të specializuar dhe familja kuvajtiane Al-Kharafi vendosi likuidimin vullnetar të bankës.

Transaksioni i fundit që shënoi ndryshimin e pronësisë mbi një bankë tregtare u regjistrua në gusht të këtij viti, kur kompania shqiptare e sigurimeve Eurosig finalizoi blerjen e paketës kontrolluese të aksioneve në Bankën e Bashkuar të Shqipërisë (UBA). Eurosig pagoi rreth 412 milionë lekë, ose rreth 3.4 milionë euro për 30% të aksioneve të bankës nga Banka Islamike për Zhvillim. Eurosig hyri në strukturën aksionere të UBA në gusht të vitit 2019, duke rritur gradualisht pjesëmarrjen deri në 51%, kundrejt një investimi total prej rreth 5.8 milionë eurosh.

 

Më shumë

Shqipëria fiton 164 mln € nga tregtia me Kosovën, humbet 134 mln € me Serbinë

Sipas INSTAT Shqipëria realizon rreth 10% të shkëmbimeve tregtare me rajonin dhe partner kryesor ka Kosovën me 220 milionë euro eksporte në vit.   Sipas të dhënave nga Kosova kemi një bilanc pozitiv me 164 milionë euro më shumë, ndërsa nga Serbia marrim më shumë mall dhe bilanci është negativ me 134 milionë […]

Shtëpitë u shtrenjtuan 11 %. Rritja më e lartë është në Tiranë dhe në zonat bregdetare

Çmimet e apartamenteve në Tiranë kanë parë rritje të vazhdueshme ndër vite, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë blerjen e një banese. Veç qendrës së kryeqyteti ku çmimet arrijnë deri në 3200 euro/m2, shtrenjtim kanë parë edhe zonat periferike. Eksperti për pasuritë e paluajtshme Lefter Sila shpjegon se me gjithë çmimet e […]

“Bitcoin” futet në tregun shqiptar

Qeveria është duke i hapur rrugë dhënies së licencave në prodhimin dhe shitjen e monedhës Bitcoin. Përmes një projektligji të depozituar në Kuvend, Këshilli i Ministrave propozon të shtojë në ligjin bazë të lejeve dhe licencave edhe ato në sektorët e teknologjisë financiare.   Dy janë licencat bazë që do të jepen në fushën […]

Frutat dhe perimet e Shqipërisë, pa taksë doganore drejt BE deri në 2025

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve bën me dije se eksportuesit shqiptarë mund të eksportojnë produkte bujqësore pa taksë doganore në BE deri në vitin 2025.   Sipas njoftimit Bashkimi Europian ka zgjatur skemën pa taksa për importin e frutave dhe perimeve nga vendet e Ballkanit Perëndimor deri në fund të vitit 2025.   […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara