e shtunë 29 janar 2022
e shtunë 29 janar 2022

Presidenti Francez Emmanuel Macron ka paraqitur një plan për të mbrojtur akullnajat dhe biodiversitetin në malet franceze. Gjatë një vizite në qytetin turistik alpin Chamonix (Shamoni’) të enjten, zoti Macron mbajti një fjalim të rëndësishëm për luftën ndaj ndryshimeve klimatike dhe ruajtjen e biodiversitetit, në inaugurimin e zyrës franceze të biodiversitetit. Ai vizitoi gjithashtu një akullnajë në tkurrje mbi Chamonix për të tërhequr vëmendjen ndaj efekteve të ngrohjes globale. Fjalimi i zotit Macron vjen një ditë pasi Agjensia Evropiane e Hapësirës publikoi imazhe satelitore të një ajsbergu të madh që u shkëput nga një akullnajë në Antarktidë.

Agjensia Evropiane e Hapësirës thotë se një ajsberg 300 kilometra katrorë u copëtua pasi u shkëput nga akullnaja Pine Island. Shkencëtarët fajësojnë temperaturat rekord të larta në kontinent, më shumë se 18 gradë celsius javën e kaluar, të cilat shkaktuan shkrirjen e shtresave të akullit përreth Polit të Jugut. Një tjetër bllok i madh akulli u shkëput nga akullnaja William dy javë më parë.

“Sasia e akullit të humbur çdo vit nga shtresa e akullit të Antarktidës u rrit të paktën gjashtëfish midis 1979 dhe 2017”, thotë Clare Nullis, e Organizatës Botërore e Meteorologjisë.

Edhe Alpet Franceze po humbasin akull. Akullnaja Mer de Glace (Mer dë Glas) sipër vendpushimit të skive Chamonix ka humbur një trashësi mesatare prej 50 metrash gjatë shekullit të 20-të. Shkencëtarët paralajmërojnë se me 3 gradë celsius të ngrohjes globale, 80% e Mer de Glace do të humbë deri në fund të këtij shekulli.

Presidenti Macron, i shoqëruar nga ministrja e mjedisit, Elisabeth Borne dhe zyrtarë lokalë, vizituan akullnajën për të tërhequr vëmendjen ndaj dëmtimit të shkaktuar prej ngrohjes globale dhe për të promovuar axhendën e tij ekologjike.

“Ajo që ne po shohim është një provë e padiskutueshme e ngrohjes globale dhe çekuilibrimit të klimës, dhe në thelb të zhvendosjes së një ekosistemi të tërë me të gjitha pasojat, të cilat na i kanë përshkruar dhe që tani janë të dukshme me sy të lirë”, tha zoti Macron.

Presidenti francez shpalli gjithashtu një plan për të mbrojtur biodiversitetin në male, i cili përfshin gjoba më të rrepta për ato që ai i quajti aktivitete malore “të papërshtatshme” në Mont Blanc, një vend i njohur turistik për alpinistët dhe skiatorët. Ai tha se gjobat mund të shkojnë nga 38 euro, në 750 – 1.500 euro për të inkurajuar vizitorët të ‘respektojnë’ malin.

“Kjo luftë për biodiversitetin është para së gjithash një luftë për mbijetesën tonë, për ushqimin tonë, aftësinë tonë për të jetuar, për t’u veshur, që të qëndrojmë të ngrohtë dhe të vazhdojmë të evoluojmë në ekosistemet në të cilët jetojmë. Kemi nevojë për këtë biodiversitet. Kontribuon në ekuilibrin e këtyre peizazheve, të botës sonë të banueshme”, tha zoti Macron.

Ai tha se u desh shumë kohë për të pranuar nevojën për të vepruar kundër ngrohjes globale dhe u shpreh se “na duhet ende të bindim disa njerëz, por mund t’ia dalim.”

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se nuk pajtohet me shkencëtarët për ekzistencën e ngrohjes globale.

Më shumë

Glasgou, premtime të pamjaftueshme për të ngadalësuar ndryshimin e klimës

Shkencëtarët kanë bërë paralajmërime të ashpra se mos arritja e një marrëveshjeje për shkurtime shumë më të thella në emetimet e gazeve që shkaktojnë efektin serrë do të rezultojë në ndryshime katastrofike dhe të pakthyeshme të klimës. Por, shpresat tashmë po zbehen se konferenca e OKB-së për klimën në Skoci do të rezultojë […]

Ruajtja dhe promovimi i vlerave të basenit ujor të Drinit

Nevoja gjithnjë e më e madhe për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të ekosistemit të basenit të Drinit, ku përfshihen lumejtë Drin e Buna dhe tre liqenit; ai i Shkodrës, Prespës dhe Ohrit, bashkoi sot në pikën turistike të Shirokës, në bregun e liqenit, përfaqësues të organizatave mjedisore dhe studiues, si pjesë e […]

Ndotja e ajrit/ OBSH: Më i rëndë nga se mendohej, 7 milionë vdekje në vit

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka konfirmuar që ndotja e ajrit është një fenomen më i rrezikshëm nga sa mendohej. Më të rrezikuarit janë ata që jetojnë në vende të varfra dhe mesatare, për shkak të mbështetjes në karburantet fosile për zhvillimin ekonomik. OBSH e barazon ndotjen e ajrit me […]

Ulja e emetimeve të gazeve gjatë 2020-ës nuk ndihmoi për klimën

Rënia e emetimeve të karburanteve fosile gjatë mbylljes së pandemisë globale të vitit të kaluar nuk ka ngadalësuar ritmin e ndryshimit të klimës dhe bota mbetet prapa synimeve për uljen e emetimeve të karbonit, bëhet e ditur në një raport të OKB-së.   Organizata Botërore e Meteorologjisë njoftoi se rënia e emetimeve të […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara