Marrëdhëniet gjermano-ruse apo ndryshe, ruso-gjermane, janë substancialisht marrëdhënie midis dy vendeve e dy popujve të mëdhenj europianë, të cilat, pavarësisht kundërversive historike që jo një herë të vetme kanë shënuar fatin e Kontinentit të Vjetër, bartin një pasuri të tërë ngjarjesh dhe elementësh që i bëjnë ato të veçanta.
Në historinë e këtyre marrëdhënieve gjenden sipërfaqe të përbashkëta ku kontakti ka qënë frutdhënës për të dy vendet dhe popujt si dhe për tërë kontinentin, ashtu siç gjenden edhe sipërfaqe të përbashkëta konflikti interesash, apo hapësira-kohë ku ambiguiteti ka determinuar ngjarjet, matjeje forcash gjer edhe në konflikte të armatosur nga më mizorët në historinë e njerëzimit. Sot e kësaj dite festohet në Rusi fitorja e trupave të Aleksandr Nevskijt mbi ato të Kavaljerëve teutonë invazorë; nga ana tjetër, ishte Ekaterina e Dytë, me origjinë gjermane, ajo që fitoi mbi forcat ottomano-tartare dhe hoqi Krimenë nga dominimi i tyre. Po ashtu, është i njohur në Histori fakti se ishte Aleksandra Fëdorovna Romanova, caresha e fundit ruse me origjinë gjermane, ajo që bëri të pamundurën që të nënshkruhej një traktat paqeje i dyanshëm midis Rusisë dhe Gjermanisë para dhe gjatë Luftës së Parë Botërore. Po ashtu, njihet si i veçantë respekti me të cilin Otto von Bismark trajtonte Rusinë dhe Carin e saj (të dy dinastitë patën të njejtin fat të keq në fund të Luftës së Parë Botërore), por kjo nuk e pengoi Kajzerin gjerman të pajisë Leninin me të gjitha mjetet e nevojshme për të realizuar, rreth fundit të Luftës së Parë Botërore, planin e tij të marrjes së pushtetit në Rusi, sipas doktrinës së mendimtarit dhe ekonomistit hebreo-gjerman Karl Marks. Rusia sovjetike, socialiste, mbajti për vite me rradhë marrëdhënie më së shumti të mira me Gjermaninë, aq sa republika e Vajmarit (Weimar) i kërkoi asaj gjer edhe të zhvillonte stërvitjen ushtarake të trupave të saj në territorin sovjetik, për shkak të kufizimeve legale mbi Gjermaninë humbëse të luftës.
Kjo klimë e butë në marrëdhëniet midis dy vendeve filloi të ashpërsohet me daljen e çuditshme të Adolf Hitlerit në skenën politike gjermane dhe sidomos me marrjen e pushtetit nga ana e tij. Hitleri u shpall që në fillim një antibolshevik i vendosur, por pavarësisht kësaj, në fillim të vitit 1939, ndërsa Gjermania naziste e kishte nisur Luftën e Dytë Botërore me pushtimin e Austrisë dhe Çekosllovakisë, midis të dy palëve u firmos i famshmi Pakt Molotov-Ribentrop, i cili përveç mossulmimit reciprok, përfshiu edhe ndarjen e Polonisë e më pas edhe tw vendeve balltike midis dy këtyre fuqive. Ky pakt shënon një pikë tjetër kulmore të ambiguitetit në marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve. Në fakt, as dy vjet nga nënshkrimi i këtij pakti, Gjermania hitleriane sulmoi BRSS dhe arriti të pushtojë pjesë të mëdha të territorit të tij. Sulmi nazist ndaj BRSS, pas pushtimit të pothuajse gjithë Europës, për hir të së vërtetës, i shtyrë si me dorë nga forca të caktuara në Perëndimin anglosakson, tronditi njëherë e përgjithmonë besimin në marrëdhëniet midis dy vendeve. Stalini ishte i sigurtë se herët a vonë, Gjermania hitleriane do t’i mësymej Rusisë dhe mori kohë të përgatitej për t’a përballuar këtë. Gjatë kësaj periudhe ai u ndaloi forcave socialdemokrate dhe komuniste që vareshin nga Kominterni të flisnin kundër fashizmit dhe Hitlerit dhe bëri sikur nuk e vuri re që trupat hitleriane po hynin në tokën sovjetike, por vazhdoi të lëvrojë furnizimet e zakonshme me lëndë të para ndaj Gjermanisë në rrugë hekurudhore. Ishte tërësisht e qartë se pakti i shërbeu Stalinit të përgatitej për këtë luftë dhe ai qysh më parë e kishte zhveshur aparatin qendror të partisë dhe sidomos ushtrinë dhe shërbimin sekret nga elementë që mund të bënin lojën e Hitlerit nga brenda. BRSS ushqente synime ekspansioniste si të gjitha fuqitë e tjera dhe përdori luftën kundër Gjermanisë hitleriane për t’i realizuar ato. Siç edhe i realizoi.
Historia e Luftës së Dytë Botërore është më traumatikja dhe më tragjikja në marrëdhëniet midis dy vendeve e dy popujve. Përballimi heroik i rrethimit të Leningradit, Stalingradit dhe Moskës nga ana e popullsisë dhe e Ushtrisë së Kuqe e më pas zmbrapsja dhe mundja përfundimtare e Gjermanisë hitleriane si dhe çlirimi i disa vendeve të Europës lindore nga nazizmi hitlerian, e sollën BRSS dhe Stalinin në rradhën e parë të fituesve të kësaj lufte dhe në pozitën e përcaktimit se si do të ishte Gjermania e pasluftës. Ajo u nda në dy pjesë, midis të cilave, e ashtuquajtura Republika Demokratike e Gjermanisë e njohur më vonë si shtet “sovran”, mbeti nën dominimin sovjetik për pothuajse pesë dekada me rradhë.
Lufta e Ftohtë midis Lindjes prosovjetike dhe Perëndimit proamerikan mbajti Gjermaninë të ndarë më dysh dhe në konflikt ideologjik midis të dy anëve. Në Perëndim, Republika Federale e Gjermanisë rivendikonte gjithnjë unifikimin e vendit, vendim të cilin do të duhej ta merrnin në dakordësi të plotë të katërta Fuqitë fituese të Luftës që mbanin nën kontroll territorin gjerman në të dy anët e “perdes së hekurt”. BRSS, megjithëse ishte vendi që pësoi absolutisht dëmet më të mëdha nga Gjermania hitleriane (25 milionë të vdekur midis ushtarakëve dhe civilëve sëbashku) mëse njëherë la të kuptojë se do të kishte mirëkuptuar një lëvizje të tillë brenda një marrëveshjeje gjithpërfshirëse dhe tërësisht neutralizuese ndaj një shteti të ribashkuar gjerman. Ngjarjet në Hungari, Poloni e Çekosllovaki bënë të shtyhej disa herë ky prononcim nga ana sovjetike, por edhe nga palët perëndimore. Veçanërisht Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, ruanin rezerva të mëdha ndaj një riunifikimi gjerman (të kujtojmë shprehjen e famshme të ish-kryeministrit italian Andreoti: “Amo cosi tanto la Germania, che ne vorrei sempre due” – “E dua aq shumë Gjermaninë sa do të doja të kisha gjithnjë dy”).
Ambiguiteti i plotë karakterizon të gjithë periudhën e Ostpolitik të kancelarit Willy Brandt, e cila krijoi një lloj hapjeje ndaj Gjermanisë Lindore dhe gjithë zonës sovjetike të ndikimit përfshirë vetë Bashkimin Sovjetik, hapje e cila provokoi disa herë shqetësime edhe mdis vetë aleatëve perëndimorë të Gjermanisë Federale. Ostpolitik e kreu më së miri funksionin e saj: në harkun e dy dekadave arriti të bindë Kremlinin (asokohe me në krye liderin e ri postbrezhnjevian Mikail Gorbaçiov) për riunifikimin e Gjermanisë. Ish lideri sovjetik, fitues i çmimit Nobel për Paqen, kritikohet ende rëndë në Moskë për lehtësinë me të cilën lëshoi konsensusin për ribashkimin gjerman dhe për lehtësinë me të cilën shpalli të shkrirë BRSS-në. Në fund të Luftës së Ftohtë, simboli së cilës është pikërisht rënia e “Perdes së Hekurt”, e Murit të Berlinit, të dy vendet, Gjermania e riunifikuar dhe Rusia e zvogëluar, janë vënë në kërkim të rrugëve të reja për të zhvilluar marrëdhëniet midis tyre. Më shumë se humbje, për Rusinë kjo histori përbën rikthimin në dimensionet reale, natyrale të saj. Gjermania e sotme është ndër vendet e paktë në Perëndim që edhe pse nuk e bashkëndan, gjithsesi e respekton Rusinë si për “rrugën e katërt”që ajo ka zgjedhur për zhvillimin e saj, ashtu edhe si një fuqi e rëndësishme europiane dhe me projektim botëror, pavarësisht kontradiktave politike mbi shumë çështje të hapura si Krimea, Ukrahina, Siria, (ku Rusia ka dhënë demonstrime të doktrinës ushtarake Gerasimov). Një sërë traktatesh ekonomike dhe në fusha të tjera lidhin me njëra tjetrën Rusinë dhe Gjermaninë e sotme, midis të cilëve, rrugët dhe volumet e furnizimit me gaz janë më të rëndësishmit, motiv për të cilin Gjermania kritikohet nga aleatët e saj, veçanërisht nga SHBA, si një vend që promovon varësinë energjitike të Europës nga Rusia. Pavarësisht faktit se Rusia e sotme nuk është një kompetitor i vërtetë në planin ekonomik dhe teknologjik, ajo mbetet gjithsesi një Fuqi me arsenal të madh ushtarak dhe ndikim në shumë vende të botës. Në optikën ruse, përpos leksioneve të historisë, Gjermania, si pjesë e rëndësishme e Paktit të Atlantikut të Veriut (NATO) përbën gjithsesi një rrezik potencial, por në të dyja vendet janë të shumta forcat që mendojnë se, meqënëse dominimi amerikan në botë po perëndon, është rasti të krijohen lidhje të drejtpërdrejta e frytdhënëse midis Gjermanisë dhe Rusisë si dhe midis Europës dhe Euroazisë (Europës, Rusisë dhe Kinës). Një koncept i tillë u shpreh edhe në një konferencë multimediale të fundit, të organizuar në Potsdam nga pala gjermane, e cila trajtoi probleme të perspektivës post Covid-19 në marrëdhëniet dypalëshe e shumëpalëshe. Rusinë dhe Gjermaninë e sotme e ndajnë vende që pas rënies së Murit të Berlinit bëjnë pjesë në BE dhe në NATO. Shumica e këtyre vendeve, Polonia, Vendet Balltike, në të kaluarën, objekt i marrëveshjeve territoriale midis Rusisë sovjetike dhe Gjermanisë hitleriane, ngrejnë zërin në të gjithë forumet e mundshëm mbi rrezikun jo vetëm potencial, por real, që mund t’u vijë nga Rusia e sotme e Putinit, e cila po riarmatoset dhe po modernizon ushtrinë e saj. Nga Gjermania marrin shpesh një frymë mirëkuptimi dhe buzëqeshje dashamirëse. Është vërtet koha që me Moskën të flitet për vepra dhe projekte të përbashkët, ndërsa po mbaron së ndërtuari Nord Stream-2, gazsjellësi që lidh seriozisht Europën me Rusinë, një kontinent më vete euroaziatik.
Rusia kërkon garanci të qarta sigurie nga Perëndimi
Bombarduesit rusë patrullojnë mbi kufijtë e Bjellorusisë
Të zemëruar me Abbasin, palestinezët votuan në zgjedhje komunale
Çfarë fshihet pas tensioneve Rusi-Ukrainë?
Biden dhe Putin nuk arrijnë marrëveshje për krizën në Ukrainë
“Do të fluturoj sërish”: Frika nga talibanët ndërpret ëndrrën e pilotes së parë afgane
BETHLEHEM, Bregu Perëndimor, 4 dhjetor (Reuters) – Banorët ndezën një pemë gjigante të Krishtlindjeve jashtë Kishës së Lindjes së Betlehemit të shtunën, duke shpresuar që një variant i ri i koronavirusit të mos prishë një sezon tjetër pushimi në vendlindjen tradicionale të Jezusit. Betlehemi u mbyll vetëm Krishtlindjet e kaluara, duke humbur sezonin […]
Arrestimi i agjentëve iranianë në Turqi muajin e kaluar, thonë analistët, është shenja më e fundit e rritjes së tensioneve midis dy fqinjëve. Kjo po ndodh ndërsa Turqia po zgjeron ndikimin e saj në rajonin e Kaukazit në dëm të Iranit. Forcat turke të sigurisë arrestuan agjentët iranianë për të cilët Turqia […]
Gjermania dhe disa shtete të BE kundërshtojnë kategorizimin e energjisë atomike si energji të gjelbër. Por shumica e vendeve të BE e mbështet këtë, mes tyre edhe Franca. Gjermania dhe katër shtete të tjera e kundërshtuan hapur në Glasgou, ku përfundoi Konferenca Botërore për Klimën, kategorizimin e energjisë atomike si energji të […]
Izraeli është angazhuar për lirimin e një çifti izraelit të cilët janë dërguar në mbajtje nga ana e autoriteteve turke, tha kryeministri izraelit, Naftali Bennett. Media shtetërore turke ka thënë se izraelitët e ndaluar ishin spiunë. Kryeministri Bennett tha përmes një deklarate se ai ka biseduar me familjen e dy izraelitëve, […]