Saturday 25 March 2023
Saturday 25 March 2023

 

Në fundin e një procesi hetimor që u ngrit në 2019, për të hetuar mbi dekretin e Presidentit Meta për anulimin e zhvillimit të Zgjedhjeve Lokale 2019, mazhoranca arriti në përfundimin se presidenti Meta nuk e ka shkelur aq shumë Kushtetutën, sa të mjaftojë për shkarkimin e tij nga Kuvendi, por sot nuk e fali, me 104 vota pro parlamenti votoi në favor të shkarkimit të Presidentit Ilir Meta.

 

Vetëm një numër i vogël deputetësh votuan kundër. Nisma për shkarkimin e kreut të Shtetit u ndërmorr nga socialistët të cilët e akuzuan atë për qëndrimet e mbajtura përpara dhe gjatë fushatës elektorale. Edhe Komisioni hetimor i ngritur posaçërisht arriti në përfundimin se zoti Meta ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës. Presidenti nga ana e tij e ka quajtur të paligjshme nismën e ndërmarrë nga parlamenti, Vendimi i parlamentit do të kalojë tani në duart e Gjykatës Kushtetutese.

 

Në favor të shkarkimit të të presidentit Meta votuan 104 deputetë, ndërsa 7 ishin deklaruar Kundër dhe 3 të tjerë kishin abstenuar. Për shkarkimin e zotit Meta, nevojiteshin, dy të tretat e parlamentit, ose 94 vota.

 

Në 30 vite pluralizëm në Shqipëri, vendimi sotëm shënon rastin e parë të shkarkimit nga ana e parlamentit të presidentit të vendit.

 

Procedurat e parlamentit u zhvilluan me shpejtësi dhe Komisioni hetimor e mbylli aktivitetin e tij për tre javë. Komisioni mori në shqyrtim të gjitha deklarimet publike të zoti Meta për të vërtetuar përfshirjen e tij në fushatën për zgjedhjet e 25 Prillit. Sipas raportit të miratuar prej tij, Kreu i Shtetit rezulton të ketë kryer së paku 9 shkelje, duke nisur që nga betimi i tij si president të cënimi i procesit zgjedhor, i marrëdhënieve me partnerët strategjikë të Shqipërisë, imazhit dhe reputacionit të vendit, figurës së vetë institucionit të Presidentit apo dhe abuzim me kompetencat kushtetuese të Presidentit.

 

Të gjithë këto shkelje janë vlerësuar nga komisioni se “shkelje të rënda të Kushtetutës”.

 

Në ndryshim nga ndërhyrjet e tij tejet të gjata në parlament, kryeministri Edi Rama foli shumë shkurt duke preferua të rendiste shkaqet që çuan në vendimin e sotëm: “Ilir Meta ka tradhtuar misionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ilir Meta ka poshtëruar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ilir Meta ka shembur institucionin e garantit të unitetit kombëtar. Ilir Meta ka dhunuar kufirin jetik të ndarjes së pushteteve në demokracinë tonë parlamentare. Ilir Meta ka turpëruar Shqipërinë dhe popullin shqiptar në marrëdhënien krejt speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ilir Meta ka shkarravitur fytyrën e shtetit shqiptar në marrëdhënie me përfaqësitë e bashkësisë demokratike ndërkombëtare në Shqipëri”, u shpreh zoti Rama.

 

Duke deklaruar se sipas tij zoti Meta i ka humbur shanset që i janë ofruar, kryeministri tha se Shqipëria nuk mund të mbajë më atë në kurriz.

 

Presidenti Meta nga ana e tij ka folur gjatë gjithë kohës për një “nismë ilegjitime të parlamentit”. Ai nuk u paraqit të mbronte pozicionin e tij as në Komisionin hetimor dhe nuk shfrytëzoi as të drejtën që i njihet për t’u paraqitur dhe në seancën e sotme. Si për të dëshmuar indiferencën e tij ndaj vedimmarrjes së sotme, ndërsa në parlamenti vijonte me diskutimet, ai organizoi në presidencë një aktivitet kulturor me këngë e valle nga Ansambli Folklorik i Dibrës “Hazis Ndreu”.

 

Menjëherë pas votimit, Presidenti Ilir Meta reagoi përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi, duke përdorur tone të forta dhe akuza ndaj parlamentit. Në një postim në Facebook, të shoqëruar me një fotomontazh të sallës së parlamentit mbuluar nga mbeturinat, zëdhënësi shkruan se “nuk ka asnjë shqetësim nga vendimi antikushtetues dhe qesharak i landifillit parlamentar monist”. Ai shton se “nuk ka asnjë surprizë nga tregtari I kufijve të Shqipërisë dhe të Kosovës”, duke ju referuar kështu Kryeministrit Edi Rama ndërsa thekson se “Presidenti Meta është më i motivuar se kurrë për mbrojten e sovranitetit dhe integritetit të Shqipërisë nga çdo përpjekje e tradhëtarëve, bashkëpunëtorëve dhe tutorëve të tyre që prej vitesh punojnë kundër Shqipërisë”.

 

Nga ana e saj dhe Partia demokratike, përmes një deklarate, “e konsideron antikushtetues vendimin e parlmentit njëpartiak për shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe kërkon nga Gjykata Kushtetutese të ruajë paanësinë dhe të garantojë pavarësinë e institucioneve kushtetuese, duke refuzuar farsën për shkarkimin e Presidentit”, thekson deklarata e Partisë Demokratike.

 

Gjykata Kushtetuese, është ajo që do të thotë fjalën e fundit duke i dhënë të drejtë ose jo parlamentit.

 

***

 

Në fundin e një procesi hetimor që u ngrit në Kuvend në 2019-ën, mazhoranca arriti në përfundimin se presidenti Meta nuk e ka shkelur aq shumë Kushtetutën, sa të mjaftojë për shkarkimin e tij nga Kuvendi.

 

Drejtuesi i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja u shpreh krenar për punën e tij dhe të kolegëve, që sipas tij kishte si qëllim të vetëm, që prej ditës së parë respektimin e Kushtetutës.

 

“Shkeljet e kryera nga Presidenti i Republikës në formën e veprimeve ose mosveprimeve nuk konsiderohen të mjaftueshme për propozimin seancës plenare për shkarkimin e Presidentit. Komisioni hetimor i sugjeron dhe i rekomandon Kuvendit të Shqipërisë këto zgjidhje” rishikim të dispozitave kushtetuese për të qartësuar pozitat e presidenti, një ligj organik për presidentin.

 

Në kuadër të ligjeve të reja të reformës në drejtësi ka qenë dhe një ligj organik për Presidentin i Republikës po u tërhoq nga procedura sepse nuk qartësonte kompetencat e Presidentit por merrej me privilegjet presidenciale.

 

Ftojmë ta miratojmë këtë raport përfundimtar të komisionit hetimor. 6 vota pro, me rezervën që kolegu Fino shprehu, asnjë kundër, asnjë abstenim miratohet raporti përfundimtar i komisionit hetimor. Mbyllet veprimtaria e këtij komisioni hetimor”, është shprehur asokohe Ulsi Manja, kryetari i Komisionit të ligjeve.

 

 

 

Më shumë

“Non-grata”, Berisha shkon me ‘Foltoren’ në SHBA

Të dielën e 5 dhjetorit ora 12:00 me orën lokale, do të zhvillohet ‘Foltorja’ e ish-kryeministrit Sali Berisha me shqiptarët e Amerikës. Njoftimin e ka bërë publik lideri historik i PD përmes një postimi në Facebook. Organizimi është bërë nga diaspora shqiptare në SHBA.   Takimi do të zhvillohet me video-konferencë njësoj sikur të […]

Dekriminalizim e dorëheqje, si mbetën 6 bashki pa kryetar

Vënia nën akuzë nga SPAK i kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj, dhe mënyra se si do t’i rrjedhë përballja me drejtësinë për akuzën e “falsifikimit”, nuk e përjashton mundësinë e ndërprerjes së mandatit të tij.   Por nga ana tjetër, në vend janë gjashtë bashki të cilat nuk e kanë një kryetar të […]

Shtyhet ngritja e komisionit të reformës zgjedhore

Miratimi i komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore është tërhequr nga seanca e sotme në Kuvendin e Shqipërisë.   Vendimi ka ardhur pas kërkesës së kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rushaj.   Kjo për faktin se palët ende nuk janë dakordësuar për objektin e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. […]

Kuvendi i Shqipërisë ratifikon konventën me Izraelin për shmangien e taksimit të dyfishtë

Kuvendi i Shqipërisë ratifikon konventën me Izraelin për shmangien e taksimit të dyfishtë. Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj ka prezantuar në Kuvend projektligjin që do të votohet ditën e sotme mbi konventën e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Izraelit.   Sipas saj kjo konventë do të bëjë që çdo shtetas apo biznes që zhvillon […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara