Sunday 26 March 2023
Sunday 26 March 2023

Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri Yuri Kim i prezantoi letrat kredenciale Presidentit Ilir Meta sot në mëngjes. Pas ceremonisë, Ambasadorja Kim dhe Presidenti Meta biseduan mbi miqësinë e gjatë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, si dhe përsëritën angazhimin e përbashkët për të vijuar përparimin e saj duke u mbështetur në forcën e marrëdhënies sonë.

 

 

Fjala e Ambasadores Yuri Kim pas Ceremonisë së Prezantimit të Letrave Kredenciale

 

Mirëdita!

Sot në mëngjes i paraqita letrat kredenciale Presidentit Meta si Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Shqipërisë. Patëm një bisedë të mirë me Presidentin lidhur me miqësinë e gjatë midis dy vendeve tona dhe ritheksuam përkushtimin që bashkëndajmë për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona.

Jam e nderuar që Presidenti Trump dhe Sekretari i Shtetit Pompeo më kanë besuar që të përfaqësoj Shtetet e Bashkuara në vendin tuaj të shkëlqyer. Si Ambasadorja e SHBA, pres me kënaqësi t’ju njoh juve, historinë tuaj dhe kulturën tuaj. Jemi miq, aleatë dhe partnerë.  Sikurse e thashë gjatë seancës time dëgjimore në Senat, pak miq e kanë përqafuar Amerikën më me ngrohtësi, pak aleatë kanë qenë më besnikë dhe pak partnerë kanë gatishmërinë dhe vullnetin për të bërë më shumë me Shtetet e Bashkuara sesa Shqipëria.

Jam gjithashtu e nderuar që ndodhem sot para ndërtesës së Ambasadës së SHBA. Themelet e saj u vendosën në vitin 1929 dhe ajo vazhdon të qëndrojë krenare në zemër të Tiranës si një testament për forcën e qëndrueshme të marrëdhënieve amerikano-shqiptare.

Miqësia dhe angazhimi ynë i ndërsjellë janë të rrënjosura thellë.

Njëqind vjet më parë, Presidenti Woodrow Wilson ngriti zërin për Shqipërinë, kur nuk lejoi Fuqitë e Mëdha të ndanin Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris. Presidenti Amerikan e përdori fuqinë e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur një Shqipëri të pavarur,  për të pritur një përfaqësues shqiptar në Uashington dhe për të hapur rrugën që Shqipëria të anëtarësohej në Lidhjen e Kombeve në vitin 1920.

Pas Luftës së Dytë Botërore, të dy qeveritë tona morën rrugë të ndryshme. Por, edhe kur qeveritë nuk e njihnin njëra-tjetrën, lidhjet mes popujve tanë mbetën.  Ne flisnin me njëri-tjetrin përmes Zërit të Amerikës, i cili jo vetëm transmetonte lajme, por edhe shkëndija shprese.

Shkëndija e shpresës ndezi shpejt të gjithë Shqipërinë dhe ne qëndruam me ju në vitin 1991, teksa u çliruat nga vargonjë e komunizmit dhe të diktaturës. Është një moment për të cilin duhet të ndiheni krenarë dhe me të drejtë.

Kemi qëndruar krah jush që atëherë, duke mbështetur hyrjen tuaj të suksesshme në NATO në vitin 2009 dhe, tani, përpjekjet tuaja për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ne qëndrojmë me ju jo vetëm në mbështetje të lirisë dhe të sovranitetit të Shqipërisë, por edhe në mbështetje të së ardhmes të Shqipërisë.

E dimë se ka punë shumë të vështira përpara, por dimë edhe që puna e vështirë është më e lehtë me miq dhe aleatë.

Ne jemi të përkushtuar ta ndihmojmë Shqipërinë të bëhet një aleate edhe më e fortë dhe më e aftë dhe jemi të përkushtuar ta ndihmojmë Shqipërinë të forcojë kandidaturën e saj për në BE.

Ne do të vazhdojmë të mbështesim aspiratën e palëkundur të popullit shqiptar për liri, drejtësi dhe një sistem ku secili duhet të respektojë të njëjtat rregulla.

Pres me kënaqësi të mbështes udhëheqësit e Shqipërisë ndërsa ata ndërmarrin hapa të vështirë – por absolutisht të nevojshëm – për të zbatuar reformën në drejtësi, për të ndjekur penalisht krimin e organizuar dhe për të larguar korrupsionin nga sistemi shqiptar.

Jam besimplotë që teksa drejtësia dhe integriteti hedhin rrënjë, më shumë investitorë do të tërhiqen drejt Shqipërisë, në mënyrë që të mund të krijojmë më shumë vende pune dhe mundësi, si për amerikanët, edhe për shqiptarët.

Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë Shqipërinë si një Aleate, partnere dhe mike të vërtetë.

Dhe ashtu siç qëndruam me ju në vitet 1920, 1991, 1999 dhe 2009, ne qëndrojmë përsëri me ju për të mbështetur të ardhmen tuaj si një vend demokratik i begatë brenda familjes evropiane.

Ne jemi ende me ju, krah për krah.

Faleminderit!

 

Më shumë

Raport i ri monitorimi mbi shpenzimet dhe punësimet elektorale

Akademia e Studimeve Politike publikoi sot Raportin e Monitorimit mbi administratën shtetërore dhe mbi shpenzimet e partive gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.   Në raportin e gjashtë të monitorimit mbi shpenzimet e partive dhe administratën gjatë fushatës zgjedhore të 25 prillit theksohet se ministrat dhe zyrtarët e lartë nuk bënë […]

Raporti vjetor i KLSH: 17.7 milion euro dëm ekonomik gjatë 2020

Kryetari i ri i KLSH-së, Arben Shehu paraqiti në Kuvend raportin e KLSH-së për vitin 2020. Në fjalën e tij, Shehu tha se KLSH i ka kryer të gjitha detyrimet ligjore ndaj Kuvendit të Shqipërisë. “Gjatë viti 2020 Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka përcjellë Kuvendi 66 vendime dhe raporte për auditimet e […]

Shqipëria ndër vendet e Europës, me më shumë vdekje nga aksidentet rrugore 

Në Shqipëri, në vitin 2019 humbën jetën 227 persona, sipas të dhënave të INSTAT.   Në raport me popullsinë, vendi shënoi 80 fatalitete nga aksidentet rrugore për 1 milionë banorë.   Kjo shifër e rendit Shqipërinë ndër vendet me vdekjet më të larta nga aksidentet rrugore në raport me popullsisë dhe gati 60% […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara