e martë 22 qershor 2021
e martë 22 qershor 2021

 

Largimi nga puna për punonjësit me statusin e nëpunësit, duhet të jetë i argumentuar më së miri pasi janë këta persona që fitojnë gjyqet me shtetin shqiptar.

 

Të dhënat tregojnë se në 7 vitet e fundit u shpenzuan përmes pagesave nga thesari i shtetit rreth 108 milionë euro për të shlyer faturat gjyqësore për pushime të padrejta nga puna të 14,487 punonjësve.

 

“Ajo që më rezulton mua duke parë edhe emra që marrin disbursime për shkak të vendimeve gjyqësore për largim të padrejtë nga puna që dalin në thesarin e shtetit shikon që janë njerëz të angazhuar në struktura partie në forume partie apo edhe të karakterit militant që gjithmonë janë në listat e pagave dhe që kur largohet partia e tyre vijojnë të marrin pagat. Kjo ka ndodhur me doganat, me institucionet kryesor te të ekzekutivit apo me institucionet e pavarur”,  u shpreh Arianita Brahaj, Drejtuese e “Open Data”.

 

Sipas të dhënave zyrtare në gjykatat administrative në vend janë zhvilluar më shumë se 6000 procese gjyqësore ku janë kërkuar dëmshpërblime për largimet nga puna. Konkretisht për periudhën 2014-2020 në Tiranë janë zhvilluar 3481 procese gjyqësore. Në Korçë janë zhvilluar 1049 procese, në Gjirokastër 530 dhe në Vlorë 1672 procese gjyqësore.

 

Listën me 10 institucionet problematike sa i përket largimeve nga puna e kryeson drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e ndjekur nga Drejtoria e Doganave. Problematike rezulton edhe Bashkia Tiranë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Ministria e Financave dhe Ekonomisë,

 

Ministria e Brendshme, e Arsimit. Kuvendi, Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Drejtësisë.

 

Vetë Ministria e Financave dhe Ekonomisë, institucioni kyç në menaxhimin e financave publike raporton shpenzime të konsiderueshme për shkak të shkarkimeve nga puna të punonjësve. Vlera që ka paguar ky institucion që nga viti 2008 për dëmshpërblimet është mbi 252 milionë lekë

 

Ndërkohë që detyrimet për tu paguar deri më 31 maj 2021 pranë këtij institucioni llogariteshin mbi 23 milionë lekë. Shifër kjo që pritet të rritet pasi shumë gjyqe janë në proces.

 

Për të marrë një vendim të një forme të prerë një të larguari nga adminstrata i duhen dy deri në tre vite. Por që pas vitit 2019 kur gjykata e lartë mbeti pa gjyqtarë kjo kohë është dyfishuar.

 

Shifra e dëmshpërblimeve që paguhet nga buxheti i shtetit është e frikshme. Të dhënat nga viti 2013 flasin për një shifër të akumuluar borxhesh për dëmshpërblimet që shkon në 100 milionë euro.

 

Në vitet 2016-2017 shteti filloi të lëvronte shifra të konsiderueshme për të shlyer dëmshpërblimet e punonjësve të larguar nga administrata.

 

Nëse një punonjës e fiton gjyqin nuk merr vetëm 12 paga. Sipas ligjit ai duhet të marrë pagën që ka pasur në momentin që është pushuar deri në momentin që do të rikthehet përsëri në punë. Nëse ai nuk rikthehet vijon të marrë pa mbarimisht një pagë. Kjo në kurriz të taksapaguesve shqiptarë.

 

“Është një sasi shumë e madhe lekësh e cila nuk shkon vërtet për të paguar dhe për të stimuluar ata të cilët vërtetë punojnë në administratën publike. Por shkon te këta individë të cilët edhe pse kanë 2,6, apo 10 vjet që kanë ikur nga detyra fitojnë të drejtën që të marrin pagën e tyre mujore, vjetore ose përmbledhjen e pagës për periudhën në të cilën nuk kanë punuar. Është shumë zhgënjyese për taksapaguesit që të shohin njerëz që vegjetojnë në pagesa thesari, shteti pa qenë fare të angazhuar ose pa qenë fare në Shqipëri”,  u shpreh Arianita Brahaj, Drejtuese e “Open Data”.

 

 

Rotacionet politike shoqërohen me largime.Gjatë prillit 2021 u pagua një faturë mbi 46 mln lekë për vendimet gjyqësore

 

Fushatat zgjedhore dhe rotacionet politike janë dy pikat kulmore kur ndodhin edhe largimet apo rekrutimet më të shumat në administratë. Kështu një “bum” largimesh nga administrata pati në momentin që LSI kaloi nga pushteti në opozitë. Ndërkohë që edhe bojkotimi i zgjedhjeve vendore e Partisë Demokrtike u shoqërua më një sërë largimesh të punonjësve nga bashkitë.

 

“Ajo që kemi vënë re përsa i përket ankesave për cështjet e punësimit është se nuk është Tiranë në vend të parë por janë bashki të tjera të cilat na rezultojnë më diskriminuese. Dua të theksoj edhe një herë që sidomos në dy vitet e fundit heqjet nga puna lidhen shumë me pushtetin vendor me pretendimin për shkak të bindjeve politike” u shpreh Robert Gajda, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

 

Ndërkohë që në fushatat zgjedhore ka shumë rekrutime në administratë me kontrata 3 dhe 6 mujore. Gjatë muajt prill 2021, ku u zhvilluan edhe zgjedhjet, do të shohim se kanë vijuar pagesat për dëmshpërblimet e të larguarve. Në këtë periudhë janë paguar mbi 46 milionë lekë dësmshpërblime për 144 individë. Këto të dhëna janë gjeneruar nga transaksionet e thesarit të shtetit.

 

Institucionet që kanë bërë pagesat janë Ministria e Shëndetësisë, Bashkia Tiranë, Bashkitë e tjera më të vogla në vend, doganat apo drejtoria e burgjeve.

 

 

 

DAP organizon konkurse fiktive, ja skema e përdorur

 

Në fillimet e veta Departamenti i Administratës Publike u pa si i vetmi institucion që do të funksiononte në bazë të meritokracisë. Por koha tregoi se gjërat rrodhën ndryshe. Duket se DAP është në funksion të partisë që vjen në pushtet. Të rinjtë nuk kanë më besim te ndershmëria e këtij institucioni. Madje ka raste konkrete që faktojnë se konkurset e DAP janë fiktive.

 

Top Story do të shpjegojë më qartë skemën e konkurseve fiktive. Supozojmë se në Ministrinë e Mbrojtjes është hapur një vend pune si specilistë i lartë. Në këtë vend pune aktualisht është Andi. Ai është emëruar në prag të fushatës zgjedhore. Për të legjitimuar qëndrimin e tij, institucioni njofton për vendin vakant nëpërmjet DAP.

 

https://fb.watch/5-HkfVJQEV/

 

Por që Andi të jetë i sigurt që nuk i rrezikohet vendi i punës njofton edhe miqtë e tij të ngushtë që të marrin pjesë në garë. Miqtë udhëzohen për numrin e përgjigjeve të sakta që do të japin në tesin me shkrim. Ndërsa disa prej tyre nuk do të paraqiten fare në testin me gojë. Kështu në fund, i vetmi kandidat i përshtatshëm për vendin e punës, të supozuar të lirë, do të jetë po Andi. Në fakt Andi këtë pozicion pune e mori si një premtim të mbajtur gjatë fushatës elektorale.

 

Përveç kësaj, një mënyrë tjetër për të kuptuar se konkurset janë fiktive, janë kriteret që vendosen për garën. Pra, në bazë të specifikimeve që bëhen duket se fituesi është shpalluar paraprakisht. Kemi një institucion që kërkon të punësoj dy auditues. Kuptohet që për këtë pozicion pune duhet të kesh studiuar ekonomik ose juridik. Por kjo anashkalohet në njoftim, si kriter kryesor vendoset që audituesit të kenë mbaruar shkollën për psikologji.

 

Si ky rast ka edhe shumë të tjerë që tregojnë hapur se kandidati fitues është përzgjedhur, konkursi i zhvilluar është fiktiv sa për të dokumentuar vendimin e marrë. TCH

 

 

Më shumë

Rriten humbjet e energjisë në rrjet / 3-mujori, INSTAT: U shënuan 7.7% më shumë humbje, prodhimi u rrit me 2.2 herë

Humbjet e energjisë elektrike në rrjet pësuan rritje me 7.7% gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas Bilancit të Energjisë, të publikuar nga Instituti i Statistikave, rritja më e madhe e humbjeve u shënua në transmetim me 43.9%, ndërkohë që humbjet në shpërndarje […]

“Bitcoin” futet në tregun shqiptar

Qeveria është duke i hapur rrugë dhënies së licencave në prodhimin dhe shitjen e monedhës Bitcoin. Përmes një projektligji të depozituar në Kuvend, Këshilli i Ministrave propozon të shtojë në ligjin bazë të lejeve dhe licencave edhe ato në sektorët e teknologjisë financiare.   Dy janë licencat bazë që do të jepen në fushën […]

Rritet çmimi i karburanteve

Në pikat e furnizimit me pakicë të karburanteve, këtë fundjavë është vënë re rritje të çmimit të naftës dhe benzinës. Nëse në fillim të javës një litër naftë blihej me 157 lekë për litër, sot çmimi ka kapërcyer në 162 lekë, me rritje mesatare 5 lekë për litër. Shkak për ndryshimin e radhës është […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara