e shtunë 23 janar 2021
e shtunë 23 janar 2021

 

 

Një peticion i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, i cili ka mbledhur rreth 3 mijë firma, i kërkon qeverisë të kujtohet për statusin e minatorëve – një dokument që do u garantonte mijëra punëtorëve të nëntokës me probleme shëndetësore, kushte bazike të përkujdesjes për vete dhe familjet.

 

Reit Çekiçi tregon se doli në pension në janar 2020 së bashku me 27 minatorë të tjerë, por pa u mbushur ende viti, tre prej shokëve të tij ndërruan jetë si pasojë e problemeve shëndetësore nga puna në minierë.

 

“Ne kur dolëm në pension na mbajtën edhe shpërblimin e vitit që kishim punu, prej 240 mijë lekë,” kujton ai. “I gjithë qyteti duhet të ngrihet për të kërkuar statusin e minatorit, sepse është gjaku i këtyre njerëzve,” shtoi Reiti.

 

Minierat janë një nga vendet më të rrezikshme të punës në Shqipëri dhe çdo vit ka aksidente të rënda me humbje jete.

 

Aksidenti më i fundit u regjistrua në fund të tetorit, kur dy minatorë dhe një inxhinier gjetën vdekjen në galerinë ku punonin, në Selishtë të Dibrës. Në pesë vitet e fundit, 30 minatorë kanë humbur jetën në vendin e punës, kryesisht në zonën e Bulqizës dhe Martaneshit dhe me dhjetëra të tjerë janë plagosur.

 

Familjarët e viktimave përfitojnë dëmshpërblime minimale, kryesisht sipas vullnetit të kompanive ku janë punësuar dhe mbeten pa mbështetje –  siç gjeti BIRN në një investigim të mëparshëm. Ndërkohë, shumë minatorë që ia dalin të mbërrijnë në moshën e pensionit, nuk mund ta gëzojnë atë, për shkak të gjendjes shëndetësore.

 

 

“Punonjësit e nëntokës më të zakonshme kanë sëmundjet pulmonare, me prekje të mushkërive,” thotë Fatos Hoxha,  mjek pneumolog në spitalin e Bulqizës.

 

“Paraqiten të disa formave, nga më të lehtat e deri më të rëndat, që është edhe fibroza pulmonare,” shtoi ai.

 

Hoxha thotë se problemet shëndetësore të minatorëve janë kryesisht për shkak të profesionit dhe me moshën, ato bëhen kronike dhe më të rënda.

 

Statusi i minatorit, i premtuar disa herë nga kryeministrit Edi Rama që nga viti 2009, do jepte trajtim preferencial nga shteti për minatorët që dalin në pension dhe familjet e tyre në rast aksidentesh në punë.

 

Por ai ka mbetur në letër prej vitesh, duke i lënë minatorët dhe familjet e tyre të pambrojtura nga aksidentet apo sëmundjet që shoqërojnë punën për vite me radhë nëntokë.

 

Në një përpjekje për të tërhequr vëmendjen dhe miratuar statusin, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, ka nisur prej ditësh një peticion, i cili është firmosur deri më tani nga 3500 minatorë dhe ish-minatorë.

 

Statusi i munguar u kushton shumë minatorëve

 

Sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore janë afro 14 600 persona që trajtohen me pension të nëntokës dhe afro 12,200 punonjës, kontribuues në skemën e pensioneve nga nëntoka. Por shumica e tyre nuk marrin ndihmën që u duhet dhe një pjesë, edhe pse kanë sakrifikuar dhe kanë dalë prej nëntokës me sëmundje kronike, u duhet të paguajnë nga xhepi për mjekimet.

 

Petrit Hoxha është një prej tyre. Ai i ka kushtuar 38 vite të jetës së tij punës në minierë.

 

Hoxha ka punuar para viteve ’90, kur miniera kontrollohej nga shteti, por edhe pas vitit 2001 ku me qindra leje minerare u dhanë në zonat mineralmbajtëse të Bulqizës dhe Martaneshit.

 

Hoxha i tha BIRN se vuan nga veshkat, mëlçia e shumë probleme të tjera dhe vetëm në një muaj i duhen 67 mijë lekë [të vjetra] ilaçe.

 

“Ne jemi të konsumuar dhe kemi punuar në kushte shumë të vështira,” theksoi ai. “Kishim martela “VUP” dhe gishtat i kam hala të shtrembur se m’i kapte marteli,” shtoi Petriti.

 

Petriti merr një pension prej 26 mijë lekësh dhe është pesimist se një ditë do të marrë edhe statusin e minatorit, çka do t’i siguronte mbështetje më të madhe ekonomike dhe rimbursim të plotë të mjekimeve që duhet të marrë për shkak të sëmundjeve të shkaktuara nga puna në galeri.

 

Organizatorët e peticionit thonë se statusi do u jepte një ndihmë minatorëve që vuajnë nga sëmundjet kronike, familjeve të minatorëve që humbin jetën pa dalë në pension dhe atyre që ndahen shpejt nga jeta për shkak të sëmundjeve profesionale. Statusi po ashtu do të mundësonte një trajtim mjekësor më të mirë për minatorët, diçka që ata thonë se nuk e kanë tani.

 

Minatori Agron Skuka është ndër të parët që ka firmosur peticionin është i revoltuar me vonesën dhe premtimet e pambajtura. Në dorë, ai mban një tufë analiza mjekësore dhe thotë se po përballet me probleme shëndetësore si pasojë e punës së rëndë në minierë, por në spitalin e Bulqizës nuk merr dot asnjë shërbim se nuk ka mjekë të specializuar dhe se ai nuk paguan dot për shërbim më të mirë në Tiranë.

 

“Qytet minatorësh dhe mos marrësh shërbimin bazë mjekësor për minatorin është krim,” theksoi Skuka.

 

Paga prej afro 50 mijë lekësh që merr Agroni është burimi i vetëm i të ardhurave në familjen e tij dhe me kalimin e kohës, ajo bëhet e pamjaftueshme për shkak të problemeve shëndetësore.

 

“Unë një fëmijë e kam në shkollë të lartë për mjekësi,” tregoi me krenari Agroni, por shtoi se vetë nuk kishte para për t’u vizituar dhe për të blerë ilaçet.

 

“Prandaj shpresoj shumë që statusi të miratohet, prandaj e firmosa edhe peticionin,” theksoi ai.

 

Peticioni dhe kërkesat

 

Firmosja e peticionit është shtrirë në disa qytete, në të cilat ka miniera dhe aktivitet minerar dhe do t’u drejtohet Kuvendit dhe qeverisë.  Nisma e ndërmarrë nga SMBB liston një sërë përfitimesh që duhet të ketë kjo kategori, duke qenë se sipas sindikatës, kuadri ligjor në fuqi nuk u përgjigjet nevojave bazike të tyre.

 

Për kreun e SMBB, Elton Debreshi, ky peticion është  zëri i minatorëve të Bulqizës, me shpresën që të dëgjohet nga institucionet.

 

“Ka 30 vite që statusi i minatorit përdoret në çdo fushatë elektorale,” tha Debreshi.

 

Ai akuzoi sindikatat e tjera se për interesat e tyre dhe jo për hallet dhe problemet e minatorëve e kishin braktisur këtë çështje.

 

“Duke parë këto pakënaqësi të mëdha na lind e drejta që të nisim këtë peticion, për të kërkuar miratimin e statusit të minatorit,” shtoi Debreshi.

 

Peticioni kërkon miratimin e statusit për të garantuar sigurimin e jetës për minatorët dhe garantimin e dëmshpërblimit të familjarëve me 6 milionë lekë në rast aksidentesh me pasojë vdekjen në vendim e punës.

 

Gjithashtu sipas draftit, familjarët e viktimave duhet të marrin një pension të barabartë me 100% të pagës dhe bursa studimi universitare për fëmijët. Në draft-propozimin e sindikatës, dëmshpërblim kërkohet edhe në raste aksidentesh me pasojë pamundësinë për punë apo aksidente më të lehta.

 

Çështja e dytë lidhet me pagën e një minatori, që sipas propozimit nuk duhet të jetë më e ulët se 235% e pagës minimale zyrtare. Me pagën aktuale minimale, minatorët kërkojnë rreth 61 mijë lekë pagesë bazë, ndërsa kërkohet edhe pagesë për vështirësi në punë si dhe përfitimi i pagës së 13-të.

 

Në peticion kërkohet rritja e pensioneve për punonjësit e nëntokës në 35 mijë lekë.  Gjithashtu, kërkohet ndryshimi i moshës së daljes në pension, duke e shkurtuar në 53 vjeç për ata që punojnë 11 vite apo më shumë nën tokë dhe për ata që kanë 10 vite punë, në 55 vjeç.

 

Po ashtu, peticioni trajton garantimin e kujdesit shëndetësor të veçantë, duke përfshirë barna 100% të rimbursueshme.

 

Premtimet e pambajtura

 

Në 1 Maj të vitit 2009, në Ditën Ndërkombëtare e Punëtorëve, kryeministri Edi Rama në atë kohë kryetar i opozitës, vizitoi Bulqizën dhe minatorët e kësaj zonë dhe premtoi miratimin e statusit të minatorit.

 

“Ne do ta firmosim statusin e minatorit pas 28 qershorit si një akt koshience dhe njëkohësisht si një akt faljeje, që ne me atë firmë do t’ua kërkojmë të gjithë atyre që sot nuk janë më,” tha Rama, duke iu referuar zgjedhjeve parlamentare që do të mbaheshin një muaj më vonë.

 

Rama u zgjodh kryeministër 4 vjet më vonë dhe ka kaluar gati tetë vjet në pushtet, por statusi i minatorit është shumë larg miratimit.

 

Madje në tetor 2017, kur ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Dibrës, Përparim Spahiu depozitoi në Kuvendin e Shqipërisë një draftligj për statusin e minatorit, shumica e rrëzoi atë me pretendimin se sillte efekte negative në skemën e pensioneve dhe buxhetin e shtetit, dhe shtoi se propozimi i bërë nuk ishte shoqëruar me kostot e detajuara financiare.

 

Ish-deputeti i qarkut të Dibrës nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim thotë se ky është një borxh që qeveria ua ka minatorëve dhe se llogaritë financiare nuk duhet të jenë pengesë.

 

“Përfitimet janë standarte si çdo status i miratuar për punë të veçanta e të vështira,” tha Përparim Spahiu. “Dua të theksoj, me gjithë respektin, që asnjë profesion tjetër nuk e meritonte më parë se minatorët statusin,” shtoi ai.

 

Vetë Rama iu rikthye premtimeve për statusin në 16 prill 2018. Në një komunikim me themeluesit e Sindikatës së Minatorëve “Janar 1991”, lidhur me projektin e statusit, kryeministri u shpreh se ai do të miratohej brenda mandatit.

 

“Për këtë mandat kemi premtuar statusin, do ta bëjmë dhe këtë, por t’i bëjmë gjërat me këmbë në tokë,” tha Rama.

 

Zyra e shtypit e kryeministrit dhe ajo e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, nuk iu përgjigjën kërkesës së BIRN për koment.

 

Megjithatë, edhe pse statusi nuk është miratuar, protestat e minatorëve kanë sjellë vazhdimisht përmirësime legjislacioni.

 

Në janar 2015, mosha e daljes në pension për minatorët u ul nga 60 vjeç në 55 vjeç. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të pensioneve, por statusi u la mënjanë.

 

Shumë ish-minatorë nuk kanë më shpresa se do të përfitojnë. Petrit Hoxha, i cili flet e  kollitet shpesh si pasojë e problemeve në mushkëri nga puna në minierë është pesimist.

 

“Puna jonë kaq ishte. Ne jemi sot e nuk jemi nesër. Por të paktën, këta që vijnë pas nesh mos kenë fatin tonë. Vuajtjet tona,” thotë ai.

 

Ngjashëm me të, edhe Haxhi Llani, 70 vjeç, i cili ka punuar për afro 25 vite në minierën e Bulqizës thotë se megjithë premtimet gjatë fushatave elektorale, ai nuk sheh ‘dritë në fund të tunelit’.

 

“Gjithë ajo punë që kemi bërë ne, me mijëra që kanë punuar në minierë, s’kemi fituar asgjë,” tha Llani.

 

“Kemi fitu vetëm bukën me rrit fëmijët,” shtoi ai.

 

Megjithatë, Llani shpreson që statusi të miratohet për të përfituar minatorët e rinj që punojnë ne galeri.

 

“Unë kam mbaru, jam sot e s’jam nesër, por ta japin statusin e minatorit për ata të rinj që janë sot në galeri,” përfundoi ai.

 

Më shumë

Akademia e Shkencave miraton Përkufizimin Universal të Antisemitizmit

Institucioni ka promovuar historikisht studimin e Holokaustit dhe mësimet e tij; si i tillë, miratimi i përkufizimit të punës së IHRA është “një hap plotësisht i natyrshëm”.     JNS – Akademia e Shkencave e Shqipërisë, institucioni më i rëndësishëm shkencor i vendit, miratoi të enjten përkufizimin e punës së Aleancës Ndërkombëtare të Përkujtimit […]

177 vjet nga lindja e Atit të Kombit, Ismail Qemali

Udhëheqës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Lindi në Vlorë më 16 Janar 1844 në një nga familjet më të mëdha të Shqipërisë së Jugut. Pasi kreu shkollën fillore në vendlindje, vijoi studimet në shkollën plotore turke në Selanik, ku ishte internuar familja e tij dhe më pas kreu gjimnazin “Zosimea” në Janinë. Në vitin 1860 […]

Urgjenca Kombëtare bën bilancin: Në 2020 ndodhën 6248 aksidente rrugore me 159 viktima

Pavarësisht se viti 2020 ishte pjesësisht në karantinë dhe me dalje të kufizuara, aksidentet rrugore kanë regjistruar sërish një bilanc të errët. Sipas të dhënave, gjatë 2020, në të gjithë vendin janë regjistruar 6248 aksidente, ndërsa 159 persona kanë humbur jetën. Numrin më të lartë të aksidenteve e regjistron Tirana me 2631 aksidente, e […]

157 – vjetori i lindjes së Isa Boletinit

Isa Boletini i njohur si Isë Boletini u lind në Boletin afër Mitrovicës më 15 janar 1864 dhe u shua në Podgoricë më 23 janar 1916.   Është një ndër figurat qendrore kombëtare dhe kryengritës shqiptar në Vilajetin e Kosovës, pjesëmarrës në rini në veprimet e Lidhjes së Prizrenit. Më pas shërbeu si kryetar […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara