Albanian Profile
e enjte 27 janar 2022
e enjte 27 janar 2022

“Rilindja  reale  e  Gjuhës  dhe  Kulturës  Armano-Vllahe  ka  filluar  dhe  do  të  vazhdojë…..”

 

Armënët ose Vllehët e Shqipërisë

Janë pjesë përbërëse e Popullit dhe e Shtetit Shqiptar. Ata kanë kontribuar pozitivisht në historinë e shekujve të fundit të vendit tonë e veçanërisht në Rilindjen Kombëtare dhe Pavarsinë e Shqipërisë.

Armënët ose Vllehet në Shqipëri përbëjne ndoshta komunitetin më të madh mbas shqipfolësve. Nuk ka një numur të saktë për ta por në mënyre jo zyrtare llogariten në dhjetra mijra veta. Censusi i vitit ( 2011 ), nuk mund të konsiderohet i saktë për vllehët për arësye të emigrimit në masën afro 80% të tyre kryesisht në Greqi por edhe në vënde të tjera të demokracive perëndimore.  Dhe  perveç  kësaj, censusi  i  parë  historik  pati shumë  defekte  në  proçesin  e  regjistrimit  ndaj  pothuajse  të gjitha  shoqatat  minoritare  të  shtetit, nuk  i  njohin  rezultatet  e regjistruara.
Armënët ose vllehët i përkasin Besimit Orthodhoks.

Një pjesë e madhe e armënëve (vlleheve) – (çobenëve), janë plotësisht të asimiluar thjesht në shqipfolës kryesisht të besimit orthodhoks.

 

Flamuri vllah

Flamuri tradicional  familjar  popullor  dhe  komunitar i Vllehëve-Armanëve, është nga më të vjetërit e Ballkanit dhe të Europës. Simboli i diellit me tetë rreze dhe kufizimet nga tre anë me kordone të kuq, të verdhë dhe blu, është tregues i qartë i përkushtimit të këtij populli ndaj Diellit si burim i jetës dhe ngrohtësisë. Ky flamur i paraprin  flamurit me yllin e Verginës i cili u zbulua vetem ne fund te v. 1970.

Flamure  të  tjerë  të  vllehëve  janë  ata  që janë përdorur  në  festat  e  tyre  qysh  nga  paganizmi  e  deri  në  ditët  tona, i bardhi, i  verdhi, i  kuqi  dhe  i  kaltëri.

Flamuri me  Diell, ishte  kryesori  që  nxirrej  me  ceremoni  kënge  dhe  muzike  në  festat  e  mëdha  të  vllehëve  si  ajo  e dasmës  familjare  vllaho-armane. Flamuri  pasurohej  me  lule  dhe  tre  kokërra  molle  të  vendosura  në  kryqin  e  krijuar  në  kokën  e  flamurit. Mollët  janë  fruti  i  dashurisë  dhe  erotikës  që  ka  origjinën  qysh  nga  interpretimi  i   krijimit  të  Botës  nga  Adami  dhe  Eva. Fruti  i  dashurisë, molla  është  simbol i  prekur  edhe  nga  vete  Sokrati  i  madh. Kur  Sokrati  shkoi  për  të  marrë  gruan  e  tij  nuse, ai  mbante  në  dorë  një  mollë  të  kuqe  të  madhe.

Në  pikepamje  historike

Vllehët ose  armãnet  janë  pjesë  e  një  populli  shumë  të  lashtë  të  Ballkanit me  origjinë  nga  Maqedonia, Thesalia  dhe  Epiri, treva  këto që  sot  janë  në  pjesën  dërmuese  në  Greqi  dhe më pak  në  Shqipërinë  jugore  e  të  mesme. Gjatë  viteve  të  Rilindjes  Ballkanike, vllehët  kanë  luajtur  një rol  të  rëndësishëm  në  këtë  proçes  të  ndritur. Poeti  vllaho-grek  Rigas  Fereos  Velestinlis  ishte  frymëzuesi  i  Revolucionit  Grek (1821-1826). Një  numër  i  madh  i antarëve  të  organizatës  antiturke  ” Φιλικη εταιρεια”, ishin  vllehë  grekë. Vllehët  dhanë  jo  vetëm  frymezimin  por  edhe  gjakun për  lirinë  e  Greqisë  dhe  të  gjithë  popujve  të  Ballkanit. Udhëheqësi  i  famshëm  i  revolucionit  ishte  komandanti  legjendar  Theodhoros  Kollokotronis,  vllahu  nga  Moreja  e  Peloponezit  me origjinë  nga  Vithkuqi i  Shqipërisë. Heroi  i  parë  i  revolucionit  është  Jeorgios Olimpios  nga  fshati malor  i Livadhia  Olimpou. Nga  ana  tjetër, vllehët  e  Shqipërisë  kanë  patur  një  ndikim  të  madh  në  Rilindjen  Kombëtare  të  Shqipërisë  e  të  shqiptarëve. Natyrisht  frymëzimi  vjen  nga  ndriçimi i mëndjes  dhe  e i  shpirtit  dhe  për  këtë  fenomen  masiv  kombëtar, ndihmoi  iluminizmi i  padiskutueshëm  i  dalë  nga  qyteti  i  famshëm  i  Voskopojës  që  banohej  krejtësisht  ose  kryesisht   nga  vllaho-armãnët. Voskopoja  u  bë  e  famshme  nga  çfarë  ajo  i  dha  Ballkanit  dhe  Europës në  shekullin  e  17-të  dhe  që  ishte  iluminizmi i  cili  solli  revoltën  popullore  ballkanike  kundër  pushtimit  turk  ne  Ballkan. Perveç  shkollave  të  ciklit  të  ulët  dhe  dhjetra  kishave  orthodhokse, në  Voskopojë  nga  viti  1842  deri  në  vitin  1869  funksionoi  ” Νεα Ακαδημια” me  mësime  në  disa  lëndë  letrare, gjuhësore, shkencore  dhe  filozofike  të  gjitha  në  gjuhën  greke. Interesant  është  fakti  se  në  akademi, mësoheshin  edhe  gjuhët  vllahe, shqipe, dhe  bullgare  perveç  asaj  greke  që  mbizoteronte  dukshëm  si  e  vetmja  gjuhë  e  shkruar  në  atë  kohë.  Institucionin  e  famshëm  e  drejtonin  Dhaniil  Moskopolitis  dhe  Theodhoros  Kavaliotis të  dy  vllehë  në  origjinë,  pedagogë  të  shquar  dhe  iluministë  të  padiskutueshëm  të  asaj  periudhe  historike  të  Ballkanit. Në shërbim  të  mësimit  të  këtyre  gjuhëve nga  ana  e  banorëve  por  edhe  konviktorëve  të akademisë  të  ardhur  nga  treva  me  kombësi  të  ndryshme  të  Ballkanit, shërbente  edhe  fjalori  i Dhaniil  Moskopolitit në  katër  gjuhët  e  sipërshkruara.  Shkëlqimi  i  Voskopojës  u  venit  pas  sulmeve  të  pësuara  nga  grupe  rebelesh muslimane  shqiptare  gjatë  kohës  kur  Pashai  i  Janinës, Ali  Tepelena, shpalli  pavarsinë  nga  Perandoria  Turke.  Nga  viti  1669  deri  në  1689, Voskopoja  u  dogj  katër  herë. Kaq  mjaftoi  që  qyteti  të  braktisej  nga  banorët  të  cilët  u  larguan  duke  u  shpërndarë  me  grupe  prej  mijra  vetash  në  drejtime  radiale.

Ata  shkuan drejt  trevave  greke  por  edhe  drejt  Korçës, Pogradecit, Tiranës, Durrësit, Kavajës, Lushnjes, Fierit, Beratit, Vlorës,  Selenicës, Bitolas, Krushevos, Shkupit, Konstancës, Bukureshtit, Budapestit, Vjenës, Korçës, Prizërenit  dhe  Beogradit. Nga  Voskopoja  rrjedh  edhe  i  ati  i Anjeze  Gonxhe  Bojaxhiut,  “Nënë Terezës  hyjnore”,  vllahu Nikolla  Bojaxhi i  cili  pas  largimit  nga  qyteti  i famshëm, e  ngriti  shtepinë  bashkë  me  patriotët e  tjerë  vllehë  voskopojarë  në  mes  të  lagjes    së  njohur  si  “Lagje  e    vllehëve”  të  Shkupit.   Përpjekjet  e  vllehëve  në iluminizmin  e  popujve  ballkanikë  nuk  përfundonin  me  Voskopojën. Vllahu  vithkuqar  Naum  Veqilharxhi, është  hartuesi  i  të  parës  abetare  në  gjuhën  Shqipe  në  vitin 1845 të  njohur  në  median  botërore  si “Beitha Kukju script”.  Ka  egzistuar  një  migrim  i  vllaho-armãneve  për  në  zona  malore  të  Maqedonisë  së  Veriut, Bullgarisë, Rumanisë  dhe  Serbisë. Ku  emigrim  ka  ndodhur  kryesisht për  arësye  ekonomike  por  edhe  politike. Pavarësisht  kohës  shumëvjeçare  të  emigracionit deri  në  pa-kthyeshmëri  në  atdheun  mëmë  të  Greqisë  dhe  Shqiperisë, vllehët  kane  ruajtur  me  fanatizëm  gjuhën  dhe  traditat  e  tyre.

Vllehët  e  Shqipërisë  nëpër  shekuj, kudo  që qëndronin për  të  jetuar, pikësëpari  ndërtonin  kishën  e  parë  dhe  shkollën  e  parë. Kështu  ka  ndodhur  me  vllehët  që  erdhën  në  Tiranë,  para  dhe  pas  djegies  së Voskopojës  dhe  qëndrave  të  tjera vllahe. Sipas  kornografit  Dhimitër  Beduli, vllehët  e  parë  kanë  ardhur  në  tiranë  rreth  vitit  1700. Vllehët  ndërtuan  Kishën  e  parë  në  Tiranë, atë  të Evangjlizmoit dhe  më  pas  edhe  dy  të  tjera.  Ata  ngritën  shkollën  e  parë  të  Tiranës  në  gjuhën  greke. Shkolla  u  hap me  dy  klasa  me  nxënës  vllehë  dhe  pas  një  viti u  shtuan  edhe  dy  klasa  të  tjera  për  nxënës  shqiptarë……

Në vitet 1847-48 nën kujdesin e Bashkësisë Ortodokse(vllahe) u hap në Tiranë një shkollë 4-vjeçare në gjuhën greke për të gjithë banorët dhe në vitin 1890 u hap një shkollë femërore e vajzave. Në atë kohë në Bashkësinë Ortodokse të Tiranës flitej shqip dhe vllahisht, ndërsa gjuha greke ishte gjuha e shkollës, e kishës ortodokse dhe e korrespondencës tregtare. Familja patriarkale ishte baza e Bashkësisë Ortodokse të Tiranës.

Kjo bashkësi u mor  dhe me ndërtimin e kishave, ku njëra prej tyre, ajo më e hershmja me emrin e dëshmorit të krishterimit,“Shën Prokopit”, u ndërtua në pjesën lindore pranë bulevardit ku sot është Presidenca në vitin 1780. “Kjo kishë e vjetër ekzistonte deri në vitin 1926, ku në bazë të planit rregullues të Tiranës, ky monument historik u shpronësua nga qeveria e Ahmet Zogut për 8 mijë franga ari dhe u prish”, shkruan Dhimitër Beduli në librin “Kishë dhe Kulturë”, Tiranë 2006, faqe 186. Kisha e re e Shën Prokopit, u ndërtua tek “Kodra e Pashës”, ku është sot “Kodra e Liqenit”, punimet filluan në vitin 1937 dhe u inagurua në maj 1940. Në murin e kësaj kishe ka qenë një pllakë me mbishkrimin: “Themeluar në vitin 1940 në kohën e Kryepeshkopit të gjithë Shqipërisë, Imzot Kristofor Kisi, me të ardhurat e shpronësimit të kishës së vjetër dhe me ndihmat e Bashkësisë Orthodhokse të Tiranës”.

Po ashtu, në vitin 1874 u ngrit në Tiranë me kontributin e Bashkësisë Ortodokse të vllahëve të Tiranës edhe kisha e“Shën Vangjelizmoit”, pas objektit të Hotelit 15-katësh dhe me zbatimin e planit rregullues të Tiranës, edhe kjo kishë u prish e u ndërtua e re në Rrugën e Kavajës pranë kishës Katolike…(.J.Bizhuti, Gazeta  Dita, 12 Qershor  2016).

Vllehët janë  kontribues  fizike  e  shpirtërore  të  Rilindjes  Kombëtare  të  Shqipërisë, në  kuadër  të Rilindjes  Ballkanike. Ata  gjenden kudo  ku kërkohej  guxim  dhe  kurajo  qytetare  në  rrugën  e  iluminizmit  të  popullit  shqiptar.

Në  aktet  kryesore  të  historisë  ata  jane  aktivistë  të   radhëve  të  para në  luftën  për  pavarsi  dhe në  vetë  aktin  e  shpalljes  së  saj  dhe  të  krijimit  të qeverisë  së  parë  të  pavarur  shqiptare  në  28 Nëntor  1912. Gjate  luftës  Nc-Cl, vllehët  me  qindra përqafuanë  rezistencën  dhe  dhanë  jetën  për lirinë  e  Shqipërisë.  Margarita e  Kristaq  Tutulani, nga  familja  vllahe  nga  lagjia  Goricë  e  Beratit,   janë  hero dhe  dëshmor  të  Atdheut. Gjatë  periudhës  së  regjimit  monist  shumë  personalitete  të  politikës,  artit, letërsisë,  muzikës, sportit  dhe  shkencës,  janë  me origjinë  vllahe.

ARMANO-VLLEHËT  AKTORË,  SKULPTORË  DHE  PIKTORË

Monumenti  i  Skënderbeut  mbi  kalë, vepër  e  realizuar  nga  Janaq  Paço, Andrea  Mano  dhe  Odhise  Paskali

Eshtë  i  konsiderueshëm  numri  i  armano-vllehëve  artistë  të  artit  skenik  të  dramës  teatrale  dhe  të  filmit.

Artistët  armanë  të  pikturës  dhe  të  skulpturës  janë  nga  më  të  shquarit  e  Ballkanit. Skulptori  Janaq  Paço armano-vllahu  nga  Përmeti,   është  mbi  të  gjithë  të  tjerët  dhe  mund  të  quhet  si  babai  i  skulpturës  shqiptare. Nuk  mbetet  pas  skulptori  Andrea  Mano bashkëpuntor  i  Prof. Janaqit. Skulptorë  të  tjerë  janë  Maksi  Mustaka, Ilia  Doko  etj.  Në  pikturë  mbi  të  gjithë  qëndron  piktori i  famshëm  ikonograf   David  Selenica i pasuar  nga  shumë  të  tjerë  të  periudhes  së  rilindjes  dhe  asaj  moderne..

 

Foto-pikturë:  Sander  Prosi (1920-1985).  Artisti  i  madh me  origjinë  armane-vllahe  i  skenës teatrale  dhe  i  filmit  shqiptar.  Me  të  vërtetë  një  gjigand  në  piedestalin  e  të  mëdhenjve si  Aleksandër  Moisiu,  Mihal Popa,  Margarita  Xhepa, Albert  Verria,  Prokop  Mima,  Llambi  Kaçani  etj.

 

Foto:  Margarita  Xhepa, Artiste  e  Popullit.

U lind më 2 prill të vitit 1932 në Lushnje. Ajo njihet si një nga Zonjat e Mëdha të Teatrit Shqiptar. Nga viti 1950 u aktivizua si artiste probiste në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) dhe njëkohësisht studioi në Liceun Artistik, Dega e Dramës. Ka krijuar mbi 150 role në teatër, midis të cilëve mund të përmendim: Majlindën tek “Majlinda” (Xh. Broja), Dafina tek “Lumi i vdekur” (dramatizim nga K. Velça i romanit me të njëjtin titull të Jakov Xoxës), Filja tek “Cuca e maleve” (Loni Papa), Zonja Mëmë tek “Kush e solli Doruntinën” (dramatizim nga Edmond Budina e Pirro Mani i romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë), Nëna “Përballë vetes” (Ruzhdi Pulaha) etj. Ka qenë njësoj e suksesshme në rolet e dramaturgjisë botërore, si Ofelia tek “Hamleti”, Vajza e dytë tek “Mbreti Lir”, Dado tek “Romeo e Xhulieta”, Mbretëresha Margaret tek “Rikardi i III”, të Shekspirit.

 

FILMI NE  GJUHEN  ARMANO-VLLAHE

Në 08-Shtator, 2013,  në  Shqipëri  erdhi  dhe  u  shfaq  për herë  të  parë  filmi  me  ngjyra  me  metrazh  të  gjatë “NU  HIU  FAIMOZ  AMA  HIU  ARMËN”.  Ky është titulli i filmit të parë artistik me metrazh të gjatë në gjuhën vllahe, të luajtur nga artistë vllahe nën drejtimin e bashkëkomunitarit  tonë  arman-vllah, regjizorit Toma Enache. Në këtë manifestim të parë kulturor në gjininë e filmit me metrazh të gjatë në gjuhën Vllahe, ishin të pranishëm rreth 200 vetë në sallën moderne të Kinemasë KRISTAL…! Emocionet ishin të forta dhe të gjithë spektatorët mbetën të befasuar por të lumtur për performancën  e  jashtëzakonshme   të gjuhës Vllahe-Armane.

Filmi  u  mbështet  financiarisht  nga  shoqatat  armëne kryesisht  të  Rumanisë por  edhe  ballkanike  dhe europiane. Eshtë  vërtet  një  mrekulli  të  dëgjosh  të  aktruar  nje  pjese  drame-teater-film  në   gjuhën  armane   dhe  të  shohësh  të  përkthyer  atë,  në  gjuhë  shqipe, maqedonoveriore, rumune  dhe  në  Anglisht.  Ky  film  eshtë  nisje  dinjitoze  në  udhëtimin  e  gjatë  të  kinematografisë…! S’bëniadzë Armaniamia….!

 

 

 

 

Më shumë

Open Data Albania, Minoritetet etnike në Shqipëri

Open Data Albania ka bërë një hulumtim mbi popullatën e minoriteteve kombëtare dhe kulturore në Shqipëri. Të dhënat statistikore për minoritetet janë mbledhur nga disa burime, përgjithësisht publikime të Institutit të Statistikave, Drejtorisë së Statistikës, apo raportime të ndryshme ligjore të Qeverisë Shqiptare. Hyrje: Shqipëria njeh aktualisht dy lloje minoritetesh, minoritete etnike kombëtare dhe minoritete kulturore […]

Minoriteti Vllah – Arumun në Shqipëri

“Rilindja  reale  e  Gjuhës  dhe  Kulturës  Armano-Vllahe  ka  filluar  dhe  do  të  vazhdojë…..”   Armënët ose Vllehët e Shqipërisë Janë pjesë përbërëse e Popullit dhe e Shtetit Shqiptar. Ata kanë kontribuar pozitivisht në historinë e shekujve të fundit të vendit tonë e veçanërisht në Rilindjen Kombëtare dhe Pavarsinë e Shqipërisë. Armënët ose Vllehet në Shqipëri […]

Minoriteti Rom në Shqipëri

“Ekzistenca e romëve në Shqipëri është përmendur që në vitin 1635, por duket se për më shumë se 5 shekuj, asnjëherë ata nuk kanë patur një shifër të saktë të prezencës.”   Kush janë Romët? Minoriteti rom është i përhapur gjerësisht në Shqipëri. Origjina e romëve ka rrënjët në fiset e vendosura para shumë kohësh […]

Minoriteti Serbo-Malazez në Shqipëri

Historia e egzistencës së minoritetit etnik serb dhe malazez e ka zanafillën që në mesjetën e hershme. Ky minoritet jeton kryesisht i përqendruar në qytetin e Shkodrës, të Koplikut, në komunën Gruemirë, ne fshatrat Vrakës, Omaraj, Gril, Boriç i Madh, Boriç i Vogël, në Kamicë, Shtoj i Vjetër, Shtoj i Ri, Dobraç, Golem, Mushan, Bushat […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara