e shtunë 4 dhjetor 2021
e shtunë 4 dhjetor 2021

 

Për ata që dëshirojnë të arrijnë Karaibet, në këtë verë të nxehtë, por nuk munden për shkak të kushteve të krijuara, le të bëjnë të kundërtën, t’i sjellin karaibet në tavolinë, nëpërmjet recetave të gatimit tipike të atyre vendeve. Kjo është një prej tyre; asgjë strikte, mund të ushtroni fantazinë tuaj në zgjedhjen e drithërave, mjafton t’I përshtatni recetës kohën e zjerjes së tyre.

 

Përbërësit për 4 persona:

 

  1. Grurë ose çdo lloj tjetër drithi bio- integral 320 gr.
  2. Avocado – 1 frut i pjekur
  3. Limon bio – 1 frut
  4. Karkaleca 500 gr.
  5. Mëndër – një tufëzë
  6. Vaj ulliri extra të virgjër – sa duhet
  7. Kripë e jodizuar – sa duhet

 

 

Përgatitja:

Zjejeni drithin (grurin, ose elbin, ose tërshërën, quinoan, amaranton, orizin – sipas dëshirës dhe shijes suaj) – kullojeni mirë dhe lëreni të ftohet.

 

Pastroni karkalecat duke eliminuar me kujdes fillin e zi që kanë në mes, shpëlajini mirë në ujë të rrjedhshëm dhe hidhini të zjejnë në ujin që po vlon për rreth një minutë.

 

Zhvisheni frutin e avokados nga lëkura dhe priteni në kubikë.

 

Lani, thani dhe prisni shumë hollë mëndërën e freskët.

 

Në këtë pikë, jemi gati për të pasuruar drithin e zgjedhur të zjerë e të ftohur me vaj ulliri, lëngun e një limoni, karkalecat e sapozjerë, kubikat e avokados, mëndërën e grirë dhe, më në fund, lëkurën e limonit të grirë në rende.

 

Kriposeni sipas dëshirës, mundësisht vetëm më kripë të jodizuar, por shije të veçantë mund t’i japë edhe kripa e Himalajave, kripa e zezë apo kripa e gurit e jodizuar.

 

Guxoni pak, të paktën këtu! Sido që të dalë, do të jetë shijshme!

 

 

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara