e shtunë 4 dhjetor 2021
e shtunë 4 dhjetor 2021

 

 

Mosnjohja e Kosovës nga katër shtete evropiane që janë edhe pjesë NATO-s, është pengesa kryesore për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, u tha në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës.

 

Lidhur me anëtarësimin e Kosovës në NATO, para anëtarëve të këtij komisioni raportoi të martën ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj.

 

Sipas tij, Ministria e Mbrojtjes ka bashkëpunim të përditshëm me NATO-n dhe objektivë e Ministrisë që udhëheq ai është anëtarësimi në NATO.

 

Kosova, siç tha ai, ka nënshkruar dhjetëra memorandume bashkëpunimi dhe marrëveshje të ndryshme me shtetet anëtare të NATO-s, kurse “127 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës po ndjekin studime dhe trajnime jashtë vendit”.

 

Megjithatë, ka hapësirë që bashkëpunimi me NATO-n të thellohet, tha Mehaj.

 

“Rrugën e Kosovës dhe FSK-së për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare e lehtëson një kornizë ligjore e koordinuar me partnerët tanë. Në këtë drejtim e veçoj Projektligjin për dërgimin e FSK-së jashtë vendit”, tha Mehaj.

 

Kosova, në bashkëpunim me forcat amerikane, ka dërguar në muajin mars një kontingjent të FSK-së në Kuvajt. Ka qenë ky misioni i parë i kësaj force jashtë Kosovës.

 

Gjatë raportimit të martën, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu – Shoshi, e pyeti ministrin Mehaj se cili është plani i Ministrisë së Mbrojtjes për anëtarësim në NATO, duke përmendur faktin se në bazë të rregullave dhe procedurave të NATO-s, Kosova nuk mund të anëtarësohet, pasi janë katër shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e saj.

 

Spanja, Greqia, Sllovakia dhe Rumania nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur.

 

Lidhur me këtë, Mehaj tha se Kosova e ka të domosdoshme të ketë ambasador në NATO, por shtoi se procesi i zgjedhjes së tij nuk ka nisur.

 

Edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, tha për Radion Evropa e Lirë se mosnjohja e Kosovës nga këto katër vende është pengesë për anëtarësim në NATO.

 

Sipas tij, hyrja në partneritetin për paqe e jep një garanci për një kohë të caktuar që Kosova mund të futet në NATO.

 

“Një e arritur e FSK-së që garanton një proces të përkrahjes së atyre vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, me mbështetje të partnerëve tanë strategjikë, [është se] ne kemi kaluar prej misionit paqësor në mision ushtarak, siç ishte ky i fundit me forcat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Ibishi.

 

Sipas tij, FSK-ja ka ngritur një organizatë profesionale me standarde të miratuara të NATO-s dhe, duke rritur kapacitetet e saj, shtoi ai, mund të shkurtohet edhe periudha e tranzicionit, që është paraparë të zgjasë 10 vjet.

 

Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore, për të transformuar mandatin e FSK-së në ushtri.

 

Si bëhet anëtarësimi në NATO?

 

“Politika e dyerve të hapura” të NATO-s bazohet në dokumentin themelues të Aleancës, sipas të cilit, anëtarësimi në NATO është i hapur për çdo “shtet evropian që është në gjendje t’i çojë përpara parimet e këtij Traktati dhe të kontribuojë në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut”.

 

Sipas kësaj politike, çdo vendim për zgjerimin duhet të merret “me marrëveshje unanime”.

 

Për t’u anëtarësuar në Aleancë, vendet pritet t’i respektojnë vlerat e Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të plotësojnë disa kritere politike, ekonomike dhe ushtarake, të përcaktuara në Studimin e Zgjerimit, të vitit 1995.

 

Këto kritere përfshijnë një sistem politik demokratik, të bazuar në një ekonomi tregu; trajtimin e drejtë të popullatës pakicë; angazhim për të zgjidhur konfliktet në mënyrë paqësore; aftësinë dhe vullnetin për të dhënë kontribut ushtarak në operacionet e NATO-s, si dhe përkushtim ndaj marrëdhënieve dhe institucioneve demokratike civilo-ushtarake. REL

 

Më shumë

Albin Kurti: Sipas kushtetutës së Kosovës nuk mund të ketë asociacion mbi baza etnike, pikë!

Kryeministri i Kosovës flet në një intervistë ekskluzive për DW për Asociacionin e Komunave Serbe, rrezikun e bosnjëzimit të Kosovës, dialogun me Serbinë dhe për “Open Balkan” ndaj të cilit është kategorisht kundër.     DW: Zoti Kurti, ju keni disa muaj në qeveri si kryeministër i Kosovës me një mandat të fituar me […]

Kosova shpall persona të padëshiruar dy zyrtarë rusë

Në Kosovë, ministria e Punëve të Jashtme ka shpallur persona të padëshiruar dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse që punojnë në këtë vend. Lajmi u njoftua në median sociale nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila më herët tha se i kishte kërkuar ministrisë së Jashtme t’i shpallte këta persona si të […]

Zgjedhjet lokale në Kosovë; më shumë se gjysma e komunave shkojnë në balotazh, bie Vetëvendosja

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve komunale të së dielës në Kosovë, tregojnë se në 21 nga 38 komunat e vendit do të ketë një raund të ri zgjedhjesh, meqë asnjëri nga kandidatët nuk ka siguruar votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur në raundin e parë.   Lëvizja Vetëvendosja e Albin Kurtit që udhëheq qeverinë, […]

Festivali “Mirëdita, Dobar dan” në Prishtinë, debat për marrëdhëniet Kosovë – Serbi

Përfaqësues të shoqërisë civile të Kosovës dhe Serbisë thanë se qytetarët e të dyja vendeve nuk duhet të presin vetëm nismat e elitave politike për normalizimin e marrëdhënieve, por kjo duhet të jetë pjesë e angazhimit më të gjerë.     Këto komente u bënë gjatë një debati në Prishtinë me temën “Cila […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara