e diel 16 maj 2021
e diel 16 maj 2021

 

 

Zyrtarë kroatë, liderë të komuniteteve serbe, rome dhe hebreje të vendit dhe antifashistë përkujtuan viktimat e kampit të përqendrimit të kohës së Luftës së Dytë Botërore të drejtuar nga ustashët në Jasenovac.

 

Kryeministri Andrej Plenkoviç tha në përkujtimoren e përvitshme në Jasenovac të enjten se Shteti i Pavarur i Kroacisë, NDH, një shtet kukull fashist i drejtuar nga lëvizja ustashe dhe i mbështetur nga Gjermania naziste dhe Italia fashiste, ishte “një nga periudhat më tragjike në historinë kroate”.

 

Në përkujtimin e viktimave të Jasenovacit, një kamp përqendrimi i kohës së Luftës së Dytë Botërore i drejtuar nga ustashët,  morën pjesë zyrtarë kroatë, përfaqësues të grupeve antifashiste dhe anëtarë të komunitetit serb, rom dhe hebre të vendit.

 

Për katër vjet, nga viti 2016 deri në 2019, përfaqësuesit e komunitetit hebre dhe serb, si dhe antifashistët, e bojkotuan përkujtimoren zyrtare, duke këmbëngulur se shteti nuk kishte marrë masa të vërteta për të ndaluar apo edhe kufizuar mohimet revizioniste të Holokaustit dhe gjenocidit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

 

Vitin e kaluar megjithatë ata iu bashkuan lidershipit shtetëror në përkujtimore, sepse thanë se kishin vërejtur “disa përparime”.

 

Për shkak të epidemisë së koronavirusit, eventi përkujtimor i këtij viti ishte modest dhe i ndarë në disa grupe që erdhën në vend veç e veç.

 

Pas kryeministrit Plenkoviç, një kurorë me lule u vendos nga një delegacion nga parlamenti kroat dhe më pas një delegacion i udhëhequr nga presidenti Zoran Milanoviç, i cili shoqërohej nga ish-presidentët Stjepan Mesiç dhe Ivo Josipoviç dhe ish-kryeministrja Jadranka Kosor.

 

Franjo Habulin, Milorad Pupovaç, Veljko Kajtazi dhe Ognjen Kraus, përfaqësues të grupeve antifashiste, serbe, rome dhe hebreje, vendosën gjithashtu lule.

 

Më herët të enjten, Lidhja Antifashiste – e cila përfshin antifashistë, OJQ të të drejtave të njeriut dhe disa grupe pakicash etnike si serbët, hebrenjtë dhe romët – paralajmëroi për rrezikun e përpjekjeve për të minimizuar simbolet ustashe dhe karakterin kriminal të NDH-së.

 

“Ne jetojmë në një shoqëri në të cilën nostalgjikët e NDH-së kujtojnë vazhdimisht të kaluarën”, tha Lidhja Antifashiste në një deklaratë.

 

Përkujtimoret e përvitshme organizohen në ish-kamp për të shënuar përpjekjen e fundit të të burgosurve për t’u liruar më 22 prill 1945, para se ustashët ta mbyllnin kampin dhe regjimi të binte, i mundur nga lëvizja partizane e udhëhequr nga komunistët e kryesuar nga Josip Broz Tito.

 

Një listë me emrat e viktimave e përpiluar nga Qendra Përkujtimore Jasenovac tregon se regjimi ustash vrau 83,145 serbë, hebrenj, romë dhe antifashistë në kamp midis gushtit 1941 dhe prillit 1945.

 

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara