e diel 16 maj 2021
e diel 16 maj 2021

 

 

Krerët e Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit amerikan u bënë thirrje autoriteteve në Shqipëri që të sigurojnë një mjedis zgjedhor pa frikësim dhe dhunë gjatë votimeve të së dielës në Shqipëri.

 

As Albanian elections near, we encourage the people of #Albania to vote. Authorities should ensure voters can exercise this right free from intimidation, & all candidates should act in accordance w/ democratic norms. The U.S. supports the Albanian people. https://t.co/GLuA8wSSWm

 

Jim Risch, numri dy i komisionit dhe Bob Menendez, kryetar i tij, thanë në një deklaratë se: “Ndërsa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet kombëtare të 25 prillit, ne inkurajojmë popullin shqiptar të marrë pjesë në votime. Ne i nxisim autoritetet të sigurojnë që votuesit të jenë në gjendje të ushtrojnë këtë të drejtë themelore të lirë nga frikësimi dhe dhuna.”

 

Në deklaratë thuhet gjithashtu: “Ne presim që të gjithë kandidatët të veprojnë në përputhje me normat demokratike edhe kur bëjnë fushatë të fuqishme.”

 

“Miqtë e Shqipërisë në Amerikë, thuhet në deklaratë, janë më të përkushtuar se kurrë për të mbështetur një të ardhme demokratike dhe të begatë për popullin shqiptar”.

 

Në Shqipëri, ambasadorja amerikane Yuri Kim tha sot se personat e përfshirë në ngjarjen e djeshme në Elbasan, ku si pasojë e përplasjes mes mbështetësve të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste pati 1 të vrarë e 4 të plagosur, “duhet të ndëshkohen pa përjashtim, sepse askush nuk është mbi ligjin”

 

Konflikti nisi pasi strukturat për mbrojtjes e votës të Partisë Demokratike, të përbëra nga ish punonjës policie ndaluan një makinë, e cila sipas tyre dyshohej se shpërndante para në këmbim të votës për Partinë Socialiste.

 

Ambasadorja Kim tha sot se “gjëra të tilla të tmerrshme, sikurse kanë ndodhur në të shkuarën, si grupe të paautorizuara për të mbrojtur votën e qytetarëve, janë gjëra që duhet të mbeten në të shkuarën sepse kjo është diçka e papranueshme për një vend që është anëtar i NATO-s dhe që aspiron të anëtarësohet në BE”.

 

Ajo u shpreh se “është përgjegjësi e udhëheqësve që ndodhen në pozicionet më të larta drejtuese të vendit, që të bëjnë thirrje për qetësi”, duke shtuar se “po monitorohen të gjitha veprimet e ndërmarra nga drejtuesit e vendit”, ndërsa zgjodhi të veçojë kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, për t’i falenderuar “që kanë bërë thirrje për qetësi e që të refuzohet dhuna e që të votohet më 25 Prill”.

 

Thirrje të gjitha palëve “për vetpërmbajtja, që të shmanget gjuha e urrejtjes dhe gjuha nxitëse” bëri dhe ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian Luigi Soreca, sipas të cilit “këto zgjedhje janë qartësisht tejet të rëndësishme për qytetarët shqiptarë. BE po ndjek nga afër çfarë po ndodh në Tiranë, dhe në 61 bashkitë e tjera.. Sepse çfarë ndodh në Tiranë është e rëndësishme dhe për BE-në”, deklaroi ai duke kujtuar se “Shqipëria është një vend kandidat. Ne jemi duke marrë në konsideratë thirrjen e Konferencës së parë ndërqeveritare”, për nisjen e bisedimeve për anëtarësim.

 

Nga ana e saj Policia dhe Prokuroria njoftuan sot se për ngjarjen e djeshme në Elbasan, janë arrestuar 10 pjestarë të grupeve të PD-së për mbrotjen e votës, dhe një tjetër, Eldjo Beko, i cili dyshohet se ishte pjesë e grupit të mbështetësve të Partisë socialiste të përfshirë në konflikt.

 

Në një deklaratë nga Elbasani, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu bëri të ditur se autori dyshuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, i cili u vetdorëzua duke deklaruar se kishte vepruar në kushtet e vetmbrojtjes, Arbër Paplekaj, ishte “i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë”, “Heqja e paligjshme e lirisë e kryer me dhunë” në bashkëpunim”. Ndërsa, pjestarët e tjerë të Strukturës së Mbrotjes së Votës “Arjan Hoxha, Pavlo Vuksani, Emiljan Prenga, Juljan Mataj, Erald Guga, Erjon Demushi, Taulant Ymeri, Roland Xhepa, Nuredin Kasma, janë të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë së personit e kryer me dhunë”në bashkëpunim”.

 

Për Bekon, i arrestuar në flagrancë, akuza është ajo për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Policia bëri të ditur gjithashtu se është “shpallur në kërkim shtetasi Klement Xhaferri, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, mbetur në tentativë” dhe vijon puna intensive për kapjen e tij”. Klement Xhaferri, i cili mendohet se ka ndërhyrë në mbështetje të grupit socialist, është një personazh me një të shkuar kriminale.

 

Policia dhe prokurorët e Elbasanit, u shprehën se në automjetin e dyshuar nga demokratët se po shpërndante para në këmbim të votave “nuk u gjet asnjë material kompromentues”, ndërsa nuk dhanë asnjë shpjegim se si kishte nisur konflikti i armatosur, duke u shprehur se “çështja është nën hetim e sipër dhe se është mjaft komplekse”.

 

***

 

Xhelal Mziu nga Dibra: Kemi ngritur grupet e gatshme, personat e dyshimtë do ta pësojnë si ai i Elbasanit

 

“Kemi ngritur grupet e gatshme. Nga sot dhe në vazhdim, çdo person i dyshimtë që lëviz në lagjet tuaja, mjafton një telefonatë dhe do ta pësojë njëlloj si ai i Elbasanit”.

 

Kjo është deklarata shokuese e bërë nga Xhelal Mziu, kandidati i Partisë Demokratike në Dibër, vetëm dy ditë para zgjedhjeve të 25 prillit.

 

Një ditë më parë, në Maqellarë, simpatizantë të PD-së ndaluan një mjet për të cilin pretendonin se ishte duke shpërndarë para në këmbim të votave.

 

Të mërkurën, në qytetin e Elbasanit mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, pas përplasjes me strukturën e mbrojtjes së votës, e krijuar nga PD. Pas ngjarjes, Gazment Bardhi bëri të ditur se kjo strukturë është ngritur me ish-punonjës policisë dhe do të shërbejë për të denoncuar blerjen e votës.

 

Më shumë

Varhelyi në Tiranë, 145 mijë vaksina donacion: Pa parlament të plotë nuk ecet drejt BE

Komisioneri europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi, tha sot në Tiranë se “pa një parlament të plotë nuk është e mundur të ecet drejt Bashkimit Europian”. Ai bëri këto komente në përgjigje të një pyetje lidhur me situatën politike në Shqipëri pas zgjedhjeve të 25 Prillit.   Opozita në vend i mbahet qëndrimit të saj […]

Socialistët fitojnë zgjedhjet me ndihmën e ndryshimeve kushtetuese

Partia Socialiste fitoi një mandat të tretë dhe të paprecedent në zgjedhjet e së dielës duke marrë afërsisht të njëjtën sasi votash me vitin 2017 ndërsa garimi i ndarë i PD dhe LSI i solli atyre mandate të humbura në disa fushëbeteja kyçe. Deri mëngjesin e së martës janë numëruar rreth 90% e kutive […]

“Terra Data” kompania izraelite e inteligjencës artificiale gjeti fituesin e zgjedhjeve në Shqipëri

Bëhet fjalë për “Terra Data Analytics”, një kompani e analizimit të të dhënave digjitale dhe e marketingut digjital, e cila ka parashikuar rezultatin e saktë të zgjedhjeve në vende të ndryshme, përfshirë këtu ato lokale në Turqi, zgjedhjet presidenciale në Kroaci, por edhe ato në SHBA e Izrael.   Në Tiranë është dikush që […]

Ambasadorja amerikane: Liderët politikë duhet të presin me durim rezultatin

Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim ka dhënë një deklaratë për shtyp nga KZAZ 39, ku u bëri thirrje kandidatëve dhe udhëheqësve politikë që të presin në qetësi dhe durim rezultatin e zgjedhjeve.   “Detyra e kandidatëve dhe udhëheqësve politikë është që të presin të qetë dhe me durim rezultatin. Në entuziazmin e momentit […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara