e shtunë 29 janar 2022
e shtunë 29 janar 2022

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka priti në Tiranë, komandantin e Komandës Ajrore të NATO gjeneral Tod D. Wolters, për të shënuar fillimin e zbatimit të paketës, që NATO ka parashikuar të investojë në Bazën Ajrore të Kuçovës, gjatë 5 viteve të ardhshme.

Dy bashkëbiseduesit vlerësuan maksimalisht rëndësinë që ka për sigurinë e Shqipërisë dhe rajonit ngritja e një baze të tillë në vendin tonë.

Vizita e gjeneral Wolters në vendin tonë shënon edhe fillimin e aktiviteteve për këtë vit që përkon me 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Më herët, gjeneral Wolters u prit me truprojë nderi nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku. Gjatë ceremonisë së mirëseardhjes, 4 avionë luftarakë të vendeve aleate që mbrojnë hapësirën ajrore të vendit tonë, fluturuan mbi kryeqytet.

 

***

Deklarata e plotë e ministres Xhaçka:

Përshëndetje të gjithëve!

Gjeneral Wolters, mirëseerdhët në Tiranë!

Edhe njëherë dua t’i uroj gjeneral Wolters dhe delegacionit të tij mirëseardhjen në Tiranë!

Është kënaqësi e veçantë që vitin 2019, që përkon me 10 – Vjetorin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, njëherësh edhe me 70 – Vjetorin e Krijimit të Aleancës, e nisim me një vizitë kaq të rëndësishme dhe me një lajm kaq të pozitiv, siç është fillimi i zbatimit të paketës, që NATO ka parashikuar të investojë në Bazën Ajrore të Kuçovës, gjatë 5 viteve të ardhshme.

10 vjet pas anëtarësimit në NATO Shqipëria është sot, jo vetëm një anëtar i denjë, por edhe një vend i sigurt, ku Aleanca ka vendosur të investojë kapacitetet e saj.

Baza Ajrore e Kuçovës do të jetë së shpejti një bazë e NATO, një projekt ky sa ambicioz, aq edhe i rëndësishëm jo vetëm për sigurinë tonë kombëtare, por mbi të gjitha për sigurinë rajonale.

Për të konfirmuar seriozitetin e Qeverisë Shqiptare në këtë projekt, Ministria e Mbrojtjes ka autorizuar, Agjencinë e NATO për Prokurimet dhe Mbështetjen – NSPA, për hartimin e master-planit për bazën e Kuçovës, sipas standardeve të kërkuara nga Aleanca. Ky master-plan i hartuar nga Agjencia e specializuar e NATO, do të jetë gati brenda pak muajsh, duke i hapur kështu rrugë fillimit, sa më shpejt të punimeve në terren. që sipas afateve të parashikuara mund të jetë edhe në krye të këtij viti.

Demonstrimi që pamë sot, nga disa prej komponentëve ajrore të NATO, i pari në historinë e vendit tonë, tregon qartazi fuqinë teknologjike më bashkëkohore të Aleancës në shërbim të mbrojtjes kolektive dhe të vlerave dhe parimeve të saj.

Vizita e komandantit të Komandës Ajrore të NATO është po ashtu një dëshmi e qartë, e vëmendjes dhe angazhimit të vazhdueshëm të Aleancës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Shqipërinë, por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Këto zhvillime, në bashkëpunim me Aleancën e Atlantikut të Veriut rrisin besimin, por dhe përgjegjësinë për të vazhduar me maturi angazhimin dhe kontributin e vendit tonë në arkitekturën e sigurisë së rajonit.
Shqipëria këtë vit është e angazhuar në kryesimin e një sërë nismash për sigurinë rajonale. Në bashkëpunim dhe me mbështetjen e fqinjëve tanë në NATO ne do të vazhdojmë të promovojmë një politikë për të zgjeruar gjurmën e stabilitetit dhe sigurisë kolektive. Kjo është e vetmja rrugë për të demonstruar qartë që vlerat euroatlantike janë zgjidhja, por edhe zgjedhja e vetme për Ballkanin Perëndimor.

Gjeneral,
edhe një herë faleminderit për vizitën tuaj në Tiranë, falemnderit për shërbimin që ju i bëni Aleancës dhe, ju mirëpresim në fluturimin e parë nga Baza e Kuçovës, tashmë një aset i shtuar për Aleancën!

 

***

Deklarata e plotë e gjeneral Wolters:

 

 

Zonja ministre, drejtues të lartë e të shquar civilë, gjeneralë dhe admiralë, anëtarë të forcave ushtarake, qytetarë të nderuar të këtij vendi, ndihem mjaft i nderuar që jam mes jush dhe i emocionuar që ndodhem në krah të një partneri të madh të NATO. Vështirë ta imagjinosh që vetëm dhjetë vite më parë, në pranverën e 2009-s, vendi juaj i mrekullueshëm u bë pjesë e aleancës dhe ja ku jemi vetëm dhjetë vite më vonë, festojmë nisjen e punës për përmirësimin infrastrukturor të bazës ajrore të Kuçovës.

Ajo çfarë presim të ndodhë gjatë muajve dhe viteve të ardhshme është përmirësimi i vazhdueshëm i infrastrukturës dhe çfarë do të ndodhë padyshim është që do të kemi një strehë ajrore në Kuçovë dhe jemi vërtet tepër të emocionuar për çuarjen para të kësaj kauze, sikurse edhe ky komb i mrekullueshëm dhe gjithashtu jemi të emocionuar për vrullin e kësaj fushate, çka e dëshmojmë edhe nga Shtabi i Komandës Ajrore të NATO, në lidhje me Forcat e Armatosura të Shqipërisë, forcë që ka ndikim tepër të fortë në një zonë të gjerë, që shtrihet nga ky kryeqytet në drejtim të Jugperëndimit dhe Juglindjes deri në Afganistan dhe Mali, e shtrihet deri në Veri, në Letoni dhe duke u kthyer në Kosovë dhe këtu, në këtë kryeqytet.

Paqja që ju siguroni në këtë pjesë të madhe territori është absolutisht e mrekullueshme për Aleancën dhe bën mrekulli për paqen dhe prosperitetin që gëzon rajoni. Dhe ishte gjithashtu rasti para pak minutash me privilegjin e jashtëzakonshëm të demonstrimit nga dy avionët luftarakë italianë dhe dy avionët luftarakë grekë F16 të cilët patën mundësinë të fluturojnë mbi vendin tuaj dhe të nderojnë shërbimin tuaj të mrekullueshëm ndaj rajonit, paqes dhe prosperitetit.

Faleminderit zj. Ministre për mikpritjen tuaj të shkëlqyer dhe ne presim me padurim të shërbejmë krah për krah me ju!

 

 

***
Pyetje – përgjigje:

TV News 24 (Aurora Golemi): Gjeneral Wolters, cila do të jetë natyra e Bazës Ajrore të Kuçovës dhe çfarë kapacitetesh do të ketë konkretisht.  Po nga pikëpamja e sigurisë kolektive çfarë do të thotë ky investim që krijon bazën e parë ajrore të NATO në Ballkanin Perëndimor?
Dhe pyetja ime për ministren është çfarë sjell prania e shtuar e NATO në këtë bazë ajrore dhe rëndësia e saj. Faleminderit!

Gjeneral Wolters:
Zj. Ministre dhe të nderuar pjesëmarrës, Kuçova përfaqëson një mundësi dhe inovacion në aftësinë tonë për të parë më mirë fushën betejës, përmirësime dhe tregues të mëdhenj në paralajmërimet dhe përmirësime në linjën e Komandim-Kontrollit.
Do të jetë një bazë, e cila zotëron kapacitetet e mbajtjes së avionëve luftarakë, do të jetë një repart, i cili zotëron kapacitetet për të mbajtur burimet e për të vëzhguar fushën e betejës, si dhe do të jetë një repart, i cili zotëron kapacitetet për të mbajtur mjetet e Komandim-Kontrollit të organizmave të ndryshëm që hyjnë e dalin në Shqipëri.

Faleminderit

Ministrja Xhaçka:
Padiskutim që Baza e Kuçovës është një lajm i jashtëzakonshëm edhe në aspektin politik jo vetëm në aspektin operativ. Shqipëria mbas 10 vitesh anëtarësi në NATO është një vend i cili shumë nga kufizimet e veta tenton që t’i tejkalojë me shumë dedikim edhe shumë profesionalizëm dhe lajmi për investimin e NATO në Bazën e Kuçovës është një lajm i jashtëzakonshëm jo vetëm për shqiptarët por edhe për rajonin, jo vetëm për sigurinë tonë por për sigurinë e rajonit.

Nuk mund të rri pa thënë që, pa diskutim është në aspektin kombëtar, është një lajm i jashtëzakonshëm sepse në 10 vjet e merr marrëdhënien mes Shqipërisë edhe NATO dhe e vë në një standard tjetër, në një standard padiskutim më serioz dhe e kthen vendin tonë nga një vend anëtar në një infrastrukturë të Aleancës, në një infrastrukturë të familjes tonë.

Padiskutim që dhe në aspektin e zhvillimit ekonomik për zonën dhe investimin që parashikohet atje, Kuçova është një lajm i jashtëzakonshëm.

Nuk mund të rri pa thënë edhe që Shqipëria ka një rol proaktiv dhe ka shërbyer si një avokat i dyerve të hapura dhe i perspektivës euroatlantike në rajon dhe ky investim i Aleancës këtu është dëshmi e një marrëdhënieje, e cila padiskutim e vë Shqipërinë dhe vlerëson rolin e saj jo vetëm për gjurmën e sigurisë dhe mbrojtjes që ajo vendos në territorin e vet, por për gjurmën e sigurisë edhe e mbrojtjes që ajo tenton të promovojë përmes dialogut, stabilitetit edhe paqes dhe rolit konstruktiv që luan në rajon.

TV Klan (Erikleda Dorezi): Në fakt pyetja është për gjeneral Wolters: Përse u zgjodh pikërisht Shqipëria për bazën ajrore të NATO dhe a janë parashikuar investime të tjera në të ardhmen në vendin tonë?

Gjeneral Wolters:
Mund të flas për Kuçovën, Kuçova ka karakteristika të veçanta, një pistë egzistuese me një infrastrukturë të mrekullueshme, që ndodhet në një pozicion gjeografik të përshtatshëm në lidhje me vendin tuaj dhe me Ballkanin Perëndimor.
Gjithashtu është një pozicion gjeografik që na ofron neve mundësi shumë të mira atmosferike të motit duke mundësuar ngritjen dhe uljen çdo ditë të avionëve në Kuçovë falë kushteve natyrore atmosferike të shkëlqyera.
Faleminderit!

 

 

 

 

 

 

Më shumë

Nis në Shqipëri stërvitja “Defender Europe 2021”, marrin pjesë tre gjeneralët më të lartë të NATO

Me pjesëmarrjen e veçantë të tre gjeneralëve më të lartë të Aleancës së NATO, por edhe të mjaft autoriteteve të larta nisi nga Durrësi stërvitja më e madhe ushtarake në rajonin e Ballkanit Perëndimor, “Defender Europe 2021”.   Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi teksa shprehu mirënjohjen që u zgjodh Shqipëria si një ndër 12 […]

Ushtria e SHBA dhuron 29 automjete shumëpërdorimshme për FA

Njëzet e nëntë automjete shumëpërdorimshme me lëvizshmëri të lartë (Humvee) mbërritën sot në portin e Durrësit.   Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë bën të ditur se këto automjete janë dhurim për Forcat e Armatosura të Shqipërisë nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.   Sipas ambasadës së Shteteve të Bashkuara […]

Stërvitja më e madhe ushtarake e NATO në Shqipëri, Kim: Shqipëria, vend kryesor pritës

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, mori pjesë pasditen e sotme në një takim të organizuar në Presidencë, ku të pranishëm ishin edhe kryeministri Rama, lideri i opozitës Basha, si dhe gjeneral-major Joseph Jarrard, Zv. Komandant Gjeneral i Ushtrisë së SHBA në Europë.     Në fokus të takimit ishte stërvitja “Defender Europe […]

Në vjeshtë nis puna për Bazën Ajrore të NATO-s në Kuçovë

Punimet për rindërtimin e Bazës Ajrore të Kuçovës pritet të nisin në muajin tetor të këtij viti. Lajmin e dha ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili u njoh me infrastrukturën aktuale të kësaj baze dhe planin për investimin e NATO-s.   I shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Bajram […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara