Albanian Profile
e shtunë 4 dhjetor 2021
e shtunë 4 dhjetor 2021

 

Burimet e të ardhurave të familjeve në 10 vitet e fundit tregojnë se ekonomia shqiptare ka qëndruar në vendnumëro në modelin e saj të zhvillimit.

 

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, të përfituara nga një anketë e posaçme, burimi kryesor i të ardhurave në familje mbetet pensioni, ku shihet se në 33% të familjeve të anketuara, kjo e ardhur ishte kryesorja.

 

Edhe në vitin 2010, pensioni kishte të njëjtën peshë në të ardhurat e familjeve, pasi 31% të tyre e kishin përcaktuar si burim kryesor. Me plakjen e popullsisë dhe largimin e më shumë familjeve në emigracion, shihet se të ardhurat nga pensioni e kanë zgjeruar peshën në të ardhurat e familjeve gjatë dekadës me 2%.

 

Burimi i dytë më i madh i të ardhurave, në 26%, në familjet shqiptare, është punësimi në sektorin privat. Ky burim të ardhurash shihet të jetë reduktuar nga viti 2010, ku raportohej se 27% e familjeve i siguronin të ardhurat në këtë mënyrë.

 

Burimi i tretë më i madh janë të ardhurat nga vetëpunësimi, të cilat janë mjeti kryesor për jetesën e 24%% të familjeve. Në raport me vitin 2010, familjet që sigurojnë të ardhurat nga vetëpunësimi janë rritur me 4 pikë përqindje. Vitet e fundit, të vetëpunësuarit janë në krizë për shkak të konkurrencës nga zinxhirët e mëdhenj dhe rënies së konsumit.

 

Burimi i katërt më i madh i të ardhurave është sektori shtetëror, burimi kryesor për 11% të familjeve shqiptare. Ky burim të ardhurash ka pësuar rënie të peshës me 2 pikë përqindje nga viti 2010.

 

Remitancat janë ende një furnizues i madh me të ardhura i ekonomive familjare. Në 6-mujorin e parë të këtij viti, 5% e familjeve shqiptare kanë pohuar se kishin burim kryesor të ardhurash prurjet nga emigracioni. Pesha e tyre në raport me vitin 2010, ka pësuar ulje me 2 pikë përqindje, por për një përqindje më të madhe familjesh, remitancat vijojnë të jenë një ndër burimet kryesore të të ardhurave.

 

Vetëm 1% e familjeve kanë raportuar burim kryesor të ardhurash asistencën sociale, në raport me 3% të familjeve në vitin 2010. Ndërsa është rritur numri i familjeve që kanë si burim kryesor, të ardhura nga qira ose nga dividendët në 2% të totalit të familjeve në anketë, në vitin 2010 ishin vetëm 1% e familjeve që i siguronin të ardhurat në këtë mënyrë.

 

Më shumë

93% e aplikimeve për kredi bankare nga individë

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, 93% e aplikimeve për kredi bankare u takonin individëve.   Sipas BSH-së, pesha e kredisë për individët, në strukturën e aplikimeve totale është rritur më shumë krahasuar me një vit më parë.   Gjatë gjashtëmujorit të parë 2021, bankat […]

Prodhimi i energjisë elektrike në rekord shumëvjeçar

Në periudhën janar-gusht të këtij viti, Shqipëria prodhoi gati 7.1 miliardë kWh, nga të cilat, 1.4 miliardë u eksportuan dhe 1.1 miliardë të tjera u humbën. Mbiprodhimi në muajt e verës bëri që niveli i liqenit të Fierzëz të bjerë në 274.3 metra, pesë metra më pak se sa mesatarja shumëvjeçare dhe në një […]

KESH dhe OSHEE mbi 680 milionë euro borxhe

Kompanitë publike të sektorit të energjisë elektrike, KESH dhe OSHEE kanë në bilancet e tyre mbi 680 milionë euro borxhe. Shanset që këto kompani të shlyejnë detyrimet ndaj njëra-tjetrës dhe shtetit, në këtë periudhë krize janë të pakta, duke shtuar rrezikun që barra të rëndojë mbi taksapaguesit.   Sektori energjetik rrezikon të kthehet […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara