Këto ditë Kastriot Krasniqi e ka kalendarin plot. Paradite në punë, në një kompani sigurimesh, pasdite në fushatë. 29-vjeçarit të lindur në Kosovë i duhet të sqarojë në këto takime jo vetëm politikën që përfaqëson, por shpesh edhe se si shqiptohet emri që shihet këto ditë në posterat e qarkut Rheinisch-Bergisch. “Unë e them me shumë kënaqësi që jam nga Kosova”, thotë Krasniqi në një intervistë për DW. “Është pjesë e identitetit tim të dyfishtë gjerman dhe kosovar”.
Krasniqi ka ardhur në Gjermani në moshën dyvjeçare. “Ndoshta ka qenë pikërisht përvoja si fëmijë refugjatësh, në vitet ’90, ajo që ma ka rritur ndjeshmërinë për t’u angazhuar kundër padrejtësive”, hamendëson Krasniqi, teksa rrëfen për DW rrugëtimin e tij në partinë socialdemokrate (SPD), ku ka hyrë në moshën 14-vjeçare dhe sot është nënkryetar i degës së qytetit Bergisch Gladbach.
Kastriot Krasniqi, 29 vjeçar, kandidat i drejtpërdrejtë i socialdemokratëve në zonën Rheinisch Bergischer Kreis
Respekt, ky është slogani me të cilin, kandidati kryesor i kësaj partie, Olaf Scholz, kërkon votën e gjermanëve. Qarku i Krasniqit, i cili ndodhet në landin e kandidatit kryesor të CDU-së, Armin Laschet, është një bastion i CDU-së, prej vitit 1972. Por simpatia për këtë parti vitet e fundit ka rënë. Shanset që Krasniqi të dalë fitues kundrejt rivalit kristdemokrat, një profesor ekonomie që është deputet në Bundestag, nuk janë shumë të mëdha. Por Krasniqi është i qetë: 50 me 50 për qind thotë ai. Nëse Krasniqi do të dalë fitues, ai do të jetë kosovari i parë, madje shqiptari i parë, që hyn në Bundestag si deputet.
“Uau, do guxosh vërtetë?”
Krasniqi është njëri nga gjithsej katër gjermanët me prejardhje shqiptare që DW zbuloi në listën e mbi 6000 kandidaturave për Bundestagun e 20-të. Tre të tjerët kandidojnë nëpërmjet listave. Njëri prej tyre, Kolë Gjoka, kandidon për herë të dytë. Në zgjedhjet e vitit 2017 ai kishte qenë shqiptari i parë që kishte marrë guximin të ofrohej për të përfaqësuar në Berlin një elektorat gjerman.
“Uau! vërtet do guxosh?”, ishte reagimi i kolegëve të partisë së tij, Unionit Kristdemokrat, kur ua prezantoi idenë. për herë të parë. Këtë pyetje Kolë Gjoka e kishte dëgjuar edhe një herë tjetër. Vite më parë, kur donte të blinte servisin e automjeteve, që tani i përket atij. I lindur dhe i rritur në Mirditë, shkolluar si ushtarak dhe inxhinier në Tiranë, 51-vjeçari e përshkruan veten si dikush që po pati një ide, nuk e lë pa e realizuar.
Një shenjë për mërgimtarët
Të guxosh të dalësh mbi kolegët e partisë e të garosh kundër tyre, nuk është diçka e lehtë. Por Kolë Gjoka nuk donte të ishte një numër në parti, që vetëm ngre dorën dhe tund kokën, kur të tjerët marrin vendime. Tani ai është kryetar i degës së CDU-së në Elmshorn dhe sërish ka guxuar të kandidojë. Shanset që të fitojë këtë radhë janë edhe më të pakta: Kjo falë rënies që pritet të pësojë CDU-ja pas largimit të kancelares Merkel, por edhe sepse CDU-ja tani ka vendosur kuota për gra, çka e zhvendosi Gjokën në numrin 33 nga 19 që ishte në zgjedhjet e mëparshme.
Kolë Gjoka në një bisedë me kancelaren gjemrane Angela Merkel
Gjoka i njeh mirë sfidat që i dalin përpara një mërgimtari: “Kur erdha në vitet ’90 në Gjermani, si refugjat, nuk kishte as skuadra mikpritjeje e as kurse integrimi për azilkërkuesit”, kujton Kolë Gjoka, në një intervistë me DW. Muajt e parë i kalova duke “trokitur derë më derë te sipërmarrjet e qytetit për të kërkuar punë”. Dikur, njëra nga këto porta iu hap, në kompaninë e servisit të makinave, ku pas dy vjetësh, do të bëhej menaxher e më pas pronar. Sipërmarrësi shqiptaro-gjerman, i cili tashmë është emëruar prej Ambasadës së Shqipërisë edhe konsull nderi për Gjermaninë Veriore, angazhohet në mënyrë të veçantë për komunitetin shqiptar edhe në kryesinë e Shoqatës Ekonomike Gjermano-Shqiptare.
Përfaqësimi më i ulët se realiteti
Integrimi i migrantëve është një temë që në këtë fushatë elektorale është trajtuar shumë pak, megjithëse si çështje nuk është kapërcyer ende. Sipas censusit të vitit 2019, mbi një e katërta e qytetarëve të Gjermanisë kanë një sfond mërgimi. Platforma informative MEDIENDIENST Integration, thotë se migrantët përbëjnë 12 përqind të elektoratit të sotëm. Një përqindje kjo që nuk pasqyrohet në përbërjen e parlamenteve aktuale.
Salla Plenare e Bundestagut, vetëm 8,2 përqind e deputetëve janë me sfond mërgimi
Në Bundestagun e dalë prej vitit 2017 ishin vetëm 8,2 përqind e deputetëve me sfond mërgimi. Madje grupi parlamentar i CDU/CSU-së ku aspironte të merrte pjesë Gjoka kishte pjesëmarrjen më të ulët të migrantëve, me 2,3%. Madje, edhe grupi parlamentar i partisë së djathtë populiste, AfD, Alternativa për Gjermaninë, kishte me 8,7% një përfaqësim mbi mesataren të gjermanëve me sfond mërgimi. Të majtët zënë vendin e parë (18,8%), pasuar nga të Gjelbrit (14,9%) dhe socialdemokratët (9%). Liberalët janë të parafundit me 6,7%. DW
Në rast krize të sakrifikohet zona e Shengenit?
Olaf Scholz – kancelari i ri i Gjermanisë
Europa të bëhet një shtet i vetëm, si SHBA: Del plani gjerman!
Nisin protestat masive në Bruksel, qytetarët kundërshtojnë masat anti-Covid
Europa nuk pranon propozimet e Iranit në negociatat bërthamore
Gjermani: Vaksinimi me detyrim – Rrezik radikalizimi?
Polonia po përballet me një krizë të madhe emigrantësh ndërsa mijëra njerëz po përpiqen të hyjnë në territorin e saj nga Bjellorusia. Autoritetet polake kanë krijuar një të ashtuquajtur “zonë përjashtimi”, ku nuk lejohen të futen vullnetarët që duan të ndihmojnë emigrantët që mbërrijnë në tokën e Bashkimit Evropian. Korrespondenti i Zërit të Amerikës […]
Kur Daphne Caruana Galizia u vra në një sulm me bombë me makinë më 16 tetor 2017, kjo shkaktoi shqetësim jo vetëm në Evropë, por në mbarë botën. Por gazetarja malteze nuk është e vetmja që i është dashur të paguajë me jetën e saj për hulumtimet e saj mbi korrupsionin dhe pastrimin […]
Për herë të parë që pas fundit të Luftës së Ftohtë bllokohet informimi nga Deutsche Welle në hapësirën post-sovjetike. Bjellorusia e ka bllokuar median për botën e jashtme. Ç’qendron pas kësaj? Kjo shënon një pikë-kthese. Mbi 30 vjet Deutsche Welle ka transmetuar pa u penguar programet e saj në BRSS dhe në republikat […]
Industria e ndërtimit ka një problem të madh me mungesën e fuqisë së kualifikuar punëtore – kjo edhe për faktin se punëson shumë pak gra. Çfarë duhet bërë për të ndryshuar gjendjen? “Püppi në punë” është një influencere e njohur në punën e saj të dytë. Gruaja e re me flokë të kuqe […]