Sunday 24 September 2023
Sunday 24 September 2023

 

 

Muaji gusht i këtij viti shënoi një moment kulmor jo vetëm në marrëdhëniet tradicionalisht konfliktuale Turqi-Greqi, por edhe në përfshirjen e pothuajse të gjithë shteteve që kanë dalje në Mesdhe në kontradiktat mbi ndarjen e zonave ekskluzive ekonomike, të cilat në dy-tre vitet e fundit janë edhe objekt kërkimesh për naftë dhe gaz natyror.

 

Përballja detare midis Turqisë dhe Greqisë nisi me dërgimin e një anijeje kërkimesh nënujore turke në zonën detare të kontestuar midis dy vendeve, në ujërat pranë ishullit grek Kastelorizo. Prania e njësive të mëdha ushtarake detare të të dy palëve, anëtare të NATO-s, çoi padyshim në rrezikun real të shpërthimit të një konflikti që nuk do të mbetej i kufizuar vetëm midis tyre, por do të shndërrohej shpejt në shumëpalësh. Kjo për shkak se në zonat ku Turqia mëton se ka të drejtën e shfrytëzimit të resurseve detare, ndeshen tashmë interesat e Francës, Egjiptit, Qipros, Italisë dhe Izraelit. Turqia e pa veten jo vetëm të rrethuar nga një zinxhir vendesh jomiqësorë ndaj saj, por edhe të izoluar në planin më të gjerë, pasi si SHBA, ashtu edhe BE, nuk morën aspak anën e saj, përkundrazi, përcaktuan nevojën e sanksioneve. Turqia nuk gjeti mbështetje morale as nga vendet arabe. I vetmi vend me të cilin Turqia mundi të nënshkruajë një marrëveshje për këtë qëllim është Libia, por dihet, ky nuk është ende një vend i organizuar, që pas rënies së regjimit të Gedafit, ndaj marrëveshjet me qeveritë provizore të tij janë relative.

 

Zbulimi i rezervave të naftës dhe të gazit në Mesdhe ka ndryshuar gjeopolitikën e këtij rajoni të botës në vitet e fundit dhe Turqia, e cila apostafat nuk e ka nënshkruar Konventën e Ligjit të Detit të Kombeve të Bashkuara (UNCLOS), u gjet e papërgatitur për të përballuar një reaksion zinxhir kundër saj në Mesdhe. Kjo shënon një dështim të plotë të politikës së jashtëme të Turqisë në këtë rajon. Goditjen maksimale e merr kështu pesha specifike e këtij vendi, por njëkohësisht dështon edhe plani afatgjatë i Ankarasë për t’u shndërruar në një fuqi energjitike dhe në një nyje të rishpërndarjes së naftës dhe të gazit në Europë. Tashmë, vendet si Franca, Italia, Izraeli dhe Qipro e kanë orientuar drejt impianteve ekzistuesë që lidhin Egjiptin me Europën sasinë e naftës e të gazit që platformat e tyre në Mesdhe arrijnë të nxjerrin në sipërfaqe. Për shkak të politikave agresive sa edhe konfuze të Ankarasë dhe ambicjeve otomane të saj, Turqia duket se ka dalë krejt jashtë lojës energjitike në Mesdhe. Këto politika antiperëndimore kanë bërë që Turqia të mos përfitojë as nga mundësia e apelimit të disa të drejtave legjitime të saj në këto ujra. Kjo e irriton edhe më shumë Ankaranë dhe e shtyn të ndërmarrë aksione që mund të jenë të dëmshëm për stabilitetin mesdhetar, po aq sa edhe për vetë Turqinë. Ky vend, një nga anëtarët më të fuqishëm të  NATO-s, pa qartë se sa i izoluar është në planin e Aleancës, për shkak edhe të mosmarrëveshjeve të shumta dhe të tensioneve që ka krijuar edhe me SHBA në vitet e fundit. Po ashtu, Turqia ka humbur, ndoshta njëherë e përgjithmonë, marrëdhëniet e privilegjuara që ka patur me Izraelin, për shkak të mbështetjes që i jep organizatave terroriste palestineze e veçanërisht Hamasit në Gaza. Këto politika dhe megalomani të Erdoganit e kanë shtyrë Turqinë të hyjë në një rrugë pa dalje, në një moment krize të rëndë ekonomike dhe rënieje drastike të vlerës së Lirës Turke, monedhës së vendit.

 

Turqisë së pas Erdoganit, do t’i duhet shumë punë dhe mund për të rekuperuar diçka nga pozitat e humbura në planin ndërkombëtar e sidomos në politikën mesdhetare të saj. Një shans për këtë po ia jep sërish Gjermania, me qëndrimin e saj të moderuar ndaj Turqisë brenda BE-së, ndërsa Italia, Malta dhe Spanja, të cilët me Turqinë bashkëndajnë interesa jo të paktë ekonomikë dhe tregëtarë, bëjnë lojën e asnjanësit brenda BE-së.

 

Nga sa duket, Erdogan nuk ka asnjë qëllim të reflektojë e të riformulojë politikën mesdhetare të Turqisë, por, përkundrazi, i ka hyrë një retorike antikapitaliste dhe antikoloniale të ngjashme me atë të regjimit të Moduros në Venezuelë. Kjo mund të thellojë më shumë izolimin e Turqisë, por edhe krizën në Mesdhe. Tashmë, edhe sikur Turqia të mos tentojë më ta kalojë vijën e kuqe, Mesdheun në Jug të Kretës, kriza mbetet gjithsesi një nyje e komplikuar që ka nevojë për një forcë madhore për t’u zgjidhur. BE, megjithë proklamat dhe sanksionet, me përçarjen sipas interesave brenda saj, nuk ka as këllqet dhe as forcën morale të zgjidhë krizën në Mesdhe. Forca e vetme që mund t’i zgjidhë problemet e akumuluara janë SHBA. Dhe kështu duket se do të ndodhë. Pas ndërhyrjes efikase në arritjen e një marrëveshjeje paqeje midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuar, pas rolit të planit të parë që po marrin në zgjidhjen e konfliktit Serbi-Kosovë, një ndërhyrje për zgjidhjen e ngërçit të rrezikshëm në Mesdhe do t’i jepte administratës Trump një tjetër kartë të rëndësishme kredibiliteti e prestigji ndërkombëtar, në prag të zgjedhjeve të reja amerikane për Presidentin e ardhshëm.

 

Më shumë

Duke shpresuar se Omicron nuk do të shkatërrojë Krishtlindjet, Betlehemi ndez dritat e pemës

BETHLEHEM, Bregu Perëndimor, 4 dhjetor (Reuters) – Banorët ndezën një pemë gjigante të Krishtlindjeve jashtë Kishës së Lindjes së Betlehemit të shtunën, duke shpresuar që një variant i ri i koronavirusit të mos prishë një sezon tjetër pushimi në vendlindjen tradicionale të Jezusit. Betlehemi u mbyll vetëm Krishtlindjet e kaluara, duke humbur sezonin […]

Zgjerimi i ndikimit turk rrit tensionet me Iranin

Arrestimi i agjentëve iranianë në Turqi muajin e kaluar, thonë analistët, është shenja më e fundit e rritjes së tensioneve midis dy fqinjëve. Kjo po ndodh ndërsa Turqia po zgjeron ndikimin e saj në rajonin e Kaukazit në dëm të Iranit.   Forcat turke të sigurisë arrestuan agjentët iranianë për të cilët Turqia […]

Energjia atomike energji e gjelbër?

Gjermania dhe disa shtete të BE kundërshtojnë kategorizimin e energjisë atomike si energji të gjelbër. Por shumica e vendeve të BE e mbështet këtë, mes tyre edhe Franca.     Gjermania dhe katër shtete të tjera e kundërshtuan hapur në Glasgou, ku përfundoi Konferenca Botërore për Klimën, kategorizimin e energjisë atomike si energji të […]

Izraeli mohon akuzat për spiunazh në Turqi

Izraeli është angazhuar për lirimin e një çifti izraelit të cilët janë dërguar në mbajtje nga ana e autoriteteve turke, tha kryeministri izraelit, Naftali Bennett.   Media shtetërore turke ka thënë se izraelitët e ndaluar ishin spiunë.   Kryeministri Bennett tha përmes një deklarate se ai ka biseduar me familjen e dy izraelitëve, […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara