e martë 21 shtator 2021
e martë 21 shtator 2021

 

 

Zgjedhje të qeta dhe transparente me keqpërdorim burimesh administrative nga PS-ja – thotë ODHIR në raportin përfundimtar për zgjedhjet parlamentare 2021 në Shqipëri.

 

Raporti përfundimtar i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan më 25 prill 2021 në Shqipëri përmban aspekte pozitive, mangësi në procesin zgjedhor si edhe rekomandime për t’u zbatuar nga autoritetet e Shqipërisë.

 

Zgjedhje të qeta, transparente, votë e fshehtë

 

Raporti e vlerëson procesin e votimit më 25 prill 2021 si ” të qetë, transparent dhe me fshehtësinë e votës, kryesisht të respektuar”. Pjesëmarrja e zgjedhësve në votim ishte 46,3 përqind, thekson raporti në fjalë. Numri i votuesve të regjistruar për zgjedhjet parlamentare 2021 ishte 3,5 milion vetë, duke përfshirë edhe ata që banojnë jashtë Shqipërisë.

 

Partia në pushtet keqpërdori burimet administrative

 

Ashtu si edhe në raportin paraprak, të publikuar një ditë pas zgjedhjeve apo në intervistën ekskluzive për DW të Drejtueses së Misionit të OSBE / ODIHR-it, ambasadores Urszula Gacek, pas ditës së zgjedhjeve, dhe në raportin përfundimtar cilësohet si problem shqetësues keqpërdorimi i burimeve administrative.

 

“Partia në pushtet pati avantazh domethënëssi nga kontrolli prej saj i administratave lokale ashtu edhe nga keqpërdorimi i burimeve administrative, ” theksohet në raportin përfundimtar.

 

Raporti vë në dukje që “pavarësisht strukturës së fuqishme ligjore për të ndaluar keqpërdorimin e burimeve administrative dhe pamundësuar përdorimin e posteve, ministrat bënë fushatë gjatë angazhimeve të tyre zyrtare. Presioni ndaj nëpunësve civilë ishte shqetësues. Publiciteti për ngjarjet zyrtare i dha partisë në pushtet një avantazh domethënës.” konstaton raporti.

 

Misioni i Vëzhguesve Ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it ka vënë në dukje edhe qëndrimin e Presidentit Ilir Meta, kur raporton se ” Presidenti bëri fushatë, në mënyrë zyrtare, kundër partisë në pushtet.”

 

Shit-blerja e votës mbetet shqetësim

 

Raporti konstaton që “pretendimet për shit-blerjene votës nga partitë politike ishin të përhapura gjatë fushatës, gjë që ka çuar në hapjen e një numri hetimesh. Praktikat e përhapura për blerjen e votës, si pretendohet nga partitë politike mbetet shqetësim.”

 

Shit-blerja e votës është një problem kronik ne proceset zgjedhore të zhvilluara në Shqipëri në 25 vitet e fundit.

 

Presion ndaj medias

 

Gazetarët mbeten të prekshëm nga presioni dhe korrupsioni, vëren raporti. “Pavarësia editoriale ndikohet në mënyrë negative nga interesat e pronarëve të medias, gjë që shkakton autocensurë tek gazetarët. Gazetarët mbeten të prekshëm nga korrupsioni dhe presionet. Rregullatorët që drejtojnë mbulimin mediatik të fushatës ngushtuan aksesin në media të partive të vogla dhe të kandidatëve të pavarur për deputetë.

 

Kanalet televizve nuk patën mbulim të thellë dhe analitik të gjithë pjesëmarrësve në garë. Kjo, e kombinuar me materialet e prodhuara nga partitë për edicionet e lajmeve, solli mundësi të kufizuara të votuesve për të bërë një zgjedhje të informuar. Për fat të keq, nuk u organizua asnjë debat televiziv midis udhëheqësve politikë.” thekson raporti.

 

Rrjedhja e informacionit për të dhënat personale

 

Raporti konstaton që për rreth 900 mijë qytetarë të Shqipërisë, para zhvillimit të votimit, pati rrjedhje informacioni lidhur me të dhënat e tyre të ndjeshme “duke përfshirë edhe preferencat e tyre politike, që rrodhën para zgjedhjeve, përbëjnë një shqetësim serioz, pasi i bënë votuesit të prekshëm nga presioni” vëren raporti.

 

Rekomandime për t’u plotësuar

 

Raporti ofron një serë rekomandimesh që duhet të plotësohen nga autoritetet, që zgjedhjet parlamentare 2025 në Shqipëri të jenë “në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e ndërkombëtare për zgjedhjet demokratike”.

 

Në krye të tyre qëndron “rishikimi i kuadrit logjor për të adresuar rekomandimet e paplotësuara te ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, përmes një konsultimi të hapur dhe githëpërfshirës. “Prezantimi i ndryshimeve ligjore duhet bërë shumë kohë para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare” rekomandon OSBE/ODIHR-i.

 

Rekomandimi tjetër ka të bëjë me garantimin e të drejtës për zgjedhje të lirë dhe vote të fshehtë si edhe me parandalimin e presioneve “për të zbuluar nëse dhe sesi votuan zgjedhësit.”

 

Lidhur me shit-blerjen e votës, rekomandohet të “intensifikohen përpjekjet për të identifikuar dhe ndjekur penalisht raste e tilla si edhe për të inkurajuar qytetarët që t’i raportojnë ato dhe siguruojnë prova për shit-blerjen e votës ose presioneve.”

 

Situata e medias në Shqipëri ka sjellë edhe rekomandimin përkatës që ka të bëjë me “ndryshimin e legjislacionit, për të siguruar që media të jetë në gjendjë të mbulojë në mënyrë të pavarur aktivitetet zgjedhore dhe të kufizojë përdrimin në edicionet e lajmeve të materialeve të prodhuara në zyrat e partive.”

 

Lidhur me me të dhënat personale, në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it nga vëzhgimi i Zgjedhjeve Parlamentare 2021 në Shqipëri rekomandohet që të sigurohen “të dhënat personale të qytetarëve dhe të bëhet hetimi dhe ndjekja e plotë ligjore për cdo shkelje që ndikon në besimin e publikut në procesin zgjedhor.”

 

Në Misionin e Vëzhguesve Ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet palamentare 2021 në Shqipëri u angazhuan përfaqësues nga 57 vende, anëtare të OSBE-së.

 

Më shumë

Grup parlamentar paralel me PD

Pasditen e se mërkurës, aleatët e Partisë Demokratike pritet të mblidhen për të diskutuar për mënyrën se si do të strukturohen dhe organizohen në Kuvend.   Rregullorja e Kuvendit, sanksionon që një grup parlamentare nuk mund të krijohet pa pasur 7 deputet.   Asnjë nga forcat politike me përjashtim të demokratëve dhe socialistëve […]

Kancelarja Merkel viziton Shqipërinë më 14 Shtator

Kancelarja gjermane Angela Merkel do të vijë në Shqipëri më 14 Shtator. Bëhet me dije se vizita e kancelares gjermane vjen në kuadër të procesit të Berlinit.   Kjo do të jetë vizita e fundit e Merkel si kancelare jashtë vendit. Ajo do të takojë liderët e Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria dënoi aneksimin e Krimesë, reagon Rusia

Rusia ka reaguar për Samitin “Platforma për Krimenë” të zhvilluar pak ditë më parë ku mori pjesë edhe Shqipëria me përfaqësuese ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Kuvendin, Elisa Spiropali.   Samiti miratoi një deklaratë të përbashkët për mbështetjen e Ukrainës kundër agresionit rus në rastin e Krimesë.   “Mbështetje e palëkundur për integritetin […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara