Tuesday 3 October 2023
Tuesday 3 October 2023

 

Iniciativa “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, që Kosova e ka kundërshtuar edhe më parë. Iniciativën për “Open Balkan” e përkrahin Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

 

Kryeministri i Shqipërisë dhe disa nga udhëheqësit politikë në Kosovë si të partive në pushtet edhe atyre në opozitë po vazhdojnë përplasjen në distancë rreth idesë për një Ballkan të hapur, apo siҫ njihet tashmë “Open Balkan”. Në një postim të gjatë në Facebook, kryeministri shqiptar Rama duke iu përgjigjur shumë komentuesve nga Kosova, të cilët e akuazuan për siҫ thonë “afërsinë e tij me Vuçiçin”, veç të tjerash shkroi edhe për refuzimin e Kosovës që të jetë pjesë e iniciativës “Ballkani i Hapur”, që deri disa javë më parë njihej si mini-Shengeni Ballkanik.

 

Rama mbron idenë e Open Balkan

Rama shkroi se kjo retorikë nuk i shërben Kosovës dhe diplomacisë së saj. “Ballkani i Hapur është jo vetëm rruga e të ardhmes për prosperitetin e kombit shqiptar, si komb europian që përkatësinë e vet e ka në Europën e Bashkuar, por është edhe një mundësi e re dhe e madhe më shumë, në rrugën drejt njohjes së Kosovës nga Serbia; sa për një nga shumë shembuj të dobisë së madhe të Ballkanit të Hapur, kush nuk do që ta kuptojë pse Ballkani i Hapur e heq më në fund kufirin mes Shqipërisë e Kosovës, le të më thotë pse nuk e kanë hequr dot deri më sot, ata që e kanë premtuar me bujë dhe pse nuk e heq dot pa Ballkanin e Hapur atë kufi, asnjë prej atyre të cilëve “nuk u han luli” për aleatët e pazëvendësueshëm strategjikë të Kosovës e të Shqipërisë bashkë, që e mbështesin plotësisht nismën Open Balkan”, tha kryeministri Rama. E për mbështetjen e perendimit për “Open Balkan”, Rama i referohet edhe qeverisë gjermane duke thënë  hapur “qeveria gjermane e mbështetë këtë nismë”.  Rama iu përgjigjet kritikëve, se “nuk jam tradhtar, por nuk heq dorë nga ‘Ballkani i Hapur'”.

 

Kundërshtime nga Kosova

 

Bashkëpunimin rajonal e duan të gjitha palët, por procesin e Open Balkan Kosova e kundërshton. Iniciativën për “Open Balkan”, deri tani e përkrahin vetëm Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla e refuzoi bashkimin me këtë nismë, duke e cilësuar devijim të rrugës së Kosovës drejt BE-së. “Si Republikë e Kosovës, iniciativën e Novi Sadit, në ndërkohë të “mini-Shengenit”, e tash e “Ballkanit të Hapur”, e konsiderojmë si të rrezikshme, sepse krijohet përshtypja se kemi alternativë ndaj rrugës sonë të përbashkët si rajon, drejt BE-së dhe përçimin e këtij mesazhi ne e konsiderojmë se është më i rrezikshëm sesa vonesat që mund të ndodhin ndërkohë, gjatë procesit tonë të integrimit”, ka thënë ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

 

Edhe kryetarja e Grupit Parlamentar e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se “të gjitha partitë në Kosovë kanë shprehur kundërshtitë e tyre për iniciativën “Ballkani i Hapur” (Open Balkans), pasi sipas saj, kjo nismë është e “dëmshme” për faktin se Serbia është bosht i kësaj iniciative. “Për ne, absolutisht ka qenë një proces që prej fillimit nuk është mbështetur dhe e kemi konsideruar si një proces, e para paralel dhe e dyta të dëmshëm në momentin kur Serbia bëhet bosht i një iniciative, siç është rasti i ‘mini-Shengenit’ dhe (tani) ‘Open Balkan’”, tha Mimoza Kusari-Lila pas një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

 

Si mund të evitohen keqkuptimet?

 

Përplasjet në distancë ndërmjet politikës kosovare dhe asaj të Shqipërisë janë kthyer në debat mes analistëve politikë. Blerim Burjani, analist politik  i tha DW-së se “keqkuptimet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mund të evitohen nëse bashkëpunohet më ngushtë në fushën ekonomike”. “Ballkan Open është ide që do të duhej së pari Kosovë-Shqipëri të bisedojnë për përparësitë dhe për mangësitë e një projekti të tillë në mënyrë që të shmangeshin keqkuptimet e ndërsjellta. Edi Rama  ka avancuar ne këtë ide jashtë angazhimit të Kosovës për të trajtuar fillimisht tema të kësaj natyre që nuk janë të reja dhe të panjohura për Kosovën, që dikur ishte përmend si “Ballkania”. Keqkuptimet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mund të evitohen  duke bashkëpunuar  ngushtë dhe sinqertë në fushën ekonomike e që një kohë të gjatë ka munguar ky sinqeritet në mes dy shteteve”, thotë Blerim Burjani.

 

Sipas analistit Burjani, kryeministri shqiptar Edi Rama, e sheh nismën e Balkan Open si një projekt për përfitim ekonomik sesa politik. “Realisht kryeministrit Rama, nisma e Balkan Open i konvenon nga aspekti ekonomik dhe turistik, që në fakt më shumë duket turistik se sa ekonomik si  interes i Shqipërisë. Raporti i tij jo i mirë me politikën kosovare, duket të jetë më shumë personal se sa ndër-shqiptar, pasi shqiptarët dhe interesat e tyre janë interesa më të gjera se sa interesat e tjera. Open Ballkan për momentin duket me shumë  të panjohura në kuptimin politik, ashtu siҫ e mendon Prishtina, përderisa Tirana zyrtare e mendon puro interes ekonomik dhe avancim të lirive ekonomike”, thotë Burjani.

 

Kosova ka premtuar, se do t’i bashkohej, “mini-Shengenit” në Marrëveshjen e Uashingtonit, të nënshkruar më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, marrëveshje kjo, e cila në dy dokumente të ndara u nënshkrua në prani të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Në Kuvendin e Kosovës, më 6 gusht, nuk u miratua një rezolutë ku i kërkohej Qeverisë së Kosovës që të zbatonte Marrëveshjen e Uashingtonit. Gjatë votimit për këtë rezolutë, që sipas ligjeve në Kosovë, nuk janë detyruese, por shprehin vullnetin politik,  deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që është në pushtet abstenuan. Ideja e “mini-Shengenit” është prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Më 29 korrik 2021, në një forum ekonomik që u mbajt në Shkup, kësaj nisme ju ndryshua emri në “Open Balkan” dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u bënë thirrje të gjitha shteteve të rajonit që t’i bashkohen kësaj iniciative.

 

 

Më shumë

Kuvendi i Berishës, shkarkon Bashën

Partia Demokratike ndodhet në një krizë të thellë ekzistenciale. Shenjat e krizës janë të dukshme. PD është sot e përçarë keqazi.   Demokratët janë rrjeshtuar në dy grupime kundërshtare: njëri me mbështetës të Sali Berishës, ish-liderit historik të PD, të shpallur “Person non grata” nga qeveria amerikane për “vepra korrupsioni që minojnë demokracinë në […]

“Non-grata”, Berisha shkon me ‘Foltoren’ në SHBA

Të dielën e 5 dhjetorit ora 12:00 me orën lokale, do të zhvillohet ‘Foltorja’ e ish-kryeministrit Sali Berisha me shqiptarët e Amerikës. Njoftimin e ka bërë publik lideri historik i PD përmes një postimi në Facebook. Organizimi është bërë nga diaspora shqiptare në SHBA.   Takimi do të zhvillohet me video-konferencë njësoj sikur të […]

Shqipëri – Kosovë, pa ndalesa në kufi!

Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, Kosovës dhe Shqipërisë që po mbahet sot në Elbasan, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi shpjegoi tre marrëveshjet e arritura. Tre marrëveshjet synojnë lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve në të dy anët e kufirit. “Dua ta filloj nga kjo e fundit që ka të bëjë me lejet e […]

Berisha për Zërin e Amerikës: Unë do marr PD-në, nuk bëj parti tjetër

Ish kryeministri dhe drejtuesi i Partisë Demokratike, Sali Berisha përjashton në mënyrë kategorike, krijimin e një force të re politike. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai shprehet i bindur se kuvendi i thirrur prej tij dhe mbështetësve të tij më 11 dhjetor do të shënojë një rithemelim të kësaj partie të […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara