e mërkurë 8 dhjetor 2021
e mërkurë 8 dhjetor 2021

 

Një sulm me armë në Turqi ndaj një zyre rajonale të partisë pro-kurde që mori jetën e një gruaje, ka ngjallur frikën për dhunë të shtuar politike ndaj partive të opozitës. Presidenti Erdogan dhe ndjekësit e tij kanë përdorur emërtimin “mbështetës të terrorizmit” për të përshkruar të gjitha partitë e opozitës. Grupet e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se vrasja e saj ndoshta nuk do të jetë e fundit nëse udhëheqësit nuk e ulin retorikën e tyre. Njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones.

 

 

Protestuesit në Stamboll mbajnë fotografi të Deniz Poyrazit, e qëlluar për vdekje gjatë një sulmi në zyrën rajonale të partisë pro-kurde HDP.

 

Në protestat në mbarë vendin, njerëz nga i gjithë spektri politik shprehën zemërimin e tyre për vrasjen e zonjës Poyraz.

 

“Është shumë alarmante për të gjithë njerëzit në vend. Këto sulme provokuese ngjallin frikë për të ardhmen për çdo person që jeton në vend. Por megjithë këto sulme, punëtorët dhe njerëzit kanë një fjalë për të thënë: ne duam të jetojmë në një vend të lirë dhe demokratik”, thotë Olcay Ozak, Sekretare e Përgjithshme e Sindikatës së Punëtorëve të Ushqimit.

 

Autori i dyshuar u mor në paraburgim dhe – në një deklaratë për policinë – akuzoi HDP-në si parti terroriste. Është një akuzë e bërë në mënyrë të përsëritur nga qeveria që akuzon këtë parti se ka lidhje me PKK-në e jashtëligjshme.

 

HDP-ja thotë kjo retorikë po nxit dhunë ndaj partisë së tyre.

 

“Ne e dimë shumë mirë nga vijnë sulmet e tilla, si administrohen dhe sa larg mund të shkojnë. Po flasim për qeverinë e koalicionit që kërcënon partinë tonë, që vendos në objektiv anëtarët tanë”, thotë Musa Piroglu, deputet i HDP-së.

 

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dënoi vrasjen e zonjës Poyraz – tre ditë pas sulmit.

 

Grupet e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se vrasja e saj ndoshta nuk do të jetë e fundit nëse udhëheqësit nuk e ulin retorikën e tyre.

 

“Demonizimi i opozitës është bërë shumë më i ligjshëm për koalicionin qeverisës. Shohim këtë diskurs të dëshpëruar që synon parti të ndryshme. Ne jemi në prag të një periudhe shumë të rrezikshme, nëse ky lloj sulmi fillon të përsëritet, nëse shohim shembuj të tjerë të tij. Dhe kjo do të ndodhë nëse nuk ka një vullnet të vërtetë politik për ta parandaluar”, thotë Emma Sinclair-Webb, studiuese për Turqinë në organizatën “Human Rights Watch”.

 

Presidenti Erdogan dhe ndjekësit e tij kanë përdorur emërtimin “mbështetës të terrorizmit” për të përshkruar të gjitha partitë e opozitës.

 

Sfidantja e mundshme presidenciale Meral Aksener e IYI-së, ose Partia e Mirë, u rrethua nga mbështetës të qeverisë që e akuzuan atë për terrorizëm.

 

Kryetarja e partisë kryesore opozitare në Stamboll, CHP, merr rregullisht kërcënime.

 

“Sa më shumë që punojmë (për partinë tonë), aq më të frikësuar janë; sa më shumë kanë frikë, aq më shumë sulmojnë. Ky cikël vicioz do të prishet në një moment, por jo nëse ndihem e frikësuar dhe zmbrapsem”, thotë Canan Kaftancioglu, Kryetare e CHP-së për Stambollin.

 

Pjesëmarrësit në varrimin e zonjës Poyraz shpresojnë se ajo nuk vdiq kot dhe se ajo do të jetë viktima e fundit nga polarizimi politik i përshkallëzuar dhe gjuha e urrejtjes.

 

 

Më shumë

Escobar: “Ballkani i Hapur” nuk mund të ketë sukses pa të gjitha vendet e rajonit

Zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, tha të mërkurën se nisma “Ballkani i Hapur”, nuk mund të ketë sukses, nëse pjesë e saj nuk janë të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.   Ai i bëri këto komente gjatë një debati në parlamentin serb me temën “Ballkani i Hapur – Rruga drejt qëndrueshmërisë, […]

OKB: Mohimi i gjenocidit parandalon përparimin e shoqërisë

Serbia dhe shtetet e tjera të ish-Jugosllavisë duhet të bëjnë më shumë për të luftuar mohimin e gjenocidit dhe gjuhën e urrejtjes, nëse duan që shoqëritë e tyre të lëvizin përpara, tha për Radion Evropa e Lirë, Alice Wairimu Nderitu, këshilltare speciale e Kombeve të Bashkuara për parandalimin e gjenocidit.   Gjatë vizitës në […]

Rritet shqetësimi për zhvillimet në Ballkan, Perëndimi shqyrton mundësinë e sanksioneve

Kërcënimet e për shkëputje të Republikës Serbe nga Bosnja dhe riarmatosja e Serbisë kanë rritur shqetësimet se Ballkani mund të shkojë drejt konfliktit.   Kërcënimet nga udhëheqësi i Republikës Serbe, Milorad Dodik, për shkëputje nga Bosnja dhe Hercegovina, po shtojnë shqetësimin në rritje rajonal dhe ndërkombëtar për zhvillimet në Ballkan.   Kërcënimet e […]

Kur mund të arrihet një marrëveshje Kosovë – Serbi?

I ngarkuari me punë në ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas Giacobbe, tha të enjten se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, diskutoi për mundësinë e një marrëveshjeje me Serbinë, përgjatë mandatit të qeverisë aktuale.   “Kisha kënaqësinë të takohesha me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi për të diskutuar një […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara