Friday 24 March 2023
Friday 24 March 2023

 

Kryetari i ri i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vincenzo Del Monaco, tha sot se OSBE ofron mbështetjen teknike nëpërmjet zbatimit të projekteve tematike që synojnë të përmirësojnë nivelin e profesionalizmit të raportimit të lajmit.

 

Në Forumin e 6-të Vjetor të Mediave të OSBE-së organizuar sot në Tiranë, Del Monaco tha se “OSBE ofron gjithashtu mbështetje për ta bërë më transparente pronësinë e medias, të mbështesin median në procesin e vetërregullimit, të rrisin ndërgjegjësimin për sigurinë e grave gazetare, të përmirësojnë punën dhe profesionalizmin e transmetuesit publik”.

 

“Dëshiroj të shfrytëzoj këtë mundësi të theksoj se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi ynë për sektorin e medias me Delegacionin e Bashkimit Europian dhe se pres me padurim të vazhdojmë ta zgjerojmë”, – tha Del Monaco.

 

Më tej, ambasadori Del Monaco u shpreh se e vlerëson idenë që cilësia e informacionit të shihet si investim për të ardhmen.

 

“Profesionalizmi dhe cilësia janë përbërës thelbësorë për të pasur një shoqëri të pjekur konsumatore të medias, veçanërisht tani që përftojmë një sasi të pafundme informacioni që qarkullon lirshëm dhe që është i qasshëm për një publik mjaft të gjerë”, – tha ai.

 

Në këtë forum, Ambasadori i BE-së Luigi Soreca njoftoi mbështetjen e re të BE-së për mediat shqiptare.

 

Sipas përfaqësuesit të diplomacisë europiane, Luigi Soreca, në raportin e vitit 2020 për Shqipërinë, që u botua muajin e kaluar, BE theksoi se Shqipëria nuk ka bërë përparim në fushën e lirisë së shprehjes dhe raportoi raste të dhunës policore ndaj gazetarëve gjatë demonstratave.

 

Edhe ndryshimi i ligjit për median në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias mbetet, sipas BE-së, një përparësi e rëndësishme.

 

Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, deklaroi sot se pandemia covid -19 solli valë të reja keqinformimi dhe lajmesh të rreme, duke vënë në pikëpyetje gzetarinë cilësore dhe duke shtuar kërkesat për ndjenjën e detyrës dhe përgjegjësi në raportimin e fakteve.

 

 

Fjalimi i Ambasadorit Soreca në Forumin e 6-të Vjetor te Zhvillimit të Medias i OSBE-së:

 

 

 

“Po mblidhemi në një kontekst të vështirë. COVID-19 e ka bërë më të vështirë rrugën drejt së vërtetës përballë lajmeve të rreme dhe teorive të konspiracionit. Me valët e pandemisë, erdhën valë të reja dezinformimi që ndikojnë në aftësinë e qytetarëve për të përballuar këtë situatë të jashtëzakonshme.

 

Në këto rrethana, gazetaria me cilësi të mirë është më e rëndësishme se kurrë për demokracitë në të gjithë botën.

 

Në diskutimet tona të kaluara mbi situatën e medias në Shqipëri unë kam theksuar dy karakteristika kryesore që përcaktojnë gazetarinë e mirë: ndjenjën e detyrës në zbulimin e keqbërjeve dhe ndjenjën e përgjegjësisë në raportimin e plotë të fakteve. Të dyja bëhen edhe më thelbësore në kohë krizash.

 

Kam parë gazetarë që raportonin nga Durrësi apo Laçi, ndërsa toka ende dridhej dhe të tjerë që bënin intervista brenda spitaleve COVID-19. Ekspozimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, degradimit të mjedisit, abuzimit me fonde publike apo denoncimi i rasteve të abuzimit me sigurinë ushqimore është po aq heroik për mua.

 

Viti që ka kaluar që nga Forumi i fundit i Medieve nuk ka qenë i lehtë për gazetarët. Në raportin e vitit 2020 për Shqipërinë të botuar muajin e kaluar, Komisioni theksoi shqetësimet e tij serioze se Shqipëria nuk ka bërë përparim në fushën e lirisë së shprehjes.

 

Komisioni raportoi raste të dhunës policore ndaj gazetarëve në kontekstin e demonstratave. Ai bëri thirrje për tolerancë zero ndaj frikësimit, kërcënimeve dhe sulmeve kundër gazetarëve dhe medias, përfshirë në diskursin politik.

 

Për më tepër, Këshilli nënvizoi se ndryshimi i ligjit për median në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias mbetet një përparësi e rëndësishme.

 

Në këtë drejtim, mbledhja jonë sot është platforma më e mirë për t’i inkurajuar autoritetet shqiptare, si njësitë kryesore përgjegjëse për krijimin e një mjedisi të favorshëm për lirinë e medias, që të përdorin çdo mundësi për të vendosur dialog me aktorët e medias.

 

Është koha për të ndjekur procesin e konsultimit me komunitetin e medias mbi draftin e ndryshimeve në lidhje me ligjin për median, duke marrë parasysh ekspertizën e aktorëve ndërkombëtarë, në mënyrë që të sigurohet një ndikim pozitiv i paketës legjislative mbi lirinë e shprehjes.

 

BE-ja nuk është këtu vetëm për të vlerësuar situatën, por edhe për të dhënë mbështetjen e vet të fortë për lirinë e shprehjes. Përpjekjet korrigjuese dhe veprimet pozitive që kanë të bëjnë me politikat janë njëra anë e medaljes. Ana tjetër ishte të rrisim ndihmën tonë financiare për mediet shqiptare në një kohë të vështirë.

 

BE-ja po i ndihmon organizatat vendore të medieve dhe shoqatat e gazetarëve për të forcuar kapacitetet e tyre. Në kontekstin e këtij programi, ne kemi dhënë tetë nën-grante për organizatat e medias, përfshirë pesë që nga fillimi i krizës së COVID-it.

 

Ndërkohë, po vazhdojmë bashkëpunimin tonë të shkëlqyer me OSBE-në në mbështetje të transmetuesit publik për të dhënë programe të reja dhe shkollës së gazetarisë për të përgatitur brezin e ri të reporterëve shqiptarë. Do të doja të mirëprisja kolegun tonë të ri, Ambasadorin Del Monaco. Shpresoj të punoj ngushtësisht me ju për këto çështje.

 

Me synimin për të mbështetur gazetarinë e pavarur investigative, ne tani po fillojmë një program të ri për të rritur kulturën e raportimit të pavarur dhe të bazuar në fakte në Shqipëri. Ne po vendosim 750.000 euro në këtë përpjekje, duke e bërë atë një nga mbështetjet më të mëdha për gazetarinë e pavarur në vend.

 

Jam krenar të njoftoj sot cilët janë përfituesit e kësaj mbështetjeje.

 

Së pari, Top Channel, me qëllim forcimin e raportimit investigativ dhe të thelluar mbi korrupsionin;

 

Pastaj BIRN Albania. Ata do të përdorin analizën e të dhënave për të prodhuar histori të thelluara mbi tema që janë veçanërisht të rëndësishme për qytetarët, siç janë shëndeti, puna dhe të drejtat e konsumatorëve, siguria e ushqimit dhe ilaçeve, si dhe mbrojtja e mjedisit;

 

Dhe së fundi, Era Film, e cila do të prodhojë një seri gazetarie investiguese mbi çështjet kryesore të agjendës së reformave të Shqipërisë lidhur me BE-në.

 

Jam krenar që në vitet e kaluara e kemi rritur ndjeshëm mbështetjen tonë për lirinë e medias në Shqipëri, si politikisht ashtu edhe financiarisht. Arsyeja prapa këtij angazhimi është e qartë dhe e thjeshtë – ne duam të sigurohemi që zërat e demokracisë të dëgjohen dhe që shtyllat e pluralizmit të qëndrojnë të forta”, tha Soreca në fjalën e tij.

 

 

Drejtuesi i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Aleksandër Çipa, tha se gazetarët e terrenit janë të pambrojtur dhe të papaguar në këto kohë të vështira, dhe punonjësit e redaksive po ashtu janë në vështirësi të mëdha shëndetësore dhe ekonomike.

 

 

“Një pjesë e gazetarëve lokalë kanë vështirësi dhe mbeten nën minimumin e të ardhurave financiare për çdo muaj. Kjo situatë e fundit e pandemisë ka rikthyer edhe një herë shqetësimin tonë mbi përsëritjen e dukurisë së vonesës së pagave në shumë prej mediave të vendit. Madje në disa raste ka vonesa pagash deri ne 4 apo 5 muaj. Vështirësitë e medias lokale në Shqipëri janë të njohura. Unioni ka publikuar periodikisht raporte që bëjnë të njohur mjerimin social dhe financiar të tyre” – tha zoti Çipa.

 

Ai theksoi se gazetarët mbetën në periferi të ndihmës ekonomike dhe shënteësore nga shteti gjatë pandemisë.

 

Të paktën 38 gazetarë dhe punonjës të tjerë mediash u infektuan me COVID-19 deri tani, për fat të mirë pa humbje jete, por mjekimet i përballuan vet, tha Unioni i Gazetarëve.

 

Ndërkohë, institucionet mediatike nuk raportojnë zyrtarisht për numrin e të infektuarve brenda tyre as për gjendjen shëndetësore të punonjësve të vet nëpër redaksi dhe atyre që dalin përditë për të raportuar nga terreni.

 

Pjesëmarrësit në Forumin e OSBE-së për Zhvillimin e Medias pohuan se ky vit është shumë i vështirë për gazetarët, dhe se ata kanë nevojë për një mbështetje të fortë në lirinë e shprehjes.

 

Instituticionet europiane kanë dhënë këtë përkrahje edhe përmes korrigjimeve në politika ndaj tyre edhe me ndihma financiare për mediat shqiptare në këtë kohë të vështirë.

 

 

Më shumë

Rreziku nga sulmet kibernetike

Siguria kibernetike po bëhet çdo ditë e më shumë një fushë që kërkon fuqi punëtore të specializuar. Ndaj Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, si drejtues i institucionit që shumë shpejt do të marrë drejtimin për garantimin e mbrojtjes kibernetike përshëndeti pjesëmarrësit në aktivitetin inovativ “Cyber Camp Albania”, ku ftoi të rinjtë të orientojnë karrierën […]

4 – Dhjetori, Festa Kombëtare e Forcave të Armatosura Shqiptare

Me propozimin e Isa Boletinit, më 4 dhjetor 1912, Mehmet pashë Dërralla u zgjodh ministër i Luftës në Qeverinë e Përkohshme, duke fituar 42 vota dhe duke u radhitur i treti pas Luigj Gurakuqit me 54 vota dhe Myfit Bej Gjirokastrës (Libohovës) me 52 vota. Ministri i Luftës Mehmet pashë Dërralla duke bashkëpunuar me […]

Një shqiptar në krye të Arqipeshkivisë së Tiranës dhe Durrësit

Papa Françesku emëroi sot (30 nёntor 2021) imzot Arjan Dodaj, kryeipeshkëv të ri të kryedioqezës së Tiranë-Durrësit. Imzot Dodaj është kryeipeshkvi i tretë i kësaj Kishe në periudhën pas rënies së komunizmit, pasardhës i imzot Rrok Mirditës dhe i imzot George Frendos.   R.SH. – Vatikan   Dorëheqja dhe emërimi i Kryeipeshkvit Mitropolit […]

Mbi 17’000 shqiptarë e festuan Pavarësinë jashtë atdheut

Një numër i konsiderueshëm shqiptarësh kanë zgjedhur t’i kalojnë festat e nëntorit jashtë atdheut.   Stambolli ishte destinacioni kryesor për të kaluar pushimet 4-ditore që erdhën nga festat e Pavarësisë dhe Çlirimit.   “Stambolli është shitur në masë, gati  muaj përpara, pra në fund të tetorit të gjitha grupet e Stambollit kanë qenë të […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara