e diel 14 gusht 2022
e diel 14 gusht 2022

 

 

Anastasi, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë ka dhënë një mesazh me rastin e festës së Pashkës 2021.

 

Çlirim nga urrejtja dhe variantet e saj 

 

“Ditë e Ngjalljes, le të ndriçohemi me panairin…

dhe ata që na urrejnë, le t’i falim të gjithë në Ngjalljen.”

(Vargëzime të Pashkës, Lavdia)       

E kremtja e tërëndritshme e Pashkës na fton plot hare të shkëlqejmë nga gëzimi, të çliruar nga robëria e pasioneve vdekjeprurëse, nga çdo element i errët, i fshehur në thellësinë e egos sonë.

Ngjarjet e kryqëzimit të Krishtit nuk lidhen vetëm me vuajtjen e frikshme mbushur plot padrejtësi dhe ligësi të pafund, por, mbi të gjitha, ato janë të lidhura me një urrejtje të jashtëzakonshme të udhëheqësve fetarë, të cilët vunë në lëvizje armiqësinë e pakontrolluar të turmës. Por, të gjitha këto u mposhtën me anë të Ngjalljes së Krishtit, pa zhurmë shurdhuese dhe me paqe.

Ngjallja shpall një fitore shumë të rëndësishme mbi vdekjen, planet tinëzare dhe pasionet vdekjeprurëse: mbi smirën, gënjeshtrën e mbi të gjitha mbi urrejtjen me variantet e saj të shumëllojta, mbi kujtimin e së keqes, hakmarrjen, djallëzinë, të cilat janë të pranishme në të gjitha epokat dhe në të gjitha shoqëritë. Urrejtja e infekton jetën e njerëzve në familje, jetën fetare dhe politike; ajo infekton marrëdhëniet midis kombeve dhe, për pasojë, prodhon konflikte të paparashikueshme. Edhe sot, në atmosferën e turbullt të krijuar nga pandemia, nëpër mjedise të ndryshme shfaqet shpesh një urrejtje e veçantë në shumë variante, që nga simptomat e thjeshta, si nervozizmi, antipatitë, agresiviteti e deri tek ato më seriozet, si polarizimet, dhuna dhe përçarjet.

Vaksinën e efektshme për të përballuar urrejtjen dhe format e saj na e zbuloi Krishti i kryqëzuar dhe i ngjallur: vaksina është ofrimi i faljes me vullnet të plotë. Në lutjen e shkurtër, që u la nxënësve të Tij, Ai vuri në buzët e të gjithë anëtarëve të Kishës së Tij një marrëveshje të përbashkët: “dhe falna fajet tona, sikurse edhe ne ua falim fajtorëve tanë” (Matth. 6:12). Duke theksuar madhështinë dhe gjerësinë e dashurisë, që e shfaqi me mësimin dhe veprën e Tij, Jisu Krishti predikoi një kryengritje paqësore. Ai i ftoi të gjithë pasuesit e tij të falin dhe të duan armiqtë e tyre: “Por unë po ju them juve: Duajini armiqtë tuaj… bëjuni mirë atyre që ju kanë mëri…” (Matth. 5:44). Për më tepër, i parapërgatiti duke u dhënë një paralajmërim befasues: “Të lumur jeni ju, kur t’ju kenë mëri njerëzit… për shkak të Birit të njeriut” (Llk. 6:22). Dhe në përfundim, këtë parim themelor të krishterë e vulosi me lutjen e Tij të fundit mbi Kryq: “O Atë, fali ata, sepse nuk dinë se ç’bëjnë” (Llk. 23:34) Nga ai çast, falja u bë kromozomi kryesor i jetës së të krishterit të ndërgjegjshëm.

Zakonisht, shumë nga ne përpiqemi ta shmangim këtë parim dhe porosi ungjillore themelore. Ngulim këmbë në të drejtën tonë dhe nxjerrim si pretekst dinjitetin vetjak dhe rrezikun që na vjen nga ata që na luftojnë. Pavarësisht nga kjo, liri më e madhe se falja nuk ekziston.

Por nuk mjafton që ne të çlirohemi personalisht nga efektet anësore të urrejtjes; është detyrimi ynë që të kontribuojmë vazhdimisht për zbutjen e tensioneve rreth nesh, për çtensionimin e polarizimeve, të konflikteve dhe të varianteve të shumëllojta të urrejtjes. Të lumur janë ata që, me fjalën dhe jetën e tyre, arrijnë të zbusin përçarjet, antitezat, armiqësitë, duke kultivuar pajtimin. Të bekuar janë ata që frymëzohen nga falja, e cila buroi nga varri i Krishtit. Ai, i Pari, e mori iniciativën për të dhënë jetën e Tij si “shpërblim për shumë veta”. Të bekuar janë ata që kërkojnë “dashurinë e Tij që kapërcen çdo mendje”. Kështu, këta e tregojnë me vepra se janë me të vërtetë  “bij të Ngjalljes”.   

Ditë e Ngjalljes dhe le të ndriçohemi” me dritën paskale të dashurisë, e cila mposht çdo lloj urrejtjeje, duke na falur lirinë shpirtërore. Ky himn përsërit fjalët e shën Grigor Theologut, i cili vazhdon më tej: “Le t’i falim të gjithë në ditën e Ngjalljes, edhe ata që na urrejnë, dhe jo vetëm ata që, të shtyrë nga dashuria, na kanë bërë të mira apo që u kemi bërë ne mirë” (PG 35, 397).

Dhe kështu do të kemi mundësinë dhe të drejtën të psalim “Krishti u ngjall!”.

Duke u frymëzuar dhe duke marrë fuqi nga e kremtja e tërëndritshme e Pashkës, që mbi të gjitha është e kremtja e pajtimit universal, le të përpiqemi të paqësohemi personalisht, duke falur madje edhe ata që na urrejnë, edhe nëse kjo na duket e vështirë.

Ngjallja e Krishtit shpall fitoren e jetës mbi vdekjen e mbi gjithë pasionet shkatërrimtare dhe na fton të shijojmë çlirimin tonë nga pushteti i tyre. Dhe në një botë që përpëlitet nga armiqësi vdekjeprurëse dhe nga pandjeshmëria, le të bëhemi luftëtarë kundër urrejtjes dhe varianteve të saj të shumëllojta. Dhe, me besim të palëkundur, le të përpiqemi që të forcohet bashkimi, pajtimi, dashuria, uniteti, bashkekzistenca harmonike e njerëzve dhe e popujve.

Krishti u ngjall, vëllezër dhe motra. Me shëndet të fortë dhe shpresë gjatë periudhës së turbullt të pandemisë, dhe me lirinë e Ngjalljes në shpirtin tonë!

 

Më shumë

15 korrik 1941, kisha e Shën Prokopit gjatë ndërtimit

Komuniteti ortodoks i Tiranës, i ngulur në këtë qytet që prej shek. XVIII, veç gjallërisë që i solli qytetit, barti me vete edhe objektet e veta të kultit. Si të krishterë të ritit Lindor, ortodoksët e Tiranës, kryesisht me prejardhje vllahe- arumune, ndërtuan të parën kishë të tyren më 1780, në atë pjesë të […]

Kohë pandemie: Orthodhoksët për të dytin vit radhazi do të kremtojnë Ringjallejn e Krishtit në kushte shtëpie

E ndërsa masat lehtësuese shtohen një nga një, besimtarët orthodhoksë do të kremtojnë Ringjalljen e Krishtit edhe për këtë vit në kushte shtëpie.   “Sot është e Enjte e Madhe, sapo mora bojën e kuqe në kishë për të ngjyer vezët siç e ka tradita në këtë ditë, por zonjat që ishin tek dyqani […]

Kisha katolike: Shitblerja e votës plagë që duhet të zhduket

Dënimi me forcë i fenomenit të shitblerjes së votës, shqetësimet për kandidatët me të kaluar të dyshimtë, apo dhe sfidat me të cilat do të duhet të përballet qeveria e ardhshme që do të dalë nga zgjedhjet, ishin në qendër të një deklarate të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, pikërisht në prag të votimeve të […]

Përgjaket xhamia në qendër të Tiranës, plagosen me thikë 5 besimtarë

5 besimtarë muslimanë u plagosën sot gjatë një sulmi me thikë nga ana e një 34 vjeçari, Rudolf Nikollaj, në xhaminë Dine Hoxha, në Tiranë. Agresori, u kap nga vetë besimtarët, të cilët më pas e dorëzuan atë në polici. Besimtarët e plagosur u dërguan menjëherë në spital jashtë rrezikut për jetën. Ende nuk […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara