e martë 25 janar 2022
e martë 25 janar 2022

 

 

Policia e Kosovës bëri të ditur se dy persona kanë humbur jetën në një incident me armë zjarri në qytetin e Pejës, rreth 85 kilometra në perëndim të Prishtinës.

 

Policia tha se si pasojë e të shtënave tre persona janë plagosur dhe janë dërguar në spitalin Rajonal në Pejë. “Nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e dy viktimave të këtij rasti. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet kompetente të Policisë së Kosovës, gjithashtu edhe prokurori i shtetit, të cilët po kryejnë ekzaminimet në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë por pa dhënë më shumë hollësi për ngjarjen.

 

Policia nuk bëri të ditur identitetin e viktimave por Partia Demokratike e Kosovës përmes një njoftimi tha se personat e vrarë janë kandidati i këtij subjekti për kryetar të Komunës së Pejës, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijaj, ish kandidat për kryetar të Komunës së Deçanit në zgjedhjet e vitit 2017.

 

Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri u tha mediave lokale se sipas informacioneve se vrasja e dyfishtë ishte pasojë e një konflikti të çastit ndërmjet dy viktimave.

 

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha përmes rrjeteve sociale se policia e Kosovës tashmë ka arrestuar personin e plagosur në ngjarjen në qytetin e Pejës. Ai tha se ndriçimi i kësaj ngjarjeje do të jetë përparësi e punës së institucioneve të sigurisë.

 

Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta të udhëheqësve te institucioneve të cilët bën thirrje për ndriçimin e saj.

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se “me trishtim e mora lajmin për ngjarjen e sontme tragjike në Pejë, në të cilën humbi jetën një kandidat i PDK-së për kryetar të Pejës dhe ish-kandidat për kryetar të Deçanit. Ftoj organet e rendit për zbardhje të rastit të kësaj vrasje të dyfishtë!”, thuhet në reagimin e presidentes Osmani.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ngjarja e rëndë në qytetin e Pejës është tronditëse . “U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave, miqve dhe bashkëpunëtorëve nga Partia Demokratike e Kosovës. Në këto momente të vështira bashkëndjejmë me dhimbjen e tyre për këtë humbje kaq tragjike”, thuhet në reagimin e kryeministrit Kurti.

 

Vrasja ndodhi pak ditë para fillimit të fushatës zgjedhore për pushtetin komunal që pritet të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

 

 

Më shumë

Kosova ftohet në takimin e lartë për demokraci

Kosova pritet të marr pjesë në takimin e lartë për demokraci që do të organizohet nga presidenti amerikan, Joe Biden më 9 dhe 10 dhjetor. Burime të Zërit të Amerikës konfirmuan pjesëmarrjen e Kosovës në këtë takim dhe sipas tyre, kjo u bë e ditur pas takimeve që presidentja Vjosa Osmani zhvilloi me […]

Mosnjohja e plotë e Kosovës, pengesë drejt NATO-s

Mosnjohja e Kosovës nga katër shtete evropiane që janë edhe pjesë NATO-s, është pengesa kryesore për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, u tha në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës.   Lidhur me anëtarësimin e Kosovës në NATO, para anëtarëve të këtij komisioni raportoi të martën […]

Kosova vendos sanksione për shtatë individë dhe një kompani për lidhje me Hezbollahun

Qeveria e Kosovës u vendosi sanksione shtatë afaristëve dhe një kompanie për lidhje me grupin ushtarak të Libanit, Hezbollah.   Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, tha se sanksionet vendosen në pajtim me Rezolutën 1373 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ndaj shtatë individëve dhe një kompanie “për lidhjet e […]

Kërcënohet kryeministri i Kosovës Albin Kurti

Masa të shtuara të sigurisë janë parë të mërkurën mbrëma përreth shtëpisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.   Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se kryeministri Kurti është kërcënuar dhe për këtë arsye, “si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë. Institucionet e hetuesisë dhe sigurisë […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara