Friday 24 March 2023
Friday 24 March 2023

 

Politikani i burgosur në Rusi, Aleksei Navalny po përballet me dy herni diskale në shpinë dhe ka nisur të humbë ndjenjat në këmbë dhe duar, ka thënë një prej avokatëve të tij, pas vizitës që i ka bërë në burg.

 

Olga Mikhailova i ka thënë kanalit televiziv Dozhd se Navalny ka refuzuar dy ilaçe që i kanë përshkruar autoritetet e burgut, pasi ato nuk janë përdorur në mjekësi tash e 30 vjet.

 

Navalny, 44-vjeçar, është ankuar për dhimbje të mëdha të shpinës dhe mpirje të këmbës për gati tri javë, kanë thënë ndihmësit e tij.

 

Pas përfundimit të një rezonance magnetike më 24 mars, autoritetet e burgut i kanë thënë agjencisë së lajmeve Interfax se gjendja e tij është “stabile, e kënaqshme”.

 

Navalny ua ka dhënë avokatëve të tij rezultatet e kontrollit dhe Mikhailova ka thënë se rezultatet tregojnë se ai ka herni diskale.

 

Ajo ka shtuar se temperatura e lartë e Navalnyt ka rënë, prej kur ai është bartur në një dhomë të të burgosurve të sëmurë më 5 prill.

 

Megjithatë, sipas saj, Navalny ka ende kollë.

 

Testi fillestar për koronavirus ka dalë negativ, derisa Mikhailova ka thënë se është në pritje të testit të dytë.

 

Sipas avokates, gjendja e Navalnyt mund të jetë përkeqësuar si pasojë e kujdesit të dobët shëndetësor që i është ofruar atij në burg.

 

Ajo ka thënë se beson që autoritetet e burgut janë të frikësuara se vizita e ndonjë specialisti mund të shpërfaqë “trajtimin e tyre të tmerrshëm, që ka çuar në përkeqësim të gjendjes shëndetësore të Navalnyt”.

 

Mikhailova dhe Vadim Kobzev, një tjetër anëtar i ekipit ligjor të Navalnyt, kanë konfirmuar se Navalny vazhdon të jetë në dhomën mjekësore të burgut.

 

“Aleksei ec vetë. Ndjen dhimbje teksa ecën. Një faktor shqetësues është se sëmundja po përparon sa i përket humbjes së ndjesisë në këmbë dhe duar”, ka shkruar ai në Twitter.

 

Navalny ka nisur grevë urie javën e kaluar, çka ka rritur edhe më shumë shqetësimet për shëndetin e tij.

 

Ai është duke humbur 1 kilogram në ditë, ka thënë Kobzev.

 

SHBA-ja, “e shqetësuar” për Navalnyn

Shtëpia e Bardhë ka thënë më 7 prill se është e “shqetësuar” nga raportimet se shëndeti i Navalnyt është duke u përkeqësuar, dhe u ka bërë thirrje autoriteteve ruse që të garantojnë sigurinë dhe shëndetin e tij.

 

“Përderisa ai është në burg, Qeveria ruse ka përgjegjësi për shëndetin dhe mirëqenien e tij”, ka thënë Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.

 

Shtëpia e Bardhë ka përsëritur po ashtu se e konsideron burgosjen e Navalnyt “të motivuar politikisht dhe padrejtësi të madhe”, dhe u ka bërë thirrje autoriteteve ruse që “të marrin të gjithë hapat e nevojshëm për të garantuar sigurinë e tij”.

 

Janë bërë vetëm disa muaj prej kur Navalny është trajtuar për helmim nga një agjent nervor.

 

Ai është burgosur në Rusi, në muajin janar, pas shërimit në Gjermani.

 

Aktualisht, ai po mbahet në atë që njihet si një prej burgjeve më të ashpra në Rusi, rreth 100 kilometra në lindje të Moskës.

 

Gjendja e tij shëndetësore mund të jetë potencialisht jostabile për shkak të ekspozimit ndaj agjentit nervor.

 

Ai ka akuzuar presidentin rus Vladimir Putin për udhërim të agjentëve të sigurisë që ta vrasin atë, diçka që Kremlini e mohon.

 

Zëdhënësi i Putinit Dmitry Peskov ka thënë se Navalny do të pranojë kujdesin e duhur shëndetësor, mirëpo nuk ka përmendur diçka specifike.

 

Navalny është arrestuar në muajin janar për shkelje të një dënimi me kusht, çka ka nxitur protesta të mëdha në Rusi.

 

Një gjykatë në Moskë e ka gjetur atë fajtor për shkelje të rregullave të një dënimi me kusht, në një rast përvetësimi.

 

Ky dënim, që konsiderohet i motivuar politikisht, është kthyer më pas në burgim. REL

 

 

Më shumë

Duke shpresuar se Omicron nuk do të shkatërrojë Krishtlindjet, Betlehemi ndez dritat e pemës

BETHLEHEM, Bregu Perëndimor, 4 dhjetor (Reuters) – Banorët ndezën një pemë gjigante të Krishtlindjeve jashtë Kishës së Lindjes së Betlehemit të shtunën, duke shpresuar që një variant i ri i koronavirusit të mos prishë një sezon tjetër pushimi në vendlindjen tradicionale të Jezusit. Betlehemi u mbyll vetëm Krishtlindjet e kaluara, duke humbur sezonin […]

Zgjerimi i ndikimit turk rrit tensionet me Iranin

Arrestimi i agjentëve iranianë në Turqi muajin e kaluar, thonë analistët, është shenja më e fundit e rritjes së tensioneve midis dy fqinjëve. Kjo po ndodh ndërsa Turqia po zgjeron ndikimin e saj në rajonin e Kaukazit në dëm të Iranit.   Forcat turke të sigurisë arrestuan agjentët iranianë për të cilët Turqia […]

Energjia atomike energji e gjelbër?

Gjermania dhe disa shtete të BE kundërshtojnë kategorizimin e energjisë atomike si energji të gjelbër. Por shumica e vendeve të BE e mbështet këtë, mes tyre edhe Franca.     Gjermania dhe katër shtete të tjera e kundërshtuan hapur në Glasgou, ku përfundoi Konferenca Botërore për Klimën, kategorizimin e energjisë atomike si energji të […]

Izraeli mohon akuzat për spiunazh në Turqi

Izraeli është angazhuar për lirimin e një çifti izraelit të cilët janë dërguar në mbajtje nga ana e autoriteteve turke, tha kryeministri izraelit, Naftali Bennett.   Media shtetërore turke ka thënë se izraelitët e ndaluar ishin spiunë.   Kryeministri Bennett tha përmes një deklarate se ai ka biseduar me familjen e dy izraelitëve, […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara