e martë 17 maj 2022
e martë 17 maj 2022

 

“Sipërmarrja Barbarossa“ – nën këtë emërtim Rajhu Gjerman sulmoi Bashkimin Sovjetik (BRSS). Me ofensivën – luftë blic të Adolf Hitlerit në Lindje nisi faza më e përgjakshme e Luftës së Dytë Botërore.

 

Muaj të tërë diktatori nacionalsocialist Adolf Hitler dhe gjeneralët e tij punuan për këtë moment. Të dielën, më 22 qershor 1941, erdhi çasti: Në orën 3:15 Vermahti sulmoi Bashkimin Sovjetik. Pa e marrë parasysh Paktin Hitler-Stalin për mossulmim.

 

Mbi tre milionë e gjysmë gjermanë dhe ushtarë aleatë të mbështetur nga artileria, aviacioni ushtarak dhe tanket, godasin – shpejt, në masë dhe pamëshirë. Aviacioni ushtarak bombardon avionët sovjetikë kur këta ishin në tokë. Linja e frontit shtrihet mes Detit Baltik dhe Detit të Zi në një gjatësi prej më shumë se 1600 km. Ky është fronti më i gjatë në histori.

 

Sulmi i gjen të papërgatitur ushtarët e Ushtrisë së Kuqe. „Ata dolën me pizhama jashtë kazermave dhe nisën të qëllojnë, u kapën krejt në befasi”, kujton ish-ushtari i Verhmahtit Gerhard Goertz në një video të portalit Online të Dëshmitarëve Okularë nga muzeu „Shtëpia e Historisë (Haus der Geschichte)” në Bon. Paralajmërimet shteti sovjetik dhe kryetari i partisë, Josef Stalin nuk i kishte marrë parasysh. Ai nuk besonte, që Hitleri do të guxonte ta sulmonte këtë perandori gjigande duke neglizhuar kësisoj mobilizimin në kohën e duhur.

 

Propaganda gjermane e quan sulmin si një goditje parandaluese ndaj agresionit të pritshëm ushtarak të bolshevikëve. Në të vërtetë Hitleri zhvilloi një kryqëzatë të paskrupullt pushtimi, Diktatori ëndërron për “hapësirë të re jetese” në Lindje për gjermanët. Ai ëndërron për një perandori të madhe gjermane nga Atlantiku deri në Urale.

 

 

Lufta e Hitlerit si kryqëzatë

 

Luftën Hitleri e konsideron si luftë mbijetese të botëkuptimeve dhe racave, kryqëzatë kundër Bashkimit Sovjetik, kryqëzatë kundër „hebraizmit” dhe komunizmit. Përkatësisht ofensiva zhvillohet nën emërtimin “Sipërmarrja Barbarossa”. Një aludim ndaj perandorit Friedrich I.(1122-1190 pas Krishtit), i quajtur Barbarossa (Mjekërrkuq). Ai pati udhëhequr në një kryqëzatë perandorinë romano-gjermane.

 

Kryqëzata e Hitlerit u demaskua si një krim ushtarak në masë. Të karakterizuar prej shpëlarjes së trurit me ideologjinë e „gjakut dhe tokës”, shumë ushtarë besonin, se si „arianë të racës superiore” ata ishin në epërsi kundrejt popujve sllavë. “Eprorët tanë vazhdimisht na thonin, rusët nuk janë njerëz, ata janë të paarsimuar”, thotë ish-ushtari i Verhmahtit, Herbert Baier.

 

“Lufta e Hitlerit kundër Bashkimit Sovjetik ishte një luftë asgjësuese, sepse ai synonte përtej objektivit ushtarak asgjësimin e planifikuar ideologjik të një shteti të tërë bashkë me popullsinë e tij,” gjykon historiani Chris Helmecke nga Qendra për Shkencat Sociale të Bundesvehrit në Pocdam. “Në përmasat e gjera kriminale lufta gjermano-sovjetike është unike në histori.”

 

 

Robërit e luftës si punëtorë me detyrim

 

5,6 milionë ushtarë sovjetikë ranë rob të gjermanëve dhe u shfrytëzuan si punëtorë me detyrim. 3,3 milionë prej tyre gjetën vdekjen prej stërmundimit. Njësitë SS të mbështetura nga Verhmahti përndiqnin në territoret e pushtuara popullsinë hebreje.

 

Hebrejtë janë nxjerrë prej shtëpive „dhe atyre u duhej të merrnin me vete lopatën për të hapur vet varrin e tyre”, tregon dëshmitari i kohës dhe ish-ushtari, Willi Hein në një video të ekspozuar në muzeun „Shtëpia e Historisë. “Më pas ata vranë xhandarmërinë.” Po ashtu doli dekreti i ashtuquajtur „Urdhëri komisar”. Ky dekret përcakton, që komisarët politik të Ushtrisë së Kuqe pasi të kapen rob të ekzekutohen.

 

 

Fillimisht tek pushtuesit gjermanë mbizotëro besimi në fitore. Vehrmahti pushton Ukrainën dhe zonën e Baltikut. Besohet, se së shpejti do të merret edhe Moska. Por nuk arrihet që të shkatërrohet në thelb Ushtria e Kuqe, aq sa ajo të mos ishte në gjendje të bënte më rezistencë. Shpërthen kësisoj një luftë e ashpër e përgjakshme disa vjeçare. Për dimrin e acartë me temperatura deri në minus 50 gradë Vehrmahti është i papërgatitur.

 

 

Pa strategji për një luftë disa vjeçare

 

Hitleri e pati nënvleftësuar jashtë mase kundërshtarin, konkludon historiani Chris Helmecke. “Faktikisht ushtarët e Ushtrisë së Kuqe luftonin me qëndresë dhe zell të fortë. Komandantët e saj mësonin vazhdimisht. Vehrmahti ishte nisur nga premisa, se „me një luftë të madhe blic me beteja rrethimi afër kufijve do të mund ta mposhtte Bashkimin Sovjetik. Por nuk pati plane të tjera për një opcion të dështimit të këtij koncepti”. Gjithashtu ekonomia gjermane nuk ishte e orientuar për një luftë afatgjatë, shpjegon Helmecke. “Thjesht mungonin burimet.”

 

Më së voni me humbjen e betejës së Stalingradit më 2 shkurt 1943 planet pushtuese të Hitlerit dështojnë. Rajhu Gjerman kishte ndërmarrë më shumë nga sa i mbante kurrizi duke hapur luftë në fronte kundër aleatëve perëndimorë dhe Bashkimit Sovjetik. Dështimi i sipërmarrjes Barbarossa konsiderohet si pikë kthese në Luftën e Dytë Botërore (1 shtator 1939 – 8 maj 1945). “Nga këndvështrimi i sotëm mund të thuash, që lufta në aspektin strategjik qe e humbur qysh në vitin 1941″, nënvizon historiani Helmecke.

 

Bashkimi Sovjetik pagoi një çmim të tmerrshëm për „luftën e madhe për atdheun”: Me 27 milionë të vrarë, prej tyre 14 milionë civilë, duke pasur kështu numrin më të madh të viktimave ndër të gjitha vendet e përfshira në Luftën e Dytë Botërore.

 

Pasojat e kësaj lufte në Europën Qendrore dhe Lindore ndihen ende sot. Që nga ndryshimet e kufijve e deri tek mënyra e përkujtimit të së shkuarës. “Lufta në shtete post-sovjetike, jo vetëm ato të Federatës Ruse, por edhe shteteve të tjera, mbetet e gjallë”, thotë për DW drejtori i Muzeut Ruso-Gjerman Jörg Morré. „Të gjitha gjurmët – të vdekurit, të traumatizuarit, të plagosurit, të zhvendosurit. Të gjitha këto përmbajnë histori familjesh dhe tashmë po mbërrijnë në brezin e tretë, të katërt e të pestë.”

 

E kaluara e përgjakshme luan një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet bilaterale me shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik – kryesisht sa i përket nivelit politik. Nga ana qeveritare thuhet, se „ne nuk mund ta harrojmë këtë”, thotë drejtori i Muzeut Ruso-Gjerman. E po ashtu ngrihen pretendime të llojit politik. “Por kjo është më shumë një formë e shfrytëzimit të historisë në dobi të interesave aktuale politike.”

 

Sipas mendimit të Morrés pavarësisht vuajtjeve të paimagjinueshme, pajtimi duhet të jetë pa kushte. DW

 

Më shumë

Duke shpresuar se Omicron nuk do të shkatërrojë Krishtlindjet, Betlehemi ndez dritat e pemës

BETHLEHEM, Bregu Perëndimor, 4 dhjetor (Reuters) – Banorët ndezën një pemë gjigante të Krishtlindjeve jashtë Kishës së Lindjes së Betlehemit të shtunën, duke shpresuar që një variant i ri i koronavirusit të mos prishë një sezon tjetër pushimi në vendlindjen tradicionale të Jezusit. Betlehemi u mbyll vetëm Krishtlindjet e kaluara, duke humbur sezonin […]

Zgjerimi i ndikimit turk rrit tensionet me Iranin

Arrestimi i agjentëve iranianë në Turqi muajin e kaluar, thonë analistët, është shenja më e fundit e rritjes së tensioneve midis dy fqinjëve. Kjo po ndodh ndërsa Turqia po zgjeron ndikimin e saj në rajonin e Kaukazit në dëm të Iranit.   Forcat turke të sigurisë arrestuan agjentët iranianë për të cilët Turqia […]

Energjia atomike energji e gjelbër?

Gjermania dhe disa shtete të BE kundërshtojnë kategorizimin e energjisë atomike si energji të gjelbër. Por shumica e vendeve të BE e mbështet këtë, mes tyre edhe Franca.     Gjermania dhe katër shtete të tjera e kundërshtuan hapur në Glasgou, ku përfundoi Konferenca Botërore për Klimën, kategorizimin e energjisë atomike si energji të […]

Izraeli mohon akuzat për spiunazh në Turqi

Izraeli është angazhuar për lirimin e një çifti izraelit të cilët janë dërguar në mbajtje nga ana e autoriteteve turke, tha kryeministri izraelit, Naftali Bennett.   Media shtetërore turke ka thënë se izraelitët e ndaluar ishin spiunë.   Kryeministri Bennett tha përmes një deklarate se ai ka biseduar me familjen e dy izraelitëve, […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara