e diel 17 tetor 2021
e diel 17 tetor 2021

 

 

Prokurorëve në Minesota iu deshën tri ditë për të ngritur akuza pas vrasjes së një afrikano-amerikani nga një oficere policie e bardhë më 11 prill.

 

Ndaj ish-polices së qytezës Bruklin Sentër, Kim Potter u ngritën akuza të mërkurën e kaluar për vrasje pa-paramendim të shkallës së dytë lidhur me incidentin që la të vdekur 20-vjeçarin Daunte Wright gjatë një ndalimi nga policia rrugore, njoftoi prokurori Attorney Pete Orput. Shefi i ish-polices Potter tha se e pandehura kishte tentuar të përdorte shokuesin me energji elektrike por gabimisht nxori revolen dhe qëlloi.

 

“Do të veprojmë me ngulm për ta ndjekur penalisht këtë çështje dhe synojmë të dëshmojmë se policja Potter braktisi përgjegjësinë e saj për të mbrojtur publikun kur nxori armën në vend të shokueses,” tha përmes një deklarate prokurori Imran Ali, pjesëtar i ekipit të Prokurorit të Përgjithshëm Orput.

 

Megjithëse familja e viktimës kishte bërë thirrje për ngritjen e akuzës për vrasje me qëllim, fakti që zyra e prokurorit reagoi brenda pak ditësh duke ngritur akuza dëshmon një ndryshim cilësor krahasuar me pak vite më parë kur hetuesit shpenzonin muaj të tërë para se të vendosnin nëse do të ngrinin akuza kundër një polici në incidente të ngjashme.

 

“Kjo nuk ndodh më zakonisht. Njerëzit nuk e tolerojnë më,” thotë David Harris, pedagog i së drejtës në Universitetin e Pitburgut, i cili përqëndrohet tek reagimet e forcave të rendit.

 

Vrasja përkoi me ditët e fundit të gjyqit të Derek Chauvin, ish-polici i bardhë në Mineapolis, i akuzuar për vrasje në vdekjen e George Floyd, një afrikano-amerikan, i cili vdiq pasi Chauvin i vuri gjurin në qafë për më shumë se nëntë minuta. Juria dëgjoi argumentet përmbyllëse në këtë çështje të hënën dhe ka filluar peshimin e çështjes.

 

Zonja Potter, me karrierë 26-vjeçare në Departamentin e Policisë së Bruklin Sentër, është vetë-deklaruar e pafajshme. Nëse shpallet fajtore, ajo mund të dënohet deri me 10 vjet burg. Fakti që zonja Potter u vu nën akuza vetëm tri ditë pas incidentit tragjik “është një ndryshim i madh, i madh”, tha pedagogu Harris, megjithëse shtoi se “thjesht nuk mjafton”.

 

Incidenti i 2014-ës kur një polic i bardhë qëlloi duke lënë të vrarë 18-vjeçarin Michael Brown Jr, një afrikano-amerikan në Ferguson të Misurit, si dhe vdekja e George Floydit, kanë ndihmuar në nxitjen e një lëvizjeje proteste mbarëkombëtare kundër brutalitetit të policisë. Si përgjigje, prokurorët kanë reaguar shumë më të shpejt për të ngritur akuza ndaj policëve të bardhë për shkelje të protokollit profesional, vuri në dukje zoti Harris.

 

Por në raport me incidentet totale ku policia përdor armë zjarri ndaj civilëve në vend, numri i ngritjes së akuzave penale mbetet tepër i vogël.

 

Në vitin 2020, policia amerikane vrau 1,127 vetë, duke i bërë Shtetet e Bashkuara të spikasin dukshëm krahasuar me pjesën tjetër të botës perëndimore për sa u përket incidenteve me armë zjarri të policisë, sipas një analize nga organizata “Mapping Violence Police”. Asnjë oficer i vetëm policie nuk u shpall fajtor për vrasje me qëllim ose pa qëllim vjet. Në Minesota, para vdekjes së zotit Floyd, vetëm një polic ishte shpallur fajtor për vrasje me paramendim apo qëllim, pasi kishte qëlluar me armë zjarri gjatë detyrës një individ në 2017.

 

Puna e policisë është shpesh e rrezikshme dhe madje vdekjeprurëse dhe përkrahësit e forcave të rendit thonë se një shumicë e madhe e incidenteve me pasoja fatale të shkaktuara nga policia përfundojnë me vrasjen e një krimineli të armatosur.

 

“Shumica e incidenteve fatale ku ka rol policia kanë të bëjnë me përdorim të përligjshëm të forcës,” thotë Cully Stimson, ish-prokuror shtetëror dhe federal dhe tani zv/drejtor i Qendrës Edwin Meese III për Studime Ligjore dhe Gjyqësore në Fondacionin konservator “Heritage”.

 

Shoqata Kombëtare e Organizatave të Policisë nuk iu përgjigj kërkesave të përsëritura të Zërit të Amerikës për intervistë me drejtorin ekzekutiv.

 

Revoltimi i shprehur nga publiku lidhur me incidentet vdekjeprurëse pas përdorimit të forcës nga policia lidhet me vrasjet e të dyshuarve të paarmatosur, shpesh afrikano-amerikanë të vrarë nga policë të bardhë. Ndërsa të bardhët përbëjnë pak më shumë se gjysmën e viktimave të incidenteve ku policia përdor forcën me pasoja fatale, afrikano-amerikanët, të cilët përfaqësojnë rreth 13% të popullsisë amerikane, përfaqësojnë rreth 28% të individëve që u vranë vjet nga policia, sipas organizatës “Mapping Police Violence”.

 

Në vitet e fundit, protestat kundër pabarazisë racore lidhur me vrasjet nga policia kanë bërë që prokurorët vendorë dhe shtetërorë të ngrenë akuza kundër një numri më të madh policësh të përfshirë në incidente fatale.

 

Që nga fillimi i vitit 2005, janë ngritur akuza për vrasje me qëllim apo pa qëllim kundër 140 policëve të përfshirë në incidente me armë zjarri që përfunduan me pasoja fatale. Ato sollën shpalljen fajtor të 44 të pandehurve, shpesh për akuza më të lehta, sipas një analize nga Philip Stinson, profesor i drejtësisë penale në Universitetin Shtetëror Bowling Green. Vetëm shtatë të akuzuar janë shpallur fajtorë për vrasje me qëllim.

 

Para vrasjes së 18-vjeçarit Brown në Ferguson, mesatarisht pesë policë në vit akuzoheshin për vrasje me qëllim ose vrasje pa dashje në periudhën 2005-2014, sipas analizës së zotit Stinson. Por që nga viti 2015, numri është rritur në rreth 13 në vit.

 

Për më tepër, që nga 1 qershori i vitit të kaluar, menjëherë pas vdekjes së zotit Floyd, ndaj 25 policëve u ngritën akuza për vrasje me qëllim ose vrasje pa dashje, duke përfshirë ish-policin e Atlantës Garrett Rolfe në vrasjen e Rayshard Brooks, sipas përllogaritjeve të zotit Stinson. Kjo shifër është sa totali i viteve 2005, 2006, 2007 dhe 2008 të marra së bashku.

 

Megjithatë, thotë zoti Stinson rritja është statistikisht e vogël.

 

“Mendojeni pak, me gjithë këto kamera ngado, ende kemi policë të akuzuar në këto incidente, gjë që është me të vërtetë e habitshme për mua,” tha zoti Stinson.

 

Dhe nuk është për mungesë përpjekjesh nga ana e prokurorëve, thotë ai. Në Shtetet e Bashkuara, ndjekja penale e një krimi të rëndë siç është vrasja pa qëllim ose vrasja e rëndë fillon me ngritjen e aktpadisë nga një juri e madhe. Për të siguruar ngritjen e aktakuzës, prokurorët duhet së pari t’i paraqesin akuzat një jurie të fshehtë të madhe, e përbërë zakonisht nga deri në 23 qytetarë.

 

“Nga ajo që kam dëgjuar, të paktën në mënyrë rrëfimesh individuale, prokurorë nga i gjithë vendi më kanë shprehur vështirësitë që hasin për të bindur jurinë e madhe të ngrejë akuza,” tha zoti Stinson.

 

Ka disa arsye përse juritë e mëdha refuzojnë të ngrenë padi ndaj policëve të përfshirë në incidente fatale dhe përse prokurorët nuk tentojnë të ngrenë akuza në radhë të parë, sipas ekspertëve ligjorë.

 

Një faktor kyç është vendimi i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara të vitit 1989 në një çështje të njohur si Graham kundër Connor. Gjykatësit dolën me vendimin se pretendimet për forcë të tepruar policore duhet të analizohen nga këndvështrimi i një polici “të arsyeshëm me objektivitet”, sipas ekspertëve ligjorë.

 

“Ky standard favorizon policinë sepse u thotë anëtarëve të jurisë që ata duhet ta shikojnë çështjen përmes syve të një polici, jo duke e analizuar ngjarjen pas faktit të kryer dhe jo vetëm bazuar në përvojën e tyre, por përmes syve të një polici,” thotë zoti Harris.

 

Ndryshe nga shumica e vendeve të tjera, Shtetet e Bashkuara zgjedhin me votë, pra nuk i emërojnë prokurorët vendorë, duke i bërë ata jo aq entuziastë për të ngritur padi në çështje që e dinë se nuk mund t’i fitojnë.

 

“Ata hezitojnë”, thotë zoti Harris.

 

Një arsye tjetër është se anëtarët e jurisë, të zgjedhur nga popullata e përgjithshme, priren të kenë një opinion përgjithësisht pozitiv ndaj policëve. Në përputhje me vendimin e Gjykatës së Lartë, ata janë udhëzuar të udhëhiqen nga koncepti se polici qëllon në një situatë të rrezikshme, që evolon shumë shpejt.

 

“Juritë hezitojnë shumë kur është fjala për të ngritur pikëpyetje për vendimin e sekondës që duhet të marrë polici në situata që ka gjasa të precipitojnë në dhunë,” thotë zoti Stinson. “Në fakt, shohim të njëjtin reagim kur gjyqtarët janë ata që marrin vendimin në gjykime ku nuk ka juri”.

 

Por, megjithëse disa juri vazhdojnë të anojnë nga polici në situata që lënë vend për dyshim, eksperti ligjor Harris thotë se ka shenja që gjatë vitit të kaluar ka pasur një ndryshim.

 

“Nuk do të çuditesha nëse tre vjet nga dita e sotme do të shihja më shumë vendime gjykate që shpallin fajtor policin krahasuar me përqindjen aktuale,” thotë ai.

 

Më shumë

Princ William, mesazh për miliarderët: Në vend që të udhëtoni në hapësirë, shpëtojeni Tokën

Së fundmi BBC ka publikuar një intervistë të zhvilluar me Princ William. Në intervistë, William ka dhënë një mesazh për të gjithë miliarderët që udhëtojnë në hapësirë. Duka i Cambridge  është shprehur se mendjet e mëdha duhet të mendojnë se si t’i zgjidhin problemet në planetin Tokë, në vend që të udhëtojnë në hapësirë […]

Gratë afgane protestojnë për rikthimin e të drejtave të tyre në arsim dhe punësim

Një grup i grave në Afganistan protestuan për rikthimin e të drejtave të tyre për arsim dhe punësim të cilat janë kufizuar pasi talebanët morën administrimin e vendit, raporton Anadolu Agency (AA).   Rreth 15 gra u mblodhën në parkun Shahr-e Naw që ndodhet në qendër të Kabulit dhe hodhën slogane duke mbajtur në […]

Talebanët i kërkojnë Uashingtonit të zhbllokojë rezervat e Bankës Qendrore të Afganistanit

Talebanët i kërkuan Uashingtonit të shtunën që të lirojnë rezervat e bllokuara të bankës qendrore të Afganistanit, gjatë një takimi me një delegacion amerikan në Katar, dialogu i parë ballë për ballë në një nivel të lartë që kur grupi islamik mori kontrollin e vendit pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara në fund […]

Xi Jinping në 110-vjetorin e Revolucionit: Kina do të “arrijë ribashkimin” me Tajvanin

Presidenti kinez Xi Jinping tha të shtunën se Revolucioni i vitit 1911 hapi rrugën për ndryshimet e thella shoqërore që kanë ndodhur në Kinën moderne.   Xi, gjithashtu sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, i tha këto në një konferencë në Pekin me […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara