e hënë 2 gusht 2021
e hënë 2 gusht 2021

 

Njohës të zhvillimeve politike në Kosovë thonë se hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem është çështje që u takon asaj dhe Izraelit dhe çdo ndërhyrje nga cilado palë e tretë është përpjekje për të ndikuar në pavarësinë e vendimmarrjes së Prishtinës.

 

Kosova hapi të dielën ambasadën e saj në Jerusalem duke nxitur reagimin e autoritetit palestinez, disa vendeve të Ligës Arabe dhe të Turqisë e cila u bëri thirrje udheheqësve të Kosovës “të heqin dorë nga ky hap, siç u tha, i papërgjegjshëm”.

 

Analisti amerikan, David Phillips, profesor në Universitetin e Columbias, tha në një bisedë për Zërin e Amerikës tha se qëndrimi i Turqisë për vendndodhjen e ambasadës së Kosovës, është thjesht pjesë e një manipulimi më të gjerë të saj dhe një përpjekje për të shtypur vetëvendosjen dhe sovranitetin e Kosovës.

 

“Kosova mund të marrë vendimet e veta, nuk është koloni e SHBA-së ose BE-së ose e Turqisë, ajo duhet të veprojë në interesin e saj kombëtar. Sinqerisht, Turqisë nuk i bëhet vonë për Kosovën dhe dëshiron ta përdorë atë për qëllime politike dhe ekonomike. Kjo polemikë e rreme rreth vendndodhjes së ambasadës është vetëm një mënyrë e Turqisë për të projektuar ndikimin dhe fuqinë e saj dhe mbi këtë bazë Kosova duhet të refuzojë kërkesat e Turqisë. Turqia nuk po vepron në interesin kombëtar të Kosovës, ajo po ndjek një agjendë islamike dhe duhet të njihet si e tillë”, tha zoti Phillips.

 

Me 1 shkurt Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike, që ishte pjesë e pajtimit të arritur në kuadër të një dakordimi për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e ish presidentit amerikan Donald Trump.

 

“Është një rrjedhë logjike hapja e ambasadës në Jerusalem për arsye se ka qenë pjesë e një pakoje të marrëveshjes në Ëashington andaj ajo është kurorëzuar edhe me hapjen e ambasadës. Ka qenë kontroverse kjo çështje sidomos nga disa vende të cilat nuk kanë raporte të mira me Izraelin siç është Turqia ndonëse në të kaluarën këto dy vende kanë pasur marrëdhënie shumë të ngushta dhe bashkëpunim shumë të ngushtë, mirëpo kjo është një çështje, një vendim i një shteti sovran”, tha ish ambasadori i Kosovës në Turqi, Avni Spahiu.

 

Turqia radhitet e treta në mesin e investitorëve më të mëdhenj në Kosovë. Analistët besojnë se reagimet rreth hapjes së ambasadës në Izrael nuk do të kenë ndikim në marrëdhëniet dypalëshe Kosovë – Turqi.

 

“Ajo që është e rëndësishme është Prishtina dhe marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara dhe është e rëndësishme që qeveria e re e Albin Kurtit, në formim e sipër, të veprojë në një mënyrë që përparon interesat e Kosovës në aspektin ekonomik, tregtar si dhe në aspektin e sigurisë. Unë nuk e shoh Turqinë duke tërhequr investimet e saj, kjo nuk është një perspektivë e arsyeshme”, tha zoti Phillips.

 

“Unë shpresoj që nuk do të ketë përkeqësim të marrëdhënieve me Turqinë, e kuptoj se do të ketë një lloj ftohje në këto raporte, por ne e konsiderojmë Turqinë një vend partner, një vend mik i cili ka ndihmuar Kosovën në të kaluarën dhe vazhdon të bëj këtë, por ky nuk është një akt që shkon kundër Turqisë. Është një akt në kuadër të agjendës së Kosovës për të pasur njohje ndërkombëtare dhe Izraeli përbën një shtet shumë të rëndësishëm për Kosovën duke ditur edhe rrethanat ndërkombëtare domethënë”, tha zoti Spahiu.

 

Zoti Phillips, thotë se Kosova do të bënte gabim të madh nëse i nënshtrohet trysnisë së Turqisë.

 

“Turqia ka qenë në një fushatë për të zgjeruar ndikimin e saj në rajon për vite me radhë dhe atë e bën duke eksportuar islamizëm, duke përvetësuar pasuri tregtare dhe duke bërë kërcënime. Pse duhet që qeveria e Kosovës t’i nënshtrohet presionit të Turqisë? Duhet të veprojë në një mënyrë që populli i Kosovës mendon se është në interes të vendit, duhet të punojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara për të përfunduar vendimin”, thotë zoti Philips.

 

Ministria e Jashtme turke tha të dielën se udhëheqësit e Kosovës “kanë vepruar në kundërshtim me parametrat e vendosura të procesit të paqes, duke përfshirë rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara për statusin e Jerusalemit dhe duke dëmtuar vizionin e një zgjidhjeje me dy shtete dhe shpresat e paqes në rajon”.

 

Por, zoti Phillips thotë se ky argument është i paqëndrueshëm duke nënvizuar se çështja e Jerusalemit duhet të zgjidhet nëpërmjet bisedimeve Izrael – Palestinë, dhe se Kosova mund të bëjë përshtatjet e nevojshme pas përfundimit të këtij procesi.

 

Kosova u bë vendi i tretë që hap misionin e saj diplomatik në këtë qytet, një veprim që pasoi njohjen e ndërsjellë me Izraelin në shtator të vitit 2020, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pjesë e zotimeve në atë dakordim ishte edhe ai i Serbisë për ta zhvendosur ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem, por kjo nuk ka ndodhur ende.

 

Bashkimi Evropian e vlerësoi për keqardhje vendimin e Kosovës po ashtu.

 

“BE-ja do të kishte shumë më shumë fuqi nëse do të kishte ecur përpara me liberalizimin e vizave për Kosovën, nëse nuk do të kishte pesë shtete – anëtare që këmbëngulin me kokëfortësi në mosnjohjen e Kosovës. Pra, ajo që BE-ja ka për të thënë në lidhje me këtë çështje në të vërtetë nuk është e rëndësishme, as pikëpamja e Turqisë nuk është e rëndësishme”, tha profesori Phillips.

 

 

Në fund të vitit 2017, ish presidenti amerikan Donald Trump, shpalli vendimin e qeverisë së tij për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe në maj të vitit 2018 hapi ambasadën në atë qytet. Guatemala është vendi i dytë që zhvendosi ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem.

 

Më shumë

Kosova miraton një rezolutë që dënon gjenocidin në Srebrenicë

Deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës e bojkotuan seancën ku u miratua rezoluta që dënon gjenocidin në Srebrenicë. Beogradi reagoi duke e quajtur rezolutën të pritshme nga Kosova, por si befasi nga Mali i Zi.   Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë me të cilën dënohet gjenocidi i vitit 1995 në Srebrenicë të Bosnjës […]

Rritja e eksportit nga Kosova në Shtetet e Bashkuara

Në Kosovë vitin e fundit eksporti drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shënuar rritje mbi 50 për qind. Vetëm deri në muajin qershor të këtij viti, kompanitë prodhuese kanë eksportuar rreth 40 milionë euro mallëra në shtete të ndryshme amerikane.   Në vitin 1994, Shaqir Palushi nga një fshat i komunës së […]

Mbajtja e liturgjisë tek kisha serbe në oborrin e Universitetit të Prishtinës, Çeku: “Presion” mbi gjykatën

​​​​​​​Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka folur për mbajtjen e liturgjisë nga kisha ortodokse serbe në kishën e ndërtuar në oborrin e Universitetit të Prishtinës.   Çeku ka thënë se Policia e Kosovës nuk ka qenë e lajmëruar për këtë aktivitet dhe ka thënë se Qeveria nuk do të lejojë […]

Qeveria e Kosovës miraton heqjen e leje qëndrimit të përkohshëm me Shqipërinë

Qeveria e Kosovës ka miratuar në parim Marrëveshjen Ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës të Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për heqjen e leje qëndrimit të përkohshëm.   Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, tha se kjo projektmarrëveshje është në frymën e interesave të përbashkëta në kuadër të bashkëpunimit bilateral […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara