e diel 18 prill 2021
e diel 18 prill 2021

 

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë grupi i dytë më i madh etnik në vend. Nga 2,022,547 sa ishte popullsia sipas regjistrimit të fundit të vitit 2002, 509,083, ose 25.2%, janë shqiptarë. Shqiptarët jetojnë në shumicë kryesisht në zonën perëndimore, veri-perëndimore dhe pjesërisht të mesme të vendit me komunitete të vogla të vendosura në jug-perëndim. Komunitetet më të mëdha shqiptare janë në komunat e Tetovës (70.3% të popullsisë së përgjithshme), Gostivar (66.7%), Dibër (58.1%), Strugë (56.8%), Kërçovë (54.5%), Kumanovë (25.8%) dhe Shkup (20.4%). Sipas të dhënave zyrtare të regjistrimit, në vitin 1953, shqiptarët përbënin 19% të popullsisë së përgjithshme. Numri zyrtar i popullsisë shqiptare shënonte ulje dhe ngritje të çuditshme që nuk korespondonin me numrin real të shqiptarëve në vend. Ra në 13% në 1961, u rrit përsëri në vitin 1971 në 17%, pastaj 19.7% në 1981 dhe 21% në 1991. Në regjistrimin e fundit në 2002, popullsia shqiptare ishte në 25.2%. Regjistrimi i vitit 2012 u bojkotua nga partitë politike shqiptare.

 

Kur Maqedonia shpalli pavarësinë nga ish-Jugosllavia, e cila po shpërbëhej përmes luftërave të përgjakshme që sapo kishin filluar, shqiptarët që përbënin realisht më shumë se 30% të popullsisë, kërkuan përfaqësimin në bazë të kësaj përqindjeje.  Por kjo nuk u arrit, të paktën jo me mjete paqësore. U desh të vinte konflikti i vitit 2001 dhe marrëveshja e Ohrit që e pasoi atë, që shqiptarët të fillonin të përfaqësoheshin hap pas hapi, gjithnjë e më shumë në shtetin e Maqedonisë së Veriut.  Megjithatë, beteja e numrave vazhdoi dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite, bashkë me një sërë problemesh të tjera që duhet të gjejnë zgjidhje. Një nga ato që lidhet me numrin e popullsisë dhe përkatësinë etnike të saj është ajo që ka të bëjë me përdorimin e gjuhës, në këtë rast, të gjuhës shqipe.

 

Gjuha shqipe është tashmë zyrtare në nivel shtetëror (me përjashtim të mbrojtjes, policisë qendrore dhe politikës monetare) dhe në njësitë e vetëqeverisjes lokale ku flitet nga 20% e popullsisë ose më shumë. Ndryshimi i fundit u bë në vitin 2019 dhe si rezultat, përdorimi i gjuhës shqipe nuk u kufizua më gjeografikisht. Ligji i ri shtriu përdorimin zyrtar të shqipes në të gjithë vendin, duke lehtësuar komunikimin në shqip me institucionet. Sipas legjislacionit të ri, maqedonishtja vazhdon të jetë gjuha kryesore zyrtare, ndërsa shqipja mund të përdoret tani si e dyta, duke përfshirë nivelin nacional në çështjet zyrtare. Legjislacioni përcakton gjithashtu që të gjitha institucionet publike në vend do të sigurojnë përkthime në shqip në punën e tyre të përditshme.

 

Një nga argumentet që ka përdorur kundër shqiptarëve politika nacionaliste ekstreme në Maqedoninë e Veriut është lindshmëria. Ata pretendojnë se numri i shqiptarëve vazhdon të rritet me shpejtësi për shkak të lindshmërisë së lartë.

 

Kur kjo republikë u krijua në vitin 1946, kushtetuta garantonte të drejtën e pakicave për zhvillimin kulturor dhe përdorimin e lirë të gjuhës së tyre. Shkollat dhe klasat e pakicave në gjuhët e pakicave u zyrtarizuan në mënyrë që të eliminonin përqindjen e lartë të analfabetizmit në këto grupe. Në dy dekadat e ardhshme, partia komuniste prezantoi vazhdimisht masa që synonin të promovonin përfshirjen e komunitetit shqiptar në jetën ekonomike dhe shoqërore të shtetit të ri socialist përmes arsimit, trajnimit profesional dhe mundësive sociale. Në fund të viteve 1980 kur u hoq dhunshëm nga Beogradi autonomia e Kosovës dhe shtypja e popullsisë shqiptare u rrit ndjeshëm, këto zhvillime u pasqyruan edhe në Republikën Socialiste të Maqedonisë.

 

Gjuha shqipe u hoq nga përdorimi zyrtar dhe familjeve shqiptare iu ndalua t’u vinin fëmijëve të emra shqiptarë, duke pretenduar se  shkaktonte përçarje me komunitetet e tjera në republikë. Kjo fushatë asimiluese mund të shihet qartë nga fakti se në 1990 Kushtetuta e ndryshuar ripërcaktoi shtetin nga “një shtet i popullit maqedonas dhe kombësive shqiptare dhe turke” në një “shtet kombëtar të popullit maqedonas”.

 

Në vitin 1994, Raporti i Departamentit të Shtetit të SHBA-së mbi të Drejtat e Njeriut në Maqedoni raportoi disa forma të diskriminimit kundër shqiptarëve etnikë në Maqedoni: qasje e kufizuar në media dhe arsim në gjuhën shqipe; përfaqësim i ulët në sektorin publik; përfaqësim i ulët në polici dhe ushtri, mohim i shtetësisë për shumë banorë shqiptarë etnikë për një kohë të gjatë në Maqedoni, diskriminim në procesin e aplikimeve për shtetësi dhe përcaktim i padrejtë i zonave të votimit që dobësonte fuqinë e votës së tyre.  Por shqiptarët filluan të organizohen politikisht, duke ndjekur shembullin e Kosovës, ku kishin studiuar një pjesë e mirë e tyre. Partia për Prosperitet Demokratik del në skenë dhe më pas Partia Demokratike Shqiptare dhe fillon beteja për universitetin e Tetovës.

 

Por politikat paqësore nuk po jepnin fryte. Pak gjë kishte ndryshuar për shqiptarët dhe të drejtat e tyre. Kishte ardhur koha e luftës me armë. Fillon konflikti i armatosur i vitit 2001, ku Ushtria Clirimtare Kombëtare e kryesuar nga Ali Ahmeti, vihet përballë policisë dhe ushtrisë maqedonase. Konflikti u mbyll me marrëveshjen e Ohrit që garantoi një sërë të drejtash për shqiptarët, marrëveshja që vazhdon të zbatohet pjesë –pjesë edhe sot e kësaj dite. Në zgjedhjet e para, në vitin 2002, një koalicion parazgjedhor i udhëhequr nga LSDM fitoi gjysmën e 120 vendeve në parlament. Branko Crvenkovski u zgjodh kryeministër në koalicion me partinë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrimin (BDI), partinë e Ali Ahmetit, e cila ishte krijuar pas mbylljes së konfliktit.

 

Në vitin 2008, BDI fitoi 11.3% të votave të përgjithshme. Një vit më vonë, situata u tensionua përsëri pasi Akademia Maqedonase për Shkencë dhe Art publikoi enciklopedinë e saj të parë në të cilën pretendohej se fjala fyese “shqiptar” do të thotë “malësor” dhe përdoret kryesisht nga popujt e tjerë të Ballkanit për të përshkruar shqiptarët. Enciklopedia pretendonte gjithashtu se shqiptarët u vendosën në rajon në shekullin e 16-të. Shpërndarja e enciklopedisë u ndërpre pas një serie protestash publike.  Tensionet u rikthyen kur në mars 2013 në Shkup, maqedonasit e përkrahur nga opozita, protestuan kundër vendimit që Talat Xhaferi i BDI-së të bëhej kryetar i parlamentit. Protesta u bë e dhunshme kur turma filloi të hidhte gurë dhe të sulmonte kalimtarët shqiptarë dhe oficerët e policisë. Gjatë kësaj proteste, një pjesë e turmës dogji flamurin shqiptar.

 

E njëjta situatë u përsërit me miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe. Po kështu, në 108 vjetorin e Kongresit të Manastirit, muzeu i alfabetit shqip në Manastir u vandalizua dhe dritaret dhe dyert u thyen. Një poster me fjalët “Vdekje shqiptarëve” dhe me vizatimin e një luani që pret kokat e shqiponjës u vendos në dyert e muzeut.

 

Një javë pas këtij incidenti, në ditën e Deklaratës Shqiptare të Pavarësisë u vendosën të njëjtat mesazhe raciste në drejtorinë e Parkut Kombëtar Pelister. Megjithatë, zgjedhjet e vitit 2020 ku BDI fitoi bindshëm treguan se vota e shqiptarëve është vendimtare për cilëndo qeveri maqedonase, duke pasur parasysh se blloqet maqedonase ndryshonin me vetëm dy deputetë nga njëri-tjetri. ABC

 

Më shumë

Maqedoni e Veriut: Fillon regjistrimi i diasporës

Nis fushata e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut. Etapa e parë për regjistrimin e diasporës dhe nga 1 deri më 21 prill procesi mbyllet me regjistrimet në vend.   Në Maqedoninë e Veriut ka filluar regjistrimit i popullsisë përkatësisht i personave që aktualisht jetojnë jashtë vendit, diplomatëve, ata që janë në vuajtjen […]

Shkup: Miratohet ligji i diskutueshëm për regjistrimin e popullsisë

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë. Votave të shumicës parlamentare iu bashkangjitën edhe votat e opozitës shqiptare që ishin vendimtare për kalimin e tij.     Parlamenti i Maqedonisë së Veriut me 62 vota “pro”, asnjë “kundër” dhe asnjë “abstenim” dhe me miratoi Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë. […]

Terminali doganor në Bllatë RMV-Shqipëri, vlerësohet i panevojshëm nga autoritetet

Mungesa e një terminali doganor në Bllatë, vend kufitar Shqipëri-Maqedoni e Veriut, i detyron qytetarët e Dibrës të udhëtojnë gati 100 kilometra për të bërë zhdoganimin e mallrave. Përderisa biznesmenët me vite të tëra këmbëngulin se një terminal doganor është jetik për tregtinë e lirë dhe zhvillimin ekonomik të qytetit të tyre por edhe […]

Vazhdon debati për regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut

Projektligji për regjistrimin e popullsisë, familjeve dhe apartamenteve në Republikën e Maqedonisë së Veriut 2021, pas një procedure të shkurtuar, dje ishte në fokusin e partive. Deputetët filluan debatin për këtë projektligj dhe debati do të vazhdojë sot në mesditë, kur është caktuar vazhdimi i seancës së 29-të.   Ky projektligj u shpjegua nga […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara