e hënë 26 korrik 2021
e hënë 26 korrik 2021

 

Pavarësisht deklaratave të politikanëve në Serbi, të dhënat zyrtare tregojnë se interesimi i qytetarëve serbë për pushimet verore në Shqipëri është në rritje.

 

Asociacioni Kombëtar i Agjencive Turistike të Serbisë (JUTA) thotë për Radion Evropa e Lirë se, deri në këtë kohë të sezonit, numri i mysafirëve serbë në Shqipëri është rreth 100 për qind më i lartë krahasuar me vitin e kaluar.

 

Në Serbi ka pasur edhe një fushatë negative për Shqipërinë.

 

Dragan Markoviç Palma, udhëheqës i Partisë Serbia e Bashkuar dhe deputet në Parlamentin e Serbisë, ka porositur qytetarët që të mos shkojnë “për një coca-cola më të lirë në Shqipëri”.

 

Në ueb-faqen e partisë së tij, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës në Serbi, Markoviç citohet të ketë thënë se Shqipëria është “fajtore dhe nxitëse e gjithçkaje që shqiptarët e Kosovës u kanë bërë serbëve në Kosovë”.

 

Por, disa që kanë veruar në bregdetin shqiptar këtë vit, besojnë se Markoviç nuk është dikush që mund të japë këshilla.

 

“Dragan Markoviç Palma nuk është adresë ku mund të dëgjosh këshilla, çfarëdo, e posaçërisht për temat rajonale”, thotë Jana Vujiç, banore e Beogradit, për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

 

Markoviç është i njohur për publikun në Serbi edhe për udhëheqjen e delegacioneve ekonomike dhe politike në vendpushimet në Greqi dhe Egjipt, që organizohen nga qyteti i Jagodinës në Serbinë qendrore.

 

Ai e ka nisur karrierën politike në vitin 1993, kur ka formuar Partinë Serbia e Bashkuar, së bashku me Zhelko Razhnatoviç Arkanin, udhëheqës i Gardës vullnetare serbe – një formacion paraushtarak që ka marrë pjesë në luftërat e viteve 1990 në Jugosllavinë e atëhershme.

 

Shqipëria – një destinacion gjithnjë e më i popullarizuar

 

Interesimi i qytetarëve serbë për destinacionet në bregdetin shqiptar është rritur ndjeshëm në vitin 2020.

 

“Para kësaj kohe, më 2018 dhe 2019, ka pasur midis 3 mijë dhe 5-6 mijë turistë nga Serbia në Shqipëri – kryesisht nga jugu i Serbisë dhe rrethinat e Novi Pazarit”, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtori i JUTA-s, Aleksandar Seniçiç.

 

Ai thotë se vitin e kaluar, Shqipëria, për shkak të pandemisë së koronavirusit, ka qenë një nga vendet e pakta të hapura për qytetarët e Serbisë.

 

Sipas tij, përvojat e atyre që kanë vendosur ta kalojnë verën në Shqipëri në atë kohë, janë të mira, dhe fakti që nuk kërkohen dokumente shtesë për qytetarët e Serbisë as këtë vit, janë arsye për rritjen e interesimit.

 

“Deri në këtë moment të sezonit, ne kemi rreth 100 për qind më shumë mysafirë se vitin e kaluar, i cili ka qenë dukshëm më i mirë në krahasim me vitet 2018 dhe 2019. Vitin e kaluar, kemi regjistruar rreth 20,000 turistë nga Serbia në Shqipëri”, thotë Seniçiç.

 

Nëse trendi vazhdon, sipas tij, Shqipëria mund të presë rreth 60-70 mijë turistë nga Serbia deri në fund të sezonit.

 

I pyetur se si mund të ndikojnë deklaratat e Markoviçit në sektorin e turizmit, Seniçiç thotë se ato, përgjithësisht, nuk çojnë në ndonjë gjë të mirë.

 

“Sigurisht, ato mund të kenë ndikim negativ, sidomos nëse mediat i plasojnë ato në mënyrën se si bëhet në Serbi. Kjo nuk duhet të bëhet, jo sepse është Shqipëria në pyetje, por cilido destinacion tjetër qoftë. Njerëzit duhet të kenë lirinë për të zgjedhur se ku do të udhëtojnë”, thotë Seniçiç.

 

“Patriotizmi” vs. mini-Shengeni

Që nga janari i këtij viti, qytetarët serbë mund të udhëtojnë në Shqipëri vetëm me kartën biometrike të identitetit. Kjo vlen edhe për hyrjen e shtetasve shqiptarë në Serbi.

 

Një gjë e tillë është bërë e mundur me marrëveshjen ndërshtetërore që qeveritë e këtyre dy vendeve e kanë arritur në kuadër të iniciativës për “mini-Shengenin”.

 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kanë nënshkruar një deklaratë me synimin e krijimit të një “mini-Shengeni” midis tre vendeve, në tetor të vitit 2019, në Novi Sad.

 

Kjo deklaratë parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve.

 

Nga 1 korriku janë hequr edhe tarifat e roaming-ut në thirrjet dhe mesazhet telefonike midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

 

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse thirrjet e politikanëve serbë për të mos udhëtuar në Shqipëri, mund të ndikojnë në bashkëpunimin ekonomik midis Serbisë dhe Shqipërisë dhe nëse ato janë në kundërshtim me iniciativën e “mini-Shengenit”, Dhoma e Tregtisë e Serbisë nuk është përgjigjur deri në publikimin e këtij teksti.

 

Dragan Markoviç Palma është një politikan që e mbështet integrimin evropian të Serbisë, por vetëm me Kosovën si pjesë të Serbisë.

 

Ai është i njohur edhe për qëndrimet e tij homofobike dhe është dënuar nga gjykata për diskriminim në bazë të orientimit seksual.

 

Së voni, Markoviç është përballur edhe me akuzat e opozitës në Serbi se ai ka organizuar ndeja private në Jagodinë, në të cilat janë mashtruar disa vajza. Markoviç e ka mohuar një gjë të tillë, ndërsa prokuroria është duke i hetuar akuzat.

 

Lidhja përmes turizmit

Boris Firicki, administrator i ueb-faqes Albanija.rs, që promovon ofertën turistike të Shqipërisë, është i bindur se gjithnjë e më shumë do të dëgjohet ana pozitive e rrëfimit, e cila sjell marrëdhënie më të mira në rajon, dhe jo deklaratat e një politikani.

 

“Dhjetëra e qindra deklarata të zotit Markoviç absolutisht nuk mund të jenë më të zëshme dhe më të fuqishme se dhjetëra mijëra turistë që kanë qenë tashmë këtë vit [në Shqipëri] dhe pothuajse gjysmë milioni njerëz që kanë qenë në pesë vjetët e fundit”, thotë Firicki për Radion Evropa e Lirë.

 

Ueb-faqja Albanija.rs është themeluar në vitin 2019 dhe i inkurajon në mënyrë aktive qytetarët e Serbisë që të vizitojnë Shqipërinë.

 

Firicki, 25 vjeç, thotë se motiv i tij ka qenë njohja dhe afrimi përmes një sfere neutrale si turizmi.

 

“Unë jam i sigurt se gjërat e tilla dhe kontaktet e drejtpërdrejta të njerëzve, të cilët kanë paragjykime në njëfarë mënyre, nga cilado anë, do të kontribuojnë në një rajon shumë më të mirë në të ardhmen”, thotë Firicki.

 

Me qëllim promovimin e bashkëpunimit turistik, ministri i Turizmit i Shqipërisë, Blendi Klosi, ka qëndruar këtë muaj në Beograd, ku është takuar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

 

Më shumë

Përballë protestave në Turqi, Presidenti Erdogan bën një gjest të rrallë tërheqjeje

STAMBOLL – Pas muajsh protestash nga profesorët dhe studentët, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka bërë një hap pas duke hequr rektorin e debatueshëm që kishte imponuar në krye të universitetit kryesor të Stambollit. Universiteti Bogazici konsiderohet si qendra e mendimit liberal dhe lirisë akademike.   Profesorët e universitetit duartrokitën ndërsa në sfond […]

EULEX – mision për sundimin e ligjit apo mision politik?

Ish-kryetari i gjyqtarëve të misionit EULEX, Malcolm Simmons, tha para Komisionit të Parlamentit të Kosovës se EULEX-i synonte largimin e “peshqve të mëdhenj” nga skena politike. EULEX i hedh poshtë deklaratat e tij.     “Për komunitetin ndërkombëtar, marrëdhëniet me Serbinë dhe çuarja përpara e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të udhëhequra nga Brukseli, […]

Shtëpia në mes të lumit Drin

Në mes të lumit që shërben si kufi ndarës mes Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës ndodhet një shtëpi e veçantë. Mishka vjen që prej 50 vjetësh në shkëmbin në Drin, aty ai gjen paqe larg politikës përçarëse.  

Politika monetare e Erdoganit nxit inflacion rekord

Inflacioni në Turqi ka arritur nivel rekord. Jeta është shtrenjtuar kurse fuqia blerëse ka rënë. Megjithatë Erdogan nuk do që të rrisë interesin duke shkaktuar kështu rritje edhe më të madhe të inflacionit.     Ekonomia turke ndodhet në një gjendje të keqe, siç nuk ka qenë për një periudhë të gjatë. Ka dy […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara