e diel 5 dhjetor 2021
e diel 5 dhjetor 2021

 

Ngjarjet në Bjellorusi kanë tërhequr vëmendjen e politikës dhe të mediave europiane gjatë muajit gusht, për shkak të protestave masive, sidomos të grave dhe të të rinjve bjellorusë, të cilët, duke kundërshtuar me forcë farsën e rizgjedhjes së Lukashenkos si President i vendit, kërkojnë ndryshime politike në vend, të cilat nga shumë palë konservatore janë interpretuar si tentativë për të kaluar Bjellorusinë në anën e Perëndimit. Regjimi i Minskut nuk kurseu mjetet dhe masat që çuan në degjenerimin në dhunë brutale masive dhe individuale nga ana e policisë dhe forcave të tjera të rendit ndaj protestuesve të paarmatosur e të pambrojtur. Mjafton vetëm ky element për të dhënë një panoramë të qartë se çfarë ndryshimesh në 2020-tën, pretendojnë bjellorusët, fqnjë të polakëve e të balltikëve tashmë europianë, por edhe të ukrahinasve të sheshit Mejdan. Bjellorusët bënë një hap të tillë pa një organizim serioz të opozitës, pa një figurë konsistente që mund të garantonte kalimin e pushtetit në duar demokratike. Simboli i kësaj lëvizjeje, Svetlana Tikhanovskaya është një grua e thjeshtë, ish mësuese e anglishtes, pa asnjë përgatitje politike, pa asnjë staf politik të sajin, pa një program, pa asgjë të tillë. Në kurrukulën e saj mund të lexohet se vetëm burri i saj është një lloj blogeri që herëpashere ka shprehur ndonjë kritikë ndaj qeverisë. Kjo është e gjitha. Por dihet se në zhvillimet sociale jo gjithçka është e duhet të jetë e organizuar, e strukturuar, e skematizuar. Svetlana Tikhanovskaya nuk është një politikane, por markator i qartë se çfarë ekzigjencash ka populli bjellorus në këtë moment historik, ndërsa Lukashenka rëndon akoma pozicionin e tij duke ngritur alibinë e kërcënimit iminent të vendit nga forcat e NATO-s. Politika “i bie pragut që të dëgjojë porta” nuk është e re as për Moskën dhe as për Berlinin, të cilët janë shprehur njëkohësisht për mosndërhyrje të palëve të treta në situatën e krijuar në Bjellorusi.

Mirëpo në këtë mes, u rrek të ndërhyjë Edi “ynë”, në cilësinë e kryetarit të rradhës të OSBE-së. Përpos talljes së hapur që mori publikisht nga “enciklopedia e gjallë” e politikës së jashtëme ruse Lavrov, në takimin e disa muajve më parë për çështjen e Donbasit (e llojit “ke të drejtë, ndonjë telefonatë është mirë të ta bëjmë meqënëse ky na qënka problemi yt”) rrekja spontane e Edit “tonë” në zgjidhjen e çështjeve bjelloruse është në kontradiktë të plotë me bakground-in e tij politik si kryeministër i Shqipërisë. Në cilësinë e kryeministrit, Edi “ynë” është fare i freskët në shkeljen e normave të OSBE-së me votimin “unanim” që u bëri ndryshimeve kushtetuese për të evituar formimin e koalicioneve parazgjedhorë në qershorin që vjen. Do të mjaftonte vetëm kjo që OSBE si organizëm që synon dhe promovon demokracinë, të shkëshillonte kryetarin e saj të rradhës për të bërë një propozim të tillë, të frenonte tendëncën narciziste të tij për t’u dukur e për të qënë në qendër të vëmendjes edhe atje ku nuk ka numrat për të qënë. Vështirë të besojmë se OSBE nuk i njeh faktet që dëshmojnë se Edi “ynë”, në atdhe bën krejt të kundërtën e asaj që mëton se do të kishte trajtuar me palët në Minsk: lirinë e shtypit, dialogu mes palëve, të drejtat dhe liritë e qytetarëve; se Edi “ynë” e ka zmbrapsur gjykimin e palëve të treta dashamirëse disa herë, duke e konsideruar ndërhyrje në punët e brendshme. OSBE po aq sa edhe në Minsk e në Moskë e dinë që Shqipërisë i është shtuar si kusht për avanzimin e negociatave me BE-në sqarimi politik dhe ligjor i historisë së vjedhjes së votave si në zgjedhjet politike nga të cilat u fabrikua mandati i dytë i Ramës, ashtu edhe në ato vendore. OSBE e di aq mirë këtë histori, sa iu desh të aplikonte një masë shtesë, për të zbutur impaktin me figurën skomode të interlokutorit mandatar eventual të saj në Minsk, Edi Ramës, duke krijuar një lloj introduksioni të Ministres së jashtëme të Suedisë, znj. Linde, (Suedia pason Shqipërinë si kryesuese e OSBE-së)e cila u mjaftua me një telefonatë serioze me kolegun e saj bjellorus. Beh, nuk mund të bënte ndryshe; nuk mund të vinte në të njejtin plan veten e saj dhe vendin e saj me Ramën dhe gjendjen e demokracisë së Ramës në Shqipëri. Ishte një mënyrë elegante për t’i dhënë njëkohësisht një leksion Edit “tonë” e jo vetëm interlokutorëve bjellorusë. Gjest elegant, por jo për këtë më pak humiliant ndaj Edit “tonë”.
Pasgjithëkësaj, është e pritshme që OSBE të rishikojë mënyrat e funksionimit të saj; nuk mund t’i lejojë vetes të paraqitet pa dinjitet dhe nëpërmjet personazheve që përdorin në parim “dy pesha e dy matje”, që në vendet e tyre operojnë kundër principeve themelorë të kësaj organizate; në këtë rast, nuk mund t’i lejojë vetes të dërgojë në Minsk një Lukashenko me atlete, për të dialoguar me një Lukashenko që mban këpucë me shollë kundër rrëshqitjes. Ky ndryshim i vogël nuk është substancial për atë lloj dialektike politike nw marrëdhëniet ndërkombëtare që synon promovimin e demokracisë në Europë.

 

 

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara