e diel 24 tetor 2021
e diel 24 tetor 2021

 

Demokrati Joe Biden, i cili ka punuar në Uashington që prej gjysëm shekulli, u betua të mërkurën si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, në një ceremoni tradicionale në shkallët e Kapitolit të Shteteve të Bashkuara.

 

Presidenti Biden, në moshën 78-vjeçare, bëhet kështu udhëheqësi më i vjetër i vendit, pasi shërbeu për 36 vite si senator dhe tetë vite si nënpresident. Ai bëri betimin, duke u zotuar të zbatojë Kushtetutën dhe të mbrojë vendin ndaj të gjithë armiqve, të huaj dhe të brendshëm, në një ditë të ftohtë me erëra të forta dimërore.

Pak përpara tij, Kamala Harris, ish-senatore nga shteti i Kalifornisë, shteti amerikan me popullsinë më të madhe, u betua në detyrën e nënpresidentes, duke u bërë kështu gruaja me postin më të lartë ndonjëherë në historinë mbi dy-shekullore të Shteteve të Bashkuara. Ajo është me origjinë afrikano-amerikane dhe indiane.

 

Në fjalimin e tij, Presidenti Biden tha se “vullneti i popullit është dëgjuar dhe vullneti i popullit është marrë parasysh. Mësuam sërish se demokracia është e shtrenjtë dhe se demokracia është delikate. Në këtë moment, miqtë e mi, demokracia ka triumfuar”.

 

“Kjo është dita e Amerikës. Kjo është dita e demokracisë. Një ditë historie dhe shprese, rigjallërimi dhe vendosmërie”, shtoi ai. Presidenti Biden gjithashtu theksoi se “bashkimi është rrugëtimi në vazhdim”.

 

Ceremonitë e betimit u ndoqën nga tre ish-presidentë – Barack Obama, George W. Bush dhe Bill Clinton – por, kreu në largim i ekzekutivit, tashmë ish-Presidenti Donald Trump, nuk ndoqi 152 vite tradite ku presidentët marrin pjesë në ceremonitë e betimit të pasardhësve të tyre dhe u largua nga Uashingtoni më herët, drejt rezidencës së tij në bregdetin e Floridas.

 

Mungonin gjithashtu turmat e mijëra njerëzve që janë normalisht të pranishëm gjatë inaugurimeve presidenciale amerikane, për shkak të arsyeve të sigurisë dh frikës se njerëzit e mbledhur së bashku në Shëtitoren Kombëtare përpara Kapitolit do t’i shtonin numrit në rritje të infektimeve me koronavirusin në Shtetet e Bashkuara. Në vend të njerëzve, në Shëtitoren Kombëtare ishin vendosur mijëra flamuj amerikanë, me ngjyrat e kuqe, bardhë dhe blu që valëviteshin nga era.

 

Edhe numri i madh i personaliteteve të Uashingtonit që zakonisht ndjekin inaugurimet presidenciale ishte i kufizuar ndjeshëm në rreshtat e të ftuarve që ulen pas zotit Biden dhe zonjës Harris dhe bashkëshortëve të tyre – zonjës së parë Jill Biden dhe xhentëllmenit të dytë Doug Emhoff. Karriget e të ftuarve ishin vendosur në distanca të gjera në përputhje me kufizimet ndaj koronavirusit të rekomanduara nga autoritetet e shëndetësisë.

Ceremonia u zhvillua mes masave të jashtëzakonshme të sigurisë, me gardh të lartë metalik, në majë të të cilit ishin vendosur tela me gjemba, përreth të gjithë vendndodhjes së ceremonisë së inaugurimit, pas raporteve të shërbimeve të zbulimit se mbështetës të Presidentit Trump të zemëruar nga humbja e çertifikuar nga Kongresi, mund të përpiqeshin të ndërprisnin ceremoninë.

 

Inaugurimi u zhvillua vetëm dy javë pasi mijëra mbështetës të zotit Trump sulmuan Kapitolin në përpjekje për të bllokuar çertifikimin nga ligjvënësit të votave të Kolegjit Elektoral që konfirmonin se zoti Biden mundi zotin Trump në zgjedhjet e muajit nëntor.

 

Një javë më parë, Dhoma e Përfaqësuesve ngriti akuza ndaj zotit Trump për nxitje të rebelimit duke u bërë thirrje mijëra mbështetësve të tij në një tubim më 6 janar që të shkonin drejt Kapitolit për t’u konfrontuar me ligjvënësit që po konfirmonin fitoren e zotit Biden. Megjithëse ka mbaruar mandati i tij katër-vjeçar, zoti Trump do të përballet me një gjyq në Senat gjatë ditëve në vazhdim. VOA

 

Më shumë

Paralajmërimi i zbulimit amerikan: Kina rrezikon të mbizotërojë teknologjitë e përparuara

Zyrtarët amerikanë të zbulimit paralajmëruan jo për herë të parë të premten lidhur me rrezikun që paraqesin ambiciet e Kinës në fushën e inteligjencës artificiale dhe një sërë teknologjish të përparuara.   Ata shtuan se ato mund t’i japin Pekinit një avantazh ushtarak të rëndësishëm dhe mbizotërim të mundshëm në sektorin e kujdesit […]

Trump hap rrjetin e tij social

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka njoftuar planet për të lëshuar në përdorim aplikacionin e tij të mediave sociale.   Llogaritë e Trumpit janë të ndaluara nga Twitter dhe Facebook.   Rrjeti i mediave sociale të Trumpit do të quhet TRUTH Social dhe do të fillojë së funksionuari në muajin nëntor për një […]

Rusia njofton pezullimin e misionit rus në NATO

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov njoftoi të hënën se vendi i tij do të pezullonte misionin rus në NATO.   Zoti Lavrov tha se masa ishte në përgjigje ndaj vendimit të javës së kaluar të NATO-s, për të dëbuar tetë anëtarë të misionit rus në aleancën ushtarake.   Pas njoftimit se Rusia […]

Ish-Sekretari i Shtetit Colin Powell, humb jetën nga COVID-19

Colin Powell, Sekretari i parë afrikano-amerikan i Shtetit dhe një ushtarak i lartë amerikan, vdiq të hënën në moshën 84 vjeçare si pasojë e ndërlikimeve të shkaktuara nga sëmundja e COVID-19-s.   Në një deklaratë në Facebook, ku njoftohej lajmi i vdekjes së zotit Powell, familjarë të tij shkruanin se ai ishte plotësisht […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara