e hënë 1 mars 2021
e hënë 1 mars 2021

 

Komisioneri Europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi tha sot se Shqipëria është shumë pranë përmbushjes së kushteve të vendosura për pjesëmarrjen në Konferencën e parë Ndër-Qeveritare të Dhjetorit, për hapjen e negociatave të antarësimit.

 

Teksa bëri publike Paketën për Zgjerimin për vitin 2020 përpara anëtarëve të Komisionit të Punëve të jashtme të PE-së, Varhelyi veçoi si problem miratimin pa konsensusin e opozitës të amendamenteve të Kodit Zgjedhor që shkojnë përtej marrëveshjes së 5 Qershorit.

 

“Me këtë proces po i hapim sytë mirë. Do të shkoj të takohem me opozitën parlamentare e jashtëparlamentare e po ashtu me qeverinë, përfshirë Kryeministrin. Dua të shoh në terren se si po zbatohen kushtet dhe shpresoj që kjo çështje mos të trajtohet si diçka më vete pasi ky do të jetë një gabim”.

 

Shqetësimi për këtë pikë ngrihet edhe në raportin e Komisionit Europian.

 

“Amendimet kushtetuese miratuan me mbështetjen ndërpartiake në Parlament dhe hasën në kritika nga opozita jashtëparlamentare. Këto amendime janë të palidhura me implementimet e kërkesave të OSBE/ODIHR dhe kërkonin ndryshime të tjera në Kodin Elektoral që u diskutuan mes partive politike në Këshillin Politik, por pa arritur një kompromis përpara se Parlamenti të votojë atë në 5 Tetor. Megjithë rezultatin pozitiv në marrëveshjen e 5 Qershorit 2020, dialogu politik në vend duhet të përmirësohet, në veçanti në lidhje me reformën elektorale dhe implementimin e saj”.

 

Një tjetër problem është edhe mosfunksionimi ende i Gjykatës Kushtetuese. Ashtu si në raport, Komisioneri për Zgjerim Oliver Varhelyi kërkoi që Gjykata Kushtetuese të bëhet sa më shpejt funksionale, si një pikë kyçe për pjesëmarrjen e vendit në konferencën ndërqeveritare.

 

Emërimet në Gjykatën Kushtetuese duhet të vazhdojnë menjëherë pasi Gjykata e Lartë të arrijë kuorumin e kërkuar prej 3/5 të anëtarëve në detyrë, pasi kjo e fundit është autoriteti i tretë emërues së bashku me Parlamentin dhe Presidentin e Republikës.

 

Raporti prek edhe problematika të tjera si ligji i medias ku kërkohet përshpejtimi i procedurave për miratimin e tij sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Vlerësohen po ashtu përparimet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 

Në raport thuhet se përpjekjet duhet të vazhdojnë, për të siguruar rritjen e ndjekjeve penale dhe dënimet përfundimtare, si dhe luftimin e pastrimit të parave dhe konfiskimin e pasurive që vijnë nga krime dhe pasuri të tjera të pajustifikuara.

 

Reformat

 

Pavarësisht nga rezultati pozitiv i marrëveshjes së arritur në 5 qershor 2020, dialogu politik në vend duhet të përmirësohet, veçanërisht për reformën zgjedhore dhe zbatimin e saj.

 

Shqipëria është mesatarisht e përgatitur në reformën e administratës publike. Përpjekjet vazhduan në disa fusha. Këto arritje të prekshme kanë nevojë për konsolidim të mëtejshëm.

 

Sistemi gjyqësor i Shqipërisë është i përgatitur mesatarisht. Zbatimi i një reforme gjithëpërfshirëse dhe të plotë të drejtësisë ka vazhduar, duke rezultuar në progres të mirë. Institucionet e reja për vetëqeverisjen e gjyqësorit kanë kryer detyrat e tyre, duke përfshirë menaxhimin e proceseve për të mbushur vendet e lira në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese.

 

Rivlerësimi i përkohshëm i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i verifikimit) ka përparuar në mënyrë të vazhdueshme, duke vijuar të prodhojë rezultate të prekshme, duke përmbushur kushtin për KPGJ-në e parë. Më shumë se 286 dosje janë përpunuar deri më tani, duke rezultuar në 62% shkarkime, kryesisht për çështje që lidhen me pasuri të pajustifikuara ose dorëheqje.

 

Korrupsioni

 

Shqipëria ka një nivel  të caktuar të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit. Progres i mirë është bërë në periudhën raportuese. Autoritetet shqiptare forcuan kapacitetet operacionale, koordinuese dhe monitoruese në luftën kundër korrupsionit, duke përmbushur kështu kushtin për KPGJ-në e parë.. Ndërsa numri i hetimeve në vazhdim mbetet i lartë, deri më sot, dënimet përfundimtare në rastet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë mbeten të kufizuara.

 

Megjithatë, në përgjithësi, korrupsioni mbetet i përhapur dhe është një shqetësim serioz.

 

Krimi i organizuar

 

Shqipëria ka një nivel mesatar të përgatitjes në luftën kundër krimit të organizuar. Shqipëria ka bërë përparim të mirë në forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, përfshirë përmes bashkëpunimit me Shtetet Anëtare të BE dhe përmes planit të veprimit për të adresuar rekomandimet.

 

Si në vitet e kaluara, Shqipëria tregoi gjithashtu në 2019 një angazhim të fortë, të vazhdueshëm për të kundërshtuar prodhimin dhe trafikimin e kanabisit. Përpjekjet duhet të vazhdojnë, për të siguruar rritjen e ndjekjeve penale dhe dënimet përfundimtare, si dhe luftimin e pastrimit të parave dhe konfiskimin e pasurive që vijnë nga krime dhe pasuri të tjera të pajustifikuara.

 

Pronat

 

Nevojitet progres i shpejtë për avancimin e procesit të regjistrimit të pronave. Shqetësimet janë ngritur nga qytetarët që i përkasin pakicës greke në lidhje me të drejtat e pronës në rajonin bregdetar jugor.

 

Media

 

Sa i përket lirisë së shprehjes, vendi është mesatarisht i përgatitur. Në dhjetor 2019, Parlamenti miratoi një sërë ndryshimesh në ligjin e medias. Ndryshimet nuk janë në standardet dhe parimet ndërkombëtare të lirisë së medias dhe ngrenë shqetësime në lidhje me rritjen e censurës dhe vetëcensurës, dhe rreth pengesave të mundshme të lirisë së shprehjes në vend. Përfaqësuesit nga shumica qeverisëse u angazhuan publikisht për të ndjekur udhëzimet e opinionit të Komisionit të Venecias. Projektligji për mediat aktualisht po rishikohet.

 

Më shumë

Vaksinohet i moshuari i parë në Shqipëri

Mbrëmjen e djeshme erdhën 7020 doza të vaksinave nga kontrata me kompaninë Pfizer, të cilat do të do të jenë në dispozicion për stafin mjekësor por edhe për më të moshuarit.     Ditën sotme ka nisur vaksinimi krahas bluzave të bardha të Shkodrës edhe për të moshuarit. Të parët që kanë marrë dozën […]

Tirana dhe Shkupi diskutojnë për integrim në Bashkimin Europian

Ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Olta Xhakçka, dhe i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, diskutuan sot në Tiranë për bashkëpunimin dypalësh dhe rajonal në vazhdim të përpjekjeve për integrim në Bashkimin Europian.   Marrëdhëniet mes të dy vendeve u cilësuan si të shkëlqyera, po ashtu edhe sa i takon rrugëtimit të përbashkët drejt […]

Abetare dhe libra për mësimin e gjuhës shqipe në Toronto dhe Ontario

Ambasada e Shqipërisë në Kanada ka shpërndarë nëpërmjet postës abetaret dhe librat e mësimit të gjuhës shqipe në Toronto, Ontario.   Lajmi bëhet i ditur nga Ambasada e Shqipërisë në Kanada e cila njofton se ditën e sotme, në prag të semestrit të dytë, përcollëm nëpërmjet shërbimit postar abetaret, librat e mësimit të gjuhës […]

Krimi kibernetik – Policia e Shtetit: Ka persona që tentojnë të ndërhyjnë në WhatsApp-in tuaj, ja si duhet të veproni. SMS-ja që po qarkullon

Njësia për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, në vazhdimësi të punës së saj të përditshme,  prej disa kohësh ka evidentuar problematika që kanë të bëjnë me rrjetet e komunikimit. Për të sqaruar më mirë opinionin publik, bëhet fjalë për një situatë serioze, e cila ka të bëjë me “Ndërhyrjen në të dhënat kompjuterike” dhe më […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara