e enjte 25 shkurt 2021
e enjte 25 shkurt 2021

 

Në grevë urie nuk janë vetëm naftëtarët. I gjithë qyteti i Ballshit po përjeton një grevë urie të skajshme. Gjendja aspak e mirë ekonomike dhe sociale nuk është vështirë të shihet. Në rrugët e qytetit lëvizin pak njerëz, kryesisht mosha të thyera. Ndërprerja e një prej burimeve më të mëdha të të ardhurave për këtë zonë u reflektua menjëherë në xhepat e shumë familjeve në Ballsh.

 

Përpara portës së Rafinerisë së Ballshit ka pasur disa tentativa për t’i dhënë zgjidhje problemit të pagave të prapambetura. Tentativa që janë shoqëruar edhe me përplasje mes naftëtarëve dhe efektivëve të policisë. Sot kjo uzinë nuk e kryen funksionin e saj dhe ruhet nga policë privat.

 

 

Për 18 ditë, Viktor Zotaj kërkoi pagat e prapambetura. Në po aq ditë, vajza e tij Dea, e pa të atin vetëm në televizor. Edhe sot ai qëndron pranë Uzinës ku po mbahet greva e urisë nga naftëtarët. Si mbijetuat për 18 ditë në grevë? “Ja ta thotë vajza. Me ujë e sheqer. Ja, ça të them. Unë jam këtu banor, 200 metra nga uzina dhe të flakesh në këtë mënyrë. Të vish këtu që 18 vjeç. Unë jam 6 anëtarë, vetëm një pagë kemi dhe pensioni i prindërve”.

 

Ndonëse vetëm 5 vjeçe, Dea ka mësuar hallet ekonomike të familjes. Ashtu si i ati, edhe ajo ka një thirrje ndaj instancave qeverisëse të vendit. “Jemi gra të forta, për të drejtat tona. Duam lekët tona. Rama jepi zgjidhje uzinës”, thotë vogëlushja.

 

Uzina, e cila po bëhet një vit që ka ndërprerë punën, furnizonte ekonomikisht edhe bizneset e tjera të qytetit. Por me një pjesë shumë të madhe të familjeve të Ballshit që mbaheshin vetëm nga puna në rafineri dhe që nuk kanë marrë pagat e prapambetura prej më shumë se një viti, në qytezë varfëria është e dukshme.

 

Duket se jetesa në qytetin e Ballshit është e lidhur ngushtësisht me funksionimin e Rafinerisë së naftës. Që nga momenti kur naftëtarët janë shkëputur nga puna, ndihet rënia ekonomike edhe te bizneset e zonës.

 

Pajtim Skënderaj nuk qep më kostume. Këtë profesion ai e bën prej 38 vitesh dhe thotë se, që nga mbyllja e uzinës, puna e tij ka rënë. “Rreth dy vite që ndihet rënia drastike. Për arsyet e rrugës një, dhe naftëtarët e uzinës që nuk janë të rregullt me pagesat”, tregon ai. Më parë, naftëtarët ishin klientë. “Më e pakta, qepnin dy kostume në vit. Sot? Shiko, vetëm riparime. S’ka kostum të ri jo”.

 

Rrugës për në Uzinën e Ballshit, Haxhire Ymeraj, ka një ushqimore të vogël. Ajo rrëfen se konsumi ka rënë deri në atë pikë sa ka dhënë edhe veresie për banorët e zonës. “Ja tri ditë është kjo xhiro. Nuk janë bërë as 50 mijë lekë (të vjetra). Unë punoj 05:00 deri në 17:00, dhe nuk justifikoj asnjë lloj gjëje. Në shtëpi nuk çoj asgjë. Vetëm ça paguajmë detyrimet shoqërore. Ja listat tek i ke, ja, nuk ka pa lista këtu.  Ata njerëz kemi këtu, s’kemi të tjerë. Do ta lëmë pa bukë? Nuk e lëmë dot”, tregon ajo.

 

Me mbylljen e Uzinës së Ballshit, mundësit e punësimit janë edhe më të pakta. Hateme Kasa, një prej naftëtareve greviste thotë se djemtë e saj u arsimuan në Ballsh dhe morën rrugën e emigrimit. “Unë kam tre djem, të arsimuar, njëri inxhinier elektrik, tjetri inxhinier mekanik dhe njëri financier. Kërkuan punë këtu në Uzinë pasi shkollën e bën për të hyrë në punë në vendin e tyre dhe nuk i morën. Se Uzina punonte dy muaj e mbyllej. U detyruan ikën. I kanë marrë në punë në Gjermani e në Itali si specialistë. Këtu tek ne mbyllin Uzinën”.

 

A2 kërkoi informacion pranë Bashkisë së Mallakastrës nëse kompanitë private që kanë menaxhuar uzinën e naftës gjatë këtyre viteve i kanë kryer detyrimet e taksave vendore si dhe kontributet e sigurimeve për punonjësve, por nuk morëm përgjigje.

 

Drama e rafinerisë e ka zanafillën te privatizimi i dështuar i vitit 2008, i cili rezultoi në një spirale skandalesh, deri në paralizimin e tanishëm të uzinës. Në vitin 2014, borxhet e ARMO-s – dikur kompani shtetërore që realizonte fitim– arritën mbi 400 milionë dollarë. Në 2018, kompania kaloi në administrimin e Tosk Energji dhe Bylis Energji, dy shoqëri të kontrolluara nga kompani guaskë të regjistruara në Zvicër. Por, një vit më vonë edhe Tosk Energji hyri në kolaps financiar, çka solli ndërprerjen e punës. Pavarësisht fitores në gjykatë mbi të drejtën e pagave të prapambetura, rreth 900 naftëtarë kanë akoma rreth 15 rroga pa marrë. Sot, me një uzinë jashtë pune dhe qindra familje në varfëri, Ballshi po shndërrohet në një qytet fantazmë. A2 CNN

 

 

 

Më shumë

Zgjedhjet e 25 Prillit – Identifikimi elektronik, KQZ nënshkruan kontratën me kompaninë “Smartmatic”

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nënshkruar kontratën me kompaninë “Smartmatic International Holding B.V” për identifikimin elektronik të votuesve në zgjedhjet e 25 prillit.   Javën së ardhshme në KQZ do të bëhet testimi i pajisjes që përdor “Smartmatic” për identifikimin biometrik.   Pas kryerjes së testit do të bëhet porosia për të gjitha […]

Nga Shqipëria janë larguar 600 mijë persona që nga 2011

Disa anketa dhe metodologji të zhvilluara nga INSTAT dhe organizata të ndryshme joqeveritare tregojnë për një përkeqësim të fenomenit të emigracionit në dekadën e tretë që nga rënia e regjimit komunist.   Një prej tyre, që mat emigracionin dhe diasporën, tregon se nga viti 2011 deri më 2020, janë larguar nga vendi rreth […]

Abetare dhe libra për mësimin e gjuhës shqipe në Toronto dhe Ontario

Ambasada e Shqipërisë në Kanada ka shpërndarë nëpërmjet postës abetaret dhe librat e mësimit të gjuhës shqipe në Toronto, Ontario.   Lajmi bëhet i ditur nga Ambasada e Shqipërisë në Kanada e cila njofton se ditën e sotme, në prag të semestrit të dytë, përcollëm nëpërmjet shërbimit postar abetaret, librat e mësimit të gjuhës […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara