e diel 16 maj 2021
e diel 16 maj 2021

 

Një version i deklasifikuar i një raporti të zbulimit amerikan, që pritet të publikohet të enjten, vë në pah se Princi saudit i Kurorës Mohammed bin Salman, miratoi vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi në vitin 2018, thanë katër zyrtarë amerikanë të njohur me këtë çështje.

 

Zyrtarët thanë se raporti, për të cilin CIA ishte kontribuuesi kryesor, vlerëson se princi i kurorës miratoi dhe me gjasë urdhëroi vrasjen e Khashoggit, shkrimet e të cilit në Washington Post kritikonin politikat e princit.

 

Presidenti Joe Biden, një demokrat, i cili pasoi republikanin Donald Trump pesë javë më parë, u tha gazetarëve të mërkurën se ai e kishte lexuar raportin dhe priste të fliste së shpejti në telefon me Mbretin Salman të Arabisë Saudite, babai i princit të kurorës 35-vjeçar që është udhëheqësi de facto i vendit.

 

Publikimi i raportit është pjesë e politikës së presidentit Biden, i cili po punon për të rivendosur marrëdhëniet me Riadin në linjat tradicionale pas katër vitesh lidhjesh më të ngrohta nën administratën e presidentit Trump.

 

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, u tha gazetarëve të mërkurën se presidenti Biden do të komunikojë vetëm me mbretin saudit dhe se raporti i deklasifikuar për vrasjet e Jamal Khashoggit, ishte duke u përgatitur për t’u publikuar së shpejti.

 

Ndërsa presidenti Biden kufizon kontaktet e tij vetëm me mbretin, të tjerët në administratën amerikane po komunikojnë me zyrtarë sauditë në nivele të ndryshme.

 

Jamal Khashoggi, 59 vjeçar, një gazetar saudit dhe kolumnist në Washington Post, u josh në konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor 2018 dhe u vra nga një ekip operativësh të lidhur me princin e kurorës. Ata më pas e copëtuan trupin e tij. Eshtrat e tij nuk u gjetën kurrë.

 

Riadi përfundimisht pranoi se gazetari Khashoggi u vra në një operacion që shkoi keq, por mohoi çdo përfshirje të princit të kurorës. Pesë burra që fillimisht u dënuan me vdekje për vrasjen, iu ndryshua dënimi me nga 20 vjet heqje lirie pasi u falën nga familja e Khashoggit.

 

Në vitin 2019, raportuesja e posaçme e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Agnes Callamard, akuzoi Arabinë Saudite për një “ekzekutim të qëllimshëm e të paramenduar” të Khashoggit dhe bëri thirrje për hetime të mëtejshme.

 

“Ka prova të mjaftueshme e të besueshme në lidhje me përgjegjësinë e princit të kurorës që kërkojnë hetime të mëtejshme”, tha raportuesja Callamard pas hetimit gjashtëmujor.

Një version i klasifikuar i raportit iu shpërnda anëtarëve të Kongresit në fund të vitit 2018.

 

Por, administrata e ish presidentit Trump refuzoi kërkesat e ligjvënësve dhe grupeve të të drejtave të njeriut për të publikuar një version të deklasifikuar, duke kërkuar të ruajë bashkëpunimin mes tensionesh në rritje me rivalin rajonal të Riadit, Iranin dhe të promovojë shitjen e armëve amerikane në mbretëri.

 

Drejtoresha e re e Zbulimit Kombëtar, Avril Haines, u zotua në seancën e konfirmimit të saj për të përmbushur një dispozitë në një ligj të mbrojtjes të vitit 2019, që kërkonte që Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar të publikojë brenda 30 ditësh një raport të deklasifikuar mbi vrasjen e Khashoggit.

 

Presidenti Biden u zotua gjatë fushatës presidenciale të vitit 2020 për të rivlerësuar lidhjet e Shteteve të Bashkuara me Riadin, pjesërisht edhe për vrasjen e Khashoggit. Që nga marrja e detyrës, ai i dha fund shitjes së armëve që Riad mund të përdorë në Jemen dhe caktoi një të dërguar të posaçëm për të shtuar përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës civile rraskapitëse të atij vendi. VOA

 

Më shumë

Amnesty International i rikthen Navalnit statusin e “të burgosurit politik”

Amnesty International të premten i kërkoi falje kritikut të burgosur të Kremlinit, Alexei Navalny për heqjen e statusit të tij si “i burgosur i ndërgjegjes” dhe tha se do i kthente përcaktimin e mëparshëm.   Amnesty International njoftoi më 24 shkurt se nuk do t’i referohej më Navalnit si i burgosur politik me […]

Pekini i bën thirrje BE-së të ndalojë “mbjelljen e mosmarrëveshjeve” për Detin e Kinës jugore

Rreziqet e sigurisë në Detin e Kinës Jugore vijnë kryesisht nga jashtë rajonit, tha një zëdhënës i misionit kinez në Bashkimin Evropian (BE) të shtunën, duke kërkuar që BE të ndalojë mbjelljen e mosmarrëveshjeve.   “Deti i Kinës Jugore nuk duhet të bëhet një mjet për vende të caktuara për të përmbajtur dhe […]

Mbi 1.700 mbështetës të Navalnyt u arrestuan anembanë Rusisë

Më shumë se 1.700 protestues janë arrestuar nga policia ruse në të gjithë vendin gjatë protestave për lirimin e liderit të burgosur të opozitës, Aleksei Navalny.   Protestat mbarëkombëtare u mbajtën vetëm disa ditë pasi autoritetet ruse filluan procedurat për të mbyllur e Fondacionit Kundër Korrupsionit të Navalny (FBK), me pretendimin se ajo është […]

“Takohemi në zonën e konfliktit për të gjetur paqe”, Zelenski i drejtohet Putin

Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, i drejtoi një ftesë publike homologut rus, Vladimir Putin, për të mbajtur bisedime për paqe në zonën e konfliktit në lindje të vendit.   Në të njëjtën kohë u shpreh i gatshëm për luftë, teksa tha se ka mbështetje të plotë të partnerëve perëndimorë.   “A e dëshiron Ukraina […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara