e mërkurë 20 janar 2021
e mërkurë 20 janar 2021

 

Qindra refugjatë nga Afrika, Azia dhe Lindja e Mesme u lanë nën qiell të hapur të mërkurën kur dështuan përpjekjet për t’i zhvendosur në një pikë tjetër në Bosnje, pasi qendra ku strehoheshin u shkatërrua nga zjarri, tha policia dhe disa refugjatë.

Zjarri shkatërroi javën e kaluar Kampin Lipa pranë Bihacit në Bosnjen perëndimore. Refugjatët prisnin të transferoheshin në Bradina, një qytet 320 km më larg, në Bosnjen qendrore.

Fillimisht refugjatët u futën në autobusë dhe pritën më shumë se një ditë në të ftohtin e dimrit për udhëtimin në qendrën e re, por nuk mund të lëviznin pasi nuk ishte arritur marrëveshje se ku do të dërgoheshin.

“Autobusët po largohen nga Lipa pa refugjatë,” tha përmes portalit mediatik Klix.ba Nermin Kljajic, përfaqësues i ministrisë së Brendshme në komunën Unsko-Sanska.

Refugjatët dolën nga autobusët dhe u vërtitën nëpër zonën me baltë si dhe pyjet përreth e pastaj u kthyen në kampin e djegur. Të mbështjellë me xhaketa dimri, me shalle e kapele, ata mbanin në duar ato pak zotërime që kishin, tregon një gazetar i agjencisë së lajmeve Reuters, i cili ishte në zonë.

“Na urdhëruan të shkojmë në Lipa. Nuk dimë se çfarë të bëjmë dhe si të vazhdojmë jetën këtu,” thotë për agjencinë Reuters një imigrant nga Afganistani.

Mungesa e një marrëveshjeje mes autoriteteve lokale në Bosnje lidhur me destinacionin e refugjatëve e ka ndërlikuar situatën. Imigrantët janë përpjekur pa sukses të kalojnë kufirin me Kroacinë për të shkuar në vendet perëndimore evropiane.

Të martën, media lokale citoi ministrin e Sigurisë të Bosnjes Selmo Cikoti, sipas të cilit refugjatët do të vendoseshin në kazerma ushtarake në Bradina. Por ministri i Financave Vjekoslav Bevanda tha se nuk ishte arritur ndonjë marrëveshje.

“Mendoj se çdo vend duhet të mbajë një pjesë të barrës së krizës së refugjatëve,” tha zoti Kljajic për Klix.ba.

Më parë, banorët e Bradinas organizuan protesta kundër njoftimeve se refugjatët mund të silleshin në qytetin e tyre.

Kampi Lipa, i cili u hap si një strehë e përkohëshme për muajt e verës, strehonte rreth 1,200 vetë dhe ishte në plan të mbyllej të mërkurën për riparimet e dimrit.

Qeveria qendrore ka dashur t’i strehonte refugjatët përkohësisht në kampin Bira në Bihac, rreth 25km larg, një kamp i mbyllur në tetor. Por autoritetet lokale nuk ishin dakord, duke thënë se edhe pjesë të tjera të Bosnjes duhet të mbajnë një pjesë të barrës.

Bashkimi Evropian, i cili e ka mbështetur Bosnjen me 60 milionë euro për të përballuar krizën dhe ka premtuar 25 milionë euro shtesë, u ka kërkuar në mënyrë të përsëritur autoriteve të gjejnë një alternativë të përshtatshme për Kampin Lipa, duke paralajmëruar se po afron një krizë humanitare. Rreth 10,000 refugjatë janë aktualisht të bllokuar në Bosnje.

 

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara