e premte 19 gusht 2022
e premte 19 gusht 2022

 

Siguria kibernetike po bëhet çdo ditë e më shumë një fushë që kërkon fuqi punëtore të specializuar. Ndaj Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, si drejtues i institucionit që shumë shpejt do të marrë drejtimin për garantimin e mbrojtjes kibernetike përshëndeti pjesëmarrësit në aktivitetin inovativ “Cyber Camp Albania”, ku ftoi të rinjtë të orientojnë karrierën e tyre drejt kësaj fushe. Ministri Peleshi vuri në dukje rrezikun që u kanoset shpesh institucioneve shtetërore dhe joshtetërore nga sulmet kibernetike, jo vetëm në Shqipëri, por në SHBA, ku sic tha ai në çdo 39 sekonda ka një sulm të tillë. Shembuj ka edhe për ndërhyrjen përmes këtyre sulmeve në procese elektorale apo në infrastrukturën kritike të shteteve.

 

Duke sjellë edhe përvojën e Izraelit, ku ministri Peleshi ishte për vizitë zyrtare pak ditë më parë u shpreh: “Kjo do të thotë që ka nevojë për talente, ka nevojë për fuqi punëtore, për njerëz të kualifikuar. Sot në botë ka miliona vende pune bosh në fushën e zhvillimit të softwareve dhe aq më tepër në fushën e mbrotjes kibernetike. Unë isha para disa ditësh në Izrael e vetëm në Tel Aviv kishte 17 mijë vende pune, të cilat nuk mbusheshin dot, sepse nuk i gjenin dot në treg. Janë miliona vende pune në botë të cilat presin talente dhe për këtë arsye këto fusha janë nga fushat më të paguara, profesionet më të paguara”.

 

Sipas z.Peleshi, “Ministria e Mbrojtjes do të punojë bashkë me Agjencinë e Çertifikimit Elektronik të Mbrojtjes Kibernetike për të bërë politikat e mbrojtjes kibernetike, standardet, rregullat e zbatueshme nga të gjitha ato institucione të cilat janë pjesë e infrastrukturës kritike që domosdomërisht duhet të kenë të zhvilluara kapacitet e mbrojtjes kibernetike”. Ai tha se gjithçka fillon nga edukimi dhe sot janë 16 studentë që fillojnë masterin e mbrojtjes kibernetike pranë akademisë së FA, ndërsa po punohet për të shtuar mundesitë e kualifikimeve, trajnimeve në këtë fushë.

 

“Kështu që krahas bachelorit në sistemin e arsimit privat apo shtetëror do të shtojmë dhe do të mbështesim, do të subvencionojmë me një program të posaçëm qeveritar edukimin dhe trajnimin e shpejtë në fushat, për të cilat po flasim pra kodim, programim, mbrojtje kibernetike. Mundësitë janë të jashtëzakonshme. Ne kemi një fond për mbështetjen e 1 mijë apo 2 mijë koduesve ose të rinjve që duan të kualifikohen dhe të bëhen kodues apo të punojnë në të gjitha fushat e IT, këto si subvencion pra për të paguar bursat e tyre. Kemi disa kompani shumë të mira që janë në kontakt me qeverinë dhe do të jenë aplikues të këtij fondi”, u shpreh ministri Peleshi.

 

Ministri i Mbrojtjes u shpreh se Kryeministri ka dhënë dritën jeshile për të shtuar pagesën me bonuse për specialistët e kësaj fushe në administratën shtetërore, duke i barazuar këto paga me tregun privat.

 

Aktiviteti inovativ “Cyber Camp Albania” është konceptuar si një aktivitet vjetor, i cili do të organizohet me dy edicione (dhjetor dhe maj) të çdo viti akademik, për të theksuar rëndësinë e edukimit dhe orientimit drejt profileve të sigurisë kibernetike të të rinjve në fazat e hershme të studimit në njërën anë dhe ngritja e kapaciteteve të profesionistëve që punojnë në fushën e sigurisë kibernetike dhe krimit kibernetik në nivel kombëtar në anën tjetër.

 

 

***

 

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi zhvilloi një vizitë zyrtare në Izrael (30.11). Bashkë me ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi morën pjesë në konferencën e nivelit të lartë, të organizuar nga IMPROVATE që u zhvillua në Jeruzalem. IMPROVATE është një organizatë që punon për avancimin e teknologjisë izraelite dhe që shërben njëherësh si një platformë për të lidhur liderët, vendimmarrësit apo investitorët me kompanitë e teknologjisë dhe inovacionit.

 

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ishte folës kryesor në një nga panelet me temë: “Mbrojtja kibernetike”. Z .Peleshi theksoi faktin se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë humbur mjaft kohë në një sistem të gabuar para viteve ‘90, kështu që tani duhet të vrapojmë që të arrijnë vendet e përparuara në teknologji. Ndaj ministri i Mbrojtjes, që në fillim të fjalës së tij, ftoi bizneset izraelite të kapitalit për sipërmarrje inovative.

 

Ministri i Mbrojtjes tha se zhvillimet në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit kanë sjellë përfitime të mëdha, por njëkohësisht sfida dhe kërcënime po aq të mëdha, çka e bën jetësore mbrojtjen dhe sigurinë kibernetike. Në këtë pikë, ministri kërkoi më shumë angazhim, bashkëpunim e koordinim më të madh ndërkombëtar, për të ofruar siguri kundër sulmeve kibernetike të çdo lloji.

 

“Vendet e zhvilluara sigurisht që do të drejtojnë, por në të njëjtën kohë ato duhet t’i asistojnë, mbështesin dhe ndihmojnë të tjerët që të përparojnë dhe të krijojnë elasticitetin dhe mjetet e nevojshme në fushën kibernetike. Jemi dëshmitarë të shtimit të sulmeve kibernetike ndaj shërbimeve të infrastrukturës. Subjektet me qëllime keqdashëse po shfrytëzojnë përdorimin e internetit, i cili ka krijuar pika të cenueshme për sigurinë e tyre. Për më tepër, gjatë pandemisë, veçanërisht në vitin 2020, kaluam drejt punës në distancë. Kjo krijoi terren të pasur dhe tani është më e lehtë se kurrë për të ekzekutuar çdo sulm kibernetik”, u shpreh ministri Peleshi.

 

Sipas Ministrit të Mbrojtjes, “sulmet kibernetike kërcënojnë të sulmojnë thelbin e demokracive liberale, vullnetin e lirë të shoqërive moderne”. Ai foli për përpjekjet që po bën qeveria shqiptare, e cila po investon gjithnjë e më shumë në inovacion, teknologji dhe infrastrukturë digjitale për të ofruar shërbime digjitale për qytetarët tanë.

 

“Si një aleat i NATO-s, Shqipëria gjithashtu njeh hapësirën kibernetike si domenin e pestë të luftës, krahas tokës, detit, ajrit dhe hapësirës. Kështu, ne kemi krijuar në Forcat e Armatosura Shqiptare “Njësinë Ushtarake për Sigurinë Kibernetike” dhe mbështetemi te partnerët tanë strategjikë për ta zhvilluar më tej atë. Për më tepër, Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë synon të ndryshojë dhe të japë shembull duke krijuar qasje të re ndaj inovacionit, sinergji të re në fushat e kapaciteteve ushtarake, mbrojtjes civile dhe sigurisë kibernetike. Ne mezi presim të ofrojmë një mjedis të favorshëm për zhvillimin e zgjidhjeve inovative duke krijuar “ekosistemin e inovacionit” brenda Institucionit të Mbrojtjes”, theksoi ministri Peleshi.

 

Së shpejti Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri do të marrë si pjesë të fushës së përgjegjësisë së saj politikbërjen dhe monitorimin e mbrojtjes kibernetike, duke u kthyer në institucionin qendror të politikave, rregullave, standardeve të mbrojtjes kibernetike, jo vetëm për hapësirën e sigurisë.

 

 

 

Më shumë

Rreziku nga sulmet kibernetike

Siguria kibernetike po bëhet çdo ditë e më shumë një fushë që kërkon fuqi punëtore të specializuar. Ndaj Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, si drejtues i institucionit që shumë shpejt do të marrë drejtimin për garantimin e mbrojtjes kibernetike përshëndeti pjesëmarrësit në aktivitetin inovativ “Cyber Camp Albania”, ku ftoi të rinjtë të orientojnë karrierën […]

4 – Dhjetori, Festa Kombëtare e Forcave të Armatosura Shqiptare

Me propozimin e Isa Boletinit, më 4 dhjetor 1912, Mehmet pashë Dërralla u zgjodh ministër i Luftës në Qeverinë e Përkohshme, duke fituar 42 vota dhe duke u radhitur i treti pas Luigj Gurakuqit me 54 vota dhe Myfit Bej Gjirokastrës (Libohovës) me 52 vota. Ministri i Luftës Mehmet pashë Dërralla duke bashkëpunuar me […]

Një shqiptar në krye të Arqipeshkivisë së Tiranës dhe Durrësit

Papa Françesku emëroi sot (30 nёntor 2021) imzot Arjan Dodaj, kryeipeshkëv të ri të kryedioqezës së Tiranë-Durrësit. Imzot Dodaj është kryeipeshkvi i tretë i kësaj Kishe në periudhën pas rënies së komunizmit, pasardhës i imzot Rrok Mirditës dhe i imzot George Frendos.   R.SH. – Vatikan   Dorëheqja dhe emërimi i Kryeipeshkvit Mitropolit […]

Mbi 17’000 shqiptarë e festuan Pavarësinë jashtë atdheut

Një numër i konsiderueshëm shqiptarësh kanë zgjedhur t’i kalojnë festat e nëntorit jashtë atdheut.   Stambolli ishte destinacioni kryesor për të kaluar pushimet 4-ditore që erdhën nga festat e Pavarësisë dhe Çlirimit.   “Stambolli është shitur në masë, gati  muaj përpara, pra në fund të tetorit të gjitha grupet e Stambollit kanë qenë të […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara