e martë 21 shtator 2021
e martë 21 shtator 2021

 

 

Prej 2 javësh disa furra në vend kanë rritur çmimin e bukës me 10 lekë, duke e çuar në 80 lekë, me një shtrenjtim rreth 14%.

 

Anëtarë të Shoqatës të Prodhuesve të Bukës, Patiçerive dhe Brumrave thonë se së shpejti rritja e çmimit të bukës me 10 lekë do të ndodhë në të gjithë tregun. Arsyeja kryesore e rritjes të çmimit të bukës është rritja e çmimit të mielllit në tregun vendas me 5 lekë/kg që në fillim të muajit gusht.

 

Anëtarë të Shoqatës të Prodhuesve të Bukës pohuan për Monitor se shqetësuese për ta është edhe shtrenjtimi i çmimit të përbërësve të tjerë, ndërsa në terësi sektori po vuan edhe mungesën e punonjësve për shkak të emigrimit. Kompanitë e blojës në vend shpjeguan se prej 1 viti ata po blejnë grurë me çmim 60% më të lartë se vjet dhe kjo i ka detyruar ata të rrisin 10% çmimin nga fillimi i muajit gusht. Operatorët paralajmëroijnë se rritja e miellit do të shkojë deri 20%, për shkak të krizës të prodhimit të grurit në botë. Rritje të lartë këtë vit parashikohet të ketë edhe për çmimin e makaronave si ato të importit dhe të prodhuar në vend, për shkak të shtrenjtimit të fortë të miellit të grurit për prodhimin e tyre.

 

Disa furra rritën çmimin me 10 lekë; Paralajmërohet rritje në të gjithë tregun, nëse shtrenjtimi i miellit nuk ndalet

 

Anëtarë të Shoqatës të Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumrave thanë për Monitor se rritja e çmimit me 10 lekë prej 2 javësh ka qenë individuale. Nëse rritja e çmimit të miellit do të vazhdojë, shtrenjtimi i bukës në të gjithë tregun është i pashmangshëm. “Nga disa operatorë në treg ka pasur rritje të çmimit të bukës me 10 lekë, për shkak të shtrenjtimit të çmimit të mileit me 5 lekë/kg, rritjes të çmimit të vajit, margarinës. Rritja ka qënë individuale, për shkak edhe të qirasë apo kredisë që mund të kenë prodhuesit e bukës. Vështirësi janë krijuar edhe nga mungesa e punonjësve, që shumë prej tyre po emigrojnë, pasi kërkojnë paga të larta. Ende nuk ka rritje të çmimit të bukës nga të gjithë operatorët. Të tjerë janë përpjekur që të amortizojnë koston e lartë, por gradualisht rritja për 10 lekë për bukë pritet të nisë në të gjithë tregun, nëse do të vijohet me rritje të çmimit të grurit”, pohuan anëtarë të Shoqatës të Prodhuesve të Bukës.

 

Shtrenjtimi i grurit 65% në bursa rrit çmimin e miellit në tregun vendas

 

Administratori i kompanisë “Bloja” dhe “Prima”, Adi Haxhiymeri pohoi për Monitor se prej gati një viti çmimi i grurit në tregjet e huaja është shtrenjtuar rreth 65%.

 

Arsyet sipas tij janë rënia e prodhimit të shteteve më të mëdha prodhuese, por edhe për shkak të thatësirës dhe përmbytjeve në disa vende të europës.

 

Haxhiymeri nënvizon se këto faktorë kanë ndikuar te rritja e kostos të prodhimit të miellit, duke ndikuar edhe të shtrenjtimi i shitjes të miellit me 5 lekë/kg përgjatë gjithë muajit gusht. “Po bëhet gati viti që çmimi i grurit në tregjet e huaja është rritur 60-65%. Konkretisht vjet në muajin tetor çmimi i grurit ishte 220 dollarë/ton (i zhdoganuar) dhe sot që flasim po zhdoganohet me 360 dollarë/ton.

 

Çmimi i lartë ka ndikuar të kostot e miellit. Në krahësim me rritjen e lartë të çmimit të grurit, mielli është rritur 10-12%. Pra nga 50 lekë/kg mielli është bërë 55 lekë/kg përgjatë muajit gusht. Rritja pritet të shkojë më tutje, pasi nuk arrin të mbulohet kjo diferencë, pavarësisht rezervave që kanë kompanitë. Rritja tjetër do të jetë e pashmangshme.

 

Arsyet e rritjes të çmimit të grurit në bursa kanë ardhur për shkak të rënies të prodhimit nga shtetet, si: SHBA, Kanada dhe Rusia, pa llogaritur dëmet që shkaktuan përmbytjet në Gjermani, Francë etj dhe thatësirat në pjesën tjetër të globit, nga shteti i Australisë e më tej. Thatësirat jo vetëm që ndikuan te rënia e prodhimit, por edhe te rendimenti, pasi temperaturat e larta e thanë shumë kokrrën e grurit. Një tjetër arsye është edhe rritja e konsumit të grurit nga Kina. Kina këtë vit ka rritur kërkesën për import 10-20 mln tonë më shumë se vjet, ndërkohë që vetë tregu ka pësur rënie prodhimi me 20 mln tonë. Të gjitha këto arsye krijuan këtë krizë të madhe”.

 

Përfaqësuesi i kompanisë “Bloja” dhe “Primo”Adi Haxhiymeri thotë se për të amortizuar disi rritjen e çmimit të grurit në bursat e huaja, qeveria duhet të ndërhyjë me heqjen e TVSH-së të grurit dhe miellit. “Kjo është një kërkesë e përsëritur nga kompanitë e blojës. Ende nga qeveria nuk marrë ndonjë masë konkrete. Heqja e TVSH-së 20% përkohësisht do të amortizonte disi rritjen e çmimit të miellit.”

 

Makaronat këtë vit do të kenë shtrenjtimin më të lartë

 

Çmimi më i lartë te produktet e brumërave këtë vit pritet të jetë te makaronat. Arsyeja është dyfishimi i çmimit të grurit të fortë për prodhimin e makaronave. “Është hera e parë në histori që çmimi i grurit të makaronave është rritur mbi 100%. Kjo rritje e lartë pritet shumë shpejt të reflektohet të çmimi i makaronave të importit dhe ato të prodhuara në vend. Ndikimi pritet të jetë i fortë në të gjithë botën. Kanadaja prodhoi 80% më pak grurë të fortë (për makaronat), Franca 40% më pak dhe të gjitha zonat e tjera prodhuan më pak. Të gjitha kompanitë e prodhimit të makaronave në botë kanë paralajmëruar rritjen e tyre”, thekson z. Haxhiymeri.

 

Vjet në vendin pas hapjes të ekonomisë konsumi më i lartë ndër produktet e shportës ishte për makaronat. Në muajt e verës të vitit të kaluar konsumi i makaronave u rrit 79% më shumë se në 2019 sipas drejtoreshës të Financës, znj. Junis Uruçi në kompaninë e tregtimit të produkteve ushqimore, “Teuta”. Përfaqësuesja e kompanisë “Teuta” pohoi më herët se rritje të lartë të konsumit në verën e 2020 pati edhe për drithërat e shëndetshme me 74% më shumë se në 2019. /Dorina Azo

 

Më shumë

Varfëria në konsum rrit varësinë e inflacionit nga çmimet e frutave dhe perimeve

Duke qenë se gati gjysma e shpenzimeve të shqiptarëve kanalizohen në blerjen e ushqimeve, çmimet e tyre janë përbërësit kryesor të inflacionit në vend, pra luhatshmerisë së përgjithshme të çmimeve.   Banka e Shqipërisë në një analizë të posaçme për këtë çështje vë në dukje se inflacioni ka varësi të lartë ndaj çmimeve të […]

Individët po i mbajnë bonot e thesarit deri në fund të maturimit, bie tregu i titujve të qeverisë

Tregu i Titujve të Qeverisë për periudhën janar-qershor 2021 ka shënuar ulje në 6 muajt e parë të viti. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) transaksionet për “shitje nga portofoli i ndërmjetësit  financiar” ishin 1.45 miliardë lekë për 6 mujorin e parë, duke rënë me 17.2% me bazë vjetore. Tkurrja […]

Në gjashtë mujorin e parë të vitit më tepër mallra u transportuaran nëpërmjet hekurudhës

Gjatë gjysmës së parë të vitit volumi i mallrave të transportuar me hekurudhë llogaritet 14.9 milionë ton-kilometër.   Sipas raportit të publikuar së fundmi nga INSTAT volumi i mallrave të transportuar me hekurudhë u rrit me 23,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020-ës.   Por volumi i mallrave të transportuara […]

Shqipëria fiton 164 mln € nga tregtia me Kosovën, humbet 134 mln € me Serbinë

Sipas INSTAT Shqipëria realizon rreth 10% të shkëmbimeve tregtare me rajonin dhe partner kryesor ka Kosovën me 220 milionë euro eksporte në vit.   Sipas të dhënave nga Kosova kemi një bilanc pozitiv me 164 milionë euro më shumë, ndërsa nga Serbia marrim më shumë mall dhe bilanci është negativ me 134 milionë […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara