e martë 21 shtator 2021
e martë 21 shtator 2021

 

LONDËR / UASHINGTON – Britania dhe Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të premten ndaj operativëve të zbulimit rus përgjegjës për helmimin një vit më parë të kritikut të Kremlinit, Alexey Navalny.

 

Dy vendet vendosën sanksione ndaj shtatë shtetasve rusë dhe bënë një deklaratë të përbashkët duke paralajmëruar Rusinë për përdorimin e armëve kimike.

 

Uashingtoni vendosi nga ana e tij sanksione të mëtejshme ndaj dy personave të tjerë dhe katër instituteve ruse që tha se ishin përfshirë në punën kërkimore për armët kimike ose për atë që e përshkroi si një atentat kundër zotit Navalny.

 

Navalny u dërgua në Gjermani për trajtim mjekësor pasi u helmua në Siberi më 20 gusht 2020, me atë që ekspertët perëndimorë arritën në përfundimin se ishte agjenti nervor ushtarak Novichok.

 

Moska ka hedhur poshtë konkluzionet e tyre dhe akuzoi Perëndimin për një fushatë shpifjeje kundër saj.

 

“Individët e sanksionuar janë drejtpërdrejt përgjegjës për planifikimin ose kryerjen e sulmit ndaj zotit Navalny”, thuhej në një deklaratë të Zyrës së Jashtme britanike.

 

Ministri i Jashtëm britanik Dominic Raab tha se masa ishte një paralajmërim për Rusinë.

 

“Ne po dërgojmë një mesazh të qartë se çdo përdorim i armëve kimike nga shteti rus shkel ligjin ndërkombëtar dhe se duhet të kryhet një hetim penal transparent”, tha ai.

 

Sanksionet do të prekin ata persona që kanë pasuri jashtë shtetit.

 

Dokumenti britanik përmban këta emra: Alexey Alexandrov, Vladimir Panyaev, Ivan Osipov, Vladimir Bogdanov, Kirill Vasilyev, Stanislav Makshakov dhe Alexei Sedov. Dokumenti thotë se ata janë të gjithë anëtarë të shërbimit rus të sigurisë FSB dhe se ishin përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi me helmimin.

 

Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi më vonë se po vendoste sanksione për të njëjtët persona, si dhe dy zyrtarë të tjerë rusë për të cilët u tha se ishin përfshirë në helmim: Konstantin Kudryavtsev dhe Artur Zhirov.

 

Departamenti i Thesarit gjithashtu përfshiu në sanksione edhe Institutin e Kriminalistikës të FSB-së, një laborator ku punuan shumica e personave të përfshirë në sulm, dhe Institutin Shtetëror të Mjekësisë Ushtarake Eksperimentale të ministrisë ruse të mbrojtjes.

 

Departamenti i Shtetit gjithashtu njoftoi se vendosi sanksione ndaj dy instituteve të tjera shkencore ushtarake ruse të përfshira me armët kimike.

 

As Kremlini dhe asnjë prej personave në listë nuk ofroi ndonjë koment të menjëhershëm.

 

Qeveria britanike citoi dëshmi duke përfshirë të dhënat e telefonit dhe udhëtimit që tregojnë se disa nga operativët ishin të pranishëm në qytetin siberian Tomsk në kohën e helmimit.

 

Për të tjerët tha se kishte baza të arsyeshme për të dyshuar se, për shkak të pozicioneve të tyre në shërbimin e zbulimit, ata kishin “përgjegjësi për të ofruar mbështetje ose promovuar veprimet e operativëve që kryen operacionin”.

 

Navalny u burgos për shkelje të lirimit me kusht për një dënim bazuar mbi akuza që ai tha se ishin të motivuara politikisht kur ai u kthye në Rusi në fillim të këtij viti nga Gjermania.

 

“Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të respektojë plotësisht Konventën e Armëve Kimike, përfshirë detyrimet e saj për të deklaruar dhe çmontuar programin e saj të armëve kimike”, thuhej në deklaratën e përbashkët SHBA-Britani.

 

“Ne mbetemi të vendosur për të respektuar normat ndërkombëtare kundër përdorimit të armëve kimike”, thuhet në deklaratë.

Më shumë

Putini kritikon praninë e trupave të huaja në Siri

Presidenti rus Vladimir Putin kritikoi praninë e trupave të huaja në Siri, duke thënë se ato janë atje kundër vullnetit të qeverisë siriane dhe po bllokojnë forcimin e vendit të shkatërruar nga lufta, thuhej në një njoftim të Kremlinit të martën.   Zoti Putin i referohej qindra trupave amerikane të dislokuara në Sirinë […]

Olimpiada ndëshkon Korenë e Veriut për mospjesëmarrje në Lojërat e Tokios

Autoritetet olimpike ndërkombëtare kanë pezulluar Korenë Veriore deri më 2022, për shkak të dështimit të Phenjanit për të dërguar ekipin në Lojërat Olimpike Verore që janë mbajtur muajin e kaluar në Tokio.   Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, ka bërë të ditur këtë ndëshkim që, pezullon mbështetjen financiare dhe ia pamundëson […]

Talebanët emërojnë qeverinë e re të përkohshme

Talebanët emëruan Mullah Hasan Akhundin, një bashkëpunëtor i themeluesit të lëvizjes së tyre Mullah Omar, si kreun e qeverisë së re të përkohëshme të Afganistanit të martën dhe Mullah Abdul Ghani Baradarin, kreun e zyrës politike, në postin e zëvendës kryeministrit.   Sarajuddin Haqqani, djali i themeluesit të rrjetit Haqqani, të përfshirë në listën […]

Senatori amerikan: “Agjencia e Faucit i dha fonde Institutit të Wuhan e financoi studime për Covid-19 në Kinë”

Këshilltari kryesor i Shtëpisë së Bardhë për Covid-19, Anthony Fauci, po përballet me thirrjet për të dhënë dorëheqjen pasi dokumentet e sapo publikuara sugjeruan që agjencia e tij financoi kërkime ‘të rrezikshme’ lidhur me Institutin e Wuhan në Kinë, pavarësisht mohimeve të mëparshme.   Kërkesat për shkarkimin e këshilltarit shëndetësor vijnë pasi Intercept […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara